RINGJALLJA E PAGËZIMIT
Përmbledhje me poezi
NË BIBLIOTEKËN E BOGDANIT
Kemi kërkuar emër në Bibliotekën e Bogdanit
edhe kur derën e shtëpisë
nuk e kishim të kthyer nga dielli
edhe kur dritaret i kishim hapur
për ta tharë mykun në odat e moteve të errësirës
Kemi kërkuar emër në Bibliotekën e Bogdanit
edhe kur me eshkë i patëm ndezur shpresat
mbi pullazet e konakëve të kujtesës
edhe kur pranverat i patëm me lulëkuqe të Ulpianës
që ia kishte sjellë Europës
- Konstandini i Madh
Kemi kërkuar emër në Bibliotekën e Bogdanit
kurdo që ishim gjergjkastriotë në prag e në plëng
andej e këndej bjeshkëve
dhe udhëve të Golgotës
Në logun e fjalës
të Bibliotekës së Bogdanit,
edhe sot e kërkojmë emrin tonë
që ruhet në dorëshkrimet e ngujuara të kujtesës.
PSALME
BOGDANIANE
ENGJËLLI I ULPIANËS
Engjëlli i Ulpianës i bën roje djepit
dhe lutet me rruzaret e Shën Mërisë
Lumi duke u kotur
kalon vaun e vegimit
në dritën e aureolës engjëllore
Irnosen varret
kryqëzuar me gjuhën shqipe
Muret e shembura
rrëfejnë për dhembjen e gurëve.
Zjarri digjet në pasqyrë
në hijen e shenjtit
që e mban detin në heshtje
Nëna e Engjëllit të Ulpianës
pushon te gurët e varreve
të Shën Florit e Shën Laurit
Engjëlli i Ulpianës i bën roje djepit
dhe lutet me rruzaret e Shën Mërisë.
HIMNI I SHËN NIKETËS
Me notat e ngathëta
të pentagramit arkaik
orkestra e humb ritmin
kur shiu luan
Himnin e Shën Niketës
Matanë lumit të harlisur
e këndej bregut të braktisur
gjëmon kujtimi
shtegton shikimi
Këndej lumit ati
matanë bregut mëkati
Në pentagramin e arnuar
telat e ndryshkur të violinës
mekin notat
Nga Himni i Shën Niketës
muret e kishave tunden
drejt qiellit
e pastaj zbresin në Dri të Bardhë
Në Dardani
Shën Niketa
mbledh copa partiturash
të Himnit “Te Deum”.
NË QYTETIN E SHENJTË TË ULPIANËS
Në qytetin e Shenjtë të Ulpianës
të Shën Florit e Shën Laurit
ku tjerrën kujtimet e stinëve të heshtura
ende me preklat e pianos
luhet Te Deumi i Shën Niketës
bashk me jehonën e lutjeve
të Psalmeve të Pjetër Bogdanit
Brenda Katedrales “Nëna Tereze”
qëndrojnë të ndezur qirinjtë
në shandanët e bardhësive dardane
Në qytetin e Shenjtë të Ulpianës
kundërmon aroma e kemit(1) nga kemeria
e shtatë ngjyrave të ylberit
që i falen Diellit
të Dardanisë së Lashtë.
1. Kem-i (fjalë shqipe) – tamjan-i (fjalë e huaj).
KORI I APOSTUJVE
Kënga e vashave
pergamenë e flijimit
zë kumti në Bunar të Çikave(2)
Kori i apostujve
edhe sot luan Te Deumin
në Zabel të Gjinzave(3) të Gjinanit(4)
Në terrin e ndryshkur
vashat mbrojnë bardhësitë
duke u hedhur në Bunar të Çikave
e në lumin Dri të Bardhë.
2. Bunari i Çikave është emërvend në Bregdri të sotëm (fshat afër Zymit të Hasit), ku në mbrojtje të moralit vajzat u vetëflijuan duke ikur nga ushtarët turq. Me atë rast disa orej tyre u mbytën në bunar e disa në lumin Dri të Bardhë, ku sot ekziston Varri i Çikave.
3. Lugu i Gjinzave, që njihet edhe si Gjinëzat, është mal mbi fshatin Gjinan (Bregdrini i sotëm).
4. Gjinani ishte dikur fshat. Tash ai vendbanim quhet Bregdri (gjendet afër Zymit). Gjinani ishte vendlindja e Pjetër Bogdanit.
PREKLAT E PIANOS
Prej nga na vjen kaq shumë urrejtje, kur nga çdo anë jemi të rrethuar me dashuri
Nëna Tereze
Preklat e pianos lozin brenda kujtesës
hijet në retrospektivë vallëzojnë
Në stinën e kujtimit të ngujuar
ende përgjumshëm i lutemi Zotit
Preklat e pianos vazhdojnë të dridhen
nga gishtat e kompozitorëve
kur ekzekutojnë Ave Marinë
mbi varrin e zbrazët të Pjetër Bogdanit.
PËRMENDORE KUJTIMI
(Imzot Gjon Nikollë Kazazit)
Imzot
edhe tash bien kambanat
- kambanat e shpirtit tënd në zemrat tona
Me uratën dhe bekimin tënd
e kaluam Shkretëtirën
- në Dritën tënde e pamë Dritën
Emri yt - pishtar që s’fiket
s’të trembi shtrëngata as ulërima
- përmendore e kujtimit
Kjo tokë e shenjtë
e ujitur me djersën e meshtarëve të devotshëm
është drita dhe kripa e botës
është bekimi i gjakut të meshtarëve të lavdishëm
Imzot
në parajsë malli dergjet
- dergjet kujtimi për ty
dhe për ashtin e atdheun tim
- dergjet malli për Shtëpinë e Zotit
Mëshirë o Zot për ata që i braktisën
udhëkryqet e dashurisë
në mjegullnajë
e në tymnajë.
Zym, 14 prill 2012
GJAKU I GJEÇOVIT
Në kikë të Majës së Mullithit(5)
puhiza u tund
dhe u derdh Luginës së Mërfileve(6):
lugetërit e skterrës vranë Gjeçovin
Atë Gjeçovi
me gjakun e Flamurit
lau shpatet e vreshtave të Rrezinës(7)
O meshtar i dritës
me flakën e shpresës
mblodhe relikte,
legjenda, mite
kanune e kode të shenjta
dhe me to thure
kode të Dardanisë së Lashtë
e dashuri
në Tumën Ilirie.
5. Maja e Mullithit (Maja e Mullirit me erë) është emërvend në mes të fshatit Zym dhe Krajk. Gjendet mbi vendvrasjen e Atë Shtjefën Gjeçovit.
6. Lugina e Mërfileve është emërvend në mes të fshatit Zym dhe Krajk. Gjendet nën vendvrasjen e Atë Shtjefën Gjeçovit.
7. Rrezina është emërvend në mes të Zymit e Krajkut, ku u vra Atë Shtjefën Gjeçovi. Gjendet në pjesën perëndimore të mesit të Majes së Mullithit dhe Lugut të Mërfileve.
LULET E GURËVE TË HASIT
Lulet e gurëve të Hasit
në shpatet e Gjinanit të Bogdanit
i rrit bukuria e Pashtrikut plak
dhe freskia e Qarrit të Hasit
që i bëjnë hije
Lutjeve të Mbrëmjes të Anton Pashkut
Lulet e Gurëve të Hasit
frymojnë përmallshëm -
dashurinë e bekojnë
dhe etjen e shuajnë
në Lug të Trumshit(8)
ku rreshkon dielli
që përpush kujtimet
e moteve të pa kthim.
8. Trumsh-i (Lugu i Trumshit) është emërvend i një vendbanimi rrëzë Pashtrikut. Më vonë u shndërrua në stane për zymjanët e më pas ato kullosa iu dhanë në shfrytëzim familjeve Maloku të Planejës.
SHKODRA
Kodra dhe Nënkodra
Mbishkodra e Nënshkodra
e shkodruan Shkodrën
Në shkëmb të Shkodrës
u muros një Nënë
- Nëna Rozafë
Rozafa la peng vetveten
në përgjigje të Besës
Nga një mur i Shkodrës
u shkëput një afreskë
- Pajtorja e Gjithëshqiptarëve
Në Shkodër
ku rrjedh ujëvara e dashurisë
shikimi engjëllor
shndrit ëmbël
aty ku shkëmbi
pikë
pikë
pikë
pikon tambël.
.
SHTIGJEVE TË DHEMBJES
Loti rrëshqiti bebëzave të trazuara
e shtigjeve të vuajtjes
Ngjyrat e dhembjes
dëftuan ëndrrat e ndrydhura
që u maten me detin
Grishjet e pista ende
ftojnë palcën e territ
dhe shitojnë nuset e epshta
Grishjet e përdala
mashtrojnë natën
- trazojnë valët e mbarsura
Në ëndrrat e kalamendëta
fjalët e shartuara
lagen
nga qumështi i Nënës së murosur.
SHIKIMET DHE HIJET
Me ëndrrën e ikur
loti e pushton syrin
emri mbetet zë i mekur
nga etjet e mëkatnorit
të shkretëtirës
Nusërojnë vreshtat me hire blerake
në tisin e stinës së lulëkuqeve
kujtimet kafshojnë shikimet e hijosura
të mallkuara në prag të muranës
Me tamblin e gjinjve të nuses
është spërkatur harku i Urës së Shën Prenës(9)
i mbështjellë me çarçafin e bardhë
të djepit të Rozafës.
Balada që mati kohën me cikërr
edhe sot këndohet
brigjeve të Drinit të Bardhë.
9. Ura e Shën Prenës, ura mbi përroin Deshticë në katundin Ramajë të Hasit, që u ngrit me gurët e Kishës së Shën Prenës, e cila kishë u rrënua pasi banorët e këtij vendbanimi kaluan në besimin islam.
PAGJU(R)MËSIA
Djepi - testament i ninullave
përkund ëndrrat në Parajsë.
Mesnata djersitet
në shtratin e ëndrrave
nata e bekuar
e ngjall kujtimin në Gur të Hasit
shpresa e kallur flakë
e kalon pragun e fjalës.
Në Ulpianë këndellet
Himni i Ringjalljes së pagëzimit
që ngroh lotët e mallit
të derdhur në hirin e kemit
në hijen e lotëve
magjia e fjalës trazon shpirtin.
Në historinë e biografisë së luftës
lufta është fakt
është fat
- vetëm të vdekurit
e mbyllin fundin e saj.
Arkeologjia s’njeh tjetër pos faktet
e mbështjella me duhinë
e Dardanisë së lashtë.
DAMARËVE
TË GURIT
KUVENDIMI
Kurorat e stinëve
kaptuan damarëve të gurëve
në Lkenin e Zojzit(10) u lanë zanat
- u thashë
Më thanë:
Në zemra bartëm qiellin, tokën dhe rrufetë
kur ndryshku i kohës
u flak në Shtatë Kodrat e Zymit(11)
U thashë:
Kur nga gjiri i Rozafës fisnore
pikonte tambli i nanës
u ngrohëm me lutjet e Nënës Tereze
Më thanë:
Ishim hije pa trajtë në skutat e natës
U thashë:
Bukëpjekësit me mallin e nuseve
ëndrrën e shtrëngojnë me sy
dhe dergjen në kurbet
kur gatuajnë bukë zemre
Më thanë:
Malli i djeg edhe gurët
me duhi të kësaj toke
të Hasit të Thatë!
Prishtinë, 11 dhjetor 2009
10. Lkeni i Hasit, Lkeni i Zojzit, Likeni (liqeni) i Berishës apo Likeni i Zymit gjendet në Lagjën Berishë të Zymit. Këtë oronim Atë Shtjefën Gjeçovi e përdori edhe për pseudonim.
11. Shtatë Kodrat e Zymit - Zymi shtrihet në shtatë kodra. Për këtë edhe quhet Roma e vogël, sepse edhe Roma shtrihet në shtatë kodra.
BUKË ZEMRE
Në skamje të bukës
zymjanët
e mësuan zanatin e gatimit të bukës
Tash e katër shekuj
nëpër botë gatuajnë bukë zemre
dhe arnojnë jetën
Tash e katër shekuj
shkelin shtigjeve të kurbetit
lindin dhe vdesin
me fytyra nga Dielli
pa biografi
Tash e katër shekuj
në kurbet i gatuajnë kujtimet
dhe pjekin bukë zemre zymjanët!
TE GURI I KURBETÇARIT(12)
Edhe sot më përndjekin hijet
dhe lotët e ringjallur të kujtimit
bri Gurit të Kurbetçarit në Zym
Anatomia e kurbetit mbjellë ikjen
në bardhësinë e Gurëve të Shenjtë
aty ku pikojnë pikat e shiut
dhe pikat e përmallshme të lotit
Lotët e Qiellit
e sytë e Diellit
thyhen në Zym
mbi Gurin e Kurbetçarit
Në pritje trazojnë kujtimet
shtigjeve të buzëqeshjes.
12. Guri i Kurbetçarit është lapidar i ngritur në Zym të Hasit në shenjë të kurbetçarëve zymjanë. Zeja e bukëpjekësve në Zym daton që nga fundi i shekullit XVI.
KURBETI
Balada e kurbetçiut psherëtinë në urë
atje ku çdo emër ka zemër
Në kurbet tirren kujtimet
e kalendarit të varur në heshtje
Gurët e Hasit
flaken e shuajnë me zemër
Me shikim të vyshkur
u flaket malli
për gurë
dhe për Rozafën e murosur.
HASJANËT
Nën peshën e largësisë
hasjanët i përtypin kujtimet për vatrën
që ua mban ritmin e frymëmarrjes
së shkrepave të djegura të Hasit.
Hasjanët janë roje
të ëndrrës së etur të kthimit
Për t’u kthyer në kulla gurore
ata e ngrohin mallin për vendlindje
me zjarrin e pashuar të zemrës
që lartësohet deri te maja e Pashtrikut
Gatimin e bukës me djersë e ujitin
hasjanët e bekuar
hasjanët e dëshmuar
në shtigjet e dhembjeve të gurta.
MËRGIMI I HARBUAR
Mbi valët e Likenit të Hasit
përmallshëm rrezet e diellit derdhen
dhe puthin shpatet shkëmbore
të hasjanëve në kurbet
Shpateve të Hasit të Thatë
u shtohen përrenjtë e vjeshtës
hasjanëve malli u digjet si qiriu
bashk me hardhitë mes shkëmbinjve
që pikojnë verë të kuqe
Me kurm jete përvëlohen shkëmbinjtë
me mallin e hasjanëve në kurbet
ku qerpiku i nuseve u kuqëlohet në pritje
të mërgimtarëve të harbuar për jetë.
KURORA E BESËS
Kur iu përgjëruam lindjeve
te Rrethi i Grave(13)
thurëm kurora dëllinjash
legjendat i veshëm me petka të Rozafës
në Urën e Shenjtë(14)
i lidhem nyje brigjet e Hasit
Gjiri i Bardhë pikoi gjak
dhe u derdh valëve të Drinit
për ta thurur kurorën e besës
I mekur në hark të Urës
vaji i foshnjës preku kupën e qiellit
nga lotët e njomë
edhe shkëmbinjtë u thanë
Në Urë të Shën Prenës
mbi Dështicë të Ramajës
Zymi iu përkul
virgjërisë së Zojës së Hasit(15)
Te muri i gurtë
i një balade të përjetësisë
qumështi i Nënës Rozafë
shëron kujtimin dhe pritjen
ndërsa ne i përgjërohemi
lindjeve të bekuara te Rrethi i Grave.
13. Rrethi i Grave është emërvend në afërsi të Zymit, ku dikur gratë e reja lindnin fëmijën e parë.
14. Ura e Shenjtë, Ura e Fshejtë apo Ura e Fshajit (mbi Dri të Bardhë) në afërsi të Gjakovës.
15. Zoja e Hasit është emërtim i Famullisë së Zymit, që i kushtohet të Ngriturit të Zojës Mari në Qiell. Kjo festë në Kosovë kremtohet më 15 gusht.
TË BUKURAT E DHEUT E TË ATDHEUT
Të bukurat e Dheut e të Atdheut
edhe sot hyjnë në baladën e murimit
Nga kështjellat
ende pikojnë lotët e bardhë
dhe tëmbël murimi
Historia jonë
është gozhduar në përrallë
apo ka bërë vetëvrasje në stallë?
Ende jemi piktura të mushkllatura
të të bukurave të Dheut e të Atdheut.
NË MALIN E SHENJTË TË TRUMSHIT(16)
Në Malin e Shenjtë të Trumshit
kambanat prekin rrufetë
loti i vreshtave shtrydhet
në majat e Pashtrikut
Kujtimi shuan etjen
me frymën e plasaritur të shenjtit
rrëzë Pashtrikut
te Kroi i Shumërizës(17)
Ringjallja e përtyp legjendën
e udhës së besës
me frymë qielli e ngrohtësi Dielli
në përvijimin
e Ditës Shtatë të Shën Panit(18)
në Kalanë e Shëngjergjit
Në Malin e Shenjtë të Trumshit
ringjallet kujtimi për stinën e blertë
me fjalën e bekuar të Nënës.
16. Mali i Shenjtë i Trumshit tashmë është vetëm emërvend, kurse dikur Trumshi ishte vendbanim që e kishte edhe kishën e vet.
17. Kroi i Shumërizës është krua rrëzë Pashtrikut - Kroi i shumë mërizave.
18. Shën Pani është njëri nga emërtimet e Kalasë rrëzë Pashtrikut, që njihet edhe me emërtimin Kalaja e Fregnit, Kalaja e Shëngjergjit apo Kalaja e Dodës.
TE LKENI I HASIT
Mbi Lkenin e trazuar të Hasit
lindja vjen me erën e kulloshtrës
dhe i zgjon foshnjat
Retë dhe mjegulla e plakin qiellin
në hullitë e kujtesës
pikat e djersës rrëshqasin
shkëmbinjve të stërlashtë.
Mbi Lkenin e trazuar të Hasit
qiriu e ndrit shpresën
e loti e kalit besën!
ËNDRRAT E PRUSHTA TË KURBETIT
Nën kaptellin e Pashtrikut
trazohen kujtimet
dhe shpresat e para të prillit
vesojnë mbi lulet e virgjëra
të stinës së blertë.
Gurgullima e krojeve të Hasit
shëron blerimin e vonuar
dhe përhapet
bashkë me aromën e luleve
madeneve të gurëve të bekuar
Rrezet e prajta të diellit mëngjesor
ulen mbi kindin e valëve të liqenit
dhe tinëz i rrisin lulet e gurta të Hasit
Në sy gumëzhijnë ditët
dhe përkundin
ëndrra të prushta të kurbetit
buzë Liqenit të Hasit.
24 gusht 2013
BUZË LIQENIT TË ZOJZIT
Kur në Pashtrik grinden erërat
në Liqenin e Zojzit trazohen valët
e fushave tunden ngjyrat e stinëve
Në lakuriqësinë e vaut të Drinit
shkarkohen gjëmimet e moteve
me gjakimin e urtësisë
në agun e ëndrrave të brishta.
Hëna ruan ofshamat e shekujve
që lëngojnë nga vërshimet
e Liqenit të Zojzit.
GJEOGRAFIA E MALLIT
Gjeografia e mallit
djeg kujtimet
që e përtypin të kaluarën
Në akuarelet e kurbetit
fillimit nuk i dihet fundi
fundit nuk i dihet fillimi
Në qerpikë të stinës së verdhë -
përtej Diellit
kotet legjenda e lashtë
në vigjilje të stinës së bardhë
E ngujuar në motet e lënë në harresë
heshtja e etjes ka zjarrmi.
SHIKIM I KËPUTUR
Shiu i verës derdhet në lumin e etur
kotet zjarri i lodhur i kurbetit
në kujtimet e pamjeve të përgjumura
Shikimi i këputur lidhet me gojëdhënën
e mallit të zgjuar të vashës hasjane
në stinët e ndryshkura
Shikoj veten në pasqyrë
dhe hijen tënde të djegur
që ndrydh vetminë
përtej shikimeve të këputura -
mbi urën e gurtë të Hasit.
DAMARËVE TË GURIT
Në gjinjtë e ndrydhur e të shtrydhur
balsamoset besa e hasjanëve
Damarëve të gurit
u bën hije duvaku i nuses
Horizonteve të kërrusura
me zjarrin e zemrës
nxitet kujtesa e heshtur
në gatimin e bukës
Në tehun e natës me hënë
soset ëndrra e hasjanit furrëtar.
DARKA E LAMËS
Në Has Darka e Lamës
shtron sofrën me bereqete të vitit
që i shndrit qiriu
djersën për ta bekuar
Aty dashuria e malësorëve
e tret ndryshkun e djersës
në kuqëlinat e bukës
për mallin e kurbetçarëve
Në Darkën e Lamës së hasjanëve
bekohet fara
e hedhur në fushat shkëmbore
Hasjanët i luten Hyjit
për bekimin
që ua fal mbi shkëmbinjë!
NË URËN E LOTËVE
Natë për natë e ditë për ditë
hijet e shtrira
në Like të Hasit flakin kotjen
Me ujëbore shuajnë etjen
te varri i Shën Mihillit në Pashtrik(19)
Shumërizën e zë hija e Malit të Kalasë
Në rrëshirën e pishave të Trumshit
ngjitet besa e gurit
Në Urën e Lotëve(20)
hijet e natës shëtisin mbi varre
dhe lëshojnë rrufe
Duhia e Kështjellës së Fregnit
edhe sot i nusëron hijet
te Varri i Shenjtë i Pashtrikut.
19. Varri i Shën Mihillit apo Varri i Krishtit është emërvend me dy emra në Pashtrik. Kështu quhet nga pjesëtarët e besimit katolik, por nga pjesëtarët e besimit islam quhet Varri i Shenjtë i Pashtrikut, që konsiderohet se është Varri i Sari Sëlltikut.
20. Ura e Lotëve - kështu është quajtur ura mbi përroin në mes dy doganave - të Shqipërisë dhe të Kosovës në Vërmicë, përkatësisht kështu është quajtur, sepse aty takoheshin të afërmit nga dy pjesët e atdheut shqiptar, të cilët vetëm shikoheshin në mes veti pa pasur drejtë të takoheshin e të flasin.
TI, ZONJA KATI
(Katarina Josipit)
Ti, zonja Kati
e skalite fjalën në skenë
e kalite kujtimin në lterin e atdheut
Ti, zonja Kati
ishe mbretëreshë e skenës
ishe bareshë e atdheut
Ti, zonja Kati
edhe e vdekur je e gjallë
Ti, zonja Kati
zymjane e Hasit të Gurit
Zym, 5 tetor 2014
BUZËQESHJA E PËRNDRITJES
Kur jetuam larg çdo stine
gurtë e Hasit
vajtuan përmallshëm
Në pritje
i ëndërruam ngjyrat e gëzimit
Në çdo kohë
me emrin e Kastriotit
e amëzuam emrin tonë
Nëpër vdekje arritëm te lindja
vuajtjet e të Prenes së Madhe
na mundësuan ta njohim vetveten.
Hijet tona nuk ikën më nga ne
që buzëqeshjet të bien në harresë.
STINA E FJALËS
Në muzeun e stinës së fjalës
toka është e mbështjellë me zjarr
Gurët me aromë pranverore
i ruajnë lirikat e zogjve shtegtarë
Në stinën e fjalës
rrugëton heshtja
e kullave që zhurmojnë
pa njerëz
Në shtatëzëninë e territ
pëlcet etja e fjalës
dhëmbja e dritës
dhe heshtja e madhërishme
Në vetminë e virgjër
hija i bie hijes
për stinën e fjalës së gurtë
në kujtim të kurbetçarëve.
LUTEMI PËR DITË TË REJA
Në kikë të Pashtrikut plak
pushojnë shqiponjat
me krah të përhimë
Atje lutemi për ditë të reja
dhe lindje të mbara
e Diell
Përballë Pashtrikut plak
në Urën e Shën Prenes
rri varur legjenda
e udhës së djegur
Jetuam
në motet e tundimit të sertë
dhe të pagjumësisë
NË TOKËN E MARTIRËVE
Në tokën e martirëve
dëshmohet Mbretëria e Hyjit
dëshmohen motet e Golgotës
- jemi model të Kalvarit
të ngjashëm me Jezu Krishtin.
Në tokën e martirëve
përjetuam gozhdimin e shenjtë
dhe pikëllimin e murosur
- etjen e shpresës
Udha hyjnore
na kthen atje
nga e braktisëm perëndimin
duke ikur nga vetvetja
na kthen atje
nga e pushtuam perëndimin
duke e braktisur atdheun
Në Shtëpinë e Lutjeve
të Tokës së Martirëve
na kanë kapluar ligësitë e urtisë
për Tokën e Premtuar.
ZJARRMI
E ESHTRAVE
RRËFIMI I HUMBUR
Jetojmë në mot të brishtë
në kohë të shëmtuar
në kohë të shituar
në kohë të shkrumbuar
në kohë të shartuar
Në brigjet e Ilirisë
Himnin e Dashurisë
e shpalli Shën Pali
Plisbardhët - Europës i sollën shenjtëri
e tash kujtimi në skenën e Europës është bonjak
- Europa ka nevojë t’i rrëfen mëkatët
Edhe pse Dielli rrezon
rrëfimi ynë e ka humbur rrugën
për të dalë nga tuneli i natës
Është koha t’i hapim portat e Qytetit të Shenjtë
qytetit të shtatë qyteteve:
- Qytetit të Diellit
- Qytetit të Dritës
- Qytetit të Bardhë
- Qytetit të Arit
- Qytetit të Budimit
- Qytetit të Dërvenit
- Qytetit të Javudit
Të Dielën e Pashkëve
ringjallja na shfaqet në horizont
Maximilian Lamberzt porosit:
“Historia e vërtetë e Europës do të shkruhet
kur shqiptarët të marrin pjesë në shkrimin e saj”.
GJURMË HIJESH
Gjurmëve të hijeve
dergjen ninullat e varura
në pentagramin e kohës
gozhduar në hirin e legjendës
të krushqve të pagëzuar në udhëkryqe
Gjatë moteve memece
Troja jonë u dergj në historitë e huaja
Asaj po i kthehet të folurit
nëpër vrimat e fyellit të përgjumur
nën majat e maleve të Dardanisë
Kujtesa sjell imazhet homerike
për dardanët
Troku i kalit në kalërim
përcjell pluhurin e dheut të dardanëve
në truallin e djegur të Trojës.
BESA E KONSTANDINIT
Në baladën e murimit
vargu dergjet në arkën e legjendës
tija e brenë mallin e furrtarëve në kurbet
Kurbetçarët e Hasit
vazhdojnë të jetojnë
në kujtimet e të gjallëve
me Besë të Konstandinit
te Guri i Kurbetçarit.
POET ME AUREOLË
(Tahir Deskut)
Poeti me aureolë
penën e flakëroi
armën e trazoi
gazetarinë e zgjoi
Ishe krushk lirie
luftëtar me aureolë
kronik meteor
poet që gjakonte yjet
U rrit me tamblin e bardhë
të Nënës Rozafë
u ngroh me dashurinë
e Nënës Tereze
Barutçe u kryqëzua
barutçe këndoi
barutçe luftoi
Prishtinë, 10 shkurt 2012
ME IMAZHIN E TOKËS SË PREMTUAR
Nata e bekuar ringjallet
kur foshnja thyen lëvozhgën e vezës së kuqe
dhe derdhet në hirin e kemit
Vdekja e gjetheve tund lulet e mërdhita
imazhi i Tokës së Premtuar
kthehet në Sheshin e Lumturisë
Libri i Shenjtë
dëshmon djegien e dorëshkrimeve
të pikturave e të partiturave
në Qytetin e Bardhë të kambanave.
Grigja e engjëjve mbledhë trohat e shpirtit
dhe ecën në procesionin e ripagëzimit
bashk me Shën Hieronimin(21).
21. Eusebius Sophronius Hieronymus (347-420), i njohur si Shën Hieronymi apo Jeronimi, Xheronimi, Xhera (te shqiptarët), u lind në Stridon të Dalmacisë së Ilirisë. I zotëronte shtatë gjuhë me gjuhën amtare ilirishten. Përktheu në latinisht Vulgatën, por ka shkruar edhe veprat: “Kronikat”, “Epistolari”, “Njerëz të shquar”, “Polemika”, etj. Është pajtor i bibliotekave, përkthyesve dhe satiristëve.
HIJE ME KATRAN FERRI
Tradhtarët e sotëm
kanë krizë të unit
e logjikë të robit
Tradhtarëve të sotëm
u çirren orëligat në shpirt
- ata kanë ikur nga grigja
janë harlisur nga vetvetja
- u ngjajnë hijeve me katran ferri
Tradhtarët e sotëm
janë katallanë të moteve të mykura
këmisha të shqyera
që kundërmojnë duhmë kufomash.
LIRI E ARNUAR
Në Gadishullin e Ilirisë
të gjithë hapëm varre
dhe hodhëm valle
në kohën pisk
lirinë e arnuam me copa zemrash
U harbuam në terr
të mos mbetemi në ferr
shprushëm historitë
i stolisem biografitë
Në Gadishullin e Ilirisë
të gjitha i provuam me ardhacakët
përveç paqes
Kosova dardane nusërohet
mbi krahët e shqipeve të gurëzuara
dhe hyn në legjendën e murimit
për ripagëzim.
VJESHTA I RËNDON KOHËT
Shikimi i kafshon hijet
kur loti i fjalës së bekuar
rrëshqet mbi pasqyrën
e majave të Sharrit
Stuhitë e shfrenuara të natës
maten me mëkatet e eksponateve të muzeve
Stina e gjetheve të verdha
i rëndon kohët e zëna pisk
kur krushqit e agut
i përcjell urata e lokes
Rrugët e Europës
i përshkon hija e të parëve të mi
- ata ishin krushqit e agut të Europës
Kujtimi im bën roje përtej pasqyrës së thyer
ku hija i kullon plagët e bifurkacionit
në burimet e Sukës së Dermanit(22)
që derdhen në Detin Adriatik
në Detin Egje
në Detin e Zi.
22. Suka e Dermanit është emërvend mbi Malet e Nerodimës, ku buron Lumi Nerodime që në afërsi të Ferizajt e krijon bifurkacionin, që derdhet në Detin Egje dhe në Detin e Zi, por aty afër (në Sukën e Dermanit) buron edhe Lumi Toplluga, që kalon nëpër Suharekë dhe derdhet në Drinin e Bardhë e bashk me të derdhet në Detin Adriatik.
ROJSET E SHTËPISË(23)
Në përgjumje
rojset koten në brigjet e kujtimeve
hijet e vdekjes shndërrohen në peizazh
Rojset e shtëpisë
e ruajnë duvakun e kuq
në pragun e përgjakur të kullës
ku fëmijët tanë luajnë pingël(24)
Edhe sot freskat e kishave
fëmijëve tanë
u japin gji të vakët shprese.
23. Rojset e shtëpisë janë përtokëzat (gjarpinjtë) e shtëpisë, që i ruajnë shtëpitë, por i ruajnë edhe fëmijët në djepa derisa nënat e tyre punojnë.
24. Pingël - ngile, kile, pikë
KOHË TË VDEKURA
Kohë të vdekura
fryjnë e gërryejnë
hijeve të shtëpive
Kohë të vdekura
marrin udhë përjetësie
në vetminë e përndritshme
Hiri i Diellit
brenë damarët e atdheut
Ëndrrat e nusëruara
të mjegullës së grisur
kafshojnë kujtesën e ndryshkur
Kohë të vdekura
e rrashta të plakura
në kujtimet e djegura.
NETËT E LËBYRURA TË KALENDARIT
Në shtëpinë time
netët na kanë shtypur
e na kanë përtypur
Na kanë ndrydhur
e na kanë shtrydhur
Na kanë dredhur
e na kanë tredhur
Në murin e vjetër
të shtëpisë sime
rrinë të varura
netët e lëbyrura
të kalendarit të kalamendur
.
VAU I VEGIMIT
Duke e kaluar vaun e vegimit
lumi mbetet në kujtesë
dhe gjakon detin në heshtje
Në stinën e fushave me flutura
te guri i një varri
buzë vaut të vegimit
Nëna e Madhe
shtëpinë e ripagëzon
Mëngjesi i orëve të para
është kryqëzuar
në vesën e uratës për atdheun
përshkuar me gjuhën e ëmbël të shqipes.
ZJARRMIA E ESHTRAVE
Kujtimet zgjohen
me zjarrmi të eshtrave
nëpër mërrola ëndrrash në rreth
Torturat me dhembje të ëmbla
derdhen lëndinave
me lule kokërrdhoklash(25)
Kur zgjohen dallgët e shpirtit
luftëtarët në frëngji ngrijnë vrojtimin
Zjarrmia e eshtrave
fang(26) urne në frëngji.
25. Lule kokërrdhokle (lulkërdhokle (kështu njihet në Dukagjin), lulkombpulë (Dragobi), një variant vjollce që gjendet vetëm në Shqipërinë Veriore - Viola dikaginica.
26. Fang-u – hi i zjarrtë
TE MOLLA E KUQE
Nën hijen e Mollës së Kuqe
në Katun(27)
rri e shtruar sofra
- kulaçi pëlcet nga kripa e lotit
Te Molla e Kuqe
tirren motet e përgjumura
- kujtimet e grisura përtypen
Hijet e natës zgërdhihen
plagët ende kullojnë dhembje
Katunin e Mollës së Kuqe
e mbulojnë gjethet e përgjakura
Te Katuni i Mollës së Kuqe
kujtimi rri i zgjuar.
27. Gjatë periudhës 1815-1878, nga vendbanimi Katuni i Mollës së Kuqe, Nishi, Toplica, Kosanica e Kazajsa e Vranjës, nga dhuna, masakrat e vrasjet e pushtetit serb, mbi 150 mijë shqiptarë autokton u detyruan të largoheshin nga tokat e tyre stërgjyshore.
SHKRUAJ KUJTIME
Shkruaj kujtime
në një fundvjeshte të acartë
dhe në një fund dimri të zjarrtë
Nëpër shi hingëllojnë kuajt
brigjeve të rrjepura
fushave të djegura
shkrumb e hi
Në kulla belbëzuan lahutat
bri një kreshte
maje një bjeshke
bri një deti
maje një kepi.
LOTËT NË UNAZË
(Feja nuk është mbi shtetin, as në shtetin, por është ndërgjegjja e shtetit)
Më fal, o Zot,
se nuk mund t’i braktis
udhëkryqet e dashurisë
as fjalët në unazë
O Zot, na e beko dashurinë
ta lirojmë shpirtin e gozhduar
në dallgët e moteve të liga
O Zot, bëj që zemra jote
t’i mundësojë Europës
të dijë se lterin
e ka në Tokën time
ku u pagëzua:
“Në emër të Atit,
të Birit
e të Shpirtit të Shenjtë”!
Në Kalanë e Gadishullit të Ilirisë
emrin e kam të murosur.
PAFUNDËSIA
E DRITËS
GRIGJA E ENGJËJVE
Përtej lindjes
grigja e engjëjve
gërryen kohët e vdekura
Në ofshamët e stinëve
e kërkojmë vetveten
Të Dielën e Pashkëve
e shtrojmë Sofrën
me Bukën e bekuar
që të ringjallemi
Tash jemi përrallë
mes dy zjarreve
të lagur nga Simfonia e shiut
Në udhëkryqet e tradhtuara
e në udhëkryqet e mallkuara
ninullat i kemi varur në kujtime
Unë i takoj familjes së vjetër
të Grigjës së engjëjve.
SHPIRTI YNË KA ZJARRMI
Pranvera e atdheut
fton t’i kthehemi vetvetes
është koha
t’i mëkojmë rrënjët
se shpirti ynë ende ka zjarrmi
Jemi midis natës e ditës
në asnatë-asditë
tash duhet të bëhemi
apo të zhbëhemi
të përballemi me vetveten
Jemi shpërfytyruar -
dyfytyrësia është pafytyrësi
Tash as nuk po ikim nga vetvetja
as po i ofrohemi vetvetes
shpirti ynë i druan Dritës -
shpirti ynë ka zjarrmi
Është koha t’i kthehemi vetvetes
- ti rrëfehemi vetvetës!
VEGIMET E AMSHIMIT
Me jargët e përtypjes
shikimi zë ndryshk
të kohës së vrugtë
Sonte do të dehem
për t'u dhënë shpresë të tjerëve
- liria ngre velat
deri në kupën e qiellit
Me vegimet e amshimit
vrojtojmë përtej detit
përtej territ
e përtej ferrit
Jam mëkatar se e murosa veten
në buzëqeshjen e agimit!
COPËZA KUJTIMESH
Rrënjët mugullojnë
mbi copëzat e kujtimeve të lagura
me kripën e detit dhe të lotëve të nënave
Yjet derdhen në pafundësinë e dritës
nën mërmërimën e përshpirtjeve të hirta
të meshës së pambaruar
Në kujtimet e dritëhijeve të viteve të bjerra
luleshtari prehet në varrezat pa lule
në kumbimin e dhimbshëm të kambanave.
VALËT SHPALOJNË VETVETEN
Në strehën e kroit të etur
fle hija ime
me njomësi kërthinje
Me rrezet e të Dielës së Larit
djersa e loti derdhen arave të bukës
Valët e jetës vijnë e shkojnë
- shpalojnë vetveten
Jehon kambana e zgjimit
jehon kambana e bekimit
Në jetë çdo gjë që këputet
mund të lidhet
edhe pse
në vendin e lidhjes
mbetet nyja
Jeta nuk është vizatim
ku mund të fshihet me gomë.
Libri i valëve të jetës
ende ka shumë faqe të pashkruara!
NË TAKIM ME DHEMBJEN
Në takim me dhembjen
udhëve të braktisura
i trazoj gjethet e verdha të vjeshtës
Ngrohtësia e Etjes së Madhe
zgjohet në brendinë e tokës së zjarrtë
Në takim me dhembjen
e përballoj mallin e mbetur peng
në shtratin e stinës së kujtimit
- përsëri e takoj vetveten.
BUZËQESHJA E PLAGOSUR
Në hallkat e valleve të shtrigave
fjalët i shalojnë hijet
dhe nusërohen
në teh të kujtimeve të harruara
Buzëqeshja e plagosur
dhe besa e grisur
përflaken në fijet e ndërgjegjes
Në shekujt e përgjumur
digjet shpresa
e heshtjes së gurëve të bluar.
FRYMA E ZOTIT
Besimtarët e devotshëm
do të kthehen në atdhe
përmes ringjalljes
të frymës së Zotit
Në rrjedhë të kohës
e këndellim vetveten
Nëpër ndërrim të moteve
i përtërijmë varret
Tash i rrëfehemi vetvetes
ta dashurojmë bukurinë -
të gjithë jemi paraprijës
po askush Adam i parë
në frymën e Zotit.
RRETH NESH KA DRITË
Pse po u frikësohemi hijeve që na ndjekin
ato vetëm na tregojnë se ka Dritë rreth nesh
Ende çdo gjë na duket e largët
e s’ka asgjë të paarritshme
kur rreth nesh ka Dritë
Njeriu ka nevojë për një ndihmë
dhe një zemër kuptimi.
SHPRESA ËSHTË BESIM
Në qiellin e shpirtit lotojnë retë
në ëndrra merimange
rriten lulet e besës
shpresa është fe
- është besim
Thyhen ikonat e shpirtit
nga boshi i drithërimeve shurdhmemece
shpresa më pret në fërk të agimit
Pluhuri i shkretëtirës ka nxirë Diellin
ka fashitur gjethet e përtokëta
pas lagështisë së mbufatur
në vjeshtën e vonë të verdhë.
VËRSHON SHIU
Pas shiut
mëngjesi dënes
e vesa pikon dhëmbshëm.
Nën çatinë e vjetër
u lind legjenda
e vajit të qemanes.
Ku takohen dy Drinat
derdhet heshtja e kalvarit
- vërshon shiu me vrull
dhe shuhet etja në gllá(28) .
28. Gllá (gllenkë, harpë) - vend ku mbledhet uji në ndonjë gropë guri apo në fërkem (gjurmë) të këmbëve të shtazëve, ku në mungesë të ujit dikur në Has shuanin etjen barinjtë apo kalimtarët e rastit.
RRJEDHA
Koha rrjedh
me ujin që na lag vetëm një herë
Nën urë
vetëm një herë kalon i njëjti ujë
Jeta është kalimtare
në rrjedhën e saj ndërrim stinësh
Udha nuk është vetëm hapësirë
është largësi
midis jetës e varrit
lumit e detit
dhe kohës së ikur
është e ngritur ura e shpresës.
STACIONI
Stacioni dhe morgu
presin dhe përcjellin
Stacioni nga nisjet
morgu nga sosjet
Në stacion vlon jeta
në morg jeta soset
Fillimi nuk ka fund
e fundi është fillim.
MATJA E DASHURISË
Kosovës asnjëherë nuk iu ndalen
dhembjet e lindjes.
Për ta peshuar dashurinë
Rozafa hyri në unazë
në kaptyll të djepit
e në gur të kalasë
la fjalën peng.
Mbretëresha Teutë
ishte e Bukura e Dheut
dhe dashuri e Mesdheut.
Mbretëresha Teutë
nuk e mati dashurinë.
PO TË KËRKOJ
NË HESHTJEN TËNDE
GJEOGRAFIA E MOLLËS
Eva thur gardhin e Kopshtit të Edenit
në Urë të Siratit
atje ku koha është ndalur
Adami lakmon mollën
dhe molin e trazuar
te hija e mëkatit të Evës
Mollën e puthur nga Adami e kafshoi Eva
tash motet dergjen në kafshimin e saj
dhe mbulojnë bardhësinë
Me lëngun e mollës
u ujit Kopshti i Edenit
portreti i mekur i Adamit
rri i gozhduar në kornizë
të gjeografisë së mollës
Zym, 6 mars 2010
DASHURIA
Në strehë të qerpikëve, më thanë
si në hije të mrizeve
- gurron dashuria
Në sytë e stinës së luleve, më thanë
si në heshtje të djersitur
- shfaqet dashuria
Me dufin e dallgëve të detit, më thanë
lëkunden brigjet e zjarrta
kur përflaket dashuria
Gjethet e përtokëta të vjeshtës, më thanë
e zverdhin unazën e vajzërisë
dhe unazën e dashurisë
të larë me musht hardhie.
MË MBAJ PENG NË ËNDËRR
Nëpër qerpikë
vallëzojnë vegimet e bardha
Unë largohem e afrohem
kur e dëshiron shikimi yt
Me errësirën e natës
digjesh si kujtim i heshtur
Të lutem
në ëndrrat e tua
më mbaj peng
- me ty e dua edhe natën.
BUKURIA E NUSES
Bukuria e nuses
lind kur duvakut i bie ngjyra
kur kafshohet molla e mëkatit
Para bukurisë së nuses
muzat harlisen
filli i dritës drobitet
dhe lirohet aroma e shpirtit.
VJEDHËSJA E DASHURISË
Kur vejusha
vjedhurazi e prek çatinë
- e vjedh dashurinë
E veja me zemër bonjake
kallet si eshkë amazone
Nën çatinë e shtëpisë
vejusha kafshon mollën e mëkatit
në degët e hardhisë
Gjurmët e përtypjes
e nxitin lakuriqësinë e vejushës
së harlisur.
VEJUSHAT
Vejushat i kanë të lidhura
kujtimet në unazë
Me zemra të thyera
janë gur stralli
Sytë e lëbyrur
u vesojnë
u pikojnë
u lotojnë
Si gurët e përflakur
lahen në ujëvarë -
nëpër valë -
valët u valëviten
digjen moteve
dhe gurëzohen
hullive të kujtimit
Buzët e vejushave
e kallin kupën e Qiellit
KUR VDES DASHURIA
Pas hijes sate
gjurmët e tua i gjej në vetvete
Brenda meje je kujtim i pashlyer
brenda teje jam kujtim i shqyer
Në kositje të livadheve
na përdridhen hijet
heshtjet sjellin reshje
Kur vdes dashuria
vdes bota
vdesim edhe ne
në vetvete!
NË DHOMËN E VETMISË
Në dhomën e vetmisë
njollat e kuqe
copëtohen në pasqyrë
Buzëqeshjet e harruara
- memece
e trazojnë ëndrrën
Shikimi i përmallshëm i vashës
prek qiellin me re të shprishura
dhe përkund ninullat në djepin e brishtë
Në shikimin e vashës
vjeshta e verdhë e bart kobin e stinëve
dhe i përtokë gjethet
në dhomën e vetmisë
DRITHËRIMA EVHESHTJES
Brenda tokës së lashtë dhe mëtimit
drithërima e heshtjes
mbyllet në rreth
me ngjyrat e ndezta.
Në pritje heshtja i zbulon kujtimet
djersa i shkrinë ngjyrat e mëkatit
dhe fjalët që shuajnë etjen.
Syri pikon
e loti bëhet mall
mbrëmjeve të heshtjeve
kur bashkohen me vetminë
dhe kur bymehen
me balten e ngjyrave të vjeshtës.
KOTËSIA E DJEG DIELLIN
Rrezja e Diellit soset
në natën e trupave të përflakur
kur lëshon shtat mëkati
Shpirti kotet para pasqyrës së thyer
kotësia e natës gërryen heshtjen
me hijen e fustanit të bardhë
Përfytyrimet i trazojnë hijet
dhe i përgjërohen të Bukurës së Dheut.
Lehona e kafshon heshtjen
kotësia e djeg Diellin
në dërrasë të vekut.
PA TY
(Bashkëshortes sime të ndjerë)
Pa ty
lutja ime e mëngjesit
shprishet në heshtje
Jeta dridhet e përdridhet
në buzëqeshjen e fëmijëve
Në dremitje
përtyp kujtimet e gjumit
shpalos ëndërrimet
e stinës së moshës -
pa ty!
Zym, 22 maj 2009
MIKJA IME
Mikja ime e dashur
në asnjë kohë
nuk m’u plak malli për ty
Mikja ime e mirë
ti përherë
bredh me këngët e mia
Mikja ime
sa larg meje rri
aq larg vetes je
Po të kërkoj në heshtjen tënde
po më kërkon në pëshpëritjen time
Në asnjë kohë
nuk m’u plak malli për ty
E shtrenjta, Mike!
Biografia e autorit Frrok Kristaj
Frrok Kristaj është themelues dhe veprimtar i Ansamblit etno-kulturor (AEK) “Katarina Josipi” (1970), është themelues dhe bartës i aktiviteteve të KL “Shtjefën Gjeçovi” (1971), i manifestimit “Takimet e Gjeçovit” (1971), të gjitha këto në Zym të Hasit; është themelues dhe bartës i manifestimit “Gjurmë të Gjeçovit” në Janjevë, i kuizit të Shkollës shqipe në Gjermani, i manifestimit “Ditët e Nënës Tereze” në Prishtinë, i manifestimit “Perandori Justinian” në Prishtinë, ideator i themelimit të Unionit të Letrarëve të kryeqytetit të Kosovës, etj.
Njëherësh, është themelues i Muzeut në Zym, pastaj iniciator (së bashku me shokë) i ngritjes së QK “Atë Shtjefën Gjeçovi”, i ngritjes së shtatores së Sh. Gjeçovit, i ngritjes së lapidarit “Abetarja e Zymit, 1900”, i ngritjes së lapidarit të pronarëve të shtëpive shkolla 1991-1999, i ngritjes së obeliskut të 310-vjetorit të strehimit të ipeshkëve të Shkupit në Zym, i ngritjes së lapidarit “Guri i kurbetçarit”, iniciatori për faljen e shtëpisë së lindjes së Katarina Josipit, për ta shndërruar në muze, etj.
Me punën e tij dhe të veprimtarëve të tjerë, fshati Zym i Hasit u zhvillua dhe u transformua në fshat artistik e etnografik të Kosovës.
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen