Nga dr. sc. Faik SHKODRA
Rrahim Sadiku “Këto shkronja”, poema për fëmijë, “Zgjimi” Ferizaj, 2015
Rrahim Sadiku, me vëllimin e poemave “Këto shkronja”, vjen në letërsinë tonë për fëmijë me vlera të shquara ideoedukative dhe ideoestetike, të vewanta nga shumë aspekte dhe të një rëndësie të veçantë. Ky vëllim “Këto është një dëshmi historike-poetike, që flet për botën e pasur artistike dhe atdhetare të poetit, i cili, prej veprës në vepër, jo vetëm që ruan individualitetin dhe kontinuitetin krijues poetik, por duke qenë i pajisur me kulturë dhe përvojë në fushën e artit letrar, realizon transponimin e temave e motiveve, ngjarjeve dhe dukurive të realitetit jetësor, historik e shoqëror të fëmijëve në botën e artit letrar dhe e bën në frymën e vlerave bashkëkohore, edukative dhe didaktike, vlera që trajtojnë çështje e probleme të mprehta të së kaluarës sonë dhe të wështjeve ekzistenciale të popullit shqiptar.
Poema për fëmijë, siç e thonë historianët e letërsisë dhe kritikët e kësaj dege të krijimtarisë imagjinative, ka kaluar nëpër një rrugë të gjatë dhe të vështirë. Ajo, me lëndën që trajton, ka zgjuar interesimin e shumë poetëve nëpër periudha të ndryshme të zhvillimit të artit të fjalës. Si rëndom, nëpër poemat-përrallë dhe poemat me tema të tjera, krahas krijimit të rrethanave të reja, janë tejkaluar disa nga vështirësitë rreth poemës, pikërisht për faktin se poetët e sotëm kanë arritur që brenda këtij lloji artistik të sjellin mendime, ide, tipare, aspekte trajtimi dhe vlera të reja, me temat që trajtojnë, me thellimin në botën psikologjike dhe ndjenjore të fëmijëve, në dritën e aspiratave e të mbërrimeve bashkëkohore, duke mos u shkëputur nga tradita dhe fryma e problemeve të së shkuarës.
Vëllimi “Këto Shkronja” sajohet nga shtattë poema: “Kujtime ilire”, “Këto shkronja”, “Nëpër Iliri”, “Vendi i nderit”, “Rrjedh Radika”, “Kënga e vogëlushit” dhe “Edhe dielli ka qeshur me ne”.
Poemat e sipërthëna përshkohen me përmbajtje të pasura artistike, ideore, estetike dhe fantastike. Brenda tyre poeti ka derdhur një mjeshtëri të lartë poetike duke i bërë interesante me veprime që zhvillohen njëra pas tjetrës, veprime që realizohen me figura të shumta artistike që vargjeve u japin përmbajtje emocionale duke i bërë të gjalla personazhet në kontekst me kohën kur kanë vepruar e jetuar. Të gjitha poemat janë ndërtuar mbi bazën e një fabule të caktuar nga poeti-prandaj janë poema me subjekt dhe me elemente të konsiderueshme meditative. Duke i lexuar me kujdes poemat e vëllimit “Këto shkronja” veç e veç dhe si tërësi kuptojmë të vërtetën se Rrahim Sadiku duke qenë krijues i veprave në të gjitha zhanret edhe për të rritur në mënyrën më të mirë e më sublime ka arritur që brenda subjekteve të poemave t’i shprushë e t’i shpalosë gjurmët dhe plagët e identitetit të të parëve tanë dhe përmes përshkrimeve të bukura e derdhjes së emocioneve mbi ngjarjet e së kaluarës së vështirë, pot të harruar kurrë me shpirt krijuesi e përjetuesi në vargje ka shprehur zërin e atdhedashurisë si jehonë legjendash, përrallash, mitesh e përplasjesh malesh, fushash, bjeshkësh e lugjesh të verdha në luftëra e beteja në të cilat endej shpirti i zjarrët, i trazuar por i pavdekshëm i shqiptarëve e bashkë me ta edhe shpirti i poetit, i cili në të gjitha poemat e qartëson, e fuqizon dhe e përligj ndjenjën dhe aspiratën e të gjithë brezave të shqiptarëve se “Shqipëria ka qenë, është dhe do të jetë e shqiptarëve”.
Poemat trajtojnë çështje me peshë për formimin e fëmijëve me njohuri të rëndësishme mbi të kaluarën e dhimbshme të popullit shqiptar dhe gjithandej subjekteve të këtyre krijimeve artistike Rrahimi ka fiksuar ide e probleme të ndjeshme për historinë, kulturën, shkollën, mësimin, alfabetin, gjuhën, edukatën dhe traditën e ndritshme të shqiptarëve të dëshmuar nëpër shekuj.
Natyrisht në rrokjen dhe zbërthimin e këtyre problemeve poeti para fëmijëve sjell të dhëna të rëndësishme për të kaluarën e largët, paraqet vuajtjet dhe jetën e rëndë që u shkaktonte pushtuesi i tokave të tyre, trajton vuajtjet dhe tragjeditë e shqiptarëve, të cilët në asnjë periudhë historike nuk u dorëzuan por mbeten popull që për lirinë dhe fatin e atdheut dhanë çdo gjë nga vetja.
Në vargje të poemave poeti ka sjellë veprime të personazheve që të fëmijët, u muar vesh shkaktojnë befasi të këndshme me elemente mbresëlënëse sa realiste aq fantastike. Këto tipare poemat i marrin në saje të përdorimit të figurave më funksionale stilistike si: shpirtëzimet, metaforat, krahasimet, simbolet, alegorit, ironit, hipërbolat, eksklamacionet, anaforat deri të pasthirrmat, të cilat zakonisht janë karakteristike për poezinë epike, ndërsa në poemat e Rrahimit këto marrin efektin e elementit të rëndësishëm ndërlidhës të temës për të cilën këndon poeti. Në përgjithësi poemat përshkohen me tabllo të ambienteve ku zhvillohen ngjarjet, tabllo që figurativisht i shpalosin elementet etnografike të jetës e kulturës së shqiptarëve duke filluar nga arkitektura e shtëpive, oborreve të shtëpive, të dyerve, të mjeteve të punës për të vazhduar me lojërat tradicionale, me ushqimet dhe me veshjen që mbajnë personazhet. Nga këto të dhëna del se poeti imazhet poetike i ka sjellë si model të perceptimit të jetës sipas traditave popullore shqiptare.
Këto të dhëna e bëjnë më të qëndrueshëm konstatimin e historianit dhe poetit të madh Odhise Grillos kur thekson: “Në poemat mediative, që sot janë më të shumta e ruajnë më tepër vlera nga llojet e tjera, ngjarjet nuk përshkruhen të plota qysh nga fillimi gjer në fund, por nëpërmjet një subjekti disi të copëzuar jepet një sintezë e tyre, jepen ndjenjat, mendimet dhe veprimet e heroit. Poema meditative pasqyron ngjarje, objekte dhe fenomene me rëndësi e me përmasa të mëdha dhe nëpërmjet figuracionit të pasur poetik përgjithon dhe është e mbushur plot ndjenjë e mendim” (Odhise Grillo, Ponaramë letrare 1, Toena, Tiranë, 1986, f. 38).
Në poemën “Kujtime ilirie” poeti ka parapëlqyer ta trajtojë në mënyrën më perimtuese temën e lirisë dhe kujtimet e paharruara të luftërave të bëra nga kreshnikët shqiptarë kundër armiqve të tokave shqiptare dhe se këto luftëra janë bërë me qëllim të ruajtjes së tokave dhe trojeve të lashta që ishin prona të ilirve. Autori këtë problematikë e ka trajtuar brenda shtatë pjesëve duke mos i imituar format artistike madje as të mënyrës ligjërimore-artikuluese të traditës, por duke qenë njohës i botës psikologjike të të vegjëlve ndjek rrugën e vet origjinale dhe logjikën e pasqyrimit të anëve të të menduarit e logjikës së fëmijëve brenda realitetit konkret.
Përmes vargjeve poeti krijon situata të veçanta për personazhet dhe ngjarjeve u jep një shtrirje të gjerë dhe këtë shtrirje të lëndës e bën përmes përdorimit me shije e invencion të metaforave, më të cilat shpëefaq karakterin, peripecitë, dhimbjet, etjet e protagonistëve Mujsi e Siylli që luftojnë në Kotorret e Reja, në Lugjet e Verdha në Judbinë e gjithandej trojeve ilire. Edhe Tanusha përfaqëson simbolikisht pavdeksinë e Ilirisë.
Pra, poeti flet për tokat ilire të trazuara, flet për ilirët që luftojnë për lirinë e rrezikuar, flet për historinë e copëtuar dhe flet për idealet për bashkim të trojeve.
Poeti me frymëzim të çiltër e përjetim të thellë të ngjarjeve, të cilat i këndon përmes vargjeve që shprehin ëndrrat, lirinë, zgjimin e ndjenjës kombëtare, fuqizimin e shpresave e dashurisë për atdheun e lirë, vargje që shprehin përjetësinë e së kaluarës që kallëzohet me anafora, me pasthirrma, pyetje dhe përmes këtyre mjeteve poeti arrin që vargjeve t’u sjellë frymë sa lirike aq epike duke treguar shije të hollë estetike, aftësi shquese në riprodhimin e atmosferës e bëmave të heronjve ngjashëm me këngët e ciklit të kreshnikëve. Vërtet ngjashëm me këngët kreshnike secila pjesë e poemës “Kujtime ilire” “paraqet nga një dramë në vete dhe skenat dramatike janë të shumta dhe të qëlluara, sa ndonjëherë do t’ua kishte lakmi edhe dramaturgu më i mirë” (Dr. Demush Shala, Struktura poetike e këngëve kreshnike shqiptare, Fjala, nr. 10, Prishtinë, 1985, f. 12).
Përshkrimet e dhëna në subjektin e poemës japin rrugën që kanë bërë ilirët drejt realizimit të idealeve dhe kërkesave për Atdheun e lirinë e pacenuar e dinjitetin e kombëtar të paprekur.
Natyrisht ky rrugëtim nuk do të ishte i plotë sikur Rrahim Sadiku në poemë nuk do t’i paraqiste konfliktet që personazhet me tipare të legjendave e të përrallave, të cilët me veprimet e treguara në fusha të betejave përfaqësonin shpirtin e kombit shqiptar. Në mënyrë asociative pjesët e poemës na i kujtojnë vlerësimet e dhëna rreth historisë së ilirëve, të cilët u përjetësuan në këngë për të cilat thuhet: “Këngët janë qenia e popullit, janë shpirti i shpirtit të tij. Pa to njeriu ynë zhduket si kripa në ujë “ (Bardhyl Matraxhiu, Etja gurëzohet edhe në fjalë, Seminari ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën shqiptare, Fakulteti i Filologjisë, Prishtinë nr. 28/2, 2009, f. 162).
Poema “Këto shkronja” sajohet nga 15 pjesë dhe temë qëndrore ka shkronjat tona të arta. Duke kënduar për udhën e gjatë të shkronjave shqipe poeti i vë në dijeni fëmijët-përkatësisht nxënësit me përpjekjet e mëdha të shqiptarëve për të shkruar e për të mbrojtur gjuhën shqipe.
Në këto përpjekje kanë pjesë të gjitha krahinat por vendi i nderit i takon Korçës dhe Manastirit – qytetit të Kongresit të Alfabetit të Gjuhës shqipe, për të cilën ngjarje të madhe njerëzit e dijes kishin vlerësuar se “Pikërisht baza mbi të cilën jeton një komb është gjuha. Një komb sado i madh dhe i fuqishëm të jetë, nëse e humb gjuhën edhe vetë zhduket”.
Shkronjat e gjuhës shqipe bëjnë mrekulli, sjellin ngrohtësi, përhapin dituri, zgjerojnë njohuri, kultivojnë mirësi, këndojnë lirinë, gjuhën e kthejnë në cicërrimë, gëzojnë çdo shtëpi, krijojnë vargje me plot mall për atdhe, gjyshër e gjyshe, shkronjat bëjnë gara për shkencë në studime, për profesorë e shkencëtarë, për popullin sjellin dritën e rriten, e bëjnë të madh Buzukun me Mesharin e grisur, e lartësojnë Franjo Bardhin që u ra grusht gënjeshtrave të sllavëve, i shprehin respekt e nderim Pjetër Budit që me fjalë shqipe libra mbushi, e nderojnë Pjetër Bogdanin – mendjendriturin që me vepra e fjalë të vërteta shkroi për Skëndërbeun, flasin për të madhin De Radë që madhëroi Motin e Madh, dritë atdheut i bëri dhe gjuhën shqipe e zgjeroi, ndërkaq Naimi – poetin kombëtar që na la testamentin politik e kombëtar se “Shqipja, Shqipërija, shqiptarija janë të bashka dhe një për të gjithë shqiptarëtë. Asnjë s’ka pjesë më të shum’ e më të madhe. Të mos themi kurrë Mysliman e të Krishterë, Orthodokës e Katolikë, po vetëm shqiptarë edhe të bashkuar e të pandarë”! Idetë dhe mësimet e Naimit për fëmijët përshkohen me frymën e gjallë të edukatës kombëtare e artistike dhe gjithë porosia e tij është dhënë në shprehjen sublime se “vetëm dritë e diturisë përpara do na shpjerë”. Në poemën “Këto shkronja” vargjet që do të ndërmenden për faktin se i ngrejnë në altar shkronjat janë:
“Na e mësuan historinë,
Na e bekuan gjeografinë,
Na e vulosën trashëgiminë,
Na e pasuruan ardhmërinë!”
Në frymën e këtyre vargjeve studiuesi dhe gjuhëtari i përkushtuar i gjuhës shqipe Akademik Emil Lafe shprehet: “Alfabeti është vegla kulturore më e përdorshme, vegla ku endet pëlhura e diturisë. Edhe Vithkuqari i Madh, që i bën nder tërë Shqipërisë, u shkruante djemve nismëtarë shqiptarë në Evetarin e tij, se u përpoq të bënte “Vetëm veglën e ju tashi e tutje vini pëlhurën”. Për këtë vegël të mrekullueshme, këto “shkronja të arta”, që i kemi mësuar e i përdorim me lehtësi për të shkruar thjesht e mirë gjuhën tonë-në shenjë mirënjohje 12 mijë shqiptarë arrijnë të mblidhen për Mitingun e Alfabetit në kodrën e Shëndëllisë të dielën e 27 shkurtit 1910 duke kënduar këngë që shkroi Parashqevi Qiriazi, ato shkronja i quanin të arta më fort për një arsye tjetër: ishin shkronja që pohonin identitetin tonë kombëtar, ishin shkronjat e gjuhës shqipe, shkronjat e bashkimit të shqiptarëve; jo shkronjat e atyre që donin ta ndanin e ta përçanin Shqipërinë”.
Në vargjet e poemës “Nëpër Iliri” e sajuar në pesëmbëdhjetë njësi poetike Rrahim Sadiku i bën analizë të thellë tokës së Ilirisë, luftërave të bëra për këtë tokë të larë me gjak nëpër shekuj. Nga këto luftëra në kujtesë të njerëzve kanë mbetur gërmadhat, pluhuri, hiri dhe në këto drama e rrëmuja ilirët ruajtën gjakun, gjuhën, emrin, këngën, besën si vlerat më të shenjta me të cilat ishin të pajisur. Poeti me mendime estetike të mprehta, me një frymëzim që vjen nga një zjarr i shenjtë për fatin e ilirëve në rrjedha të historisë, me një gjuhë të zgjedhur e të kuptueshme për fëmijët, me një qartësi e forcë emocionale poetike, sipas zërit të Naimit, ndjenjës së Çajupit e fuqisë mendore të Nolit, me një ideal të vetin e kulturën që ka sjell vargjet që, siç thoshte Brehti për poezinë “te një krijues poezia duhet të tingëllojë filozofikisht dhe filozofia poetikisht” Këtë filozofi e shfaqin vargjet:
“Nga shqipet mësohet,
Me shqipe jetohet,
Trimëria merr zjarr
Krenarisht merret
Emri: Shqiptar.”
Rruga për të fituar lirinë nuk është e lehtë dhe e shkurtër. Vargjet i kushtohen lirisë për të cilën luftuan Bardhyli, Agroni, dhe të gjithë populli ilir. Vargjet vijnë si një buçitje shpirti, si një përkushtim mendor e atdhetar, si një jetëshkrim i fatit të ilirëve nëpër luftëra të gjata e të përgjakshme për të mbetur gjallë në trojet e veta për çka edhe vetëflijohen. Pra, akti vetëflijimit për tokën e lirinë është dhënë me një simbolikë që shpreh gjendjen shpirtërore dhe kujtesën e poetit mbi historinë e ilirëve. Pra, poeti këndon për një kohë të ngarkuar me probleme që sjell dhimbje për historinë e Ilirëve dhe luftërat që ata i kanë bërë për të mbrojtur çdo pëllëmbë të territoreve të veta, të cilën gjë e shprehin vargjet:
“Se edhe shkëmbi hahet me dhëmb
Kur rrezikohet liria nënë...”!
Krijimi poetik “Vendi i nderit” sjell vargje me ide e mendime që të pushtojnë me vlera ideoedukative dhe tematike të pasur, e cila u këndon ngjarjeve që lidhen me probleme të ndjeshme të kohës dhe të kombit shqiptar. Brenda vargjeve të poemës “Vendi i nderit” vlon dashuria dhe zjarri për atdheun, lirinë, gjyshin, gjyshen, kohërat e trimërisë së shqiptarëve kundër armikut, që në vazhdimësi bënte plojë mbi pasuritë e shqiptarëve duke i djegur shtëpitë, duke i shpërngulur nga trojet e veta, duke kryer gjenocid mbi ta, duke rrembyer bagëtinë, duke grabitur tokat shqiptare. Në nderim e respekt të vendit Gjyshi u fliste fëmijëve me fjalë të zgjedhura duke i këshilluar që të bëhen të urtë, të ditur se vetëm me dituri i ndihmohet atdheut, ardhmerisë dhe njihen siç shkruan poeti “Kohët e ashpëra”, kohët kur fëmijët nuk kishin fëmijëri. Vargjet fitojnë vlera të shumta në saje të aftësive krijuese të poetit, i cili çdo fjalë e varg e thotë dhe e shkruan me qartësi dhe kjo qartësi lidhet me aspektin stilistik. Vargjet e poemës në të cilat bëhet fjalë për luftërat midis shqiptarëve e turqve, midis pushtuesve të pamëshirshëm – mbrojtja e vendit me thika e shpata, me pushkë e shata për t’i ndjekur drejt Stambollit bejlerët, pashallarët e sulltanët e tërbuar ndaj shqiptarëve, të cilët për lirinë e Atdheut sipas traditës së Skënderbeut, që nga Tetova, Shkupi, Ferizaji, Prizreni, Malësia e Drenica me betejat e përgjakshme i tmerrojnë pushtuesit dhe shprehin simbolikisht stoicizmin, qëndresën që flet për traditën e ndritshme e të gjallë, aktive dhe të pasur në çdo pikëpamje. Poeti, përmes poemës, u flet fëmijëve për traditën historike estetikisht aktive dhe se brezat për ta njohur këtë traditë, duhet ta mësojnë mirë historinë me qëllim që ta “ndajnë armikun nga miku”, sepse fëmijët që s’e mësojnë të djeshmen e popullit të vet nuk mund të ecin përpara. Duke njohur vlerat e vendit, për të cilin u derdh aq shumë gjak duke u shuar mijëra jetë të shqiptarëve, fëmijët i sigurojnë vetës njohuri të reja dhe me këto dituri do të shohin, thënë figurativisht, me larg prej brigjeve të larta se sa kur gjenden nëpër lugina!
Poema “Rrjedh Radika” ngërthen në vete dymbëdhjetë pjesë, të cilat për temë trajtimi kanë subjektin e këngës popullore mbi historinë dhe dramën që përjetoi Radika, nga luftërat e armikut anadollak turk dhe në ato luftëra shqiptarët treguan trimërinë më të jashtëzakonshme në mbrojtjen e Radikës dhe trojeve shqiptare dhe se për trimërinë, guximin dhe qëndresën e tyre mori vesh edhe bota.
Përshkrimet e bukura që i bëhen natyrës së Radikes e bëjnë poemën me vlera të veçanta, ndërsa artin e fjalës e bëjnë gjithnjë funksional për fëmijët. Rrahim Sadiku përmes motivit patriotik shpreh ndjenjat më të zjarrta për atdheun, shpreh vrullin shpirtëror duke u sjellë fëmijëve përfytyrime e të dhëna konkrete për trimërinë dhe qëndresën e shqiptarëve kundër pushtuesve armiqësor të shqiptarëve çfarë ishin Hajredin Pasha, Hafiz Pasha dhe shumë pashallarë të tjerë që me çdo kusht donin të jenë sundimtarë të tokave shqiptare. Por, shqiptarët treguan vetëdije e trimëri të rrallë në mbrojtjen e vendit, të cilën gjë e vërtetojnë dhe e shprehin vargjet e poemës:
“Se ajo grykë,
E ata shkrepa,
Edhe njerëzit
I bëjnë shkëmb
E kafshojnë
Plumbin me dhëmbë!”
Në tërë poemën Rrahim Sadiku vjen si trajtues i luftës së bërë në Radikë dhe bashkë me të i paraqet ngjarjet e kohës dhe dramat që i përjetoi populli shqiptar.
Në poemën “Kënga e vogëlushit” që sajohet nga njëmbëdhjetë pjesë, poeti këndon për disa tema të rëndësishme për botën e fëmijëve siç janë: liria, kënga për fitore të reja, trimërinë, krenarinë, luftën kundër çdo pushtuesi për të vazhduar me vargje që shprehin mallin për fusha e male, atdheun, qëndresën e shqiptarëve në fusha betejash, madhërimin e emrit Vogëlushi që ka marrë në gjoks një plagë, të cilën ia shërojnë forca, emri liri, nderi dhe atdheu, të cilin, thotë poeti, duhet ta ndërtojmë me punë të organizuar dhe të pandalshme.
Në vend të përfundimit
Rrahim Sadiku në poemat e vëllimit “Këto shkronja” ka arritur natyrshëm të hyjë në botën e brendshme të të vegjëlve, duke trajtuar e duke ofruar për mv të vegjëlit tema e ngjarje nga e kaluara, ndodhi që me subjektet e tyre zgjojnë kureshtjen e fëmijëve, dëshirë për të hyrë sa më thellë në psikologjinë e personazheve, në idealet dhe sakrificat e tyre, aq të mëdha për çështjet madhore të kombit, mbushur sakrifica të dëshmuara në kapërcej shekujsh.
Nga poemat e vëllimit të sipërthënë, fëmijët do të nxjerrin mësime të rëndësishme, që flasin për popullin dhe heronjtë e tij, që nga lashtësia historike e deri në luftën e fundit të Kosovës. U muar vesh, populli shqiptar luftoi për liri e drejtësi me vite të tëra dhe në këto luftëra, falë patriotizmit të palëkundshëm, doli ngadhnjimtar edhe pse vuajti e pësoi shumë; doli më i ditur dhe më i zgjuar. Këto vlera janë edhe temat kryesore të vetë poemave.
Poemat përshkohen me vlera të veçanta edukative, artistike dhe estetike. Këto vlera janë arritur në saje të përdorimit të mjeteve të pasura artiustike, me të cilat shpërfaqen idetë dhe mendimet e poetit. Figurat dhe tropet më të përdorura në poema, me të cilat RRrahimi forcon përmbajtjet dhe porositë e vargjeve janë: metaforat, antitezat, krahasimet, simbolet, personifikimet, eksklamacionet, përsëritjet, gradacionet, anaforat, pyetjet dhe figurat tingullore. Leksiku i poetit është i pasur dhe kjo pasuri i ka dhënë mundësi atij që për lexuesit të krijojë vargje të rëndësishme, të kapshme dhe të gërshetuara me situata poetike, me të cilat ndërton sistemin të menduarit për librin, për dashurinë ndaj vendit, për lirinë, për njerëzit e njerëzoren, për kulturën dhe historinë e popullit shqiptar.
Duke i vlerësuar poemat e sipërthëna, nxjerrim përfundimin se RRrahim Sadiku, gjatë trajtimit të ngjarjeve e dhënies së vetive psikologjike të personazheve dhe ndriqimit të së djeshmes e të së sotmes, ka dëshmuar se ka kulturë, ka përgatitje e shije të hollë në trajtimin e dritësimin e aspekteve të rëndësishme të jetës dhe të botës shpirtërore të fëmijëve, duk e lidhur atë me botën mitologjike, të cilën poeti e kthen në rrëfim artistik, në shkallë të lartë poetike dhe estetike. Dëshmi monumantale e kësaj që pohuam deri tashti është poema për luftën e fundit “Edhe dielli ka qeshur bashkë me ne”, ku kemi rrëfimin imagjinativ-shpirtëror të një fëmije, që ballafaqohet me vdekjen,me urinë, me luftë, me shtëpinë e djegur, me ikjen nga vendi, me të gjitha të ligat, që i ndjen thellë e nuk do t’i shohë si janë, sepse te ai ka zënë vend shpresa dhe besimi se e ardhmja është e ndritshme dhe se të këqijat do të marrin fund, si edhe ndodh, kur ai rikthehet, në vendlindje,ku e pret babai-luftëtar e fitmitar dhe së bashku përjetojnë gëzimin e fitores dhe kthimit në jetë:
“Në midis të shtëpisë sonë të djegur
Kemi shtruar bukën e mandej kemi qeshur.
O, besoni
Edhe dielli ka qeshur bashkë me ne!
Dhe, kjo vepër na bënë të gjithëve të ndjehemi pjesë e diellit jetë-simbol- përjetësi-fitore dhe të bëhemi pjesë e një krijimtarie madhështore dhe meritore për mbarë letërsinë tonë për fëmijë.
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen