Samstag, 6. September 2014

Reshida Çoba - Cikël poetik


PUTHJA E LYPSARIT
 
Puthmë, puthmë... lermë të të puth!
Nuk kam puthur kurrë
një grua kaq të bukur.
 
O Zot... çfarë po ndodh
nuk paskam vdekur?
Po ndiej të puth një grua, lërmë të lutem,
i lumtur të ndjehet një lypsar.
 
Në dorë mbante një shishe uiski
që përkëdhelej andej-këndej,
fliste fjalë të bukura për gruan,
kërcente, recitonte,
vargje nga i dehuri... Heminguej
me vështrimet e shpirtit, përkëdhelte trupin tim
vazhdonte të hapte krahët, si Meridian
dhe lutej... eja me mua,
mbështetu në përqafimin tim,
Ju s’e dini sa të lumtur
do bëni një lypsar si unë
do dua të rroj shumë,
do rroj vetëm për ty, do lutem, për ty.
 
Tërë jetën… në netët e mia
të akullta, nga të ftohtit mbi sy
shoh vetëm një ëndërr... sikur puth një grua,
ja... kështu si ty,
me këtë fustan plot lule dhe sytë kaq të kaltër
si e kaltra e luleve, që buisin
...e mbaj mend
dhe këtë mëndafsh që prek lëkurën tënde
të lutem, lërmë të të puth, lermë të të gjej
ty... që nuk di akoma në të kam gjetur!
 
Dhe vazhdonte të humbte në kërcim
me përplasjet e fuqishme, të thembrës në tokë,
u ngjanin puthjeve prej malli, obsesive
të përsosura, nga buzë të tendosura.
Hapa derën... hyra në shtëpi pa zhurmë,
kisha frikë mos trembja lutjet, kërcimin
mos shurdhoja zërin e tij të bukur
 
Kam qarë dhe kam kërcyer
në dyshemenë e dhomës,
jashtë e nxora ajrin, gjithë puthjet e mia
dhe jetën time
e zbraza nga çdo orendi,
kërceva dhe qava,
recitova po aq e dehur... si ai.
 
...ishte tronditur kujtesa ime
mbi fytyrë vizatoja hije dëshirash... humbjesh
jetë të dhuruara keq... dështime lëvizjesh
ndjeva se isha kthyer, nga një funeral
ku nuk kisha shkuar, për të vdekurin,
por për të lindurin nga vdekja... si detaj.
 
I mbylla sytë... dhe ai ende
në atë errësirë të trishtë nate, më lutej:
“Lërmë, lërmë, të të puth!"
 
Los Angeles 7/30/2014 2:09 AM
 
 
PARA NENES DHE KAFES
 
Para nënës dhe kafes
gjithmonë shkoja e bukur
flokët krehur plot kujdes
vendosja gruan e lumtur mbi takat e kuqe
të nisej... dhe me dredhinë e bijës
nën një rrip të hollë
fshihja dhimbjet në bel.
 
Sa shumë e doje ti këtë takim
(unë sa e doja)
Në sytë e tu bojë kafe shihja çdo ngjyrë
në duart e tua numëroja botët
dashuritë… gishtat e tu të lodhur numëroja.
 
Me mallin dhe kafet nëpër duar
zbulonim sekretin e ikjes shpejt të kohës
pjesëtuar me nënën... gruan... bijën.
Kafja ishte si një tokë e butë
ku ti dhe unë me mallin për njera-tjetrën
ecnim në të djeshmet dhe të nesërmet
duke prekur, zbutur dhimbjet e njerëzve
 
Ehhh… sikur të ishe nënë
dhe më e bukur do të bëhesha...
 
Nga malli i madh që kam për ty
në avuj lotësh më kthehen avujt e kafesë
sa herë që e pi vetëm, i kam në grykë
dhe rrëzohem... shkundem si një vjeshtë
 
Zgjohu nënë... jam unë
thonë se s'ngrihesh dot
thonë... se ke vdekur
(por mundem unë ta besoj)
ndaj mora një re në duar
e nisa me avujt e kafesë
që nga Los Angeles për në Korçën tonë
Zgjohu nënë ... kam dhimbje sa bota e tërë
zgjohu… është mëngjes.
 
 
KAM PARE SY
 
Kam parë hapësira sysh
(kam parë sy)
nuk ngjajnë me qiellin as me detin
si dy satelitë të dështuar
vërtiten në fytyrë,
nuk mbjellin vështrime, ngjarje nuk përcjellin
perpendikular flenë me dyshimet.
 
Syve të tillë, çuditshëm rrinë dhe qerpikët
të gatshëm për kurthe.
Prej së voglës retinë
distanca të mëdha frike
përcjellin imagjinatave,
 
Lotë nuk zbresin kurrë
gurë ju pikojnë
dhe çjerin fotosferën
thurin mjegulla blu
(kështu ndodh me ta)
...nonsense.
 
Kanë gjetur mënyrën më të çuditshme për të jetuar,
...nga vdekja e dritës.
Nuk shikojnë asgjë që është e vërtetë
ah!... sikur të paktën të shihnin
...Qiell
 
Unë kam parë sy të tillë
dhe kam thënë:
"Sa fatkeqe shqisat e tjera të fytyrës
që bashkëjetojnë në një fytyrë me ta"
 
 
LUKSI ME ARIXHIJ
 
Nuk isha ende 15 vjeç
nuk shkoja në disko... në piano bar
Kalldrëmeve të Korçës, po lija pas vajzën e vogël
përdore me këngët… serenatat
… dhe ahengun e arixhinjve në mëhallë
 
Filloi arrixhiu… Ramadan
 të shtonte darkat dhe sazet,
 një herë për vete, një herë për motrën,
 për vëllanë… darkën tjetër… e bëj për babanë
 
Po çmendej Ramadani me veten
 flokët gjithë brilantinë… mustaqet i ndërroi,
 shtoi një dhëmb tjetër, floriri në gojë,
 por zëri po i mekej… sa herë që thosh
 do të vijë prapë në aheng... leshverdha e bukur,
 ajo leshverdha prej soji
 
Me dantella, si kurbatkat
 më qepi mamaja një fustan,
 bleva një ton fytyre, me ngjyrë fare të errët,
 dhe pse nuk e ndryshova dot lëkurën e bardhë,
 shpirtin e qepa njëlloj si ezmeret
 
Tërboheshin arrixhinjtë,
 këngë kurbatçe po mësonin
 dhe gurët plot aristokraci të Korçës
 unë vetëm përcillja kureshtjen, gëzimet e tyre
 përcillja habitë... pyetjet e moshës.
 
Qysh atëhere mbaj mend
 dëshirën për t’i mësuar vetes
 ç'do gjë të re… me të kundërtën e shoqeve,
 të kundërtën e së zakonshmes
 
U rritën pazaret dhe bastet,
 në lojën e xhambazëve, njëlloj si për gomerët,
 sa herë që ziheshin për mua,
 kush do të ulej pranë… kush do cikte pa dashje
 gjoksin e madh të leshverdhës
… dhe xhelozia e arrixhinjve u rrit
 por më shumë ajo e grave,
 unë besoja akoma në mospërzierjen e ngjyrave,
 në lehtësinë e rrëshqitjes… mësuar në format konkave.
 
Jetova si grua e bukur… e përkëdhelur,
 me nazet e lëkurës së bardhë.
 por një ëndërr që doja... ta shihja me një arrixhi
 (sa vite kam që e pres)… nuk e kam parë
 
Dhe nuk di akoma... cilin të zgjedh për këtë ëndërr,
 Ramadanin, të jatin, apo vëllanë… Gurali,
 (më mirë po ja u lë atyre ta zgjedhin)
 për mua mjafton të jetë,
 veç njëri… nga këta arixhinj
 
Pastaj unë ika, i humba kalldrëmet,
 erën e mollëve të Korçës
 por akoma këndohet kënga... mbeti histori
 si ziheshin jo vetëm arrixhinjtë... por dhe klarinetat
 kush do zgjaste kokën me afër
 të vështronte sytë e bukur të leshverdhes… gjoksin
 
Shijova netë… me më shumë muzikë,
 dhoma me shumë luks... me më shumë dëfrim
 por akoma se kam gjetur lluksin e mendjes,
 si në dhomat pa mure… me arrixhinj...
 
 
 
ENDERR ISHTE... MOS?...
 
E zemëruar më rri nata
 kur humbas rrugët më nuk më flet
 u lodha së ecuri, ne endërr me një burrë
 më duket nga gjestet
 do të jetë poet
 
Nuk flasim kur ecim
 (se në fillim unë kam ca si turp),
 tërë kohën vetëm recitoj rrugëve
 ulemi të pimë ndonjë kafe
 gjithmonë në west
 atje i shoh vetëm sytë
 nën hijen e dy vetullave
 dhe me mendje i mat perimetrin e buzëve
 
Pastaj fshehurazi mbledh avujt e kafeve
 (pak më shumë ato të tijtë)
 gjithë format sipër nesh të reve
 dhe i zbraz në një gogel
 (do t’i pyes me vonë)
 besoj në gjykimin prej lartësive
 në mençuritë e densitetit të vogël
 
Nganjëherë eci mbi shkrime
 po trembem mos e shkel diku
 dhe rri e vras mendjen
 mos i kam parë atje, këto buzë burri
 këta dy sy të çuditshëm të tij
 
Në një nga ëndrrat mu duk se donim
 u puthëm pak në cep të buzëve
 pastaj të trembur u zgjuam
 bërtitëm
 mëkat!
 u shndërruam në forma, në pika
 si pluhur, në kurrizin gungaç të rrugëve
 
Mos e lamë për më vonë
 apo gabova unë, që e dija
 se ëndrrat e zgjedhin vetë
 natën kur do dashurohen
 
E di ç’bëra një natë
 e kapa ëndrrën dhe me sytë e mi
 dhe dy sytë e tij i vura afër
 u bëmë katër
 ngrita shpejt një perëndi të re
 dhe ju luta për të dy
 të na mbante disi me hatër
 
Dhe ja, u puthëm më në fund
 u puthëm gjatë sa nje shekull
 kur u zgjuam nuk ishim më në tokë
 në qiell kishim fjetur
 mbërthyer në gjokset e njëri - tjetrit
 
Ah, mos bëra gabim që fola kaq hapur
 dhe ti Reshida nuk di të ginjesh
 aq sa të devijosh një ëndërr?
 
Ose dhe më keq akoma
 këtë këngë të çmendur?
 
Mos i ke parë në ëndërr tërë këto ëndrra
 mos i ke lexuar në letrat e tua
 nga ato që shkruhen vetë në gjumë
 Mos...?
 
 
 
LETRA E GRUAS
 
Kush ishte puthja e fundit që dhamë
 as prekjen e fundit s’e kujtoj dot
 si mu rrëzua ashtu fjala zemër
 nga duart
 e dhembur me hallin tim iku
 e s'u kthye më
 as sot
 
Kush ishte meraku im i fundit për ty
 Natën kur fjetëm pse s’e mbaj mend
 Si e grisa ashtu, letrën time prej gruaje
 trembur nga sulmet e inatit tënd?
 
Kush ishte e fundit frika ime për ty
 Ajo që në shtrat të hyra
 mos kishe ftohtë
 e zhvesha lëkurën time të bardhë
 dhe ika
 ika pa lëkurë
 Aty e ke akoma në shtrat,
 ajo të mban ngrohtë
 
Cili krah nga të mitë
 të përkëdheli së fundmi
 fytyrën tënde si foshnjë e mbajti në duar
 "Mos shpirt","mos e tremb",
 dashuria është si një bebe
 dhe që beben e syrit s’e ka akoma të kuptuar
 
Atëherë le të digjen ditët
 Më dot s’i shuaj
 me mallin që djeg
 Le të çmenden netët
 më dot s’i ruaj
 më dot s’i prek.
 Nuk kam më foshnjen, nuk të kam ty
 Nuk i dua më në fytyrë
 as këta dy sy.
 
 
 
PUTHJA - STATUJE
 
Të kam futur e nxjerrë
 nga të gjitha bagazhet,
 me shpresën e mospaketimit përsëri,
 e rëndë për udhëtime
 kjo statujë mermeri,
 gdhendur për puthjen tonë
 me aq dashuri.
 
Nganjëherë besoja se mundesha,
 fshehur nga vetja të të hiqja,
 të t’lija diku,
 kur ndërroja aeroportet.
 radhë -radhë
 
Eh, sikur aq lehtë të lëvizej statuja
 për të vënë aty një të gjallë,
 (naive më dukej vetja pastaj).
 
Doja ta harroja statujën,
 sytë plot mall nga më shikoje,
 me sigurinë e mbylljes shihja
 ngushticën e harrimit, dhe pse kurrë
 nuk të harrova.
 
Nga mbrapa më vinte puthja,
 kujtoja çdo fjalë tënden,
 statujën grua të Canova-s
 (e mban mend?)
“I ngjan në forma...” sa shpesh më thoje.
 
Fillova të mendoja të tjera puthje,
 të tjera netë që s’do kishin emër,
 të harroja dashurinë e burrit
 me drithërima statuje në zemër.
 
Dhe ndodhi…
shpesh e gjeta kozmosin tim,
 arsyen disa hapa më tutje
 ta harroja statujën dashuri,
 kur shkoja të puthja
 një tjetër fytyrë,
 fytyrën tënde
 mbërthyer gjeja aty.
 
 
 
PUTHJA
 
Të të puthja mirë
 Ndaj prita kaq gjatë
 Prisja ndonjë ditë
 Kur mos kisha flakë
 
Kisha frikë nga flaka
 Se e kisha parë
 Me ashkla prej mishi
 Ndizej si e marrë
 
Se ka buzë gruaje
 Që e ndezin burrin
 Pëlqen të digjet natën
 Si do të digjet druri
 
Për buzët e mia
 Nuk më prishet punë
 Buzë kurre s’kam pasur
 Thëngjij atje kam unë.
 
 
 
 HAIKU PER VAÇE ZELA
 
Sa shume pika shiu
 po humbin rrugën sot
 mbetur në lotët e njerëzve.
 
 
 
HABITEM
 
Habitem me ato shtrirje të trupit
 që vinë, kur s'ndjen asnjë lëvizje
 përdridhen si gjarpër
 vallëzojnë mbi lëkurë
 duke shpjeguar format e qenies
 në zgjerim, në përkulje
 në mbërritje.
 
Sa të çuditshme këto shtrirje
 (s’di pse diçka dua të zbuloj prej tyre)
 vështroj si dalin nga cepat e trupave
 dhe si ajka e butë e qumështit zgjatin kokën
 në paqe braktisin heshtjet, ngecjet
 vallëzimet e molekulës
 rreth boshtit imagjinar
 ti shpjegojnë botës.
 
Ç’do lëvizje e tyre
 ju ngjan reve në zgjerim
 universeve ne ikje, në shtyrje.
 
 Secili nga ne, me mirësi e le trupin e vet
 të formohet, të shtrihet
 pa e bezdisur, pa e pyetur pse
 (e dëgjon kur thotë, jam pak univers
 nuk çuditet))
 vështron përkëdheljet e tij
 si trupat në kozmos, më i lehtë si bëhet
 si flori mbi peshore, më i rëndësishëm si ndihet.

_______________
Për Revistën "AlbPlanet": Ligor Stafa

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen