Nga Rrahim Sadiku
Verona Hasani: “Rrëfime nga jeta”, tregime, botoi “Zgjimi”, Ferizaj, 2015
Të shkruash prozën e shkurtër, tregimin, domosdo ballafaqohesh me kërkesën për temë sa më të qëlluar, për intrigë sa më bindëse dhe për ndodhi sa më joshëse. Këto kërkesa të rrëfimit artistik në prozë janë të pranishme dukshëm dhe bindshëm në veprën e krijueses së re, Verona Hasani, e cila në përmbledhjen e tregimeve “Rrëfime nga jeta” për temë më të shpeshtë ka përditshmërinë tonë dhe raportin e moshës së saj me ato dukuri që ndodhin në të, prandaj secili nga tregimet është një këndvështrim më vete për jetën, për problemet që e përcjellin atë, për raportet midis njerëzve dhe shpesh e gjitha kjo përshkohet nga e brendshmja e personazheve, që shpesh nuk është ajo që na shfaqet në jashtësi. Të imagjinuarit artistik në këto tregime është mjaft i bujshëm dhe tejet i lidhur me realitetin dhe shpesh, gjatë leximit, na bëhet sikur po shohim një ngjarje reale, mu para syve tanë, si ndodh te tregimi “Kur ëndrra bëhet realitet”, po edhe te shumë tregime të tjera. Ndoshta kjo lidhje me realitetin imagjinativ e shtyn autoren të lidhet me aspekte edukuese e me anime drejt këshillave, si te tregimet “Mos gjyko gjërat nga pamja e jashtme”, “Ҫmoje atë që ke”, “Mëria vëllazërore” e ndonjë tjetër.
Autorja Verona Hasani tenton të jetë vazhduese e rrëfimit shqip, që nga kohët më të hershme, duke e ditur se një popull pa një traditë të së kaluarës, nuk ka rrugë të ndritshme drejt së ardhmës, prandaj ajo kultivon, në disa tregime, ngjarje që gjasojnë me tregimtarinë popullore, si ndodh te rrëfimet “Mbretëresha e luleve”, “Zana e maleve”, “Lulëkuqja që fliste” e te ndonjë tregim tjetër. Dhe kundrejt këtyre, janë rrëfimet me tema nga përditshmëra, si janë tregimet “Një jetë”, “Kalamajt e lagjës sime”, “Irina”, “Përtaci” e ndonjë tjetër”.I përmendëm këto të vewanta e këto të përgjithshme të tregimeve të përmbledhjes “Rrëfime nga jeta” për të ilustruar talentin krijues të Veronës dhe hapërimin e saj të suksesshëm në këtë fushë të krijimit imagjinativ, që është mjaft e vështirë për t’u realizuar e që kërkon njohuri nga shumë fusha, fjalor të pasur, lidhje të ngushtë me jetën e dukuritë e saj dhe ngulmim për të gjetur margaritarin artistik,fshehur midis përditshmërisë e të zakonshmes. Sepse arti mund të ketë temë edhe më të zakonshmën, por e madhërishmja e përfshkon atë dhe me të hyrë në laboratorin krijues, nga e zakonshmja del shpesh më e madhërishmja artistike. E themi këtë sepse Verona është e re, jeton në kushte krejt të reja, është pjesë e ndryshimeve të vazhdueshme, shumë përparimtare dhe që ndodhin kudo, prandaj duhet të luftojë me ngulmim për të qenë pjesë e arritjeve në të gjitha fushat, po më shumë në fushën e artistikes e imagjinativës, për të arritur që të qëndrojë vertikalisht e fuqishëm në përballjet me krijues të tjerë. Se ajo ka mundësi e aftësi të kalojë mbi krijuesit e zakonshëm e të bëhet emër i njohur në letrat tona dëshmojnë tregimet: “Loti i një udhëtari”, “Sfidat e jetës” e “Fotografia”, në të cilët thellësia e depërtimit në brendinë e personazhit dhe nxjerrja në dritë e të fshehtave të shpirtit të tij janë intriguese për lexuesin dhe e shtyjnë atë të mendoj për atë që ka lexuar edhe kur nuk e ka më librin në duar. Kësaj rrjedhe shkon edhe tregimi “Lustruesi i këpucëve”, i cili nga shumë asopekte mund të merret si proza më e realizuar e kësaj përmbledhjeje.
Po e përfundoj këtë vështrim të shkurtër për përmbledhjen e tregimeve “Rrëfime nga jeta” të Verona Hasanit, duke vënë në spikamë faktin se kudo rreth nesh ndodh ndryshimi, realizohet e madhërishmja dhe troket ardhmëria, prandaj krijuesit në përgjithësi e Verona në vewanti, duhet t’i ndjejnë përcjellin e bëjnë të tyret ato ndryshime e ato trokitje ardhmërie, për të mundësuar që arti ynë, krijimtaria jonë, të kalojë kufinjtë lokal e të bëhet pasuri universale.
Për këtë Veronës i uroj shëndet, vullnet e ngulmim për punë dhe fat në rrugën e saj krijuese. Uroj të takohemi sa më parë në promovimin e ndonjë vepre të re, dalë nga imagjinata e saj krijuese.
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen