Samstag, 9. Mai 2015

Fadil Curri - Liria e robëruar

Cikël poetik

LETËR DËSHMORËVE (1)

Më falni, dëshmorë të dashur!
 Kam mbetur vetëm me veten këtu
 Si një lis në arë që me hijen time
 Po ua shkretoj të lashtave hibride bukën
 Shumë pipthave të pjekur para kohe
 Po ua zë dritën dhe po ua errësoj ditën

Fëshfërima e erës në mua
 Po ua hesht klithmat demagogjike
 Çakejve të veshur me lëkurë qengji
 Pallat i kanë vënë mbi qepallat e mia të pagjumë
 Edhe shikimin e syve nga ju duan të ma presin
 Edhe gjuhën të ma shkurtojnë kur ju kushtroj
 Edhe mendjen të ma stepin kur ju kujtoj
 Edhe zhgëndrrën ma bekojnë me anatemë

Më falni, dëshmorë të dashur!
 Më duket vetja tradhtar që jam ende gjallë
 Në këtë botë jam pa komb, jam zomb
 Sikur edhe juve ju blenë ata që ju vranë
 Ata që u ndërtonin ura e rrugë armiqve të vinin sa më shpejt
 Të na vrisnin, kur luftonim për jetën e të tjerëve,

Tregtarët e flamujve sot më rrëfejnë për ju
 Që me mua ishit tërë jetën, jo vetëm një muaj si këta
 Ata më lëvdohen me dekorata që i marrin në emrin tuaj
 Ata mua nuk më japin, pse ju desha kur ata ju urrenin
 Ata deri dje kishin yllin e kuq në ballë, sot mbajnë emblemën tuaj
 Ata më detyrojnë t’i përulem edhe një flamuri të tyre,
 Duan të më bëjnë të marrë disa vëllezër e miq tuaj me ta
 Që as edhe një tregtar flamujsh nuk e japin për të gjithë juve,
 Sepse me ta i mbledhin kokrrat e fushatës së bereqetit
 Ua mbajnë sapunin e trashëguar për pastrimin e njollave të jetës

Më falni, dëshmorë të dashur!
 Mos pandehni që ju kam harruar pse nuk ju shkruaj shpesh
 Nuk kam kohë, sepse ende jam në luftë me farën e keqe që na e lanë barbarët
 E mbaj pushkën e penës deri sa të vij te ju me sihariqin
 se nuk i lashë të ngrenë bordele e hane skaj rrugës sime
 se themelet e shtëpive në oborrin tim ua rrënova përfundimisht
 se nuk lejova kengën time të ecë me këmbët e tyre
 Mos ejani ju te unë, se do të zhgënjeheni nga liria e robëruar
 E kanë liruar tokën e popullin me çmimin e faljes së krimit të tyre
 Mund të ju detyrojnë ta mbani flamurin e lirimit me pjalmin e Çlirimit

Rrini, atje ku jeni, me engjëjt
 që sigurojnë Kullën e Lirisë së Përjetshme,
 dëshmorët e mi të dashur!!

 

KËSHILLA POPULLIT (2)

(Frymëzim Shkupi)

O populli im,
 mos i beso ëndrrës
 kur sheh se si të vdekurve
 u ngrenë përmendore
 e të gjallëve varre,
 kur në të jepet filmi
 për robërinë e veshur me flamurin e lirisë,
 kur shpëtimin e shohin te të vdekurit
 e dështimin e shohin te të gjallët!

O populli im,
 mos i beso ëndrrës në të cilën
 misionarët bashkimin e gjuhës
 e rrëfejnë vetëm me një dialekt ideologjik
 në sheshin e censuruar,
 ku përditë shihet filmi
 "Populli i ngathtë që ushqehet me beton"!

 

ATDHEU VETËM NË POEZI TREGTARE (3) 

(Skicë poeme)

Nuk mund të të ftoj eja në shtëpinë-kullë, mik
 sepse oborrin ma kanë marrë të tjerët me harbim
 e rrudhën dhe e dogjën, e bënë shkrumb e hi
 Aty më nuk mund të jem as vet ilir i lirë
 as të bëj dashuri me të premtuarën e Perëndisë
 as të trashëgoj gjenin e farës time unike,
 sepse në të ngrenë dolli turistët jetëmirë,
 ma lanë çiftelinë vetëm himn t’i këndoj vdekjes

Në oborrin tim kanë bërë plazhe për qejfet e të huajve;
 ata u ngjanin minjve që kishin brerë trarët
 me lejen e pronarëve të dhunshëm me tapi djalli,
 të cilët ma ndaluan hyrjen në shtëpi nga oborri,
 kur as Bindin e Vranin nuk e pashë aty
 nuk i hasa çamët në Sul e Filat të pleqëronin te varret çamërisht
 as poezinë tregtare nuk e dëgjovo në Prokuple, Tivar e Janinë
 nga predhat poetike për çlirim të tyre në Kumanovë, Gjilan e Prishtinë

Me shpatën e penës e preva idilën time ëndërr,
 të mos shortohet me zhgënjimin e Ndërkohës
 kur shihja buzëqeshjen tek këndohej balada
 për diellin e djeshëm elegjiak që perëndonte në vegim
 Nuk mund të shpresoja në frymëmarrjen e nesërme
 kur matrapazët ajrit të biografisë krenare
 ia vrisnin shekujt e emrit sipas lakmisë egoiste
 e sot e tregtojnë vetëm për ajrin e dhomës së tyre
 vetëm për frymëmarrjen e sall vetes së tyre
 me orën e agonisë së atdheut gjoja me bekim të Hyjit

Klitha kundër mikut të dollisë së helmuar
 kundër sqimës së makinës së tij se do të më çojë përpara
 Por ajo vetëm mbrapa shkonte ose në vend rrinte

Kur më shpuri te kulla ime e vjetër pa oborr
 aty pashë gërmadhat e hirta, por veten jo,
 nuk më ngjatjetuan fërkemat me buzëqeshje,
 me eshtrat e mi kishin bërë kufi zotërinjtë e rinj
 hipokritët që më sollën këtu me babëzi

E pështyva grahësin rrogëtar që më ktheu pas
 ku atdheun e kisha vetëm në poezi tregtare
 e vet me hijen e Zotit trupova rrugës hyjnore
 ta arrij veten në shtëpinë e oborrin e patundur
 bashkë me dishepujt që presin kumtin e bashkimit

 

ELEGJI IKJES (4)

Unë po ik nga uni e uni po ik nga unë
 Nëpër kalendar ti poi ik nga unë unë po ik nga ti
 Ai po ik nga ajo para dasmës, nga unë e nga ti si krushq
 Unë e ti po ikim nga ai e ajo si nga vetja që ka frikë
 Të gjithë po ikim nga vetja e nga tjetri si delja nga ujku
 Ikëm dje e po ikim sot e nesër nuk do të ikim

Dashuritë po ia lëmë urrjetjes për veten kur nuk do të jemi
 Me vete kemi çiftelinë e varur në rrugë të elegjisë
 Këndojmë kur duam ta bëjmë ritin e sharjes me lëvdatë
 Varreve do t’u këndojmë mbi tokën e tretur të të ndjerëve
 Kur nuk do të kemi kë ta mashtrojmë me këngë, as vajtojcat

Djallit i shpallëm luftë me betimin e tradhtisë së gjakut
 Edhe refrenet për liri po ikin me busollë të prishur drejt paanës së huaj
 Kur dashuritë e vatrës po i shporrim me mijëra milje larg
 I shtojmë kënaqësitë e popujve tjerë me farën e suicidit tonë

Ikim me dua ikjesh dhe shkulim rrënjët tona me agzi
 Ikim pastaj me herezi të mbjellim “tokën e bekuar”!
Ikim nga gjuha zot-eme jonë drejt argove të tjerave
 Ikim nga të zgjedhurit e bajraqeve në Kuvendin flijimtar
 Ikim, se na mikpresin çdo kremtë me rrenat artistike

Edhe sytë nën qepalla po na shteren nga lotët, ikin, or mik
 Edhe unë, edhe ti ik, edhe në shumësin e ai dhe ajo po ik
 Edhe nga vetja po ikim me litar në fyt, or i fundit mik!

 

KUJTIM NGA VITI 1998 (5)

Nuk jam peshqiri yt që do të fshish djersët nga vjedhja e përnatshme
 në kopshtin tim që po bjerret
 As rruzare vitesh
 të heqësh e marrësh meritat e mia
 për bërien e moshës tënde me nder,
 As kukull të më (zh)veshësh kurdo e kudo
 pastaj pështirosjen time
 ta vësh përballë elegancës tënde,
 As rrënjë etnie me mileniume
 që t’ia vësh miturakisë tënde partizane,
 As dashnor i përdalë i murgeshave pa gjen e gjenezë
 të padhëmbë manastireve të (n)gurta,
 sepse Uni do të nxirrte pinjollë Jouni
 As pushkë e pashkrehur frikacaku
 s’ jam që të ma drejtosh Natën e Bartolomeut,
 kur në gotën e mbushur me gjakun tim
 do të më pije pafund Dollinë e Vdekjes

 

E NDIÇME (6)

Ju, të ndiçmit,
 mos ma ndiçni jetën me ndeshtrashat e pasosura!
 Që të ndiej vdekjen e përdatur,
 mos ma ndiçni lirinë
 për të lakmuar robërinë.

Ju, me trup të burgosur dikur,
 sot më ndiqni me ndajnatë
 të më bëni edhe ndajnatë.

Më burgosni
 trupin e tkurrur gjatë jetës.
 Më burgosni shpirtin e kërrusur
 nga kipcet tuaj gjatë jetës.

Po më burgosni dijen e shtrydhur
 në shpërgajt e kreshnikëve
 gjatë gjithë jetës.
 Mos ju mësuan
 stërndiçësit tuaj të deridjeshëm
 të stërndiçni pengët e lirisë së nesërme?

Ju, të ndiçurit e përjetshëm,
 mos më ndiçni para syve të botës!
 Binduni se do të ndiçeni vetë.

 

DASHURI DJALLËZORE (7)

Duke vdekur me epshin e natës së perënduar
 sikur jemi betuar se nesër e tëhu nuk bëjmë dashuri

Të ndjerët kanë bërë dashuri me të ndjerët
 të gjallët duhet të bëjmë me të gjallët
 Nuk na shkon dashuria me engjëjt e ndjerë
 as me të palindurit pinjollë të profetëve.
 Secili me njeriun e kohën e vet të shkrihemi
 si feniks në shtratin plot lumnim

Të bëjmë dashuri e fëmijë përnatshëm
 edhe trashëgimtarët pas nesh të dashurojnë
 më shumë dritën e agut të palindur
 se sa terrin e natës së ndjerë në perëndim.

Nëse ju e lutni Zotin për dashuri,
 mos ia mohoni Zotin e përbashkët vëllait
 e të mos ketë kujt t’i lutet për trashëgimi

Mos lidh martesë me dashuri të mjegullt,
 sepse rrotull janë djajt e padukshëm,
 ata do të të gllabërojnë me metafora
 Tradhëtarët, si ujqit, prore duan mjegull,
 ata kurrë nuk dashurojnë me gjithë mend,
 janë djaj të stolisur me dekorata nga kipci ynë
 Djallëzisht kurrë nuk dashurojnë me gjithë shpirt

E dashur me shumë fytyra dhe pa as edhe një
 më fal që pesë minuta para vdekjes llogaridhënëse
 pasi po ta zhvesh sot tebdilin e së djeshmes
 pasi po ta çjerr maskën e së nesërmes
 mos më gjyko se më ka mësuar dikush tjetër,
 se më ka paguar Gjyqi i Jovetes për zhdëshmim

Lamtumirë!
 Ah, moj mike, sa e poshtër që je,
 që me mua ke kurorë
 e me tjetrin ke shtratin pa sovranitet
 mbase një jetë nuk do të mjaftojë
 ta përjetojmë të Vërtetën
 peng prore mbetet jeta
 për Gjyqin e Pavdekësisë.

 

VETËVRASJA E METAFORAVE (8)

Poetët kanë nisur të bëhen të gërditshëm
 Kur për një plesht vere e djegin jorganin dimrit
 I zemërohen kopshtit jetim, shajnë atdheun tim
 Nga të ndjerët kërkojnë shpëtim e çlirim
 Kur të gjallët pa eufemizëm i vrasin me shqim

As vet nuk e dinë se çfarë e si duan të hanë
 Po ua zënë rrugën njëri-tjetrit me shamata
 Po vdesin përditë nga Don Kishoti me antiteza
 Kurrë nuk ndalen duke klithur për luftë
 Por, as kushtrimit të vet për liri nuk po u binden

Shkrimtarët e kanë varrosur atdheun në gotë-lot
 Në vend të abetareve letrare për Vdekje ose Liri!
 Mbajnë karikaturat nga ekspozita e flamujve-sozi
 Në orë letrare(tregtare) i këndojnë mortit-refren
 Ku lexohet poezia me gjuhëbekim të bastardit

Letrarët i ngopin të uriturit me lavdet e ndiçme
 Të cilët as macet bredhacake nuk e honepsin
 As eshtrat e shkrimtarëve qentë nuk i duan
 Thonë: kemi shumë letrarë, por pak letërsi
 Kur u dhurojnë lexuesve vargje me pabesi
 Kemi shumë, edhe ne qentë të hamë me babëzi

Shkrimtarët as në poezi nuk po dinë dashuri
 Krehër e kozmetikë nuk kanë për Tanushën
 e fusin në gjerdekun e Rexhës pa dhëndërr
 Pasi atij i plasi zemra nga pritja e gjatë mjegull
 S’ e shohin Kalin e Trojës si ua shlyen mendjen
 Si ua pështiros bukurinë e Tanushës pa mund
 Nuk bëzanë si treti Busolla e Dashurisë kund

 Maskenballeve poetike juritë
 metaforat i dhunuan me lekët e lavirta
 I anatemoi autori jud me vetëvrasje heretike
 Vaj medet-medet! Edhe shkrimtarët pa identitet!

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen