HYJNORË TË DASHURUAR
Doli një yll mbi Mal të Thatë,
Mugu sapo kishte rrënë,
Lëshoi një dritë të fortë, të gjatë,
Ndriçoi i bukur si një hënë.
Ndizej ylli lart në qiell,
Digjej zemra në kraharuar.
Fluturon përmbi liqen,
Një shkëndi e përvëluar.
Kjo shkëndi e shpirtit tim,
Me dritën e yllit përqafuar,
Ndrisin tokë e gjithësi,
Janë hyjnorë të dashuruar.
E NJIENTE DI PIU
Një puthje përse s’ma dhe,
Ç’pate, apo ke frikë, se
Do të lindë nga një puthje,
Një tjetër dashuri e re.
Përse i trembesh puthjes,
Nuk e kupton se po ikën një natë,
Se do të lindë një ditë e re,
Dhe jeta s’kthehet prapë?
Një trendafil të dhurova,
Ditën e Shën-Valentinit,këtu
Një puthje të dërgova ,
E niente di piú.
E ti qeshe me vargjet,
Me fjalët që të shkrova,
E t’u skuqën faqet,
Nga puthja që dërgova.
ME KRAHËT E DASHURISË FLUTURUAM
Kur putha buzët e tua,
Jetova çaste lumturie,
Ndaj s’ kam për t’i harruar,
Ato puthje, atë zjarr dashurie!
Unë puthja buzët e tua,
Errësira natën e mbuloi,
Ti më thoje parreshtur, të dua.
Deri në agimin mëngjesor,
Rrezet e arta të diellit,
zjarrin më shumë na e shtuan,
Në kaltërsinë e pafund të qiellit,
Me krahët e dashurisë fluturuam.
LËNDINA E BLERTË
Më çojnë larg mendimet,
Mes një pylli në një lendinë.
Atje ku unë e mikja ime,
dashuroheshim me dashurinë!
U drodhën gjethet e pemëve,
U dëgjua një oshëtimë,
U mblodhen gjithë zogjtë e pyllit,
Lulëzuan lulet në lëndinë.
E vogël lëndina, e blertë,
Rrethuar me pemë të larta,
E madhe dashuria, e sinqertë,
Të magjishme puthjet e zjarrta!.
MË NDJEK NJË ZË
E di moj mikja ime,
këngën time s'e do më,
dikur më dëgjoje me ëndje,
tani pëlqen një tjetër zë.
Aspak nuk jam i shqetsuar,
se me tjetër ti po shkon,
s’jam aspak i xhelouar
që një tjetër dashuron.
(kush vërtet ka dashuruar,
në ëndrra dashurinë e shikon).
Dhe eci në rrugë i menduar,
me muzgun po bëj shoqëri,
nga pas një zë i pashuar,
më ndjek si dikur në rini
ATJE...
Do shkoj
Atje ku e nisëm,
Atje
Në atë buzëliqen të magjishëm.
Atje
Dua të shoh
Fluturimin e sgalemit,
Kur prek me krah
Valët e liqenit.
Atje
Dua të shoh
Dritën në agim
Dhe
Dritën në perëndim.
Atje dua të tretem me dashurinë!
KITARA PËR DASHURINË KUMBON
S’di pse shkruaj vargje për ty,
Një plagë të vjetër s’di pse ngacmoj,
Dikur qëndronim bashkë të dy,
Tani i vetëm buzëgjolit shkoj.
Më thuaj moj mike veç një fjalë,
E heshtur ti s’ke pse qëndron,
Mëso se atje buzëgjolit me valë,
Si dikur një kitarë për dashurinë kumbon.
U mundova,por s’arrita dot,
Fytyrën tënde të bukur ta harroja,
U përpoqa, por ah më kot.
As nga mendja s’munda ta largoja.
Flokët e borës po zbardhin buzëgjolin.
Pogradec, 04.02.2015
MË ÇONI BUZËGJOLIT
Në se
Më shihni të trishtuar,
Të dëshpëruar,
Apo të sëmurë,
Mos më jepni barna mjeksore,
Por më sillni këtu
Buzëgjolit,
Të ndjej erën e valëve,
Erën e luleve pranverore,
Të pi pak verë pogradecare
Dhe të dëgjoj ca tinguj kitare.
Nuk do lëngoj,
Do ngrihem nga shtrati
Dhe për dashurinë do këndoj.
Pogradec, Shtator 2014
SHIHEMI NË ËNDRRA
Ti vjen në ëndrrat e mia
Sepse s’do që unë të t’harroj,
Të më pastrosh shpirtin nga të kqijat,
(ëndrrat pastrojnë thotë Frojdi)
E i dashuruar me ty të jetoj.
Edhe unë vi në ëndrrat e tua,
Ashtu si më ke njohur ti,
E çdo ishte kjo jetë për mua,
Pa dashurinë që në shpirt më rri.
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen