- Lumturi Ymeri: “Klithma fryme”, përmbledhje poezish, në edicionin “ADA”, Tiranë, 2014
Duke e përvijuar një kontinuitet tashmë të konstituuar që në vitin 2011, me botimin e librit të parë me poezi (“Natë mbi gjysmëbotë”), për të vazhduar një vit më vonë me përmbledhjen tjetër (“Qielli në qeli”), pastaj në vitin e parakaluar (“Dritëhije dashurie”) – aty kah fundi i vitit 2014, poetja jonë e mirënjohur tashmë, Lumturi Ymeri Bersava, doli edhe me një përmbledhje të re – “Klithma fryme”, edituar nga Shtëpia Botuese “ADA” e Tiranës, në përkujdesjen letrare të Ndue Lazrit e Demir Gjergjit, me të cilën, autorja, në mënyrën më të mirë e përmbyllë një kaptinë krijuese të katër viteve të kaluara, duke shënuar kështu një gradacion të lakmueshëm nga viti në vit, si për nga zgjerimi i gamës së preokupimeve ideo-tematike, ashtu edhe të kredos në skalën e pruerjeve të reja formësimesh artistike, stilistike dhe estetike.
Vargje që shënjestrojnë dhe stigmatizojnë fenomene të nduarnduarta
E konceptuar në katër cikle: “Planeti im”; “Frymë në klithmë”; “Mirazhe tingujsh”, dhe “Hi shpirti”, prirë nga poezia pararendëse “Poezia ime lindi...” (Në vend të parathënies), dhe me ekstrakte vlerësimesh të zgjedhura të tetë personaliteteve të njohura të letrave; me 64 poezi në 7 tabakë shtypi – libri “Klithma fryme” i Lumturi Ymerit Bersavës, me një sens femilinist, vargje kryesisht të lira, që, si ndonjë përrua malor, që herë vjen i qetë bilur, herë me katarakte e kaskada të rrëmbyeshme, herë me ujëvara të larta e shkumuese, që freskojnë trupin, trurin dhe ndjesitë, vijnë në poezi, të cilat sikur dalin nga vetë një shpirt eksploziv e rebeles; si në ato që shënjestrojnë apo edhe stigmatizojnë fenomene të nduarnduarta, qoftë natyrore, qoftë të natyrës së veseve, ceneve dhe të metave shkaktuar, apo edhe stimuluar e lejuar nga homo-sapiensi, gjithnjë, pa ndonjë konsideratë kushediçfare për dofarë metrikash, rregullash, apo edhe kodesh, pak a shumë, tashmë, klasike metrike, e të cilat, shpesh edhe mund të jenë do farë digash e pendash jo rrallë frenuese të paprekshmërisë së fjalës, shprehjes e vargut spontan, por, thjesht, ajo, atë që e ndjenë në atë moment e thotë, madje, në të shumtën e rasteve, pa i “krehur”, “pispillosur”, apo edhe pa kurrfarë “make-upi” e xhingla-minglash stolisëse, e të cilat, në të shumtën, nocionit, metaforës, simbolit, apo cilësdo figure tjetër stilistike apo tropeje, duke dalë kështu forma para përmbajtjes, ia humbasin ndjesinë shpirtërore, gjakimit dhe mëtimit parësor të krijuesit – gjë këtë të cilën Lumtiria e zgjidh pakashumë si Leka i Madh, i cili, enigmën e “Nyjes së Gordieut”, e “zgjidhë”, duke e prerë me një të rënë të pallës...
Në fakt, autorja, që në poezinë “kult”, nismëtare e paraprirëse të librit, Në vend të Parathënies”, fare qartë e në mënyrë të drejtpërdrejt e sqaron credon e saj krijuese, që: “Poezia ime lindi...”, Si nevojë e lotit/për t’u ndjerë Planet!/Si dëshirë e frymës/për të lindur fjalë/Si ëndërr e qiellit/për t’u bërë udhë... dhe pastaj, për të sqaruar se sa i mundimshëm është procesi krijues: Më shumë se magjia e fjalës/se poetëve më në zë në Botë/mu desh lëkura ime...letër/dhe s’di se sa...bojë-lotë! – që në fakt është një si testament-referencë poetike, që për lexuesin sadopak të vemendëshëm dhe me shije sadopak të stërholluar, është një “portë e hapur”, dhe një udhërrëfyes, një si ciceron, apo një guidë, që të shpie në botën magjike të lirikës së kësaj përmbledhjeje dhe të krijimtarisë imagjinatave të vetë Bersavës...
Autorja, duke vënë poshtë Cikleve, nga një si digjiturë, kryesisht, sentenciale: (”Ti je ajër/ndaj marrë frymë”), e të ngjashme, ajo,ideo-tematikisht, kryesisht përqendrohet në ato të sferës së dashurisë, si kategori më e lartë ezoterike, në të cilat, ajo njëherë e mirë, i thyen të gjitha tabutë se këto tema janë vetëm një privilegj dhe monopol i meshkujve, të cilët, paçka që as ndjesitë e tyre kurrë nuk kanë ditë t’i shpërfaqin me kaq ndjesi e sens, pale ato të gjinisë së kundërt, se “është turp” që femrat sadopak t’i perceptojnë e akceptojnë ndjesitë e tyre në këtë drejtim, duke dëshmuar një guxim do të thoja pakashumë revolucionar në këtë aspekt, gjithnjë duke pasur parasysh një masë dhe një kufi, një linjë e pe i kuq, përtej të cilit, nuk kalohet sepse pastaj erotikja, në mos, pornografikja, do ia humbte vlerën fare anës artistike dhe bukurisë e sensualitetit lirik vargjeve e poezive si tërësi. Duke e pasur gjithnjë si referencë partnerin e saj si model, qoftë fare në mënyrë të drejtëpërdrejtë, qoftë në aspektin imagjinativ, me një lirizëm të hollë, vë në pah tërë spektrin e gjerë të raporteve të një çifti, me të gjitha nuancat, që i karakterizon, që nga koha e Adamit dhe Evës e deri në ditët e sotme, duke himnizuar dashurinë e dëlirë, njerëzore, e të ndershme, madje deri në nivelin e delireve dhe ekstazave, dhe duke e stigmatizuar atë lapërdharen, të përdalën, maskarallëkun, e dashurinë me e për shtytje të ulëta: “...Busulla e dëshirimit/Ind i bymuar vlimit/Prehri i prehjes së puthjes/Gjurma e bukur e gushës.../ “...Magji e mishtë/ Stoli e gruas.../ (“Buza”); ose: “... Dy buzë të dehin/ndizen a ndezin/me afsh, një dëshirë/lëkurë e mish/një trup i shkrirë.../ (“Pulsi im”), apo: “...Dy buzë/vizatonin dekoltenë/dhe gishtat zgjidhnin/fjongo prej hëne.../ , por edhe: “... Ti/gracka ime/e frymës, e dritës/Unë/gracka jote/e...jetës!”, që bashkëshortësinë e vlerëson si një kategori sociale të domosdoshme komplementare. (“Fustan ajri”), sikundër edhe mospajtimet e partnerëve, në rastet kur gjinia më e bukur është krijuese poetike: “E kam vënë re ndonjëherë/kur unë shkruaj, ty s’të pëlqen!/Madje, të vjen edhe inat/sidomos/ kur t’vonohem në shtrat.../, andaj, do të pasojnë më tutje vargjet: “...As vetë nuk e di/se si e përpin ajrin e nderë/e më shkruan në lëkurë/me frymë e buzë.../Në çdo qelizë/me flakë e shpuzë.../ dhe, rrjedhimisht, si rezultante, del që: “...S’e shkruaj unë poezinë/por ti!/ (“Kush e shkruan poezinë”), sikundër edhe vargjet maestrale të një tjetër poezie “Si?”: “Si t’i ndalja vallë, vërshimet e tua?!/S’më mjaftojnë dy buzë, as dy duar!...”, në të cilat shpërfaqet i tërë kreativiteti krijues i kësaj poeteje tashmë të dëshmuar me qindra e qindra vargje, në që të katër Përmbledhjet e botuara, siç do ta dëshmojnë edhe këto vargje: “...Pikturë që mbeti/poezi në avull/e fshirë puthjesh...”/ (“Poezi në avull”) Ndryshe, se buzët e femrës (veçmas) janë sendorët më të përpiktë përnxitës dhe eksitues, e pasqyrojnë më së miri, edhe këto vargje të autores së librit “Klithma fryme” : “...Por ti mos i shuaj/neonet e syve/ndezur me çelësin e buzëve...”/ (“Për’natë”) e të tjera poezi e të tjera me dhjetëra e dhjetëra vargje të këtilla, përtej çdo “jargavitjeje” sensipile të tepruar, me një kriter kaq rigoroz, di të na i paraqesë edhe ndjesitë më të stërholluara të Erosit. Gjejmë këtu edhe poezi kaq joshëse për semiologjinë e ditëve të javës; atë të shkronjave, veçmas zanoreve; lëmshin e ngatërruar të një çifti bashkëshortor dhe “gjetja e fillit të tij me pajtim së fundmi”; poezi për procesin e mundimshëm krijues, edhe të tipit: “Per aspra de astra”, por asesi të tipit të larpurlartizmit, por frymëzimit dhe inspirimit si postulate të domosdoshme për çdo krijues, e të tjera preokupime të autores, të shkruara me një varg fare fare të shlirë, përmbyllur me poezinë “Grimca fryme, afër e larg”, që në fakt janë miniatura poetike-ode dhe ditirambe për dashurinë: ** Ti, stuhi vetëtimash/ unë, rrufepritësi i tyre..**... ** Mekur pritja nga ikjet/Mekur puthja nga pritjet/Mekur fryma nga puthjet**.
Dashuria e dëlirë si kategori më e lartë fisnike
Edhe në vijim, poetja, duke mbajtur një vijimësi të prosedeut të saj ideo-tematik, do të thonim, me një shpirt të paqetësuar, duke vazhduar eksklamacionet “me një frymë”, si në vargjet: “...Zemra kërkon jetë/sytë duan dritë/limfa do rrëmujë, shpirti, aventurë në skajet e tokës...” (“Ndo’tjet njerëzore”), e duke mos e shkëputur “fillin e lëmshit”, vijon të mbështesë dashurinë e pastër, të dëlirë e si kategori më të lartën fisnike, (në vargjet): “...As kur shkoj unë para teje/bëhem shtrat e bëhem breg/lumit tënd që pas më ndjek/të dy bashk na pret një det.../...Duaj!E mos urre!, ngase:“...Përtej supit tim/qesh një dekolte/(çel një orkide)/josh një kops-zbërthyer/(tulipan-shpërthyer)/Flirt që nuk njeh cak/Trendy...s’ësht’ mëkat...”, ironizon Bersava me një sarkazmë therrëse duke e fshikulluar ashpër raportet çiftore të shtytjeve meskine, sepse, tashmë janë: “...Turpi e morali “specie” në zhdukje/nuk është më e shenjtë/u zhvesh dashuria...” (“Klithmë”)me situata përnxitëse dhe eksituese: “...I shtrenjtë ai shtrat/kju shtrohen e shkruhen lëkurët/krypohen djerse/thahen fryme/krisen klithme.../për t’u vënë të rinj/lëkurë të reja/falsifikojnë firmëm...” (“Nënshkrim”); lapërdharinë, përdaljet, si subjekt të shfrimeve anomale të epsheve, të atyre femrave të sojit “njëra nga ato migjeniane”, apo të “fame fatale”; “unhappy female” : “...Mes nesh/ajri ngriu/ngjethjet në lëkurë/mbinë mishit kokrra/ankthe të akullta/më goditën në kocka...” (”Ajo”), meqë: “Dashuria në listën e antikuarëve/mund të blihet në ditën e varrimit...” (“Treg”), paçka se femra në fakt është vetë krijuesja e botës: “...Më parë se të zini diellin/gjeni magji-Gruas, një metaforë/klithmën kur ju lindi, mos harroni!” (“Klithmë”), dal fare nga do farë kodesh, të parapërcaktuara për njerëzit, si qenie të vetëdijshme e që të gjitha veprimet i bëjnë e duhet t’i bëjnë me një rend e logjikë të shëndoshë: (“Bukurinë e gjallë/e shenjtëruan në ikonë/kur u kujtuan për zemrën/ ishte...vonë...” (“Ikonë”); stigmatizon njerëzit, madje edhe hija e të cilëve, hapi dhe qëndrimi mbi këtë rruzull, i bëjnë rëndë tokës, si qenie koti: “Toka është copëza të rrjepura gjurmësh/të ngjitura pas shputash.../...dhe opingash... S’ka? ! Kush tha ? !/Ju që ngjeshni by**ët makinave luksoze/e këpucë firmato/s’kanë shansin e puthjes së tokës.../...Toka e ç’virgjëruar betonimeve/të ngrihen gradaçelat/të zënë qiellin, edhe frymën.../...toka, eh toka e ngratë!/ ngre padi për çdo pëllëmbë.../...Toka është e rrumbullakët/Oh, poo!/Po rrokulliset...” (“Toka”), pra: andrallat që sjell teknologjia e sofistikuar në mjedisin, dhe degradimin e planetit tonë: “Si ta mëkoj veten/me shpirt e frymë?!/Si ta ushqej trurin?!/Nuk ka më ajër/Ma ndote njeri!.../...Si ta gëlltis mykun/në pjatën e dhembjes/që ma servir?!...” (“Më, duar s’kam”), ose:”...Ja! Nga lot fëmijësh/rrebeshe qiellore/rrëgjojnë, pastrojnë/ndotjet njerëzore...” (“N’dot’jet’ njerëzore”), e që, ndër të tjerat, mbase poezi kult e këtij cikli, padyshim është poezia “Jeta në trekëndësh”, e cila në mënyrë më elokuente e me figuracione të begatshme artistike shpreh tërë mllefin e autores: ” Ekzistenca e jetës/përmes Ujit, ajrit, Dritës/Nëpër kohë të Shkuar. Të tashme, të Ardhme/Të njeriut prej Gjaku, mishi e Ashti/Në tru vizatuar Trekëndëshi.../...Ti, kufij që s’njeh/As fjalën e Nderit/as gruan me Nder.../...njeriu modern/me trininë e shenjt’/moralin e çjerr.../Për hir të lirisë/prej marrë’zisë/e çmend’urisë.../...Sa i rëndë Globi/ta mbash mbi shpinë.../... E ndërtove trekëndëshin Njeri?!/Varu tani!!! , që në mënyrë më direkte e pa ekuivoke, me një thuaja “ulërimë” e vë në shënjestër tjetërsimin, si një lëngatë të këtij shekulli, ku njerëzit alternohen, dhe e humbin sensin e të qenit qenie shoqërore e pjesë e një kolektiviteti, qoftë ai si bërthamë, që në familje, qoftë ai paksa më i madh, por edhe në sferën globale të çështjes: “...rëndojnë dhembjet, lotët, plagët/shemben ligjet nga dëshirat.../...mall prej valësh/shpirt prej zjarresh...” (“Pengje mjegulle”), por edhe tradhtinë si një pol i kundërt me dashurinë e vërtetë, por që fatmjerisht ndodh: “...Në të blertën tënde, çelur në(n)fustan/krojet derdhën diej, të qeshen përreth/Në puset e zinj me myshk e me natë/do t’i kalbet fryma veë për një mëngjes.../...Merre qetë mike, derën mos e mbyll/në prehrin tënd, zbret, dënes një yll...” (”Derën mos e mbyll”).
Interpunkcioni në funksion të dublimit semantik
Autorja e veprës “Klithma fryme”, sikur nuk mjaftohet me figuracionet poetike: metaforën, aliteracionin, simbolin, gradacionin, antitezën dhe, veçmas eksklamacionin, me mjeshtri e përdorë edhe interpunkcionin e kategoritë e ndryshme gramatikore, në funksion të dublimit semantik, apo edhe veçoritë tjera plotësuese, që e bëjnë poezinë edhe më të larmishme e më të begatshme stilistikisht, si parantezën: në funksion të bisemantizimit të vargjeve: (ç)sfidë (sfidë dhe e kundërta); (ç)mendim (çfarë mendimi dhe çmendurim); (n)djeshme ( e ndjeshme dhe e djeshme, si rrethanor kohe); në(në)fustan (në dhe nën); mi(j)a (të mia- përemër pronor, dhe numëror – mija – 1.000); pastaj edhe me aksentin, si në rastet: nd’ar’jet’ (ndarje si folje dhe nd-ar-jet(ë); n’dot’jet’ (nëse do jetë, dhe ndotjet); për’natë; enjte(m) (si ditë jave dhe si folje – të enjturit) etj.; fuqizimi i prosedesë me shkronjat nistore të mëdha të fonemave: “...drejt Altarit Hyjnor/të Bekimit, Betimit./Zgjedhjes, Bashkimit...: përdorimi i thonjëzave, në funksion të dykuptimësisë, akronimeve, fjalëve të huaja, apo e të kundërtës së mendimit, e të cilat edhe nuk preferohen sipas një teorie strikte të letërsisë, por se mos pyet fort-fort autorja për rregulla e kode pak a shumë tashmë stereotipe të të shprehurit në vargun poetik, siç nuk respekton edhe bukur do rregulla të tjera, qofshin ato të natyrës gjuhësore (gramatikore), qofshin ato të sferës së metrikës, së cilës as ia “varë” Bersava, si: “SOS”, “Oii”, “Ah”, “Of”, “Uff”, “Ee”, “Ëë”; pastaj, interpunkcionin si shprehje eksklamacionesh, më funksionale, herë herë se po të përdorte, fjalë e fjalishë: “... Sa...?!/Si...?!/Ndjen edhe një trup/...fikur?/...” (“Vështrimit tënd”); vargun e shkurtër, tempuar kaq fuqishëm: “...Ja!/Jemi në majë./Atje/ku na mori ëndrra/dhe era/që më sjell/më ndjell/për qiell.../” (“N’d’ar’je”) – e cila edhe përmbyllet, ashtu, do të thosha, spontanisht me një rimë kaq të bukur: sjell/ndjell/qiell; por, edhe jo rrallë, duke, përdorur, pakashumë një qëndrim, një mendim, shprehet, me madje edhe pesë vargje, si në poezinë “Miope”: “...Ndjehem disi mirë/kur s’i shoh përpëlitjet/e krahëve të fluturës/mbi gjethen vyshkur/vjeshtës, në të ikur.../...” – për ta përmbyllur me dyvargëshin: “Sa dhembje nuk shoh pa gjyzlykë?/Sikur ta kisha edhe ndjenjën miope?”. Ndonëse autorja stil shkrimi e ka vargun fare të shthurur e të lirë, shpeshherë, siç e vërejtëm edhe më lartë, metrika, përkatësisht, puthitja e vargjeve, i del spontanisht fare, se sa të jetë bërë domosdo me ndonjë qëllim estetik: “...Ma këput një hallk’ në varg/tretur kujtimeve...larg/” (”Këtë natë”), ose :...”Si prej rrufeje/zbritur prej reje...” (“Mat çastin”), dhe të ngjashme; Sikundër edhe laryshia e aplikuar sinonimike, nuancimesh të ngjyrave: “i/e grijtë”; “i/e përitur”; “i/e hirtë;”, “i/e roztë”, ngapak edhe me çasje neologjizmike ...
Gamë e gjerë preokupimesh e shqetësimesh ideo-tematike
Ndryshe, Lumturi Ymeri, në një gamë kaq të gjerë preokupimesh e shqetësimesh ideo-tmatike, që nga gjërat më të imëta, të cilat, vdekatarëve të rëndomtë, as do iu bënin, mbase as përshtypjen më të vogël, atë, si poete tashmë te rryer, e intrigon pokaq, sa edhe problemet planetare e kozmopolite e kozmogonike; sikundër edhe në poezitë përkushtuese, Gjokë Becit, apo edhe “Lyrës shqiptare”, Vaçe Zelës: “...U dashka këputur fryma/për të pushtuar zëri, qiellin,/e dhnfërrur në yje.../...”Zëri që gdhendi kohën e prangosur/e mbushi jetën me tinguj hyjnorë...”/ (“Jetë në këngë”), sikundër edhe: Rrugën e gjatë, Ditën, Natën, Lumin, Pemët, Lëndinat, Lotin, Prindërit e shenjtë të saj, Njerëzit e mirë, Fëmijët, madje edhe Mosmërënjohësit, “...Dashurinë/ për gjithçka të bukur që më dhurroi/dhe më robëroi shpirtin!/Jetën/që ma dha e ma moriJetën..”/(“Falenderime”); gruas e nënës; semiologjinë e ditëve të javës, shkronjave, zanoreve, raporteve të saja familjare, procesin në laboratoriumin krijues të autores, sikundër edhe të arteve të tjera, qëndrimi ndaj poezisë dhe raportin e saj me vetë krijuesen: “...Çiltër/më vjen të them/ndonjëherë ndjehem para letrës së pashkruar/si para një moçalishteje të tharë.../Me parmendën e gishtave/e plugjet e thonjëve/të mbjell zëra të bukur/vargje të gjelbër/imagjinar.../...”, për të numëruar një sërë nocionesh: “...Heç sëmbimet, /rënkimet, zhgënjimet/Dhe largesat/lëndesat, harresat/Shkul krisjet, klithjet/ankthet, trandjet../”... “Falmë Nënë/Dua të bleroj vargjet.../”... “...Ndjesë Atë/I dua vargjet e gjelbërta...”, sepse: “...Mu vranë, mu nxinë/të mbillja ca frymë/të bleroja vargjet...”, meqë, tashmë: “...Gjaku në kapilarë/nuk shkëmben klorofilë.../ (”Vargje të gjelbër”), dhe, kaq e ka preokupuar zemrën, ndjesitë, trupin e shpirtin e saj krijimtaria poetike, sa: “Poezia më bën të bukur/si koralen një oqean/loti më lan...” – këlthet me një eksklamacion një shpirt sa i trazuar, aq edhe subtil, Bersava. Mirëpo, që gjithsesi, si një strumbullar kaq i fuqishëm rreth të cilit ndërlidhen që të gjitha prosedetë e autores, e që e përshkon tërë librin, dashuria, na vjen si një kategori fare hyjnore, erotikë deri në zgrip të “normales”: “...Dy buzë që dehin/ndizen a ndezin/me afsh, një dëshirë/lëkurë e mish/një trup i shkrirë...” (“Pulsi im”); madje madje, edhe me një dozë të platonikes, do thosha, e kaq larg pornografisë dhe epsheve animale, (që disa i shpërfaqin kaq në mënyrë transparente, e nga të cilat, vërtetë të zë krupa), por si një dhunti, dhuruar frymorëve të këtij rruzulli tokësor, veçmas qenieve të vetëdijshme, “Homo Sapiensit”: “...E unë jam ajo dallgë/ e bardhë.../Të derdhesha përmbi/të rrëshqisja nën ty/...” “...Kur mallin/me një det a oqean/ e krahason.../... Sikur të mungojë/vetëm një pokëz,/ndihet sikur shteron...”/ (“Intervale”); gjithnjë pa i lustruar ndjesitë, pra, as vargjet: “... – Të dashtë tjetërkush,/si unë!/- Dhe ty,/sa unë...!” (“Nd’ar’je”), që dalin kaq natyralë nga një botë kaq e begatshme shpirtërore të një qenie kaq delikate, një “spirit voice” të veçantë në letrat tona të viteve të fundit, dhe pikërisht, mëvetësia e shprehjeve, nocioneve, simboleve, metaforave, antitezave, komparacioneve, eksklamacioneve (po e po) gjithnjë në një gradacion në ngritje: “...Bie shi, e/vlon në pëllëmbë/të nxehtë ende/prej shpinës tënde,/mbi gishtërinjë/puthjen ma shkrinë...” (“Nëpër Shi”); ky origjinalitet kaq shprehës imagjinativ, e bën autoren e “Klithma Fryme”, të jetë kaq e pranueshme dhe e kapshme për kaq shtresa lexuesish, që nga ata më me pak të “stërvitur”, ata të rregulltit, e po kaq edhe për njohësit e kësaj problematike: “...Ia ngritëm murin ndjenjës/Mëktin lamë jasht/dhe veten...” (“Nd’ar’je”). Lumturia, në shumicën e poezive të saja, dhe jo vetëm të këtij libri në shqyrtim, shquhet me vargje nocionesh e preokupimesh tejet meditative, refleksive, e herë-herë, do të thosha, madje edhe filozofike: “Humbi foleja e bletëve/bashk me mjaltin./Qe prerë lisi...”/ (“Foleja...”), ose: “Angullimat e qenit/shqyejnë këtë natë/kafshojnë mendimet e mia...”/ (“Këtë natë”), apo: “...Zanore shekujsh/Planetit tim/mbetur jetim...”/ (“Hone zanoresh”); “...Një zog i kaltër në kafaz/kënduaka, kërkuaka ushqim/këng a vajtim...”/ (“Përhumbje”); “Pasarelë trupi im/mr thonjtë gozhduar/në skajet e kohës...”/...”prej syve ujitur/në fije bari kthehen/të zgjojnë pranverën...” – me primesa perl-bakçeje - (“Pasarelë”); “...Dhe flokët m’u kreshpëruan/thonjtë u shkëputën mishërash...”/ “...Dhe sot ia shpalla/veten vetes të vdekur,/për herë të parë protestat heshtën/nën lëkurë të hekurt...”/ (“Parzmore”);
Një talente e rrallë me dhunti të lindura
Dhe, kur, t’i biesh në fund leximit të “Klithma fryme” të Lumturi Ymeri Bersava, si lexues i vëmendshëm, i cili, sado kudo, di të nxjerrë, hetojë, e qëmtojë vlerat e pakontestueshme estetike të librit, sa ndjehet ëmbëlsisht i lodhur (se, fundja, të lexuarit e një përmbledhjeje poezish, nuk është i njëjtë si kur ta lexosh një i informatë gazeteje) , pas një kohe jo edhe aq të shpejtë, kushdo që dëshiron t’i shijojë të gjitha “hojet” e veprës, do të të vjen keq që, ndonëse kishe “vetëm” 109 faqe, që e përfundove një rrugëtim përplotë kolorite shpirtërore, po kaq i përmbushur me imazhe, erudicion, iluminizëm, dhe një përmbushjeje ndjesie estetike filigranike, mllefi, bunti, të një shpirti sa rebeles, kundër çdo lloj pisllëku të kësaj botës sonë e planetit të saj, të një krize të identiteti e integriteti moral-etik, ku, fatmjerisht, është zhytur specia njerëzore, në rrezik permanent të një alternimi e tjetërsimi, nga një qenie shoqërore-kolektive, në një eremit të izoluar, interesash të ulëta e meskine, jasht do normave të një shoqërie globale, dhe, si lexues e shijues i vargjeve përplot figuracione stilistike, ndonëse kaq i “ngopur” me tituj e vargje kaq sensuale, do të donte që ky lexim të përmbyllet asnjëherë, andaj, si një “ngushëllim”, domosdo do të jetë rileximi e rishleximi, gjithherë, duke “zbuluar” ndjesi dhe shije të tjera të stërholluara të Lumturisë për t’iu rishfaq porosi e mesazhe të reja.
Në fakt, në rastin e Bersavës, kemi të bëjmë me një talente të rrallë me dhunti të lindura, siç do të thoshte latini i vjetër: “Poeta nocitur,... non fit” (“Poet lindesh e ...nuk bëhesh”), paçka se profesioni i saj, një zyshë e edukatës fizike, pa përgatitje as më elementaret, që do ta cysnin që të merrej me të shkruarit e poezisë, e që, në fakt, e ka si vokacion, të mos themi, obsesion, pos që ka të bëjë mbase, sërish, me atë thënien latine: “Mens sana-in corpore sano” (“Mendja e shëndoshë – në trup të shëndoshë”); prandaj, ajo është kaq e sinqertë dhe e drejktëpërdrejtë në shpërfaqjen e ndjesive, pa i vënë fare fre imagjinatës, duke na e servuar kështu, komplet shpirtin e saj, Lumturinë vetë, andaj, vargjet e saja, që burimin e kanë në vetë palcën e këtij shpirti të virgjër, dalin kaq të fuqishme, të mëvetësishme, më parë, si llavë vullkani, se si qumësht e mjalt, pikërisht, siç e kemi, zaten, jetën tonë të përditëshme. Me një figuracion imagjinativ, fare të natyrshëm, krijuesja, herë shpërthen me ndjesi dashurie fare të pastrërt, me një dell të shquar artistik, dhe gjithnjë me një masë që përçon të gjitha ndjesitë femërore, duke gjetur kështu rrugën më përkatëse që “nën plaf” ta shpreh tërë sensualitetin feminilist, që t’i shprehë tërë vlimit e brendshme emocionuese të një femeje me njeriun e saj të jetës, partnerin e saj, me një transparencë, deri në zgripin e një limit-pende, që të mos rrëshqasë në ndonjë pornografi, apo shfrimi të epsheve shtazarake, me të zgjedhurin e gjinisë së kundërt, por me shprehje e veprime kaq normale, në shtratin e dhomës së fjetjes së një çifti, me drita të fikura, ku çdogjë, në kufi të njerëzores, midis tyre lejohet, por gjithnjë pa “syrin e tretë”, e pa “dëshmitarë okularë”, duke i vënë kapakun librit, si majë të saj, me vargjet “shkallare” përmbyllëse:
“Skajet e erës
ti dhe unë
nis edhe shuhet
në tonat frymë...”
Libër i një mushti të këndshëm poetik
Lumturia, sipas vargjeve të saja, dhe jo vetëm të këtij, librit të tij të katërt, brenda katër viteve të fundit, do të thosha, është fare maksimaliste, sepse çdo gjë që e bën, atë e bën deri në skaj, në maksimumin e mundshëm, pa i vënë hile asgjëje, sepse, çdo gjë që ia tërheq vëmendjen për së miri, apo ato të mbrapshtat, e thotë troç e “shul e shqip”, pa hezitime e ndrojtje, nga “embargot gjinore”, as ato të tjerat rrethanoret, duke u përpjekur gjithnjë që hidhërimi, zemërimi, dufi, mllefi, protesta e bunti, të mos ia mbizotërojë arsyen, të mos ia prishin ekuilibrin psiko-emocional, ndërkaq që mungesa e ndonjë përgatitjeje kushedi sa të lartë shkollore, kryesisht, nuk kanë të bëjnë me mungesën e finesave, bile, edhe strikte gjuhësore, meqë edhe gramatikisht qëndron kaq mirë, madje, sa të dijë edhe të manipulojë bukur me postulatet morfologjike-sintaksore, dhe veçmas në aspektin e interpunkcionit, që në fakt e ve në shërbim të credove të saja stilistike.
Libri, edhe teknikisht është i përgatitur me një kujdes të posaçëm nga editori, paçka se lloji dhe fonti i shkronjave kompjuterike, i tipit të “familjes” së “Monotype corsiva”, paksa si tepër të stilizuara, i përdorur në titujt e poezive, ma thotë mendja se sikur nuk janë më përkatëset, por edhe kjo ka të bëjë, thjesht, me çështje shijesh, dhe, siç do ta thoshte edhe sentenca latine: “De gustibus non est dispuntandur”, apo jo, ndërkaq që, për të qenë deri në fund i sinqertë me autoren dhe recipientët e vargjeve të saja, unë munda ta gjej vetëm një të vetmen si lajthitje të sajën në një lëshim të vockël material, në poezinë “Shkojm’Lumbardh...”, njëra ndër të vetmet e shkruara në dialektin gegë, tek vargjet kaq domethënëse: “...t’i ngjitem nalt ullishtës/Ta mbjell vedin aty/vaditun me ty...”, sikur për një çast i ka dalë nga mendja se askund në pjesët kontinentale, pra as në Kosovë e Lumbardh, për shkak të kushteve të pavolitshme klimatike, nuk kultivohen ullinjt, dhe, rrjedhimisht, nuk mund të ketë as ullishte, por kjo, të paktën, sipas meje, ishte e vetmja “pikë në Oqeanin e paanë” të kësaj përmbledhjeje poezish, do të thosha kaq të balancuara dhe konsoliduara artistikisht.
Nga e gjithë kjo që u tha, libri i katërt i poezive të Lumturi Ymeri Bersava, përmban një musht të këndshëm poetik, që të përmbushë përplotë mesazhe, imazhe, mirazhe e, do të thosha, testamente të fuqishme poetike, sepse kemi të bëjmë me një puro-poete me poezi thuaja pa firo, që, çuditërisht, sa më shumë po shtohen, dita ditës, poet e poete, kaq më rrallë, po hasim në asish e asosh të mirëfillta e që produkti i tyre estetik do t’i përballojë kritikës më të madhe – kohës, siç do të ndodh, jemi kaq të bindur, me “Klithma fryme”, sikundër edhe me tri përmbledhjet pararendëse simotra të saja.
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen