Mittwoch, 10. Juni 2015

Hasan Bunjaku - Letër mikut, ose ese për heshtjen e zjarrtë.

N d r i ç i m e:

(Në 70-vjetorin ME dhe 19 vjetorin PA FIZIKUMIN e letrarit të shquar shqiptar, Beqir Musliut)

LETËR MIKU TIM, HASAN BUNJAKUT
(Njeriu është pishtar i dritës së vet të errët...)

Po të shkruaj, në këtë moment, kur më së paku jam i aftë të të shkruaj letër; por po të shkruaj në atë mënyrë siç Jam në këtë moment, nëpër të gjitha koncepcionet, travajet dhe gjendjen shpirtërore në të cilën jam në këto orë të vona të pagjumësisë sime të sëmura: Kjo le të mbetet vetëm pjesë e heshtjes. Një. Nuk dua që tani të sheshoj tërë këtë heshtje. Le të mbetet pra heshtje e zjarrtë. Sepse njeriu nuk është vetëm ai që është por në të ka dorë edhe diçka e instinktit, ndoshta diçka reflekset dhe mendimet, gjithçka një mekanizëm motorik apo diç tjetër... por ajo çka është kryesore njeriu nuk është vetëm ky që është: mbetet shumëçka në të e pazbërthyer, e pazbuluar, e panjohur... pra le të mbetet edhe kjo letër në këtë ngjyrë: le të merr me vete gjithçka, por të mos thotë asgjë, ose vetëm një pjesë të heshtjes e cila është e kallshme në mua apo në sendet që më rrethojnë, sepse njeriu përsëri është pishtar i dritës së vet të errtë që e sheh në majën e majës, kah e cila gjithmonë drejtohet, njeriu – poet i natyrës dhe i dialektikës së farës së vet, prandaj për këtë dilemë që është në proporcion të natyrës dhe dialektikës së njeriut si qenie që luftëton kundër kësaj natyre apo dhune e cila është e paevitueshme në të: krijohet vetvetiu fuqia e njeriut, ndërsa njeriu përsëri mbetet në atë nivel me të gjitha gjërat që e rrethojnë, kurse fuqia shpie lart, aq lart sa njeriu më vonë nuk mundet që ta mbërrijë. krejt këto nuk janë vetëm përshtypje, por një diçka që u jep inercion gjërave që kanë fuqi, invencion atyre që jetohen dhe preken, butësi, atyre që therin, dhe sa bukur tani kisha për t’i shti në gji edhe ato therra që i kam urrejtur dikur, por që kanë qenë të bukura, të buta dhe të dashura, që kanë qenë të mijat. Nga krejt kjo që krijova mbet vetëm heshtja. Po. 


Heshtja e zjarrtë.

Unë do të këndoj atë që në fëmijërinë time me netët pa gjumë, me sëmundjen time dhe sëmundjen e saj: ajo më krijoi sëmundjen që ta dua këtë, unë ja dhashë sëmundjen time që të më dojë, prandaj kështu në heshtje krijuam këtë dialektikë që është në proporcion me vetë kërkesën tonë, e kërkesa jonë është prapë më e madhe se sa patëm rastin t’i japim ose të na japë ajo neve, prandaj kurrgjë më të madhe as që kemi pritur nga ajo, ajo na ka dhënë vetveten, heshtjen edhe kur kemi qenë në vetmi edhe kur jemi zhytur në atë amulli që nuk kemi ditur të dalim sikur nëpër sezamet e përrallave. Krejt kjo tani të bëhet se është një lojë, një letër më pak në ciklin e letrave: “Letrat me miqët” e cila po më varet në qafën time të lëvarur, në liqenin e pagjumësisë që po ndërton lundërza që enden nëpër oqeane dhe detra që i përbijnë në të gjitha gjërat që më rrethojnë dhe ato që janë në mua – bashkë me mua, prandaj asgjë mos lyp gjer sa nuk mundesh t’i japësh asaj që i lyp, sepse në këtë kohë të jetosh është bërë një ligj i natyrës i cili nuk duron parime dhe dialektikë; ndërsa njeriu dialektikën e krijoi bashkë me veten, prandaj po them botërisht se njeriu e krijoi njeriun. Mund të mos pajtohen as filozofët, as të urtit, pasi nuk pandeh të bëhem as filozof e as i urtë, sepse gjaku im që është i murosur nëpër trëndafilat e nënlëkurës nuk e lejon këtë, sepse ai është tepër i shqetësuar se sa e kam vetë dialektikën e njeriut. Prandaj, sonte nuk më prin as dëshira për fuqinë e mbinjeriut, por fuqia e njeriut; atij njeriu që shëtit nëpër bulevardet e çdo qyteti dhe rrugica fshati i cili shikon gjethet se si bijnë se si kremtohet vjeshta, paturpësitë, se si fshijnë vjeshtën, e atë vjeshtë që kishte mundur të mos vijë, por që ajo është ligji i natyrës – vjen pa e ftuar, edhe pse poetët e ftojnë ajo vjen edhe sikur të mos e ftonin ata, por me këtë tragjikë – kurrë jo! Tragjikën ia krijojnë, ajo nuk ka tragjikë. Filozofë koprracë, heshtni! Sonte nuk ka filozofi, por vetëm dëshira për të hyrë, për të dalë, për të jetuar – jashtë këtyre ligjeve! Nuk durohen më ligjet që t’ia pengojnë fuqinë njeriut. Jo, nuk jam për një fuqi mitike, e as s’them se besoj në atë të Niçës: të Zarathustrës, por besoj se vëlla e kam Zarathustrën dhe ulkojën. Nga Zarathustra mësova se njeriu duhet të kthehet kah njeriu që të lind njeriu, nëse do edhe mbinjeriu, dhe nga ulkoja egërsinë, që të përqëndrohem në egërsinë që i mban shpellat, fushat, arat si dhe malet, bjeshkët e të gjitha që njeriu u frikohet. Edhe unë frikohem, por frikohem edhe me veten. i frikohem vetes, sepse ajo është shumë më e madhe se të gjitha fuqitë që munden edhe ta shkatërrojnë botën, por bota nuk shkatërrohet. Vetëm i krijohet tragjika të cilën e ndajnë njerëzit ndër vete, ndërsa ata njerëz nuk duan që me atë tragjikë të ngrohen, sikur unë sonte kur në një letër mundohem ta fusë tërë tragjikën time e cila është më e madhe se sa unë prandaj gota kur mbushet don të zbrazet, hej, o vetmi, nëse asnjëri nuk është në dhomën time, atëherë nuk jam as unë, këtu vetëm hija ime po që më mban, vetëm ajo po luan me mua, po don të më tallë, o ju hije që përqeshni botën, krijoni tragjeditë, luani Jagon, Otheluan, Hamletin, Mbretin Edip, Antigonëm, Orestin apo Danten – mësoni se edhe njerëzit e vegjël kan krijuar madhështinë që e keni marrë vetem nga ata që kanë qenë të ‘’mëdhenj’’ vetëm në emra, në ngjyra, apo … prandaj sonte po ndiej më së tepërmi, më shumë se kurrë jam Njeri prandaj të gjithë njerëzit tjerë janë me mua,pra po bindem se dhoma ime sonte është plot njerëz,pse jam unë, kur jam unë – dhoma ime është plot njerëz,njerëz që i dua. E njerëzit krijojnë edhe dialektikën e tyre që të luftojnë kundër natyrës. Do të fitojnë, ki besim.


II (Ka edhe asi që duhet të vdesin për të lindur për së dyti…) 

Nëse i nevojitet botës akoma zjarri, ne do t’i ndezim duart tona, sepse me to lehtë ndërtohet përsëri bota. Porse nëse ne do të ndizemi lë marrin vetëm gjurmët tona dhe atë njeriun që e lamë të na zëvëndësojë mbi tokë sepse vetëm kështu do të mundim për të ia shtuar farën njeriut parahistorik, pse nuk është e rëndësishme se çka po ndodh, e rëndësishme është se po ndodh dhe çdo ndodhje tjetër është edhe një ndodhi më e re të cilën do ta përcaktojmë nesër: kur do të jemi me njerëz,më sende, më lule…Vetëm lulet do t’i shpëtojmë nga udhëtimi të cilin do ta përfundojmë një ditë kur të krijohemi në njerëz. Përsëri më mban diçka e kohës që ka sharruar në mua, më mban sepse mjaft më e kam mbajtur gjer më tani sepse vetëm në këtë mënyrë jemi ata që jemi sepse në përjashtime tjera nuk do të mundnim as të qeshim as të qajmë në mënyrën të cilën e kemi bërë dikur në fëmijëri apo më herët, sepse nuk jemi penduar për lindjen, çdo lindje ka qenë vetëm një vdekje më solemne prandaj iu kemi gëzuar lindjes – të vetmit në botë, sepse krejt bota nuk është në një emër, krejt njerëzit nuk janë njerëz, ka aty edhe asi që duhet të vdesin për të lindur për së dyti, e kjo nuk është vetëm detyra por edhe dënim. Prandaj nuk kemi pse të vdesim kur kemi lindur. Kjo nuk përkon ndoshta me filozofinë që duhet të përkrahë bota, por prapëseprapë është filozofi ndoshta e kësaj nate, vetëm e kësaj. Nëse është vetëm e kësaj nate unë do të jem krenar dhe i lumtur. Krejt bota nuk ka një filozofi, ndërsa mendimet sonte e krijojnë vetëm atë: filozofinë e njeriut. Filozofia e njeriut është shumë e madhe se e tërë botës, ajo është më e pastër, më e drejtë, më e dashur dhe më e madhe. Unë besoj në këtë filozofi, prandaj nuk ka përse të heshtësh, por me të vërtet ti je heshtje, sikur unë edhe në këtë dhomë ku po ndërtojmë jetën që duhet të ishte edhe vdekja jonë – në këtë heshtje të një nate që është e zjarrtë. Mu njashtu si heshtja. Heshtja e zjarrtë. Unë i dua heshtjet, të thashë, vetëm atëherë kur janë të zjarrta. Ndërsa heshtjet e zbehta nuk i dua, ato më frikësojnë, më tmerrojnë, në to e shoh veten të vogël, kerthi, i humbur e gjithçka e ndiej veten, vetëm e vetëm që të mundem t’u ik këtyre përsëri i shtrëngoj grushtat, i bie dikujt, ndoshta nattës, shaj pështyj dikë, ndoshta përsëri natën këndoj dikë, ndoshta përsëri natën… dhe kështu po krijohet vetvetiu kjo dramë për natën e zezë kur i shkrova një miku që nuk është e është në këtë natë…


(Unë jam i dobët vetëm nga tepërsia e fuqisë!) 

Po e ndaj natën, një pjesë është e imja, pjesa tjetër e tija dhe tani këto dy pjesë po i bashkojmë në një, në një fuqi, dy grushta në një dhe përsëri po i bijmë malit që s’bëzan (Migjeni) apo natës dhe do ta bëjmë copë e grimë, kështu do të jemi të lirë të shikohemi, të flasim, të qajmë të këndojmë, të thërrasin njëri tjetrin, të krijojnë botën, ashtu siç kemi ëndërruar dikur në fëmijëri apo diç tjetër, për të gjitha këto këndojmë e qajmë, të heshtim dhe të flasim. E përsëri do ta dashurojmë heshtjen e zjarrtë, atë heshtje që nuk do të jetë vetëm heshtje. Do të jetë akull, ujë bore, e shumë trajta të tjera siç është vetëm bota e infektuar nga njeriu apo njeriu nga bota. Këto nuk kanë rëndësi. Por mëso vetëm një gjë: Unë jam i dobët vetëm nga tepërsia e fuqisë! P.S. (Eh, Beqiri- përherë ndjell një tragjikë në vete…) Ndoshta nuk ka nevojë të komentohet i gjithë ky përjetim kur mora të përgjigjem në dy letrat tua që i mora (një letër dhe një panoramë). Sepse, për çdo ditë kam pasur ndërmend të të shkruaj, e nuk kam mundur, më ka munduar mu kjo gjë që prapë më mundon dhe në atë mënyrë edhe u shpreha. Një gjë duhet ditur, po shërbehem me një varg të Teki Dërvishit : ‘’Edhe kur të shkruaj letrën nuk ta dërgoj, dije je në mua – edhe njashtu të kuptoj!’’. Prandaj këto gjëra, rrethanat, gjendjet shpirtërore në meditimet e fundit ( siç e zbraza në këtë letër e zila është dhurata më e madhe që mund të ta dhuroj në këtë rast – sinqeritetin të djegur si shpuzën në këtë letër të bardhë) kanë bërë që të vonohet kjo përgjigje. Për të gjitha këto, pasi t’i biesh anë e tej kësaj letre dhe pasi ta rilexosh edhe një herë: do të mendosh dhe do të thuash: Eh Beqiri – përherë ndjell një tragjikë në vete, e mund të shtosh, ose ajo e ndjek atë, njësoj, njeriu lind si i tillë edhe pas njëqind viteve prandaj asgjë mos të të brengosë gjersa lexon këtë letër, të rëndomtë,sipas meje. Më shkruaj se a po të vjen ‘’Zëri i rinisë’’? Ta kam parapaguar për 6 muaj. Pra, po e përfundoj këtë letër duke të dëshiruar çdo të mirë dhe fjalët tua për mirëvajtjen në atë vend – të lirohen nga thonjëzat. Tek e fundit thonjëza e pa thonjëza jeta kalon. Prishtinë, 16 tetor 1969. Beqir Musliu Rruga e Beogradit 2:/A ‘’Zëri i rinisë’’ Prishtinë.

Një jetë të tërë bashkë, derisa Beqa iku në Përjetësi

Shënim: Hasan BUNJAKU: Adresati i kësaj letre, më 1969 gjendej në shërbimin ushtarak të ‘’APJ’’, dhe, meqë atëbotë letërkëmbimi ishte mjet i vetëm komunikimi e letërdërguesi me letërmarrësin ishin miq të kahershëm, gjatë tërë kohës sa ishin larg njëri-tjetrit, korrespondonin rregullisht me këso letrash. Zatën, siç do të vëreni, letërmarrësi,(edhe) në këtë rast është vetëm pretekst, subjekt inspirimi, e cytës, shkas që shkrimtari, edhe atëherë tashmë i mirënjohur – në të vërtetë të krijojë një Ese për Vetminë, Pagjumësinë e sëmurë dhe Heshtjen e Zjarrtë. Andaj, e pamë të udhës, që sot, pikërisht në 70-vjetorin e lindjes dhe 19-vjetorin e vajtjes sç tij në amshim të dërguesit të kësaj letre, ta bëjmë atë publike. Edhe në këtë letër fare mirë pikasen pikëpamjet, këndvështrimet, observimet, rezonimet, meditimet, refleksionet, credoja dhe vokacioni krijues i Beqir Musliut që para afro dyzetëegjashtë vitesh.

(P. S. Mbititulli, titulli, nëntitulli dhe mestitujtë, dhe sqarimi në fund të letrës, janë të miat; ndërkaq që këtij shkrimi original të mikut tim Beqir Musliut, nuk i është bërë kurrëfarë ndërhyerjeje tjetër as gjuhësore, as drejtëshkrimore, as të asnjë natyreje tjetër.)
(Hasan Bunjaku)

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen