Mittwoch, 6. Mai 2015

Shkëndije S. Berisha dhe "Heshtja e trëndafilit"

POETJA - POEZISË: 
DUA TË JEM ZËRI YT I HESHTUR

Nga Ali R. Berisha

Shkëndije S. Berishes “Heshtja e trëndafilit”, poezi, Pejë, 2014

“Përshtypjet që lënë poezitë e vëllimit për të cilin folem, na mbushin mendjen se poetja me një ecje dhe angazhim me këtë dinamizëm ka për të bërë emër në poezinë tonë.”

Çdo shkrimtar kur merr të shkruajë, sidomos poezi, zgjedh njërën nga dy rrugët – të shpërfaq të bukurën të shijuar në natyrë, në jetë a tek njeriu (në shpirtin a në fizikun e tij) ose të bukurën e imagjinuar, por sipas mënyrës së vet. Autorja e vëllimit që do ta marrëm për shqyrtim e ka të qartë këtë kërkesë të letërsisë. Ajo, në këtë vëllim, i treti vëllim me radhë i saj, ka bërë hapa të rinj përpara. Këtë e ka arritur me përpjekje të pandèrprera sipas mënyrësisë së vet të krijimit. Ajo e ka arritur këtë me ngulm të pandërprerë për ta zëruar anën më poetike të vargut. Pra, gjatë vjershërimit ka sfiduar drejt, e qenë e bindur në frymëzime, se ka zgjedhur një të ecur të suksesshëm, për të krijuar befasi me mënyrën e vet të shkrimit e të përshkrimit. Poetja në këtë ecje tregohet mjaft e guximshme por edhee vetëdijshme se poezisë duhet t’i ruhet imazhi dhe shija gjatë shpërfaqjes së rrefimit, imagjinative dhe subjektit. Në këtë rrugëkrijim poetik ajo arrin të përvijojë frymëzime edhe me pyetje, komente, dialogje, përshkrime, vrojtime asociative, synime si ide:

Po nisem drejt teje jetë /fillimi i rrëfimi/
Ne do të takohemi fq. 75./qëllimi i udhëtimit/ 

Kështu vargjet e saj futen në dialog me jetën, botën, kohën, me lexuesin: 

Mos fli në pafundësi /qortimi/ 
Zgjohu! fq. 52. /këshilla/ 

Në këto ecje dialoguese përmes poezisë Dua të jem zëri yt i heshtur, poetja ngërthehet me ide, imazhe, cytje, frymëzime të vazhdueshme dhe plot ëndrra, ajo reale dhe ajo e krijimit artistik. Poetja, si e re që është, nuk na çudit pse e përdor aq shumë shprehjen ëndërr, për ta shndërruar në burimësi temash e preokupimesh me tone të heshtura. 

Si ëndërr që e ka pritur, si ëndërr rinore, si ëndërr e fshehur, si ëndrra jetime, “më lini ta prek ëndrrën”, “fshehesh prapa ëndrrës”, “ëndërroj për ty” – jo ‘të ëndërroj’, siç do të thoshin poetët e lirikës, “merrmi ëndrrat”, “lamtumirë ëndrra ime”- ajo e aktit të dëshpërimit, “Eja ëndërr për të të treguar / se s’di të jetoj pa ty” etj. etj. sepse bota e ëndrrës së saj është e pafund dhe e paskaj. Dashuria, ndërkaq është bota tjetër e frymëzimeve, siç është edhe ajo e njeriut (“sikur secili të pikturonte vetëm në pëlhurën e vet” fq.71), e universit, e kohës, e jetës, e brendshmja(“preka pak jetë / paska shije“ /67), “Anijet u ngarkuan jetë” /fq. 68)e gjithëpastaj me ngjyrime e tablloizime, lajtmotive e lajttema që frymëzojnë për ecje të gjallëruar. Gjithnjë me persiatje dhe depërtime medituese në të fshehtat e botës, deri te Heshtja e trëndafilit, fq. 67, (Kur ora në litar ndryshon motet / Kur bashkë me të dhe mendimet), e cila bashkë me poezitë: Triumfi i vullnetit, Përse s’më gjen dhimba, Poeti i nëmur, E keqja e bukur, Mos më lexo, janë krijimet më të mira të vëllimit. 

Tipet e ndërtimit të poezive që nga vjersha e gjatë e deri tek ato të shkurtëra (8 sish), pa ndonjë përcaktim, sipas një teknike të veçantë -përmes ekonomizimit të fjalëve, flasin për një risi vargnimi. Rrjedhin si pikat më të ndjeshme të jetës rinore, jo sa për ta shijuar atë aq sa për ta kuptuar, as si gëzim të tepruar, as pikëllim të trishtuar, as tepër shpresë, as tepër frikë. Ajo që e pret poetën në rrugën që i ka hyrë e që e ka menduar mirë dhe përgjegjshëm me shumë mature, është vendosmëria për të bërë hapa të rinj. (Krijimi me titullin Thënie, në fund të librit, që ngërthen një tufë urtish si thënie, meditime, aforizma - ndonëse ato nuk u rrinë mirë vëllimeve poetike, nënvizojnë shëmbëllesa që flasin konkretisht për këtë.)

Vargjet e llojllojshme nga ai prozaik e deri tek ai lakonik, apo deri te ndonjë përpjekje për t’i rimuar apo strofuar,ndonjë rast si psh. “Partizani kërkon demokraci / Revolucioni! / S’është mahi.” fq.11, disa sish merima të atykëtushme e disa sish kanë mbetur në gjysmërrugë. 

Poezitë me motiv erotik janë pikërisht ato në të cilat shpërthejnë ndjenjat rinore të të kënduarit çiltër e me ndjesi të larta, si “Zjarre të shpirtit”, “Heshtja e trëndafilit”e sidomos ato të ciklit: Kam një jetë që të pres. Janë frymëzime që poetën e re e ushqejnë me jetën, Anijet u ngarkuan jetë e u nisën, e rrisin me kohën, por bashkë me rininë e bëjnë edhe të vuajë pa shprehurrevoltë, të puthë edhe lotë, të ëndërrojë e të presë që të ketë jeta kuptim. E tillë është dashuria, kjo tekanjozja më e madhe e njeriut por edhe më sublimja dhe e çdo të riu e të reje. Ndonëse me titull “Poeti i nëmur” poezia e faqës 83, më tepër se çdo ndjenje, e aq më pak mallkimit, i këndon pikërisht dashurisë.

Po digjem heshtur 
Nën mallin e fjetur 
Po të puth me buzët e shpirtit 
E bën edhe ti të njëjtën gjë?

Ajo është një vallëzim i ndjenjave dashurore prandaj edhe është më e mira dhe më e arrira në këtë vëllim poezish. Fjalori i saj; shkumë deti, buzëqeshje, përqafim sekret, fantazi, zjarr, shqetësim këngë pa fjalë, hapësirë pa fund, pritje, lumturi, pra, poezia më e gjatë, më e hapësirtë dhe më drithëruese e librit. E brumosur me figura të qëlluara stilistike, të zgjedhura me kujdes, të pëdorura pikërisht aty, ku krijojnë emocionalitet dhe ku u dëgjohet tonaliteti vjershëror.

Megjithëse gjuha e përdorur në këto vargje nuk e ka embëlsinë e duhur, ashtu siç i ka hije poezisë lirike dhe më shumë i është kushtuar kujdes formës së vargut se sa brumit, vargu më shumë kuptohet si varg se sa si figurë, autorja premton shumë dhe pritet që të ecën edhe më guximshëm në të ardhmen. Ajo së bashku me shumë të tjerë të rinj e të reja janë ata që premtojne, që duhet të mendojnë se është koha e tyrepër t’u ballafaquar me kërkesat e botës së artdashësve letrarë për të bërë depërtime të reja e për t’i zëvendësuargjeneratat e moshuara.Këto energji janë shpresa e një letërsie të re, e cila përmes hapave të sukseshëm depërtues do ta bëjë edhe letërsinë tonë të denjë për hapësira gjithnjë e më gjëra.

Përshtypjet që lënë poezitë e vëllimit për të cilin folem, na mbushin mendjen se poetja me një ecje dhe angazhim me këtë dinamizëm ka për të bërë emër në poezinë tonë.

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen