BËNIN BE SE QEN ISHTE
Bënin be e rr’fe
e dinin
qen ishte
të lehurën moçalisht
këlbaz kishte
nën qiellin e përllomtë të heshtjes
memecëria binte si tunxh
në vese zvarranikësh
e shpirti i pabëzanisë gjëmonte
e pëshpëriste
se kishte diçka
që s'e kishte qeni
i pabesë e në gjirise rronte
lehte njerëzit e shtëpisë
të huajtë lëpinte.
Prishtinë, 1994
Urithët
Fshehin në sy bote
Barkqitjen e pangopësisë
Të mos tregojnë çfarë hanë
Hanë e hanë urithët
nën lëkurën tonë
Gjëmimi i dhembjes
Kosovës
Ajo ka fuqinë e tokës
unë varshmërinë
në varganin urtak të dashurisë
dhe flet e skuqur Kosova...
për ne
jemi dhe ishim ne
gjetheverdhë
në copa kohësh
as të vdekur
më pak në jetë
të mbyllur në thesin e shqyer të historisë
pa mend dhe me gojë
në prehërin e Saj shpjegimi
deri në imtësi
Po të mos heshtja,
do të flisja gënjeshtra
brenda një kënge mashtruese
ajo edhe e dergjur nga ne
më jep dashurinë
me frymëzim hyjnor
o, Zot, sa e fuqishme
brejtjen e duron nga ne
bëhem rob i kësaj lumturie të dhembshme
të mbjellë në djerrina këngësh
ia them të gjitha me heshtje
ia pranoj saktësinë e saj pemtare
dhe ik brenda një harrese të kujtueshme
dashuri nuk është ajo në një kohë copa-copa
brenda gjeografisë së përvuajtur banimi
në arën tonë kullosë mashtrimi
Në parajsën e dhembjeve të urta
bollat helmuese i hanë pranverën
Ferrin ngrehim në prehërin e saj!
Evropa
Të njihnim si nuse të vjetër
Shkrepëtimat t’i mblidhnim me dorë
Në verën tonë seç bënte dimër
Dimër i fortë
Prapë të njihnim si damë të vjetër
Jo një vit, një thes shekujsh,
E urtë, e mlleftë, e ftohtë
Kishe ato që kërkonin të tjerët
Një ëndërr të çliruar nga tmerret
Mburrja yte vilte e vjelë
Qiell e diell
Në prehrin tim mushkonja pjellë
2.
Kishim lënë gjeografinë
E trollit të përgjakur
Brenda harrimit tënd ndëshkues
Kur gurë spirrash ngulnin në ne
Herë kryqe bizantësh
Herë maskaradë e fe
Herë shpatë e gjak
Litarë gjymtyrësh
Edhe në amësi
Vrisnin Iliri
Gjymtonin Shqipëri
Hije Karpatesh t’mashtronin n’histori
Otomania hapëronte si gjarpër i zi
Të të prekte dhe ty
Por ne ishim aty
Të mbronim si nuse të vjetër
Shkrepëtimat t’i mblidhnim me dorë
Prapë në verën tonë dimër
Dimër i fortë
Grushti
Në grusht
Shtrëngojmë grushtin
Shkundim erën
Edhe verën
E gëzimit
Nisemi ndaras
Të mos arrijmë askund
Në gjuhë
Rrisim grushtin
Në arë kallinjsh egjre
Thithim vrerin
Edhe terrin
Zotit i vjedhim fuqinë
Në shtrat dergje
Truri grusht
Kurmëzon të tjerët
Shtetarët
Të sharët
Gatuajnë për vete
Në parajsën e derrkosjes
Bëhemi heronj shtrigash
Gjynah që flutura
Kërkon lulen
Që mungon
Koha jonë e harrueshme
Ishim vetëm
të parë e të lashtë
jemi plot:
ne
vetmia
dhe të huajt
Në kohën tonë të harrueshme
sall vdekje
sall heronj
me vdekjet rrojmë
kombi digjet
mes qiellit dhe vetes
rrimë ulur e të pagojë
të mos na kafshojë qeni i shtëpisë
me thonj nxjerrim eshtrat e karbonizuar
dhe me ta ndërtojmë kohën tonë
sall të ketë të tillë
t´i përmendim për vete
kombi duhet të rrojë i vdekur
dhe ne të dukemi të gjallë
ne që duam të udhëheqim
(Tetovë, shtator 1999)
Mantenuti
Mendonim të ishte diell
Mbi maja reshë
Të kërrusura mbi ne
Ishte krejtësisht tebdil
Mendonim të ishte njeri
Dhe mbante lëkurën tonë
Të regjur në stuhi
Tha një fjalë të mirë
Ne ia shtuam një mijë
Me zemrën tonë
I mori dhe iku lart
Mbi dashurinë
Të gatuante mërinë
Parajsën e ndoti ferri i tij
Shau e shanë heshtjen tonë
Të urtisë
U bë pëllumb i huaj
Tunxh i fjalës sonë
Si një zot ndëshkues
Nuk ishte më tebdil
Kur mbanë mjekër
Nuk duket burrë
Kur vishet grua
Duket mantenutë
Fermë e quan Kosovën
Qen e quan njeriun e saj
Prostitutë pjellën tonë
Me lehjen e vetë
Tiranë, 2009
Njeriu ynë refugjat
Njeriu jetuaka
me turpin, me fajet
me madhështinë e rrënuar
me folklorin e vdekur të mburrjes
njeriu vdiska
edhe në mikpritjen e madhe
Shqiptare
edhe në përbuzjen
maqedonase
edhe i rehatuar
edhe i pagjumë si hije
vdekja priste në Bllacë
në Jazhincë, në Morin, në botë
njeriu ynë përhumbet në kartonin e gjelbër
refugjat
dhe vdekja jep shpjegimin e vet…
(Kronika e dhembjes është e trishtueshme. Fillimin e saj nuk e njoha sa duhej në Kosovë. E njoha atë në dëbim-shkarkimin tim në Jazhincë. Para nesh u shfaq e madhja, qiellorja, engjëllusha – mikpritja shqiptare. E, çfarë i duhej një mikpritje e tillë njeriut që pikërisht në ato çaste dukej i vdekur? Krejtësisht i vdekur! Prapa, menjëherë aty ku përfundonin uniformat e lugetërve, rishtazi më mbillej dhembja, pas së cilës aq shumë kisha ngarendur. E leja prapa Kosovën, e braktisja dashurinë. Tash do të regjistrohesha në listën e të ndjekurve: refugjat! Vetëm loti mund të shpjegonte jetën time tashmë të vdekur. Pas nesh vinte edhe malli, edhe turpi. Pas nesh vinte edhe faji, i cili tash ka zënë vendin e gjumit.
Falënderimi për mikpritjen e pameritueshme është i çoroditur, i patakt, i nëpërdhëmbshëm dhe, sikur ngutemi në këto çaste të mos dukemi se frymojmë vetëm nga mëshira. Përpiqemi të fshehim mëkatet, fajet dhe prapë loti, tashmë krejtësisht i ftohtë, mbushë gropëzat e syve tanë, të cilët pa ndarë, pashkëputshëm na shikojnë malet e larta të Sharrit që të rilidhin gjeografinë tonë edhe të ikjes, edhe të vdekjes. Mjafton kjo?)
Jazhincë, 2 prill 1999
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen