Nga Fadil CURRI
*** Kafshët e llojit të ujkut e të qenit në librat e shkrimtarëve suedezë janë personazhe që reflektojnë dije e njerëzi, kurse në Ballkan njerëzit prodhojnë veprime egërsirash***
Një shëtitje tematike dhe objektivat letrare të prozatorëve suedezë.
Në librin “Një verë me Meri Lou” të Stefan Kasta bëhet fjalë për djaloshin Adam, i cili gjatë pushimeve verore shkonte në fshat dhe takohej atje me vajzën Meri Lou. Bashkë e kalonin kohën në pemën e qershisë, duke garuar se kush do të ngjitej më lart në pemë. Një ditë pllakosi lajmi i keq se Meri Lou ishte rrëzuar nga pema dhe përfundon në spital. Ajo më nuk mund të ecte më këmbë. Megjithëse shkoi me të ëmën të jetonte në qytet, nga shkaku se prindërit kishin disa mosmarrëveshje, Meri përsëri shkonte në fshat, por aksidenti sikur i vështirësoi harmoninë e mëparshme. Përkundër gjendejn e palakmueshme të Meri Lout, Adami kujdeset për të, e dërgonte në liqen, i përgatiste ushqim e të mira të tjera. Ndonëse jetonte në qytet, Meri kishte kontakt me Adamin. Nisi ta marrë veten dhe të studiojë në Francë. Një pikëpyetje e brente Adamin, të mësonte nëse ishte aksident ose ishte shkaktuar qëllmisht.
Në librin “Jeta ime e lumtur” të shkrimtares Rose Lagerkranc, autore e më shumë se dyzet veprave letrare, bëhet fjalë për vajzën Deni. Një natë nuk e zinte gjumi dhe rëndomë në rrethana të këtilla fëmijët e lumtur i numërojnë delet, por Deni nuk e bën këtë, sepse nuk ishte e lumtur. Atë e brente hyrja e parë në shkollë, si do ta prisnin mësuesit e shokët e shoqet e klasës. Deni ishte e vetmuar dhe e pashoqëri, deri kur pa një shoqe të vetmuar dhe së cilës iu afrua, duke luajtur kolovajza. Shoqja e Denit ishte Ella. Në lojë e sipër Deni e rrëzon Xhonatan dhe ia then dhëmbët, i cili vë edhe proteza. I shkruan letër duke i kërkuar falje, e cila i pranohet nga Xhonatan. Deni nisi të shkruajë një libër me ndodhitë. Një ditë gjyshja i tregoi se nëna e saj kishte marrë krahë dhe kishte fluturuar në qiell, pra kishte vdekur, kurse babai kishte fluturuar me aeroplan në Itali, ku pastaj shkon edhe Deni. Pa Ellën nuk i duket interesante jeta. Por, lumturia i kthehet më vonë.
Libri “Ujku prej rëre” i Osa Lind, vogëlushja Zakarinë do të jetë e relaksuar, por nuk gjen përkrahje nga prindërit e zënë me punë. Një ditë shkon në plazh dhe gërmon gropë për kurth nga rëra për babain e saj. Nga ajo del si kafshë. Në fillim i duket guacë, por ishte Uku prej Rëre. I frikësohet, por me kohë shoqërohet me të, bile kërkon edhe përgjigje në shumë pyetje nga universi, pjesë e të cilit ështe dhe Zakarina. Ujku prej rëre bëhet pjesë e rrethit miqësor të Zakarinës, prindërve, pastaj edhe të familjarëve të tjerë.
Libri tjetër “Qeni” të ndër shkirmtaret më të dashura për lexuesit, Kristin Ukman bën fjalë për krajatat e qenit, ambientimit të tij jetësor në vend pa kushte dhe përpjekjet për mbijetesë. Në fund qeni i kthehet plakut, i cili e ambienton familjarisht, duke e vendosur afër shporetit të ngrohtë. Bile edhe emrin ia lënë Trim qenushit.
Shikuar nga tejvlera e fabulave, nga narracioni dhe tejtekti i tij, nga personazhet reale dhe ato me fiksion, letërsia e shkrimtarëve suedezë është eksperimentuese, herë-herë atraktive me ngjarje e personazhe të panatyrshme. Qoftë kur realisht janë njerëz ose kafshë, kur është i mitur ose i rritur personazhi, herë kur vuan për miqësi, porosia e shkrimtarit suedez, marrë përgjithësisht, ka notë humanizuese. Njeriu ka nevojë për njeriun në këto proza, e kërkon dhe e gjen atë edhe jashtëzakonshëm, bën sakrifica për kthimin e lumturisë së tjetrit edhe kur pëson rethana të mundismshme, si ishte rasti i ndihmës së të hendikepuarës, i ndihmës mu atëherë kur ka më shumë nevojë. Imagjinata e autorit mëton që të personifikojë kafshën me humanitet njerëzor, zbutjen e saj dhe përafrimin me njeriun, si kurs i moralizimit, i heqjes së frikës dhe i kurorëzimit të përpjekjes për të arritur të pamundshmen në shikim të parë, si ishte rasti i Zakarinës dhe miqësimin e saj me Ujkun prej rëre.
Njeriu ka nevojë për njeriun, sepse me këtë e mund vetminë bezdisëse, si ishte rasti i Denit me Ellën, frikën e mposht me njohjen dhe sensin e dashurisë, si ishte frika e shkuarjes së parë në shkollë; droja si do të pritej nga shokët e mësuesit. Aksidenti shpesh është kurdisës i rrethanave të papritura, si është shembulli i vdekjes së nënës që fluturoi në qiell, por shtigjet duhet kërkuar e gjetur për shpëtim nga e keqja.
Letërsia te shkrimtarët suedezë të përmendur nuk është vetëm narracion, fabulë e stil kryeneç, por hulumtim, zbërthim dhe ofertë e humanizimit të njeriut edhe përmes shembujve kafshërorë. Sikur shkrimtarët duan ta bindin lexuesin e vet se, ndërsa te kafshët është e mundur njerëzorja, pse të mos jetë kredo e jetës edhe te njerëzit ky virtyt. Fisnikërimi i njeriut me punë sikur lë të kuptojë se kjo shprehi është çelës i gjetjes së lumturisë së tretur nga ndonjë aksident. Shpirtëzimi i kafshës me njerëzoren duket se është mëtim letrar i shkrimtarëve suedezë.
Krahasimisht shikuar, koloritet letrare suedeze përmes këtyre librave, duhet pranuar se këto vepra letrare i duhen lexuesit të nënqiellit tonë gadishullor. Sepse, ngjarjet, personazhet, stilet auroriale, thuktësia e gjuhës, përgjithësisht porosia ideo-artistike e tyre do të jenë pjesë e çlirimit të mentalitetit, shpejt mund të jenë ndërgjegje e avansuar e dashurisë jo vetëm të njeriut me kafshën, por parësisht e njeriut ndaj njeriut. Prandaj, nga sot shkrimtarët suedezë Kerstin Ekman, Osa Lind, Stefan Kasta, Rose Lagerkranc dhe të tjerë të përkthyer në gjuhën shqipe i përkasin kërshërisë lexuesore shqiptare, do të jenë pjesë e kulturës së tyre, letrarisht aq sa janë letërsi suedeze, po aq edhe shqipe, është letërsi pa protokoll, pronë intelektuale e lexuesit. Kjo falë një mbiamasadori kulturor, pëkthyesit e shtëpisë botuese “Shkupi” nga ky qytet.
Uroj lexim të këndshëm të librave të prezentuar e të promovuar sot.
Ju faleminderit për vëmendje!
Shkup, 3 maj 2015
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen