Sonntag, 12. April 2015

Faik Mustafa - Epigrame


BUKURI XHEPI
(Babë e bijë bisedojnë)


- Ç’të mirë gjete moj bijë te ai djalë balosh,
S’di t’i fshijë qyrrat e zgërdhihet si debil?
- Ke të drejtë babi, e pranoj, bile është kokëbosh
Ama xhepat i ka plotë, shkëlqen si xhevahir.



KOHË KARRIERISTËSH

Ec me kohën nëse do të të prijë e mbara
E mbarë është vetëm ajo që t’sjellë interes,
Interesi t’i hapë rrugët e t’shpie përpara
Përpara shkon ai që për karrierë vdes.



KOHA I HA PARIMET

Mos gënje, mos vjedh, n’punë kërko shpëtimin
Janë mësime që fëmijëve ua mbjellim n’kokë,
Por të gjorët shpejt në jetë përjetojnë zhgënjimin
Ngado sillen ballafaqohen me njerëz bërllok.



I MARRË A I MBARË

Ta lëpish atë që pështynë është bërë modë
Është stil i jetës që t’çon përpara, të nderon,
T’jesh parimor, t’mbrosh të drejtën, është punëkot
Të tregojnë me gisht, nga vetja t’marrin krijon.



KUNDËRSHTI

Më ke babe e të kam bir, topi nuk e luan
Po ç’e do se nuk durohemi, jemi n’kundërshtim,
Me këmbëngulje sjelljet tua ti vazhdon i ruan
Janë dy rrugë që nuk na shpiejnë në një vendtakim.



E VËRTETA N’POLITIKË

E vërteta është rrugë njëkahëshe e kemi të qartë
Për trasimin e saj shpenzohet shumë kohë e mund,
N’politikë , për çudi, shërben si fjalë e artë
Për t’na mbajtur të përgjumur e shpërlarë trutë.



KARPATOULKONJAT

Shërbyen gjatë si lakenjë për të mbijetuar
Kokën peng e linin kinse n’emër t’besnikërisë,
Kur askush nuk e priste, ja çasti i mallkuar
Karpatoulkonjat bëhen zotër të shtëpisë.



SHTETI SI ZEMRA

Shteti është si zemra përherë në funksionim
Duhet të kujdesemi mos ta ngarkojmë tepër,
Kur pëlcet aorta vështirë ka shpëtim
Ashtu pra dhe shteti mbetet emër n’letër.



FAJI I ËMBËL

Dashuria është dhembje t’mban përherë t’shqetësuar
Të përvetëson të tërin bëhesh rob i saj,
Me shpirt lutesh mos t’ketë të përfunduar
Është përjetim i këndshëm, e do këtë faj.



MERITOKRATI DËSHTAK

Erdhi t’qeverisë vendin i pastër si meritokrat
E pritën si shpëtimtar, thanë, tash fillon e mbara,
Rreth tij pahetueshëm u tubuan shumë servilokratë
E shtrinë keq përtoke, pa nam i treti fara.



VUAJTJA

Vuajtje do të thotë dhembje, mundim
E vogël a e madhe, të mban të shqetësuar,
Qoftë fizike a shpirtërore, kërkon durim
Është pjesë e jetës, atë duhet shijuar.



VAKSINA

Për një Paster* të ri kemi shumë nevojë
Ta zbulojë vaksinën kundër tërbimit politik,
Të zgjedhurit e popullit s’pritojnë të bëjnë plojë
Për apetite të sëmura, vendin e shtynë n’rrezik.
*Lui Paster, zbulues i vaksinës



FUNDI PO AFRON

Si erdha, jetova dhe fundi po afron
Këtë e ndjej gjithandej nga shenjat në trup,
Jam i qetë, buzëqeshi, kjo fare s’më shqetëson
Vertikal qëndrova e po shkoj pa turp.



DEMOKRACIA DHE ANARKIA

Demokraci do të thotë liri me ligj rregulluar
Aty ka rend, është e mirë që respektohet,
Edhe anarki nënkupton liri me dhunë ndërtuar
Kush pengon e mendon ndryshe asgjësohet.



UJQËR E KOJOTË

Ujqër e kojotë u bashkuan lidhën koalicion
Në zgjedhjet e radhës t’fitojnë me çdo kusht,
Nuk zgjodhën mjete, sipas tyre, bënë revolucion
Të gjithë kundërshtarët i shpërblyen me grusht.



FALJA DHE GABIMI

Po s’e fale veten, s’i falë dot të tjerët
Gabimet ndodhin, janë pjesë e jetës,
Për hakmarrje mendojnë zuzarët, të mjerët
Trimat, të urtit, konak i bëjnë t’vërtetës.



JO DHËMBËSUTË

I sinqertë jij, jo të bëhësh dhëmbësutë
Shurdhësia jote shfrytëzohet për kalërim,
Janë të pamëshirshëm, trupin ta bëjnë futë
Kur arrijnë qëllimin, ti mbetesh në harrim.



“SINQERITET” POLITIKANI

Doli prej nafataline i hyri garës n’politikë
I vojti gjeli, demagogjia i piu ujë,
Kur siguroi fitoren, u ulë në karrigë
Na e nxiu jetën më zi se një i huaj.



LIBËRVANDALËT

(Konfiskimit të abetares shqipe në Luginën e Preshevës)
Germat e gjuhës shqipe s’i duruan dot
Si të çmendur u sulën ta zhbëjnë këtë farë,
U pajtuan të quhen libërvandalë në botë
Se të lejonin një popull t’ketë rritë të mbarë.



GËRRYESI

Krimbi kur gjenë butë hiç pa u hetuar
Gërryen me kënaqësi, të ngirë nuk ka,
Rrënon çdo gjë përbrenda, ne si të tërbuar
E harrojmë gërryesin, luftojmë vëlla me vëlla.



KUSH MIK, KUSH ARMIK

Kush të vërtetën ta përplasë në fytyrë
Shtrëngoja dorën, konsideroje mik,
Ai që t’rreh supet kur vepron keq e mirë
Është pakurrizor, prej tij të kesh frikë.



QËLLIMI

Qëllimi në jetë është ushqim shpirtëror
Të jep forcë si lumë t’shpërthesh përpara,
Je i dobishëm për vete e rrethin shoqëror
Mbështetesh në vepra e jo në përralla.



MASLLAHAT DEMOKRACIA

I lumtë atij që shpiku këtë sistem masllahat
Edhe burrat më në zë i bëri pakurrizorë,
Kërcejnë si pleshtat prej njërës parti n’tjetrën, jo për inat
Sa për t’ia lënë njëri-tjetrit jadecin në dorë.



KATËRLOG

(Nga një bisedë liderësh partiakë)
-Parim mbi parimet është të hyshë në qeveri
-Vetëm atëherë të duan je njeri autoritar,
-Sa më shumë që popullit i qet hi në sy
-Aq më lehtë e mban në zgjedhë, e përdorë si kalë.



INTERESXHIU

Sheh nuk sheh, dëgjon nuk dëgjon
T’i përshtatesh rrethit është interes,
Vetëm i mençuri kështu vepron
Turbo ecë përpara si treni ekspres.



STRUCNJERIU

Vodhi, mashtroi sa mundi, u majmë si struc
Kur e diktuan, në shpirt ndjeu tërmet,
U bë si i çmendur duke kërkuar birucë
Për ta fshehur kokën e jo trupin e shkretë.



O GRUSHT, O NGUSHT

(Politikanëve shqiptarë në Maqedoni)
Vetëm të bashkuar jeni të fortë grusht
Vështirësitë më lehtë mund t’i përballoni,
Kështu si silleni do gjendeni edhe më ngusht
Fajtorin mos e kërkoni gjetkë, nënshtrimin e meritoni.



GJYKATA SPECIALE

Peshqit e mëdhenjë gëlltisin të vegjëlit s’japin përgjegjësi
Papërgjegjësia e solli vendin në gjendje katastrofale,
Katastrofat ndodhin aty ku nuk ka vesh e nuk ka sy
Për të pritur t’këqiat të na i zgjedhë Gjykata speciale.



INCEST

Aty ku ndodhë incest lindin fëmijë debila
Tregohen me gisht, përbuzen përjetë,
N’politikë të tillët quhen t’zotë, kopila
U lejojmë t’na prinë, të udhëheqin pushtet.



PUNËT E PISTA

Punët e pista shpesh janë me levërdi
Shumë burra nga lakmia pas tyre verbohen,
Fryhen si qyrana se punojnë për atdhetari
Zhyten në pëgatë, e kurrë nuk pendohen.


______
Solli për "AlbPlanet" z. Sylejman Aliu, shkrimtar

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen