Sonntag, 12. April 2015

Krijime përjetësimi e përkushtimi

  • Ajet Shala “Antologji për çlirimtarët Ilaz Kodra dhe Antigona Fazliu”, Prishtinë, 2014

Nga Bilall Maliqi

1.
Për të shkruar një Antologji poetike është një punë e mundimshme e autorit të saj si në tubimin e poezive, leximin e tyre, klasifikimin dhe vjeljen e krijimeve më të mira për ta bërë një përzgjedhje të arsyeshme.
Edhe më serioze dhe më me përgjegjësi është kur të filloj projekti për të bërë një Antologji me poezi dhe shkrime të tjera të karakterit përkushtues siç është kjo tani e autorit të njohur në letrat shqipe Ajet Shala me titull „Antologji për çlirimtarët Ilaz Kodra dhe Antigona Fazliu“, Prishtinë, 2014, sepse kemi të bëjmë me dy heronj dhe dy çlirimtar të cilët me heroizmin e tyre i nxitën këta krijues që t’u përkushtojnë poezi e shkrime të tjera, e përgjegjësia e autorit është që të nxjerr poezitë më të mira dhe më artistike në mënyrë që kjo përzgjedhje të jetë brenda kornizës së një Antologjie mirë të realizuar.
Hartuesi i kësaj përzgjedhjeje me poezi dhe shkrime të tjera përkushtuese për këta dy heronj të cilët me veprat e tyre heroike e ndryshuan rrënjësisht historinë tonë kombëtare, duke luftuar ballë për ballë me armikun dhanë atë më të shtrenjtën jetën për atdheun tonë i cili ishte i pushtuar nga ushtria, policia dhe paramilitarët serb.
Ideja a Ajetit për të bërë një punë modeste për këta dy heronj rezultoi në përgjigjen e shumë autorëve krijues shqiptar nga të gjitha trojet shqiptare për të dërguar poezi dhe shkrime të tjera në adresë të hartuesit e kësaj përzgjedhjeje të veçantë dhe për dy figura të veçanta të historisë sonë kombëtare siç janë Ilaz Kodra dhe Antigona Fazliu, pa i anashkaluar edhe heronjët e tjerë të cilët janë të shumtë, por këtu bëhet fjalë për këto dy figura emblematike dhe historike, të cilët duke u flijuar për liri fituan pavdekësi.


2.
Brenda kopertinave të librit krijimet e tyre poetike i kanë përcjellur 177 krijues nga mbarë etnikumi ynë dhe secila poezi është e karakterit përkushtues për protagonistët kryesor për të cilët poetët dhanë kontributin e tyre në forma dhe stile të ndryshme duke paraqitur vargërimet e tyre disa me poezi të drejtpërdrejta e disa edhe gjysëhermetike në të cilat jepet një përkushtim serioz, sepse poezia përkushtimore është paksa specifike, se për të shkruar për heronjtë e popullit duhet ditur shumë mirë veprimtarinë e tyre atdhetare në mënyrë që të del poezia e mirë dhe të jetë konform ligjit të poezisë.
Në 284 poezitë prezente brenda kopertinave të këtij libri mjaft voluminoz lexuesit gjejnë ide, shprehje të zgjedhura poetike, përdorin stilin, individualitetin e tyre në mënyrë që poezitë e tyre të jenë të arrira artistikisht, të kenë përmbajtjen e mirë, të kenë figuracionin e duhur poetik, të kenë forcën shprehëse dhe të kenë mesazhin, dhe si të tilla jenë të pranueshme edhe nga lexuesit edhe nga kritika letrare në përgjithësi.


3.
Dihet mirëfilli se motivit patriotik e atdhetar i kanë shkruar shumë poetë edhe më herët, i shkruajnë edhe tani, besoj që edhe në të ardhmen do ti shkruajnë përkushtime sepse heronjtë meritojnë të shkruajmë për ta vargje poetike dhe shkrime të të gjitha zhanreve letrare, meritojnë të shkruaj historia në mënyrë që gjeneratat e reja të dijnë për ta, të mësojnë poezitë e shkruar për ta dhe që poezitë e shkruara në këtë libër dhe në librat autorial ti bëjnë ballë kohës dhe situatave të ndryshme.
Së lexuari të poezive të poetëve të pranishëm vërejmë se kemi të bëjmë me poetë të dëshmuar dhe me disa të tjerë që kanë vlerën e kënaqshme artistike në poezitë e tyre në këtë libër dhe me disa emra të rinj krijuesish që sapo e kanë nisur rrugën e pambarimtë të poezisë.
Zatën edhe këta e kanë dhënë kontributin e tyre modest në këtë libër, e që e kanë përmbushur obligimin moral dhe përfaqësues nga vendet prej të cilave vijnë.
Vijën e barazpeshës artisitke në këtë libër e mbajnë poezitë e poetëve të dëshmuar të cilët jo vetëm në këtë libër antologjik, por edhe në librat e tyre kanë dëshmuar se të shkruash poezi nuk është edhe aq e lehtë, por lypset përgjegjësi e madhe ndaj lexuesit, kritikës letrare dhe tani në këtë rast ndaj këtyre dy figurave emblematike dhe historike.


4.
Populli ynë si në Kosovë ashtu edhe në troje të tjera të shkëputura shqiptare, kanë pasur fatin të jenë të përndjekur, të përbuzur, të nënshtruar, të keqtrajtuar, të vrarë, të dhunuar e të masakruar, andaj edhe poetët kanë pasur çka të shkruajnë, sepse u ka ndodhur në oborr, në prag të shtëpisë, kanë parë skena të tmerrshme dhe poezitë e tyre s’kanë si të jenë ndryshe, porse janë emocionale dhe kanë forcën shprehëse e guximin.
Vetë tematika e poezive të kësaj Antologjie është e përkufizuar për këta dy heronj, andaj edhe poezitë janë nga më të ndryshmet lidhur nyje me tematikën e lartpërmendur, prandaj shprehjet e zgjedhura të shumicës së poetëve brenda poezive të tyre dëshmojnë se kjo Antologji poetike e ka arritur qëllimin, sikurse që e ka arritur qëllimin e tij edhe autori i palodhshëm Ajet Shala, i cili nuk e kurseu asnjë pikë djerse deri në finalizimin e këtij projekti padyshim të madh dhe voluminoz siç është ky libër.
E këta dy heronj dhe heronjtë tjerë të kombit i dhanë shkak krijuesve që t’u shkruajnë poezi, tregime e drama, sepse ata e meritojnë, mbollën lavdi në tokat e lara me gjak dhe në këtë rast le të na kujtohet një aforizëm i qëlluar i Visar Zhitit:
„Heroizmi është si pemët, mund të mbjellësh kudo, por nuk zë kudo“
E heronjtë tanë e mbollën heroizmin e tyre, i cili mbiu dhe u ujit me gjak e lot të nënave për këta bij e bija më të mirë të kombit.


5.
Marrë në përgjithësi kjo përzgjedhje (Antologji) përkushtuese poetike për dy heronjtë Ilaz Kodra dhe Antigona Fazliu, me një numër të madh krijuesish me poezi të lloj-llojshme dhe me arritje të vlerave poetike poashtu të ndryshme e arrinë qëllimin, mesazhin, thirrjen e poetëve të pranishëm për t’i mos harruar kurrë ata që për lirinë e tyre luftuan dhe dhanë më të shtrnjtën jetën në njërën anë, dhe punën e lavdëruar të hartuesit të kësaj Antologjie përkushtuese Ajet Shala, i cili dha konributin e pashoq që nga fillimi i projektit të tillë e deri në përfundim, si përfundim të papërfunduar e që shpresojmë që edhe të tjerët të marrin hapa të tillë në mënyrë që të vazhdojnë projekte të tilla edhe për heronj të tjerë edhe nga autorë tjerë.


Preshevë, shkurt 2015
 

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen