Donnerstag, 4. Juni 2015

Ali Sh. Berisha - Cikël poetik


AROMË DREMITËSE
(Razalisë në 58 vjetorin e lindjes)


Tek shkelnim hijet e plepave
i zure vendin faculetës
dhe pahetueshëm më rrëshqite në krahëror
me aromë dremitëse
pastaj se kah ike e të mori era
që t'mos shoh për tridhjetë pranvera


E ka mbuluar dheu i zi
galat mbushnin rrugët me krrokama
e ti u bëre feniks tevona
më erdhe në jetë përsëri
t'më shoqërosh në rrugën e mbetur
për t'qëndruar e mos tretur


5.05.2015




E SHTRENJËTA NËNË

Ti me gjakun tënd më fale jetën
me qumështin tënd më fale rritën
me zemrën tënde dashurinë
me djersën tënde burrërinë
pastaj ike duke më lënë trashëgim
dritën e ngrohtë të diellit
dhe yllin e shpresës
në jetë dhe jetë të jetëve


10.05.2015



MOLLË E SHERRIT
I
Si fëshfërimë fjala vjen
Nga dy pinjollë dragonjë
"Këtë natë pa hënë
Do shembim Udhën e Frangut n'Zveçan
Ose do t'shndërrohemi n'flakadanë"


Ajo natë u mbush klithmë e oshtimë
E zbardhi me një testament në urë
shkruar me plloçka gjaku n'shina e Lumbardh
"Ramë që gjeografia e atdheut
Mos të tkuret më kurrë"


Si në fëshfërimë thonë
Lami dhe Hamzai dy dragonjë
Edhe pas asaj nate
"Le të na quajnë si të donë
Kravatat e Prishtinës dhe Brukselit
Plisbardhët e dinë tashmë
Kush po na e lë n'derë mollën e sherrit"


Prishtinë, 2002



MOLLË E SHERRIT
II
Natë e gjatë
Xixa stralli futen
nëpër çerdhe të falin shpresë
qëndresë në Lagjen e Trimave
dhe t'shndërrohen në yje që s'shuhen
natën për ta përmbyllë me diell


Natë e gjatë me thika e krisma
harbon dhembshëm
e jeta çalon në bredhje shtigjeve
blerimin ta përqafojë me lotë


Gjëmim granatash
e goditje plumbash coptojnë ëndrrat
përcëllojnë sytë e fëmijëve
nën çatitë e kuqe
mbështjellë me krahë të frikës


Natë e gjatë me lëngatë e plagë
ka një emër të pështirtë
që quhet robëri


10.05.2015



GJERDAN VELANIE
III
Pranë varrit tënd dëshmor Lami
U rreshtuan sot edhe tetë luftëtar
Të tri luftrave të papërfunduara
Në përpjekje për t'i qepur
Gjeografisë arbërore
Krahët e amputuar


Edhe një gjerdanë morte e krenarie
T'u var Velani në këtë Maj lulesh shkrum
Me kristale në mollzat e fishkura
Dhe buzë të dridhura
Nga jehona e thirrmës
Për qëndresë#


Mos u mërzitni për avujt e plehrave
Herë kokët e herë këmbët tek pushtojnë
Do vijnë kohë tingëllimash
Që drejtë do vlerësojnë
Gjurmat e mbetura
Omletë kohe


26.05.2015

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen