Sonntag, 12. April 2015

Një erë e fortë dhe udhëkryqet

  • Polaku Andrzej Zaniewski për Agim Gjakovën (Parathënie e librit me poezi të zgjedhura ‘Saga o wietrze’ (Saga flurore) e poetit tonë të mirënjohur Agim Gjakova. Librin e përkthyen nga gjuha shqipe në gjuhën polake nga Mazllum Saneja dhe Ewa Śmietańska. Librin e botoi Shtëpia e njohur Botuese polake ‘Komograf’, Varshavë, mars 2013.

* * *
‘Nëse unë ngrihem në mëngjes i pafjetur
dhe ngarkoj furtunën me mendimet e mia
dheu diku thellë tronditet nga buzëqeshjet magjike
kënaqësia fërfëllohet dhe tumiret me ngazëllimin’

(‘Njeriu i lirë’)

Biografitë e poetëve kanë nganjëherë fuqinë e poezisë, shpesh shndërrohen në poezi, poema, rrëfime epike nganjëherë në dimensione të miteve, të gojëdhënave apo të legjendave antike.
Biografia e Agim Gjakoves gjithashtu shndërrohet në mit, në sagën mbi njeriun e panënshtruar, të paepur dhe të padëgjueshëm, mbi shkrimtarin që nuk i dorëzon mendimet e veta – në ‘Sagën flurore’, mbi gjakun, mbi agimin dhe dritën që përshkon me forcë nëpër dritaret e mbyllura. Ne gjithashtu duhet mbajtur mend, se kjo vepër është e krijuar dhe e shkruar në gjuhën shqipe, që drejpërdrejt ka prejardhjen nga ilirishtja e stërlashtë, si një gjuhë indoevropiane, që flitej nga ilirët dhe, që njihet si paraardhëse e gjuhës shqipe dhe shqiptarët si bij të ilirëve, të një populli më të moçëm në Evropë, të cilët fal gjuhës dhe gjenisë së popullit mbijetuan duke ruajtur dhe kultivuar kujtesën dhe identitetin kombëtar, pavarësisht dallimeve ideologjike dhe fetare.
Kjo vetëdije gjuhësore shumëherë e ndihmoi poetin.


* * *
‘... rrjedh diçka në qenien time...
ku e lashë Shqipërinë
në këtë muzg drejt Parisit?’

(‘Në udhë’)

Të mos dorëzohesh, të mos nënshtrohesh, të mbash një qëndrim të guximshëm e ballëhapur karshi idealeve tua fisnike, të mos pajtohesh me qëllimet e këqija të hienave, demonëve, të njohësh tradhtinë dhe pabesinë e forcave të këqija dhe t’i luftosh, të kapërcesh kufijt, që të të kthehesh sërish dhe të ngadhënjesh, ndonëse çmimi i këtyre fitoreve është nganjëherë i lartë. Secila prej këtyre poezive, rrëfimeve, sekreteve dhe të pëshpëritjeve të Agim Gjakovës mund të jete fillimi i një epopeje, fillesë e esesë, poemës, romanit. Mendimet – vargjet ruajnë dhe mbrojnë këtu thellësinë, dhe pas tyre përmbajtja përbëhet me shumë shtresa. Dhe pastaj ndiej dhe kuptoj praninë e perdeve, maskave, ndonëse nuk e lexoj tërësinë, nuk mund të heq maskat, kuptoj asociacionet, ndonëse nganjëherë nuk di ku shpënë ato. Lexoj – vështroj në mënyrë të sipërfaqshme, nganjëherë arrij të kuptoj më thellë, duke kuptuar se njoh pothuaj pjesën më autentike të historisë.
Rreth e përqark shkëmbinj të bardhë, të lartë, të fuqishëm, shkëmbinj të papërshkueshëm që me shekuj e shoqëruan historinë e lashtë të këtij populli antik – i papërkulshëm dhe i pathyeshëm, që jetojnë në mes të shqiponjave dhe gjarpërinjve. Kjo e kaluar qëndron prapa poetit, është si një sfond, e njëherazi si një horizont, nga i cili burojnë forcat e tij dhe mundësitë krijuese. Dhe kjo është e rëndësishme, sepse nuk është lehtë të jesh shkrimtar, i cili askurrë nuk u përkul, nuk u gjunjëzua, nuk i shërbeu regjimit totalitar, nuk tradhtoi idetë e tij të flakta atdhetare, nuk mohoi vetveten dhe gjithmonë dëshmoi në frymën e atdhedashurisë.
Të mahnit dhe të magjeps si magji bukuria e këtyre poezive, qartësia e tyre dhe saktësia e mesazhit lirik. Autori me konsekuencë e shpie lexuesin deri te kapitulli i fundit që përbën një kurorëzim të tërë, në njërën anë duke mbyllur strukturën e veprës, dhe në anën tjetër duke hapur porta të tjera karshi reflektimeve dhe përfytyrimeve tona.
Agim Gjakova godet dhe ndez ndërgjegjen tonë, zgjon shqetësimin dhe ja shpalos para nesh korridorin e ndriçuar të labirintit të pafund. Dhe sakaq lind pyetja pas leximit, që i përkasin edhe autorit dhe realitetit përreth tij, atëherë kur shkruan...


* * *
‘për shkak të shpresës
dhe vetëm për shkak të shpresës
mësova të përçmoj magjistarët

për shkak të vetmisë
dhe vetëm për shkak të vetmisë
mësova të dyshoj të vërtetën’

(‘Kam të bëj me njeriun e sotëm’) 

A nuk janë këto rrëfime të patundura, të dhembshura dhe ndoshta sarkastike. Me termin ’magjistarët’ fshihen emërtime të ndryshme: politikanët, nëpunësit, udhëheqësit, duke përfshirë shkrimtarët, filozofët, artistët... Lexuesi shqiptar mund t’i lexojë këto fjalë drejtpërdrejt, drejtpërdrejt i njeh marrësit. Lexuesi polak është i rrethuar nga përvojat e veta dhe sekretet, sekretet që i përkasin edhe ‘skëterrës polake’ të zilisë dhe intolerancës. Ndërkaq, duke vështruar me vëmendje botën tonë të vërtetë, ne e shohim ngjashmërinë e situatës, ngjashmërinë e individëve dhe të popujve të afërm. Konceptet universale: dhembja-hidhërimi-vuajtja-lëndimi-martirizimi-dhuna-dëshpërimi, ndonëse gjithmonë të përjetuara ndryshe, të ndiera dhe të përjetuara individualisht, gjejnë megjithatë emëruesin e përbashkët etik dhe gjuhësor.
Pastaj paraqiten simbolet. Një imazh tronditës i ‘Taketukes’ i një ndjeshmërie të kallur, disfata e konformistit të shndërruar në hi, e kopracit që jeton në gjendje të ‘drejtpeshimit të buzëqeshjeve’. Poeti krijon më shumë se një metaforë – arketipin e ri. Dhe i bën vetvetes pyetje: ndoshta ti, ndoshta unë apo ai, që u bëmë një enë kallaji apo argjilë, që gëlltit hirin e shkundur prej të tjerëve.
Nuk ka dyshim, ndonëse jemi shumë larg nga Kosova, përkah largësia gjeografike, ndonëse nuk njohim shtresat e ashpra shkëmbore të Shqipërisë, jemi gjithashtu heronjtë e këtyre poezive çuditërisht të bukura. Na mbërthejnë, rrethojnë, prekin, na rrethojnë me kuadro të gjera të koncepteve poetike dhe logjike. E afërt më është filozofia e Agim Gjakovës – plotësisht individuale, subjektive, dhe megjithatë universale, filozofia e lirisë së brendshme dhe e ligjit më të rëndësishëm të natyrës: e drejta për veten e tij, të zgjedhjes së lirë të udhës gjithnjë dikur në udhëkryqe. Me këtë edhe e drejta ndaj Kosovës së vet – Kosovës sime, pikërisht sot pas ‘udhëkryqeve të shekujve’ e perceptuar ndryshe, përsëri... , të Kosovës, ku paraqiten neo-simbolet e ujkut, krokodilit, akrepit, gjarprit, qenit të humbur... A thua është e kuptueshme? Sepse nuk përfshihemi në lëkurën tonë, ndiejmë ngushtësinë dhe mungesën e oksigjenit, ndaj do të shkojmë jashtë natyrës njerëzore, duke kërkuar ndihmë në karakteristikat e qenieve të tjera. Ndonëse e duam aq shumë njëri-tjetrin dhe e kuptojmë, shpeshherë nuk e durojmë njëri-tjetrin reciprokisht, duke ikur larg nga njëri-tjetri, zihemi në mes vete, dhe nganjëherë përleshemi sikur qentë endacak, gjarpërinjtë, akrepat... Ndaj, së këtejmi më ka magjepsur ai cikli i titulluar ‘Pikat e helmit’, helmi që mund të na vret apo të na trullos, apo të na kalit si një vaksinë, se ndonëse ëndrra pas tronditjes bëhet edhe më e thellë dhe shfaqet si një fantazmë e plotë, e kjo mjafton vetëm me një pëshpëritje ‘Ndihmomëni ... ‘ ‘të zgjohem. A thua vetëm kjo pëshpëritje tjetër e tetë do të dëgjohet?
Lidhjet- asociacionet me letërsinë e madhe botërore janë të pandryshueshme, thelbësore dhe të natyrshme. Në poezinë ‘Kulla e fildishtë’ më shikon Fausti verbuar nga pjesa e tretë e tragjedisë. I mahnitur të dëgjojë jehonën e lopatës, duke menduar se kjo turmë e punëtorëve shpie punimet e drenimit. Dhe nuk di se qëndron mbi një pellg, derisa hienat e natës ia gërmojnë varrin... Agim Gjakova pikërisht është në koherencë me këtë episod: 


* * *
‘kisha qenë i verbër
në mënyrën time individuale
i munduar të shihja aty ku nuk ka pamje
i gatshëm të mblidhja
një grumbull të verbërish’

(‘Kulla e fildishtë’)

Ndërkaq, ekzistojnë ca karakteristika që i bashkojnë poetët pa marr parasysh në epokën dhe gjerësinë gjeografike. Këto janë ndjeshmëria dhe mahnitja. E njëjta gjë ndodh me poezinë e poetit Agim Gjakova, ku një atmosferë të plotë intime të frazave të përshkruara me delikatesë i gjejmë të njëjtat veçori në lirikat e Federico Garcia Lorces, në vizionet e natyrës të Walt Wchitmanit, në pastërtinë shpirtërore e të përkryer të Nazim Hikmetit, në mesazhet subtile të poetit Jan Twardowski dhe në koherencë me poetët e mëdhenj të epokës sonë.
Vetë zëri i poetit na ngashëren me ritmin e ngjeshur, të kondensuar dhe të menduar mirë, me domethënien e rëndësishme të strofave, me çiltërinë e shprehjeve dhe imagjinatën e gjerë. Pastaj befas ndalemi nga fjalët e përcaktuara me situatën konkrete jetësore apo ndoshta në prag të jetës dhe vdekjes, me situatën që të ngjall një kënd reflektimesh: dhe sa kufij u nevojiten që të kalosh, të kapërcesh, sa roja të kapërcesh, sa mure e grila burgjesh të kapërcesh?


‘Kërkoj një mik
kërkoj
një armik

* * *
gjej një gur
gjej
një mur

imazhi i gjuhës
gjuha e frikës

fjalët nuk thuhen
gjithçka
pëshpëritet’

(‘Në vorbullën e ndjenjës’)

Nuk na befason fillimi i poezisë i bazuar në një paradoks. Ne gjithashtu dimë se armiqtë janë nganjëherë mësuesit mizor, se nga armiqtë ndonjëherë mund të mësosh më shumë se sa nga miqtë. Dhe, prandaj, me mirëkuptim pranojmë kuptimin e mendimit zbulues:

* * *
‘e vërteta qenka vetëm paradoks’
(‘Ndoshta e pakuptueshme’)


Të mos harrojmë! Këtë e shkroi poeti, i cili duke qenë i vetmuar dhe i persekutuar, u bë akuzuesi i këtij shekulli. Dhe pikërisht kjo autovetëdije i lejon poetit të shikojë qetë në të ardhmen, në këto kohë të trazuara. Atëbotë kur poeti bie në kujtime, i kujtohen: shikimi i babait, Krena – ai lumë i lundrueshëm përmes Gjakovës – vendlindjes së poetit, pastaj fëshfërima e erës mbi Çabrat, tingujt e mbytur të fyellit dhe malli i papërshkrueshëm ... Pastaj na paraqiten perëndeshat. Ne kemi nevojë për ato, po kemi më shumë nevojë për nënat, dhe për to poeti është i gatshëm të bëjë sakrifica duke dhënë jetën, sepse ato ‘na mësojnë gjuhën dhe virtytet’. Kjo njohuri na mban në jetë në momentet e fundit, kur nuk ka më as edhe një fotografi, kur të dëbon atdheu, kur ndiejmë një frikë të befasishme. Atëherë qartë tingëllon zëri i poetit si një dhiatë për të birin:

‘Merr ç’të duash nga gjaku im
nga dashuria ime merr ç’të duash’...

(‘Im bir’)

Në fjalitë e fundit hoqa dorë nga thonjëzat i mora këto fjali nga fjalët e poetit, të marra nga disa poezi, të bashkuara me një mendim të përbashkët.
Agim Gjakova, autor tërësisht modern dhe novator, megjithatë mbron me ngulm sistemin tradicional shekullor të vlerave – besimin në njeriun, besimin në vetvete. Heroi i tij lirik përballet me frikën, vuan nga zhgënjimi dhe dëshpërimi, e shqetësojnë dhe e mundojnë demonët e Dëshpërimit dhe të Mosbesimit, e megjithëkëtë nuk dorëzohet, mbetet përjetësisht i ri, dhe gatshëm para sfidave të tjera karshi të papriturave të jetës. Madje di të shikojë vetveten me ironi të hidhur...


* * *
‘hutohu habitu hallakatu hasharitu
o qytetar e bashkëvendës
i varrezave

shoh
se miradija jote është bërë emër kuptimi’

(‘Fillesë’)

Ekzistenca në mes të agonisë dhe shpresës, siç shkroi një herë me të drejtë kritiku i njohur polak dhe, njëherazi miku im Piotr Kuncewicz, duke e përcaktuar fatin e shkrimtarit bashkëkohës.
Në rrëfimet e tij të dëshpërimit dhe të mallit poeti është modest, i mirëfilltë, tronditës dhe i vërtetë...


* * *
‘Pse o ylber nuk ke edhe ngjyrë të zezë
kur ma marrin të dashurën
e më lënë të rrezbitem
nëpër shkarravina’

(‘Vjollca’)

Jo, nuk është lehtë të jetosh në një botë mashtruese dhe në një kozmos të pasigurt. E kërkojmë Prometeun, duke mos mbajtur mend tashmë mitin e zjarrit. Përreth jehojnë zërat që zgjojnë tmerrin...

* * *
‘Në rrangallat e fqinjëve krimben prapësitë
ju lëvizni mashtrues perversë...’ (‘Zërat’)
dhe bota e dukshme në zgrip... Dhe shpresat tona, shpëtimi, ndihma? Na shpëtojnë rrjedhat, valëzat e përtërira, rryma e barabartë apo e rrëmbyeshme, ujëvarat...
Edhepse përmbytja e papritur na tmerron, megjithëkëtë gjithnjë po ata lumenj të lundrueshëm, lumenj shekullor që na përtërijnë forcat tona dhe, ringjallet vullneti për të luftuar dhe për shtegtime të mëtejshme, drejtpeshimi i forcave vitale dhe psikike, ndonëse nën Diellin me një sy – ciklopin.
Në pyetjet përplot të hidhura, në të vërtetë në poezinë shprehëse ‘Mallkimi’ pasqyrohet ankesa mbase më e hidhur dhe tragjike:


* * *
‘ pse më paske mallkuar kësisoj
o Zot!’


Pastaj prapë e lexoj dhe mendoj, se Zoti megjithatë nuk e goditi autorin me mallkim, dhe në qoftë se e ka harruar, atëherë një kohë të shkurtër. Zoti i dha si dhanti një prirje dhe talent të pazakontë, mundësinë e ngashërimit të thellë ndaj lexuesve dhe dëgjuesve, mundësinë e zgjimit tonë nga indiferenca, të zgjimit të ndërgjegjeve të shumë poetëve, jo vetëm të poetëve shqiptar, e dhuroi me zërin jashtëzakonisht të fuqishëm, fisnik dhe të bukur. Pastaj i fali, i dhuroi dhembjën, vuajtjen, dëshpërimin, ndjenjën e vetmisë, duke parë se këto ndjenja janë të nevojshme për poetin madje edhe te domosdoshme, duke krijuar dhe formuar individualitetin e tij te fuqishëm krijues çfarë është Agim Gjakova, duke i dhënë forcë mbijetese. Zoti, në qoftë se është Zot – nganjëherë e di se çfarë bën.
Do të doja për fund të theksoj rolin e rëndësishëm të përkthyesit, i cili me një mjeshtëri të përkryer ka bërë përkthimin e teksteve subtile dhe shumështresëshe.
Mazllum Saneja një poet dhe përkthyes i njohur në botën e letërsisë, para së gjithash edhe poet, duke përkthyer poezinë, është varianti më i mirë, që ndërlidh dhe afron në mes vete njerëzit dhe popujt...


ANDRZEJ ZANIEWSKI*
Varshavë, fundi i marsit
*Poet, prozator dhe kritik i njohur letrar në botë.
( Përktheu nga polonishtja: Mazllum Saneja)
_________
Solli për "AlbPlanet": Sylejman Aliu, shkrimtar

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen