Montag, 25. Mai 2015
Bajram Kallaba - Cikël poetik
VULLKAN I GJALLË KOSOVE
(Simbolit të Lëvizjes Shqiptare për
Liri dhe Bashkim Kombëtar-Metush Krasniqi)
Kronikë e kohës shkroi
nekrologjinë
e gdhendur në gurë
-Bacë, Metush Krasniqi
shqipe në flamur.
Vullkan i gjallë Kosove
digjet prush e zjarrë
Besë,
Flamur e
Shokë
nuk i jep për së gjallë.
Një fantazmë karpatesh
dreq i saj i zi
shpirtin
ia përlanë Bacës
për Anadolli.
-Rrini këtu, thotë Baca
kjo mortajë kalon
Gjergj
Elez
Alisë
Kush plagët ia shëron?
Flakadan që ndritë ndër mote
digë, bajlozave për jetë
Besë,
Flamur,
Kushtrim
një botë ilegalitet.
Vullkan i gjallë Kosove
gjoksi prush i pikë
meteor majë male shqipesh
Bacë, Metushi ndritë.
Ëndrra e lashtësisë
Ëndrra jonë e lashtë
u shprish në natën e pabesë
mallkim pati katrahurën.
Mbi besën tonë
shkeli troku i kalit të harlisur
mbi rrudhat e ballit
çepallat na i ngrysi zymtësia.
Kush mund t’i ndalte stuhitë
dhe yshtjet karpatiane
mbi tokën bukolike të Ali Binakut?!
Moteve…
Feniksi sërish u ngrit.
Shumë herë u lidh e u qartë besa
dhe ëndrrat sërish na u shprishën,
se Kalin e Trojës
e cytën jeremitë.
Po… ëndrra jonë e lashtë
nuk u shua kurrë.
Fshehur nën hirin e amanetit të lashtë
e ruajtur me bekimin hyjnor.
Mbi Rozafë janë ulur perënditë
dhe feniksi sërish ka zbritur
besës së fjetur të mijevjeçarëve
ëndrrën e lashtësisë t’ia përjetësojnë.
.Roganë, mars 2015
Sonte
Sonte
nuk dua të fle
terrin dhunshëm do ta gris
dhe me xixë stralli
do e kërkojë
betohem
Luftëtarin e lirisë.
Sonte
Hënës lutje do i bëj
Orfeun të ma zbres mbi Çyçavicë
se trimin
malli prush ma dogji
për këngën e lirisë.
Plattenwald ( Baden Würtenberg), 1998
Aguliqja
Llastuar erdhi nga lashësia
tek porta e hapur u ndal
aguliqja e parë mbi syprinë bore
gurin e unazës ta marr.
Puhi e lehtë, në zemrën e ndryme
me syrin e mbushur magji
aguliqe e parë pas dimrit qetuar
në kullën time ka hyrë.
Ndaj kopshti ka nisë të gjallërohet
ahti borën ka shkrirë
aguliqja e parë kur vonohet
shpirtin ma psherëtinë.
Gërzheta
Me buzmin bujarë
në kullën time erdhe
sofrën e begatisë
e shtrove.
- Vera e bekuar na dehu.
Gërzhetë e përrallave tona
në kultin pagan
u përgjërove.
N’shënjestrën tënde
viktimë e plagosur jam,
pre e përzgjedhur
e kolombresë.
Drejt vorbullës
Shigjeta është tërhequr
n’kryqëzim shikimesh
shigjetohem.
- Harku është në dorën tënde.
Heeeuuu….
Edhe sa gjatë kam pritur
që pikëpjekja jonë
një ditë të ndodhë?!
Unë, asket i stepave jam,
moral yjesh do bëhem
gjerdanin e premtuar
trofe ta marrë!
MOTIV FEMIJERIE
Në pemishten e Gecajve
nuk ka roje.
Mollët pikëmjaltë,
të kuqe e bojëgjake
atakohen.
Në gardhin pa shtigje
verorja e zhbiruar
nga dega
pikon.
Pastaj…
Dora zgjatet,
Fruti rrëshqet
E frymarrja
Për një çast ndalon.
Dhe sërish…
Pikëvesë e mëngjesit
në përrua rrokulliset,
shujtën e mëngjesit
arnon.
Gusht, 2013
Rojat e mjegullës
Mbi ngrehinë
ngrehina tjetër,
telat gjembor
na rrethojnë.
E mbi të
zogu qyqes
rojë e mjegullës
majë pirgu
vëzhgon.
Pas grilave
jetohet me ylberin
jashtë
bota le të përmbyset.
E ne
përbrenda ngrehinës
me shikim gjarpri
vërbohemi.
Miku im,
ta ngrehim dollinë
për idealin tonë
se neser
ky kafshim gjarpëri
do të kalojë
e bota sërish do të riciklohet.
Gjilan, 1990
L U N D R A
Lundra…
Shpirtin ma përlanë
Skëterrave të jetës
Anembanë.
Në detin e hapur
në vazhdën plot shkëlqim
shtegëton betejave të reja
lundra e mallit tim.
Pas ka mbetur porti
shpirti ‘kurret,ndrynë
një grusht dhe t’atdheut
do ta bëjë ngrehinë.
…dhe valet s’kanë te sosur
kur shpresa s’të ngushëllon
thashë,ta pyes fatin
-Çfarë vallë më këshillon?
- Dy rrugë- tha janë për njeriun
lundrën kur drejton:
një kur ik nga porti
lundra të fut në vale
në bëre ballë
je një trim me pallë.
Dhe tjetra kur humb shpresën
Shpirtin hedh n’pazar
Vala fundos mëshirën
-Ti bëhesh një qyqarë!
Abonnieren
Kommentare zum Post (Atom)
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen