-
(Fehmi Qerimi, „ATY KU S’JAM UNË“, poezi, botoi Shtëpia Botuese „BEQIR MUSLIU“,Gjilan 2014, faqe 120. ISBN 978-9951-594-42-4)
Nga Shefqet DIBRANI
Pas librit të parë „Klithmë kohe“ që është botua vitin e kaluar, Fehmi Qerimi e pasuron opusin e tij letrar me një refleksion tjetër poetik, i cili vjenë si vlerë dhe përmbajtje më e avancuar, tamam si një “rikthim/ te vetja/ te burimi i vjetër”, (f. 8).
Edhe ky libër është një vazhdimësi e përjetimeve reale që janë sistemuar dhe strukturuar në vargje poetike të cilat rishfaqin jo vetëm përjetime, por botën e tij ideoemocionale. Atje “tek lind dielli im/ mendja/ më pushon”, (f. 8), që dëshmon se ky vëllim poetik është rezultat i përkushtimit, kurse shumë ngjarje janë shndërruara në përjetime të cilat ngërthejnë vlerën e mendimit poetik, që në formë poezie shijohen dhe përjetohen më mirë edhe nga lexuesi i rëndomt. Këto përshkrime të artikuluara dhe të strukturuara si poezi, janë një lloj përpjekje për të lënë gjurmë në fushën e shkrimeve poetike. Tamam një lloj rrugëtimi për të lënë gjurmë: “Duke ecur shpesh/ kthejmë kokën mbrapa/ Ku (s)ishim/ gjurmët mbetën/ Diku kah fundi/ na zdritin sytë/ Kur prekim ecim”, (poezia “RRUGËTIM”, faqe. 18).
Nëse merret parasysh se shumë emra të njohur e kanë nis me poezinë për të përfunduar në zhanre të tjera, (madje duke u bërë të famshëm në angazhimet e tyre letrare e studiuese), ka mundësi që edhe për Fehmi Qerimin këto nisma, të jenë shpërthime, të cilat mund të kurorzohen me arritje të tjera. Megjithatë, poeti me vetëm këto dy përmbledhje poezishë, ka bërë një copë rrugë drejt një të ardhme më të afirmuar, pasi vet e potencon se “Këtu ku jemi sot/ arritëm për një trohë”, (poezia “RRUGËTIM II”, faqe 20).
Poeti, edhe në këtë libër nuk iu ka shmangur motivit të mërgimit që është pjesë e jetës dhe gjallërimit, ku metafora e mërgimit shprehet herë si mall e herë si forcë: “Shtegtar kaltërimesh/ skajeve të tërthorta/ nostalgji me lot/ për hatrin tënd/ Ngjyrave pa shije/ netët s’i numëroj/ ëndrrave përgjumur/ plagët i arnoj”, (poezia “SHTEGTAR”, f. 28).
Por, poeti është i vetëdijshëm në përcaktimin e fatit, prandaj ai përpiqet ti ilustroj ndjenjat e shprehura nëpër vargje, si një kthim, qoftë ky i shprehur vetëm si lajtmotiv i poezisë, duke e bërë kthimin edhe më melankolik sepse poeti dëshiron “t’i bie malit përmallshëm/ e t’i shoh lisat qysh po rrojnë”, (f. 31). Natyrisht, potëve të mërguar u ndodh kjo ndjenjë e ky përjetim, pasi në vendlindje i kanë nisur sfidat e jetës, të cilat i shpërthejnë herë herë në mënyrë emocionale, kurse hovet e kohës e kanë bërë poezinë e tij me elemente elegjiake dhe të përjetuara si “ëndrrat (që) mbesin sall motiv”, (f. 34).
Gjithsesi poezitë e këtij libri e avancojn vlerën poetike të këtij autori i cili ligjërimin poetik e artikulon në një nivel të pranueshëm. Poezitë e këtij libri, kanë një ligjërim të rrjedhshëm poetik, qoftë si ndjenjë dhe përjetim, dhe janë të shkruara ashtu në mënyrë spontane, frymëzime që kanë qartësuar mesazhin e një refleksioni a synimi poetik, por që paraqesin një lloj mozaiku të jetës në miniaturë. Fragmentet e përjetimeve poetike na bëjnë të vëmendshëm se Fehmi Qerimi, ka hyrë në portën e shkruesve të biografive letrare pasi “aty ku s’jam unë/ fjala ime rron”, (poezia “METAMORFOZË”, faqe 48. E cila në një interpretim të lirë do të tingëllonte se “aty ku poeti s’është, poezia e tij do të rron”.
Poezitë e këtij libri, në aspektin teknik përbëhen nga vargje të shkurtra, por në aspektin estetik kanë një mesazh të rëndomt i cili lë për të besuar se poeti do të vazhdon, për ti sforcuar metaforat dhe për ta avancuar anën estetike të poezisë.
Për ta konkretizuar më mirë këtë mendim këtu më posht po i jap dy poezi të shkurtëra:
KONTRAST
Po u nisëm nesër
E sotmja mungon
Po s’u nisëm sot
E nesërmja nuk vjen
(faqe 70)
Ose
TEK AJO RRËNJË
Kur të zë nata
E këmbët s’të mbajnë
Ulu pusho tek ajo rrënjë
Kthimin tënd kujto
(faqe 71)
Motivet e poezive nisin nga dukuritë e ndryshme, ku jeta sociale, malli për familje, dashuria për atdheun dhe dukuri të tjera të shoqërisë njerëzore janë pjesë, jo vetëm e motiveve por e jetës në përgjithësi të cilën “e kanë thënë me mijëra herë të parët/ ku s’nxirren mësime historia përseritet”, (faqe 82).
Figurat poetike, vlerat esteteike dhe komponentet tjera që e bëjnë vlerën e poezisë, janë mjete letrare të cilat hyjnë në funksion për ta krijuar figurën poetike, a për ta përcaktuar mesazhin letrar të saj. Sidoqoftë këto imazhe janë pjesë e games krijuese, gjëra këto të cilat duhet të përpunohen dhe avancohen nga libri në libër.
ERË E BRISHTË
Vetja më duket sikur erë
S’më sheh kund a më ndjen
Me sy të mbyllur si dëshirë
Në buzët tua bëhem verë
Më i zjarrshëm se kurdoherë
(faqe 106)
Po ashtu, poeti në konceptimin e përmbledhjes poetike nuk ka bërë përpjekje për t’iu shmangur forms tradicionale të librave poetik. Këtë mendim po e ilustrojmë me të dhënën se edhe ky libër është ndarë në mënyrë klasike në katër njësi ciklike: “Dallgë shtegtimi”, “Simbiozë shprese”, “Metamorfozë e lirisë” dhe “Dioptri zemre”.
Në këtë përmbledhje poetike, aty këtu, po më shumë nëpër ciklet e caktuara, sikur janë sitemuar poezitë që kryesisht merren me aspekte meditative që lidhen qoftë me mërgimin apo edhe me fatet historike: “Në pikë të verës/ kokrra e grurit përtokë hidhet/ e/ Breshër bie/ në Pikë të dite/ mbi përmendore”, (faqe 65).
Këto poezi përjetohen si reflektim i realiteteve të cilat autori si mërgimtar në dhé të huaj i ka përjetuar, me ç’rast ka portretizuar jetën në mënyrë letrare. Këtë fenomen e ndeshim nëpër vargje dhe poezi të caktuara, sidomos në ato poezi ku shprehet më qartë jeta larg familjes, mungesa e rrethit dhe shoqërisë nga e cila ai ruan vetëm kujtime dhe portretizon të kaluara pëmes poezisë, ndërsa “lotët çurg më shkojnë/ si nëna me djalin/ pa u parë frymojnë”, (faqe 24).
Thënë më thjesht, portreti i mërgimtarit, nëpërmes vargjeve vjen mjaftë i avancuar, qoftë ky si imazh poetik apo realitet i përjetuar, sepse nëpër vargje të shumta ai e ndërlidh me sukses jetën e tij në mërgim, me familjen dhe shoqërinë që i ka lënë në atdhe, komponete këto që ngërthejnë një dashuri dhe nostalgji të fuqishme për vendlindjen, për të cilen gjenë forcë e mjete letrare për ta idealizuar ngadhnjimin si një mrekulli, (e theksoj), qoftë kjo vetëm metaforë poetike dhe letrare. Me këtë rast ne po theksojmë disa vargje, sa për ta plotësuar këtë mendim që theksuam më lart: “larg nga ti udhëtar/ pa ditur kah të shkoj/ asnjë hap s’e bëj pa thirrur oj NËNË”, (f. 13), “Në Zvicër seç rrjedh loti/ shkrirë në dy rrafshe prehet moti”, (f. 17), “Udhën që s’e desha/ e mora një ditë/ Tek perëndon dielli/ MOLLËN e kafshova”, (f. 21), “sa herë e sa keq veten mallkova/ dherave të huaja pa dashje luftova”, (f. 38), ose “Guralecë shtegtarë/ infantilë klosharë/ barkun pashallarë/ plehra të patharë”, (f. 86), e “rrugët le të këputen/ askund të mos më çojnë”, (f.92), etj.etj.
“Pothuaj çdo poezi... ka një vlim shpirtëror, një shpërthim ndjenjë, një revoltë, por edhe një mesazh për të dalë ngadhënjimtar në këto dallgë të shpirtit te trazuar”, është shprehur recensenti i librit Izet Avdyli, kurse autori në ciklin e dytë ,,Simbiozë shprese”, ka të theksuar më shumë elementin meditativ në poezi nëpër të cilat “të mos ia fusim kot/ se dita nuk është veç bardhezi”, (f. 58), dhe në të tretin ,,Metamorfozë e lirisë”, na sjell më shumë lirika poetike me nuanca melankolike, ndoshta për vet faktin se poeti ka mall dhe njëkohësisht edhe dashuri, kurse “Lotët e fëmijërisë/ rrëshqasin dhe sot/ mbi atë peizazh mali/ dejve të lumit/ ndjenjë e njomë malli/ nëpër kohë rrjedh”, (f. 67), pasi siç shprehet poeti “Kur ia behu paqja/ na futën në rishikim”, (f. 68).
Kjo ndjenjë mund të imagjinohet nga hovet e krijimit, në cilin moment frymëzimi paska qenë kur i paska shkruar këto vargje me nota sentimentale të cilat duken më të përjetuara, ku shprehin një mall të pashuar ose në të kundërtën aty ku ka elemente gëzimi, shihet një realizim dhe idealizim i theksuar, që shprehet me një sarkazëm mjaftë të stërholluar tamam si “Fusnota/ mes kohësh pa nota/ pa fije shije/ përditë ngapak”, (f. 86). Kurse tek poezitë me elemente lirike e gjejmë atë fijen e shpresës, të triumfit që manifestohet si një lloj ngadhënjimi poetik, “Jashtë ritmit të kohës/ mllefin balsamoj/ Lotët më tradhtojnë/ poezia ime a je ti?!”, (f. 103), ndërsa poezitë e këtij libri, si tërësi përshkohën me elemente të shumta metaforike që i japin në përgjithësi vlerë librit.
Metafora e titullit “Aty ku s’jam unë”, është një mall i pa shuar, apo “një shpërthim ndjenjash të brendshme, të cilat janë sa aktuale, aq edhe emocionuese, për fakin se, e tërë poezia e tij, e kësaj vepre, sikur është e kthyer apo e frymëzuar kah konfiguracioni atdhe – mërgim”, ka theksuar, Tefik Selimi, në një shkrim për poezinë e këtij libri, i cili duket si një konstatim mjaftë i saktë për ta shtjelluar metaforën që e ndeshim qysh në titullin e kësaj përmbledhje poetike. E, këtë konstatim e sforcon edhe më shumë poeti dhe kritiku letrar Arsim Halili, i cili thekson se poeti “vargun e ka ndërtuar me refleksione të qartësuara, ndonëse në tematikë nuk ka ikur shumë nga libri i paraprak, veçmas kur në fokus ka atdheun dhe mërgimin”.
Përfundim: Ky libër i avancon vlerat letrare te këtij autori, në anën tjetër vë në pah disa refleksione të dallueshme letrare në relacionin “atdhe-mërgim”, ku “zemra si rri rehat/ në dy botëra refugjat”, (f. 19). Pra, metafora “atdhe – mërgim”, si duket i ka krijuar poetit një lloj “privilegji?!”, që pastaj këto motive, këto përjetime, si ndjenja ia paskanë ngjallur muzën krijuese.
Pra, le të shpresojmë se poeti “në këtë arkipelag që është zhytur/ herë të tjera do të nxjerr librin faqendritur”, (e interpretuar sipas poezisë “LOTI LUMIN NUK E NDAL”, f. 17).
Zürich, 14 qershor 2014.
*Ky vështrim kritik është botuar në gazetën "KOSOVA SOT", Prishtinë, 21 qershor 2014, faqe 36.
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen