Sonntag, 12. April 2015

Nexhip Bashllari - Cikël me poezi


Pas gjurmëve të mia

Erdha, i dashur, tek ti sërish,
 erdha… Të mirë se të gjeta!...
 Më prunë këtu një sërë ndjesish,
 mori kujtimesh të vjetra…

Më pruri këtu një mal me mall,
 palë-palë palosur në vite,
 një zë i brendshëm: -Ku je, qyqar?
 Harrove vendin ku linde, u rrite…”

Erdha tek ty nga rruga e vjetër,
 me gurë dhe drurë të çmallem me radhë,
 ajo, e ngushta me shtegun e gjelbër,
 jo rruga me çakëll të bardhë…

Eca pas gjurmëve të mia të para,
 pas gjurmëve të lëna dikur,
 pas pikash të gjakut nga gishtat e çara,
 kalldrëmit më gur e me zhur…

Nga rruga e gurtë që bëja çdo ditë
 me çantën me libra nën sqetull,
 ku dita ditës më rritej një dritë,
 që unë e shkrepja nën vetull…

I njoha… Më njohën dhe gurët dhe drurët,
 më dukej se flisnin e qeshnin…
 “Pa shihni, kush ardhka!...” Me mallin si grurët
 më tokin… më heqin dhe veshin…

“…Po ku ke qenë?... Eh, vitet si vite
 rrodhën e ne nuk të pamë.
 Qytetit si rrodhe nga prapa iu ngjite,
 menduam se vdiqe, përpak sa s’të qamë…!”



Mall për cicërimat

Këndo bilbil një këngë për mua,
 më të bukurën këngë që di.
 Mallin tim të cicëruar
 nxirma ti e vetëm ti…

Këndo bilbil të më mbash gjallë,
 të ma shuash mallin tim.
 Vit më vit një rrudhë në ballë
 dhe sejcila-një kujtim…

Pa këndo një këngë për mua,
 o i rralli këngëtar,
 Vetëm kurrë ti mos më thuaj
 që në zë je i parë…

Pa t’ia themi njëherë bashkë,
 zërin tim s’e merr mësysh.
 Nipper, mbesa kam nja gjashtë,
 tek më shmallin: - Alo gjysh!...

Ah, më ka mbërthyer vjeshta....

Në një tryezë...Karriket bosh,
 Vetëm në njërën...Unë i vetmuar.
 Të tjerat plot me bukuroshe
 Dhe bukuroshë të dashuruar.

Hedh vështrimin rreth e rrotull,
 Por asnjë sytë nuk m’i hedh
 Ashtu i heshtur e kthej gotën
 Dhe thith kafenë me pak sheqer...

Kthehem prapa në kujtime,
 Para meje – një imazh....
 Krejt si ata – rinia ime
 Zemërqeshur, buzagaz...

Po çfarë të bëj? Kujt t’i ankohem
 Që sot më ka mberthyer vjeshta?...
 Ja, pse vjedhur unë largohem,
 Kridhem dhimbshëm nëpër vjersha...



Fati
 (tankë)

Si gjithë të tjerët provova,
 Por fati kurrë s’m’u afrua...

Atëherë djersën kullova.
 Fati më tha:
 -Ja tek me ke mua!



Me nderim

Me nderim kujtohen burrat e parë,
 Në minder, të ulur këmbëkryq.
 Të urtë në fjalën e marrë me radhë,
 Të rreptë e të drejtë kur bënin gjyq.

Si të mos i nderosh ata që fjalën
 E patën me peshë në kuvend,
 Ata që gjakun gjaksit ia falën
 Dhe në llogore përkrah zunë vend?

Vërtet!... Njëri - tjetrit besën i dhanë
 E besa i bëri si grushti, bashkuar.
 Mëri e thashetheme mënjanë i lanë,
 Së bashku rrebeshet përballuan.

Me nderim kujtohen burrat e parë,
 Që kurrë nuk u trembën si t’urtë.
 Ata Shqipërise ia lanë faqen të larë,
 Të urtët e rreptë, të rreptët e urtë!...



Ka nga ata

Ka nga ata që s’ta duan të mirën,
 Të mirën e duan për vete në duar.
 Ka nga ata që s’e durojnë të vështirën,
 Atë të tjerëve ua kane kunguar...

Ka që duan përkrahu t’i mbash,
 Kur vete përkrahu s’të mbajnë kurrë!
 Nga krahu i tyre duan të mos hash,
 Kur krahun e tjetrit e pjekin në furrë.

Ka qe nderimin ia marrin të vjetrit
 Dhe me hakun e plakut bëjnë pallë.
 Ka që lopen e lënë në jonxhë të tjetrit
 E tjetrit t’ia shohin të ngordhur në stallë.

Ca duan që lumin ta kalojnë shaluar,
 Të tjerët të mbeten të braktisur matanë.
 Nga shtepitë e tyre me drita mbuluar,
 Të shohin shtëpine e tjetrit si han...

Në misrin e tyre gjithnjë të bjerë shiu,
 Në misrin e tjetrit kurrë të mos bjerë.
 Në arat e tyre të mos hyjë ariu,
 Po misrin e tjetrit përdhe le ta shtjerë.

Ka qe edhe verën e duan të ftohtë,
 Ka qe edhe dimrin e duan si verë.
 Ka nga ata...Ç’nuk ka në këtë botë!
 Mjaltë për veten!...Për tjetrin vrer...



Fije shkrepse

Je në rrugë. Në mal shkon.
 Bie borë e të zbardhon.
 Bora grigjet grigjëron.

Erë e fortë dhe fërfëllizë.
 Përballë shpati me murrizë,
 Në trastë:bukë me pak gjizë.

S’duron qarri që është qarr!
 Si duron?...Mos je i marrë?
 Shtyhet rruga pa një zjarr?

Dorëmardhur në korije,
 Nxjerr një shkrepse me një fije.
 Bora shkrin.Si loti bie...

Me një fije...Ah, kjo fije!
 Të jep frymë me ca karthije!
 Ia hedh dimrit për një fije!
 Eh,ç’kujtim prej djalërie!...



Thirret koha për gjykim


Ca gjykatës që unë njoh,
 Thirrën kohën për gjykim:
-Kohë!...Ke humbur shumë kohë!
 Dhjetra vjet ke bërë pushim...

-Unë s’jam kohë me mend të marrësh,
 Në një vend nuk kam qëndruar.
 Veç ju prap në post gjyqtarësh
 Rrini lidhur këmbë e duar...

Ujku – ju e ju – çakalli,
 Njëri-tjetrin e sulmoni.
 Ngjallni sherr ku shuhet zjarri,
 Vetëm prapthi të më çoni...

Dhëmbë ngulni mbi kopera,
 Edhe ligjet po i zhvatni.
 Unë jam koha, më e mjera,
 Që ky komb në shekuj pati...

Shpejt dhe ju do lagateri,
 Kur s’mendoni për askënd.
 Vrapin tim s’e përmban freri,
 Jo unë!...Ju gabuat rëndë!...



Kuturi

Po eci kuturu, ku më çojnë këmbët,
 Nuk di ku shkel, ku hedh çdo hap.
 Ecën dhe koha që më sheh vëngër,
 Se s’di ç’t’i marr, se s’kam ç’t’i jap.

I mbushur me ankth e i frikësuar,
 I trembur jam, se mos rrëzohem.
 Të vënë stërkëmbësh, të lënë gjymtuar.
 Në këtë botë nga kush të mbrohesh?

Pse, dreqin, qenka kjo rrugë me dredha,
 Kur mund të ish një rrugë e drejtë?
 Përse në shpirt na mbijnë veç gjemba,
 Kur jemi njerëz me gjak në dej?!...

A s’mund ta lëmë një udhë të humbur,
 Të gjejmë të renë, të zënë përdore?
 Ku jeni ju, o zemër-kumtur?
 Pa ju çdo rrugë na bëhet qorre!



Për çka ngjarë e ç’nuk ka ngjarë

Mos m’u zemëro ti,o gjengj i bukur.
 Ashtu si ti nuk bëhem dot.
 Mendimin unë e kam si flutur,
 I lirshëm bredh ai në botë...

...Atje ku roje bën ushtari,
 Në shi,në borë edhe në vapë.
 Atje ku bie luftëtari,
 Që çdo pëllëmbë e mbron me gjak.

Atje i fryn xhurasë bariu
 E iso mban atje thëllëza.
 Në zheg gjinkalla plas vetiu
 E këngën la mu te nerënxa...

Dal që pa gdhirë,kur çel agimi
 E vesa shkrihet në petale
 E gonxhe-kuq çel trëndafili
 E bari rritet në livadhe...

Atje ku lavrën e hap plori
 E hidhet fara e shëndetshme,
 Atje unë ndjehem më çapkënori,
 Te det i bukës së përjetshme...

Pa zë e futem lart te retë,
 Të shoh dhe shiun si krijohet.
 Te cilët yje vallë ka jetë,
 Të di:më mirë se ku jetohet...

Pa diellin shoh të flakërojë,
 Ia ndiej gjirit ngrohtësinë.
 Kur hëna zë të nusërojë,
 Më zgjon dhe mua dhëndërrinë.

E bukur mirë me këta veshë
 Dëgjoj buçimat e qershorit,
 Ku i shkarkon ai rrufetë,
 Përsipër majës së Tomorrit.

E hapin tim të madh kam hedhur
 Nga njëri pol në polin tjetër,
 E gojdhëna plot kam mbledhur
 Për ca vezirë e për ca mbretër.

Nuk bëj dallim në ca të bardhë,
 Të verdhë,mulate apo të zes.
 A bën dallim vallë mëma dardhë
 Për kokrrat-bija në shërbesë?...

Kulluar jam porsi lumenjtë
 Që veç kullim dërgojnë me valë.
 Mësuar jam nga të mëdhenjtë
 Me urtësinë me pakëz fjalë.

Më rrjedh dhe mua në damarë
 Komiti gjak me fustanellë
 E çka ka ngjarë e ç’nuk ka ngjarë
 I ndjej në shpirtin tim të thellë.



Gjakmarrja

Sa shumë rëndon gjakmarrja,
 Me plagë,me gjak,me lot.
 Vritet prej saj e ardhmja,
 Pa ardhur ndjen dhimbje që sot.

Një krismë diku dëgjohet,
 Një burrë varroset në dhe.
 Një nënë nga lotët qërrohet,
 Një nuse as kokën s’e ngre...

Emri i vrasjes përpihet,
 Një tjetër zë radhën që ka.
 Vdekja zë qesh e zgërdhihet,
 Veç rrobe të zeza në gra...

Që në bark të nënës fëmijën
 E pret gjakmarrja-lubi.
 U mplakën nuset,u thinjën,
 Përsipër çative tym gri...

Dhe thonë se ka qeveri!...



Mjellma e bardhë...

Vetja m’u bë zog fajkua,
 Nga qielli bëj një pikiadë.
 Shpirti papritur m’u trazua,
 Prej mjellmës së bardhë.

Për atë bëhem si i marrosur,
 Ç’më ke plagosur, mjellmë e bardhë.
 Sa shpejt më doli gjum’ i flamosur!
 Te kishte zgjatur, djalli ta marrë!

Dil, moj, dil...

Dil, moj, dil... Më mori malli.
 Dhe durimi ka kufi.
 Shih!...Ka çelur portokalli
 Prapa portës ku rri ti.

Mos e mbyll, moj, veten brenda!
 A e di sa vjet do rrosh?
 Jeta qënka vetëm ëndërr,
 Mos i shko minutat bosh!

Nëse s’do të vish me mua,
 Domosdo, që keq më vjen.
 Dil, pra, dil...Në sy ma thuaj.
 Po s’më dole nuk më gjen...

Dil, moj mike... Mbete brenda,
 E rrethuar mur më mur.
 Po të dalesh, ma thotë mendja,
 Do ta zbutësh zemrën gur...



Buzëpjekura

Në mendime pse je kredhur?
 Përse buzët të janë tharë?
 Për kë, moj, të janë djegur?
 Kush u vuri buzëve zjarrë?...

Pa më eja këtu pranë,
 Ato buzë për t’i zbutur.
 Kam ilaçin asaman,
 T’i shërokam duke puthur.

M’u afro, moj buzëpjekur,
 Ethe buzësh të të mpak.
 Jam dhe unë po aq i thekur,
 T’i ftoh buzët pak nga pak!



Këngë që s’vijnë

Një erë e lehtë më zbuloi thëngjijtë,
 Mbuluar nga hiri…Dhe pastaj,…
Më solli ndërmend gishtërinjtë
 Ngatërruar mbi flokët e saj…

Më ndërmendi atë natë të bukur,
 Mbi krye kishim gjithësinë.
 Rrugës gjithë duke u puthur,
 Në buzët tona-këngë që s’vijnë!

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen