Montag, 22. September 2014

Ajet Shala - Katër poezi


E SHIJSHME SI VERË KHAJAMI

Nga lulebore bjeshke Kelmendit mes magjisë 
Mora petalet dhe ballin tënd e mbulova 
Shkronjat mora nga alfabeti i dashurisë 
Me plot emocion emrin tënd e shkrova.

Cila lule më mbeti me ty pa e krahasuar? 
Të kam përshkruar me më të bukurat që ka bota 
Në prill një tufë mimoze për ty e mora në duar 
Dhe aromën e bukur për ty e shijova.

Në mendjen time përherë je e zgjuar 
Në secilin varg ti mbete si kryefjalë 
Të skalita bukur porsi një statatujë të bekuar 
Mbetesh e palëkundur si guri në murin e gjallë.

Lulja në mëngjes në kopështin tim derdh polen 
Shpirti dhe zëri yt o engjjëllushe ma ndrit përherë 
Je vesa e mëngjesit që freski më sjell 
Je kanarina që në zemrën time ke folenë.

Zëri yt drithëron bukur si tingull violine 
Fjalet e bukura që më thua më duken si hojë 
Lanë gjurmë të pashlyera në mendjen time 
Janë kënaqësi e ëmbël, por si mjalti në gojë.

Ata sy të bukur zi por si kokrra rrushi 
Ju bën hije vetulla jote si teh jatagani 
Por si Monaliza bukuria e jote hyjnore si prushi
E mira, e shijshmja si verë Khajami.



ENGJËLLIT TË KOMBIT SHQIPTAR

(Anton Çettës)

Nga lulet ylberore mes fushave e maleve në Kosovë
Mora petalet aromatike për ty, o hero kombëtar
Dhe në mermerin e zi vura shpirtin në secilën shkronjë
Ku lexova me emocion “Anton Çetta legjendar”.

Fjala jote mentare na bashkoi në stinë me borë dhe me shi
Të gjith shtrimë duart e thamë se jemi vëllëzër të mirë
Bjeshkët, burrat e fëmijët si pëllumba sot janë të lirë
E plaga e kombit u trajtua si ballsami yt në shërim.

Sa në tokë të jetë njerëzia, o engjëlli kombëtar
Vepra jote do kujtohet përjetësisht në histori
Jemi të lirë të shohim yjet e mëngjesit në qiellin e larë
Me ato rreze të arta që hapen gëzueshëm, në Dardani.

Fëmijet e lirë si engjëj rreth varrit tënd fluturojnë
Mbledhin për ty lulet më të bukura hyjnore
Më kënaqësi të veçantë ta thurin një kurorë
Mbi mermer me fjalën “LAVDI” e lëshojnë.



JETËN BORGJ JA KAM ATDHEUT

Brenda atdheut isha plot për tre dekada 
Sa të jam gjallë malet e livadhet ia kam në gji 
Mua më ka borgj dy metra për varr me lule të freskëta 
Ndërsa unë i kam dhe jetën e fëmijëve të mi.



KORBËT E ZINJ

Ti pjellë e së keqes 
Që ushqehesh për mbi varrezë
Katram nga një rrëmb i kalbur 
Kërkon asht e damar
E një shekull të tërë kërkon 
Një fole në oxhak
Një vend të tërë e shëmton 
Dhe e bën të zezë.

Aty pranë kërkonin të na mbulonin 
Si sorra me ferexhe 
Për të na çoroditur kopshtet 
Mjekrroshat leshamana
Mbi kokat tona për të na nxirë plisat 
E bardhë me shamia
Për të nisur e kompozuar
Një këngë shumë të keqe.

E laraskat i urdhërojnë 
Të formojnë orkestrën e zisë
Telin e lahutës kërkonin 
Ta bënin pantallona të shkurt 
E furkat dhe djepat pa ninulla 
Si çerdhe t’i ndërtojë sërish
Pa tenor e simfoni 
Lot e vaj për t’i bërë Shqiptarisë.

Mbi murët e kullave të mbijë bari 
E dera me ferrë
Mbi oxhaqe të rrënuara 
Të qendrojë shpendi i keq shtrigan
Të mos shihën frëngjitë 
E tymosura nga baroti që digjej njëher
Të mos ngrihet zëri 
E të mos bjerë asnjë tupan.

Ooo, po ç’është kjo ndjellje 
Për një dasëm që kërkoka zinë
Nga Karpatet ftohen hienat 
Për gjamë e ulurimë
Të mos bjerë më sharkia 
Kënga jonë aty ku të ngrijnë
Të përbaltet lashtësia 
Mbi themele në mbarë Arbërinë.

Një gjë le ta dijnë laraska e kukuvajka 
Sorrat e korbat e zinj
Se në këto troje përmbi shkrepa 
Ka fole shqiponjash.
Zogjët i rrisin me kujdes 
E fluturojnë mbi Shqipëri
Do ju shkulin puplat në kohra 
Do ju ndjekin për në Azi.

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen