Dienstag, 23. Juni 2015

Shaban Pllana - Fjalët e gurta


1. ATDHEU
 

atdheu është si guri i poshtëm i mullirit
nuk lëviz asnjëherë qëndron stoik
por pa të guri epërm që sillet s`bluan dot.


2. U NGJITËT NË MAJA
(Akrostik)
 

U ngjtët në maja të majave
Ç ilët si lulebore lajmëtare
K ishit skalitur fjalën LIRI në lule të plagëve.



3. LIRIA
 

krushku i parë krushkëron trimërisht
dora i digjet në flamur
liria numëron hapat e ardhjes.



4. LIRIA S`ËSHTË …
 

krisi…
në male e…
liria s`është mysafir i paftuar.



5. NË VARGJE TË GURTA
 

vetëm vargjet e gurta
të ngjyrosur në ngjyrë gjaku
mund ta bartin madhështinë e heronjve



6. NDRIQIMI I RRUGËS SË LIRISË
 

para agut
trimat i ndezin pishtarët në tyta të pushkëve
për t`ia ndriçuar rrugën lirisë.



7. LULET E LIRISË
 

pikat e gjakut të trimave
ujiten lulet e mbjella të lirisë
në kopshtin e atdheut.



8. KULAÇI I LIRISË
 

kulaçin e lirisë e shtruam në livadh të atdheut
i thirrëm trimat e maleve me pushkë të zjarrta
tepsia e rrokullisur pas drekës ra mbarë.



9. USHTARËT E LIRISË
 

ushtarët trima të lirisë
janë lule të kopshtit të atdheut
që zbukurojnë faqet e historisë e tij.



10. DËSHMORËT
 

u linden
për të vdekur për këtë dhe
vdekja ua fali përjetësinë.



11. LAVDI DËSHMORËVE
 

emrat tuaj
qëndrojnë vertikal në lapidarë
lavdia bie mbi ju.



12. DHURATË E DËSHMORIT
 

eshtrat vrima-vrima shpuar nga plumbat
dhuratë le t`i mbeten atdheut
t`i bëjë fyej që me ta t`i këndojë këngë lirisë.



13. KUR T`EPET KUSHTRIMI
 

kur t`epet kushtrimi
të bijtë e shqipes i qepen malit
me sy në tyta të grykëhollave të flakta.



14. RREZET E FISIT
 

Mici në grykë të topit Sefa në majë të lisit
Ademi në frëngji të kullës Zahiri pushkën në maje plisit
rreze lirie që ia zbardhen fytyrën fisit.



15. HARTA E ETNISË
 

në sytë e tyre pishë vizatuan hartën për etni
Ademi e Zahiri me shokë shumë
fluturuan mbi male dhe hynë në përjetësi



16. HYRJE NË BALADË
 

jehon krismë pushke në male
Zahiri thërret trimëritë e trimave
të rreshtohen për të hyrë në balada.



17. NORA E KELMENDIT
 

ia kishte venë syrin ta çonte për ta zbukuruar haremin
shpata e Norës ia preu ëndrrat Vuqe Pashës dhe kokën
lum ajo që për ruajtje nderi ndërroi jetën me vdekje.



18. SHOTE GALICA
 

Shota fluturonte mbi Qiqavicë
korbat krrakatnin nëpër kaçuba
Shotë moj, sa armiq latë pa koka nëpër Drenicë me Azemin?



19. FEHMI DHE XHEVË LLADROVCIT
 

fejesën shpallët para xhelatëve në gjykatore
plumba mbollët nëpër koka të armikut maleve të Kosovës
të përqafuar përqafuat vdekjen jetën ja dhuruat trofe atdheut.



20. FOLEJA E TRIMËRISË
 

nëpër fjalët e mëdha s`është rruga për në folenë e trimërisë
rruga për në folenë e trimërisë është
nëpër tehun e shpatës e jo nëpër majën e gjuhës..



21. PËRMENDORJA
 

u ngjitën u ngjitën për ta kapur diellin
kush binte në këto beteja ua merrnin eshtrat
me të cilët ngritën përmendore për ta.



22. T`IA ZBARDHIM FYTYREN ATDHEUT
 

syrit t`ia ikim gjumin
faqes t`ia falim pushkën
po deshëm t`ia zbardhim fytyrën atdheut.



23. NDERIMI I TË RËNËVE PËR LIRI
o njerëzit e mi
nëse dëshironi t`i nderojmë të rënët për liri
të veprojmë pa reshtur për të mirën e atdheut.



24. I MBYLLËM UDHËKRYQET
 

rrugëtimit tonë të gjatë nëpër rrudhat e historisë
ja mbyllëm të gjitha udhëkryqet
vetëm duke ecur vertikal gjalluam që nga ILIRIA.



25. PLISI
 

në guri të fortë guri
në maje të gurit plisi
mbrojtës i Ilirisë.



26. NË ECJEN E MADHE
 

në ecjen e madhe drejt lirisë
bëje hapin të kujdesshëm
ruaju rrezikut të rrëshqitjes.



27. EVROPA I MBYLLTE SYTË
 

kurdoherë që katallanjtë e kafshonin ILIRINË
Evropa bënte sehir me sy mbyllur
kurrë s`ia shëroi plagët e kafshimit.



28. I KËNDOJMË KËNGËT
 

në gërshetat e krenarisë
i këndojmë këngët
të cilat u shkruan me gjakun e trimave.



29. ADN-ja E FISIT TIM
 

nëse kërkoni ADN-në e fisit tim
do ta gjeni nëpër eshtra që kanë mbetur këtyre gurëve
në ngarendje për t’i vrarë ujqit.



30. FJALË TË GURTA
 

me lot na ushqyen nënat
në ta na i njomën ca fjalë të gurta
që t`na e shtojnë gurësin në këto troje.



31. GURI
 

e sa herë na i ke lëpirë shputat
e sa herë na je bërë mburojë
tytat me ty na janë puthur për ta vrarë ujkun



32. GURËSI GURI NË KULLË
 

gurësi guri në kullë
sy e tytë në frëngji
trimëri në brendësi



33. PLISAT
 

plisat e bardhë të skuqur
lulet e plagëve skalitur në lule
dielli lindi nga këto lule



34. EMRAT SKALITUR NË GURË
 

emrat e heronjve skalitur në gurë
ata gurë i vumë në themele të kullës në mur
ujqërve ju thërrmuan dhëmbët



35. ËNDRRAT E PËRGJAKURA
natën e patëm shumë të gjatë
na mbyten ëndrrat e përgjakura
diellin e thërritnin krismat e dragonjve në male



36. QEPALLAT KURRË S`NA I TERI ERA
 

qepallat kurrë s`na i teri era
baroti solli aromë lirie
në fushat e atdheut



37. ATJE GJETËM LIRINË
 

në njelmësinë e lotit
patëm varë ujëvarë shpresash
në gjakun e luftëtarëve e gjetëm lirinë.



38. TË HYSH NË BALADË
 

me sytë e verbër të Homerit
shikoje jetën në balada
vetëm rrugës së trimërisë mund të hysh në to



39. EDHE NËSE BIEN LISAT
 

edhe nëse bien lisat
madhështia e tyre mbetet përgjithnjë
në vargje të këngësh dhe në faqe të historisë.



40. PRAGU I DERЁS
 

qëndron prag në derë
që të mos na shkelë brenda pragut
mysafir i paftuar



41. LIS E PLIS

lis plis lis plis lis plis
ky është i imi fis
që i përballoi gjithmonë stuhisë



42. KRIMBI NË LIS
 

piskat krimbi në lis
në lisnajën e sakatuar të atdheut ?
për lisin e prerë… dhe për vete.



43. LE TE RUHEN LISAT
 

le të ruhen lisat
që të shpëtojnë kaçubat
korbave t`u qesim barot në sofër



44. SËPATA PRET LISAT
 

në stuhira sëpata e armikut
pret vetëm lisat
kaçubave u rri orl mbi kokë t`ua thith gjakun



 45. ESHTRAT TANË
 

në eshtrat tanë mbinë lulet
në lule çelën zogj
që fluturimin ia falën dritës



46. FYELLI DHE ESHTRAT
 

pip në këmbë
eshtrat fyell
së largu dëgjohej zëri i lirisë



47. NË SHPATIE TË ATDHEUT
 

lëviznim çdo gur në shpatie të atdheut
nëpër ta të thithnim aromën e lirisë
që na mungoi në shekuj



48. NËPËR KOHËRA
 

nëpër kohëra të kobshme
armiqtë shpesh na lnurën me kërhanë dreqi
fatmirësisht s`na mori vdekja që na e dëshiruan



49. E KAPËM GJARPRIN
e kapëm gjarprin
ia thyem dhëmbët helmues
me të cilët na pati helmuar me shekuj



50. HISTORINË E SHKRUAM ME GJAK
 

historinë e shkruam me gjak
gjithnjë duke i mbrojtur trojet
të cilat na i çkafitnin lakenjtë fqinj



51.  RROTA E HISTORISE
 

sa herë u soll rrota e historisë
ne na shkeli e na ndau në copa
historia gjithnjë ishte njerkë për ne



52. SI ËNDËRR
 

ëndërr sikur ja dhamë gjoksin malit
eh si u ça mali
satana nga maja ra në theqafje



53. PUSHKA
 

trupin dru e hekur
zemrën barot e zjarr
në dorë të trimit flakë lirie



54. LEHJA
edhe nëse lehin qentë vazhdo ecjen drejt lirisë
nëse rastësisht ndalet lehja ki kujdes,
jo jo…qentë s`e ndalin lehjen



55. PËRTEJ URËS
 

krrakamë korbash gjaku shkon rrëke
përtej urës
kufomat e dëshmorëve i buzëqeshin lirisë



56. GJELI I KUQ
një gjel i kuq mbi një gardh me këngën e tij
na i numëronte orët e fundit të robërisë
dhe lajmëronte orët e para të lirisë



57. ECJA VAZHDON TUTJE
në ecjen tonë
edhe kur na ngadalësohej hapi
ecja vazhdonte tutje drejt lirisë



58. BARIU
 

delet shpërndarë monopateve të atdheut
bariu luan një melodi fyelli nga eshtrat e shpuar
askush s`i njeh oreksin e ujkut si bariu.



59. JEMI DËSHMITARË
jemi dëshmitarë të kësaj kohe
vijmë nga kohë të vrugëta
hapat të përgjakur i patëm.



60. ESHTRAT E VËLLAIT
 

edhe eshtrat ruaja vëllait
se ata do të nevojiten
për ta trembur ujkun.



61. DASHURI PËR LIRI
 

dashurisë për atdhe dhuroi sa më shumë dashuri
dashurinë për atdhe dashuroje dashurisht bëhu fli
nëse do që dashuria për liri të jetë vërtet dashuri



62. LINDJA E DIELLIT
 

herët është dashur
të kthehemi nga perëndimi
për ta parë lindjen e diellit



63. SI NË TROJËN E LASHTË
 

në këto troje nganjëherë
tradhtia u bart mbi potkoj
si në Trojën e lashtë

_______________
Cikël TERCINASH nga libri në dorëshkrim "333 TERCINA "

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen