Nga Ramadan Mehmeti
Rrahim Sadiku “E re kjo hare”, poezi për fëmijë, botuar nga “Zgjimi” Ferizaj, 2015
Për krijuesin e mirëfilltë gjithmonë është e vështirë të merret me kritikë letrare, sepse duhet të ndërrojë shumë nga vetja, pasi ai, i mësuar të shohë gjërat me syrin imagjinatës e me thellësinë e ndjenjës, e ka të vështirë të merret me mendimet që duhet të jenë vetëm pjesë e realitetit, madje e vlerësimit për atë realitet. Sepse, vepra e botuar e secilit autor, i përket realitetit, përkundër brendisë imagjinative. Megjithatë, unë nuk munda të mos e kaloj këtë hendek ndarës dhe të mos shkruaj për krijuesin Rrahim Sadiku, i cili tashmë ka bërë emër në krijitarinë letrare shqiptare dhe i cili me të gjitha ato që ka botuar deri tashti, intrigon lexuesin me vlerat, me të veҫantat dhe me guximin për të krijuar lirshëm e me stil vetanak.
Rrahim Sadikun e kam njohur që nga botimet e para që ka bërë. Gjithnjë më ka lënë mbresa të thella shumëdimensionaliteti i krijimtarisë së tij, në përgjithësi, por më shumë lllojllojshmëria e temave, vargjeve, inspirimeve, formave e përmbajtjeve në krijimet e tij për fëmijë, në veҫanti. Nga vepra në vepër ky autor ka treguar e vazhdon të tregojë se ka një potencial të madh njohjesh, një bagazh të gjërë kulturor, human e kombëtar dhe një shpirt të thellë prej krijuesi, nga i cili shpërthen gjithë ajo dritë që ka burimin qenien e tij dhe në artin e tij. Kjo dritë, gjatë leximit të veprave të tij, përhapet fuqishëm në të gjitha anët, duke krijuar ashtu një botë të dëshirueshme , të shpirtit e të mendjes, bëhet më e fuqishme dhe më e pranueshme përmes gërshetimit të imagjinatës me relitetin; duke e kaluar atë kufirin ndarës midis tyre dhe ne kemi mundësinë të përjetojmë realitetin artistik te secili varg, te secila poezi, te secila vepër; të bëhemi pjesë e pandashme e këtij realiteti, që ushqen mendjen e bëhet shtytje për kërkime të reja.
Imagjinata dhe ballafaqimi me botën e me bukuritë dhe pasuritë e saj na shoqërojnë edhe në librin më të ri të Rrahim Sadikut, “E re kjo hare”, brenda të cilit intrigohemi nga pesha e fjalës poetike; aty na mundësohet të shpalosim ndjenja dhe fshehtësi të imagjinatës fëmijënore; na mundësohet të bashkohemi me dëshirën për ta ndjerë sa më thellë poezinë dhe të shndërrohemi në etje për të qenë edhe vet poezi. E gjitha ndodh sepse:
“Ngado shkojmë është me ne,
Kjo hare plot mrekulli,
E gjitha bërë dashuri:
Hapava tanë – rritet,
Qeshjeve tona – ndritet.”
Dhe kjo ndodh sepse:
“Kur këndojnë fëmijët
pranvera bëhet cicërimë,
vashat bëhen lule,
lulet kthehen në vasha!
Djemtë si petrita,
Bëhen një me kaltrinë!”
Dhe:
“Orët e bardha dalin nga përrallat.”
Prandaj:
“O, si qesh vogëlushja?!
Gazi përhapet lagje më lagje
I gjithë qyteti sikur gëzon me të,
Lumturia ngjitet deri në re,
Zogjtë ulen dhe e thërrasin:
Eja, eja bukuroshe,
Fluturo me ne!”
E kjo hare e ky gëzim shndërrohen në dashuri, në etje për njohje e dituri dhe zbukurojnë orët në shkollë, shëtitë në natyrë, ndërrimet e stinëve. Këtyre ndërrimeve autori na dërgon (me një peshk salmon) në Alaskë, na shoqëron me miqësi thëllazash e breshkash, na zgjon me vesë mëngjesi, na jep mjaltë në Maltë, na mundëson të njohim nga afër Gjeto Basho Mujsin, të shkojmë në Himarë e në Krujë, të bëhemi pjesë krenare e historisë dhe lumturi e të sotmës, nganjëherë dalim shëti edhe nëpër kozmos, po të lidhur me zemër e me shpirt me atdheun tonë:
“Shqipëri, kurrë e vdekshme,
Madhështi e madhështive,
Dashuria jonë e përjetshme!”
Shtrirja ndërtimore dhe puna organizuese, për formimin e libri “E re kjo hare”, nga autori, është konceptuar pa ndarje në cikle, pa shkallëzim të motiveve, pa uniformizim të poezive dhe ashtu ato na mundësojnë të udhëtojmë botës së fëmijëve, ku nuk ka kufinj midis shteteve, ku njerëzit afrohen e nuk kërkojnë shkaqe për urrejtje; ku nuk na ndarje midis popujsh, ku vlera njerëzore ngritet në pikën më të lartë; ku yjet në qiell janë largësi të arritshme e ku shkohet me mend e me dëshirë; ku kontinetet janë afër dhe sa hap e mbyll sytë mund të shkosh nga Australia në Siberi, nga poli verior në atë jugor dhe e gjitha të ndodhë krejt natyrshëm; ku leximi ushqen imagjinatën, po edhe imagjinata ushqen leximin; ku koha dhe hapësira janë në shërbim të njeriut dhe mendjes së tij krijuese. Kështu, krijimi bëhet pjesë jona, duke na ftuar edhe ne të bëhemi pjesë e krijimit e kësaj vazhdimësie plot ndërrime që e shtyn përpara dhe e freskon jetën, pra me fëmijëri:
“Ia kam marrë botës
Të gjitha bukuritë,
Duke e bërë pjesë
Të imagjinatës
Duke e futur
Midis diturive,
Duke e parë
Si mrekulli të mrekullive!”
Dhe këtyre mrekullive ne shijojmë mjaltë në Maltë; takohemi me hipopotamin në Nil, shohim krokodilët, vrapojmë me drenusha, hidhemi në Irlandë, duke lunduar lumit Amazon ne e njohim peshkun kajman, po njihemi edhe me një mbtretëreshë të vogël, shëtisim me të dëgjuar nëpër vende të bukura të botës, hyjmë në kopshtin zoologjik dhe do ta kishim pëtrfunduar shkrimin tonë me këto vargje të autorit:
“Prandaj e gjatë,
Pafundësisht e gjatë,
Mbushur përjetime
Është rruga në imagjinatë!”
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen