Freitag, 12. September 2014

Haxhi Muhaxheri - Buqetë me poezi


01. LIRIKË ME PËRDHUNË

Të kujtohet ndajnata
kur në kryqëzim sysh
lexoja biografinë tënde
dhe fjalë e ndryrë në gojë
qëkurthi e ruajtur vetë për ty
që edhe sot mendoj...

se kurrë nuk ta thashë vetë
po zëri i brëndisë
ai zë që dëgjohet
vetëm në ligjerim zemrash


Të kujtohen fjalët tua të brishta
dhe bisedat e amullta
kur me plot mund
pushtoja foltoren e bindjes
dhe fillonte kënga e psherëtimave
kënga që aq shumë ia pate frikën
po edhe dashur e ke aq sa unë
dhe pas të gjithave më pate thënë
se tash ke gjetur
princin mbi kalë të bardhë
yllin e dashurisë

E unë tretësha në mendime
sa herë dëgjoja radion
të fliste për atdheun
për dhunën
që u bëhej vëllezërve të mi
dhe i mllefosur të pata pyetur
si të mendoja për yllkën e dashurisë
kur populli vuan për dritën e lirisë
të drejtën e harmonisë kozmike

Mars, 1991



02. LETËRKËMBIM

Mora letrën tënde shkruar me fjalë malli
fjalë zemre për mua yllin e dashurisë sate
dhe si i krisur zura të bisedoja
me fotografinë tënde vendosur mbi tavolinë
dhe mallkoja ditët që pa ty më gdhijnë

Mike
Të ne punët prapë nuk venë mirë
dorë e hekurt
pareshtur mbi kokat tona rëndon lëndon
ushtaret kthehen në arkivole përsëri
e ne presim Çmimin Nobel
për mendjen e durimit

Me vite prita të mësoja
e ende nuk e di
durimi është pjellë e vdekjës
a vdekja pjellë e tij

E di moj
do të thuash durimi ka kufij
po polemi di më mirë se ne të dy
a duhet flijuar a pritur për lirinë

Do më pyesje për ditën e gëzimit
e vështirë është pritja për ty
të bëj benë
nuk do të vonoj shumë
vadja e dasmës së madhe

Gusht, 1991



03. UJK MË ËSHTË BËRË VETJA

-I-

Përditë zgjohem me mendjen në ty
Shtegun mbuluar e ka bloza e dëshirës
Më përvlon malli
E veten ngushlloj me letra dashurie

Më kot mundohem të mësoj
Kobi je ti që më sillësh vërdallë
A fati im i çalë
Që më shpie drejt çmendisë
Lule ferri je a lule parajse
Bukuri vërbuese
A kumt orësh të liga
Lojtare netesh të humbura
A sëmundje që nuk shërohesh
Pjellë mortore a gjemb durimi
Çelës enigmash a neperkë syri
Si ta kuptoj moj
Më thuaj

-II-


Më shanë
Pse me emrin tënd
Pagëzoja yjtë lumenjtë përrallëzat

Më qeshen
Për lutjet e mesnatës
E psherëtimat krismë qielli
Për ëndrrat e harlisura
E lotin e buzëqeshur
Për ditet që më iknin
Sy njerëzve të hekurt

Dhëmbet u ranë së qeshuri
E Peruni i Madh
Hiqte valle mbi kockat tona

-III-


Ti nuk erdhe e dashur
E në shpirt
Termete shkaktuar më ke

Ti duhej të vije
Bashkë me pranverën
Dhe këngët e të lashtave

Portë e hapur të pret
Dhe karafil i vyshkur
Ne dorën time

Eja e dashur
Eja
Ujk më është bërë vetja

Prishtine, 1995



04. URATË*

Zotynë
Pranoje Lutjen time
Diell të ketë
Në Mendjen e Durimit
Orëbardhat ta shpejtojnë
Ditën e gëzimit
Lulet e kësaj toke
Ilirisht
Uratë le ti këndojnë bashkimit

Nuse e Ujrave
Të na i gëzoj shtëpitë
Circe Jona
Të na i mbëltoj dashuritë
Ëndrrmirat
Të na i zgjedhin Fatitë
Këngët tona
Ti pushtojnë lartësitë
Amen

*Kjo poezi mori Çmimin e parë në „Takimet e Gjeçovit" në Zym të Kosovës,në vitin 1994



05. ATLANDIDA E RE

Urime Veneci
shekullin e dhjetë mbi ujë

Kujdes shekullin e ri

Nuk u besohet më
pellumbave të bardhë
banorëve të parë
në sheshin Santa Maria Sallita


Uji po han tokën tuaj

Një ditë do ta përpijë
se bashku me 46 ishujt
dhe Urën e Psherëtimave
qe të krijohet Atlantidë e re

Veneci

1995


06. UNË DHE KËNGA*

Do të varrosemi
Kur të na lindin të vdekurit
Për të lindur
Kur të vdekurit të na varrosin

*Kjo poezi ka marrë çmimin e dytë në "Sofra poetike" në Drenas





07. KUR MË RRËMBEN FJALA

Kur më rëmben fjala
Më vërshojnë gëzimet
Sikur të gjitha të dashurat
Ti kisha pranë

Kur fjala më çalon
Dehem e bëhëm tapë
Si të kisha pirë
Helmin e kësaj bote

Kur më buzëqesh fjala
Diellëzohem lartësohem
Si ti kisha përmbysur
Të gjitha perandoritë


1996




08. SHQIPËRIA

Ishte nuse
që ia kishin zili perënditë

Nga shkëlqim i nurit të saj
dritë merrte edhe dielli

Kahmot e lakmonin
kodoshet e Olimpit

Ajo nuk jepej
ajo nuk merrej

Ata e mallkuan
trupin ia gjymtuan

Thonë se atëbotë
Europa qeverisej nga djalli

21. 03. 2014


09. KOSOVËS


Emrin lakuar ta kanë ndër shekuj
Pritë të zinin keqas djalli e i biri
Po ti stuhive u bëje ball
Me lutjen për të madhin
Për atë bimë dardane
Këngën e mortit ktheve në këngë lavdie
Kosova ime diell (i)lirie

2012



10. ÇAMËRIA

Çamëria
Është Lum i Loteve që nuk shteron
Malli i të dëbuarve që përvelon
Kënga e Shpresës që gjallëron

Çamëria
Është ora e lutjeve që nuk mbaron

Çamëria
Është ëndrra jonë e përnatshme
Amaneti i shenjtë i etërve
Emblema e krenarisë së emrit

Çamëria
Është damari i ngushtuar i atdheut

Çameria
Është tregimi për barbarinë
Plaga ime e pashëruar
Libri i papërfunduar i historisë

Çamëria
Është kodi i pazbërthyer i perëndisë

29.04.2013



11. POETI

Fle me të gjitha të dashurat
Dhe zgjohet bashkë me dritën
Për ta zën frymëzimin e parë

Merr Udhën e Qumshtit
Gjuhën e yjve për ta mëuar 

Dhe për vrimë të gjilpërës
Përbiron detin
Në kërkim
Të fjalës së pa thënë

Një këngë e re po vjen





12. PSE IKU POETI

Çdo fjale
vargu a poezie
shpirt i dha nga vetja

Ndaj
Mos pysni
pse iku poeti




13 . LUTJE PËR POETIN
/Pas kumtit për ikjën e Ali Podrimjës/

Zot
na e kthe  poetin
ai veç lule mbolli në jetë


Me këngë mundi të keqen
e shpirt i dha dashurisë

Nga kockë e tij bëri fyellin
për të lozur melodine e atdheut

20.07.2012





14. ZGJOHU POET



Nuk jam engjull
Në tempullin e durimit
As memec i përgjumur

Zotin mallkoj
Që as kokën ktheu
Kur Ti Kosovës ia lidhje plagët

Zgjohu poet
Se atdheu
I tkurrur ka mbetur

Kthehu ore burr i dheut
E zhvishi
Të gjitha marrëzitë e kësaj bote

Europa prapë fle
E djalli lirshëm bën orgji
Mbi kockat tona

Kthehu për Tokën Dardane
Për „gjakun që nuk falet“
Për nder të plisit

Zgjohu Ali Podrimja
E ti zëmë pusi të keqës
Se koha nuk pret



15. GJURMË

Me kohën në hapërim
për të lënë gjurme
në pemën e jetës

Grurisht
duhet kenduar diellit
e legjendave

Me fjalë ndërtoni
ura mbi brigje
ura dashurie

Rrefehuni
në gjuhen
e yjve të baladave

Për të dëshmuar
me emrin
ne gurin e varrit

Gazeta "Rilindja", 10.11.1988



16. NE DHE LISAT

Kemi diçka të përbashkët
Rrënjët thellë në tokë
Kokën lart në qiell!
Lisat lëshojnë shtatin
Ne rrisim hapin
Ata i përkund era e moteve
Fëmijët tonë
Djepat me nillullat e lokeve
Lisat puthin qiellin
Ne lutemi për diellin
Të sotmën dashuri
Të ardhmën lumturi
Ata bartin historine e moshës
Ne kujtimet e trishta
Të kohëve me grip
Tokën tonë
E madhërojnë lisat
Shekujve
E zbardhin plisat!

25. 02. 2014



17. LISAT DHE PLISAT

Askush mund t‘i numëroj lisat
Askush mund t‘i përulë plisat
Me lisat flasin legjendat
Me plisat flet historia
Në gjokset tona
Shpesh u thyen stuhitë
Që mos të na priteshin lisat
Të mos na hiqeshin plisat 

26. 02. 2014



18. KUR MË THOSHE
(Babait)

Më kujtohet kur me thoshe:
-Po s'e zure hapin me kohen,
i rënd do të shkoj moti!

-Më e mirë është një ditë sokol,
se një jetë gogol!

-Dielli huaj verbon,
e shpesh urrehemi nga dashuria!

Më kujtohet kur më thoshe:
-Po u mbështete në diell
s'kan ç'të bëjnë epidemitë!

Babai im i urtë,
Ç'peshë të kishte fjala...




19. LALËS

Rudha e ballit
vrragë kohësh


Fjala
mbrumur motesh

Hapi i tij
shteg i ri

Unë
bimë e farës së tij

Gazeta "Rilindja", 26.04 1987

 
20. KUR IKU BABAI

Kur iku babai,
nëna tha:
-Heret na la plaku!
E në ball,
iu shtuan rrudhat!

Ajo,
përditë fshinte pluhurin
nga fotografia e tij,
e buzet i leviznin
pakuptueshëm!

Kurr nuk e mora vesh,
lutej për tim at
a veten mallkonte…

Në fytyrën e saj
rrallë shihej buzqeshja!




21. GURRË E ZJARR

Dashur e kam qëmoti
kengen e diellit

Ëndërroja
dashuroja

Gurrë jete e gëzimi
vret macen e zezë mallkimi

Dashuria ime
gurrë e zjarr

"Rilindja", 1991




22. SHENJTOR I LETRAVE TONA
(At Gjeçovit)

Grurisht
Uratë u këndoje fateve të bardha

Përballë stuhish
Polemit i thurje legjendë

Gjeçov
O Ati ynë
Shenjtor i letrave tona
Venecia ende frymon
 Revista


"Shkendija" Nr 44, fq.12, 1991



23. MOS

Mos e humb buzëqeshjën
Edhe para dallgëve

Mos i mallko yjet
Për brengat që ke

Mos e lerë të dashurin
Të çmendet në pritje

Mos e thurr këngën
Po nuk pati zë
Edhe mes gurit e tokës

"Flaka e vellazërimit". E premte,15.11.1991 fq.11





24. PËR ATË FJALË

Për atë fjalë
Që peshon sa bota
Kurorëzoje buzëqeshjen
Me një puthje të ëndërrt
E prishi krejt nyjet

Udhës sate
Fat të ri lidh
Bulëzim dashurishë

Thëllënze moj
E bukura e dheut

"Flaka e vellazërimit". E premte,15.11.1991 fq.11





25. LUMENJTË E ZEMRËS

Ditët rendin mbi njëra tjetrën
E dashuria më përvelon
Fjalë e pathënë keqas më tretet
Edhe pse në shpirt ngahera më vlon

Mendjen ma lexon moj lehtas si në përrallë
E mallin e fshehur heshtja jote e kall
Një frymëzim i dehur seç më rrjedhë damarëve
E lumenjtë e zemrës ndizën flakë

Kur një ditë prapë bashkë të jemi
Diellin vjedhurazi do e fus në gji
Vargjet në letër do të përligjen
Në këngën qëkurthi filluar për ty




26. LEGJENDA PËR DASHURINË

Në malin e harrimit
Ndrit një yll
Që shëron
Plaget e shpirtit

Në thellësinë e zemrës
Mbin një trëndafil
Rreze e fshehur për ty
Në rrugët

Që humbur i kemi
Shkruhen
Legjenda për dashurinë



27. YJET DO NA KENË ZILI

Edhe pse udhët na janë ndarë
Ne bashkë jemi
E dashur

Frymojmë nën të njëtin qiell
I njëjti diell na ngrohë
Moj

Në ëndrra shpesh takohemi
E dashurisë
I japim shpirt

Orët po luten për ne
Të gjitha nyjet
Do të zgjidhen

Prapë kemi për të lozur
Vallën e Psherëtimave
E yjet do na kenë zili



28. EJA E DASHUR

Ka vite që i jam falur vetmisë
E gjumi mërguar më ka
Shtigjeve të dhembjes
Bashkë me ëndrrat
Dhe kujtimet për ty e dashur

Kot dergjem në planetin e pritjës
Edhe lutjet e kanë humbur kuptimin
Ato as zoti më nuk i merr vesh
Damarët e zemrës mi dogji malli
E çmendia pamëshirshëm më pushton

Harroj të gjitha dhe eja rrezja ime
Ndizi edhe njëherë motoret e shpirtit tim
Zjarri i dashurisë le ta ngrohe gjithë botën
Të puthemi të lozim të duhemi
Me afshin e dikurshem të rinisë


04. 05 1987



Disa nga komentet në Facebook


PREND BUZHALA:  Kjo bueqtë e bukur vargjesh, që udhëtoi nëpër tri dekada, e ruan freskinë e pavyshkur lirike, me yjet, me legjendat për dashurinë, me lumenjtë e zemrës, me peshën e madhe të fjalës poetike, me shenjtërinë e vargjeve, me evokimet engrohta për më të dashurit, si dhe me ligjërimet e shpirtit për lisa, plisa, për hsitorine e legjendat, për trojet etnike, e sidomos për poetin... Metaforika e thënia artistike,vijnë deri në ditët tona, me bukurinë e tyre të parë të pagëzimit poetik...
Përgëzime!


YMER NURKA: Me kish marre malli per vargje te tilla me peshe, ku fjala ka zene vend natyrshem dhe nuk luan vendit... Me ndjenje dhe art eshte zbukuruar ky cikel poetik. Urime mik!

MIKEL GOJANI: Poezi te bukura te krijuesit Muhaxheri. Poezi qe dikur dilnin nga gualli i frymezimit te poetit. Vargu i Muhaxherit eshte nje varg ne kerkim te emrit, ne kerkim dheut, te ashtit arbenor. Vargu i tij, me plot natyreshmeri artistike dhe motivore ka qene pararendes i e se sotmes, i se nesermes. Urime, mik i dashur, Muhaxheri!

FRAN UKCAMA: Një sintezë moderne emocioni dhe mendimesh filozofike, koncentrime si ajka e qumshti i bletës, manifest në stil artisti dhe gjuha si fara e zgjedhur...

GRIGOR JOVANI: Është një cikël shumë i mirë, bacë. Por, më thuaj një gjë: pikërisht këto poezi kam zgjedhur edhe unë, për ciklin që të kam përgatitur për Pegasin. Si ndodh kjo? Koiçindencë është?

LUMO KOLLESHI: Nje cikel me poezi dinjitoze qe e shperndan mjegullen qe duan te hedhin vitet.

XHELAL LUCA: Pa zmadhim , një penë e florintë e ngjyer në koloritin e flladeve. Dhimjen e shpirtit e mjekon me polen atdheu , dhimjen e trupit , me mjaltë baroti. Në këngën e së djeshmes qartëson mesazhin e së nesermes , në amanetin e babës len testamentin e djalit, në fillin e ëndërrave mbijnë lulet e dëshirës në një pritje më të madhe se shekulli. Ne pikat kulmore takon paraardhësit: Naimin, Çajupin po dhe Migjenin aty ku ënderra është e pa mbarume.

LIDIANO BENDO: Poezi qe te japin nje nje frymemarje dhe mijera ndjesi!

NIKOLL N. ULNDREAJ: Nje cikel poezish te gjalla... brenda tyre ka shpirtin e poetit me flatra... qe flaturon ne qiellin poetik magjishem... lakmohet nga poetet... dhe joshe lexuesit... u jep knaqesi... ua embelton ndjenjat... Haxhi Muhaxheri brenda shpirtit ka universin e tij poetik dhe tabanin nga i nise poetikat e tij ne flaturime per tek lexuesi.

IRFAN CANA: Në poezitë e këtij cikli të mësipërm,qartë vërehet refleksioni i brendshëm i frymëzimit të rrallë poetik dhe ku ndjehet forca e ligjërimit dhe fjalës së shkruar që gjithmonë në jetë u ka shkaktuar poetëve vuajtje e telashe.Shihet se sa forcë vullkanike ka fjala e shkruar,cila është fuqia e mesazheve brenda krijuesit për t'i dhënë përgjigje konflikteve të kohës.

FAKETE REXHA: Nje kompozicion i mire poetik. Plot sens dashurie, nostalgjie, miqesie e çdo gje tjeter, qe shpirti poetik ndjene.

MENTOR THAQI: Haxhiu na vjen me vargje (këshilla madhështore poetike) të një periudhe mbi 20 vjeçare që atëhere e sot ruajnë kontinuitetin e freskisë dhe madhështisë artistike! Së pari buron Gurrë Zjarr-i në shpirtin poetik, kërkon poetin (edhe veten e tij poaty), nëse diku e gjenë "të vdekur", rëndon ajo pyetja: Pse vdiç?!, për atë fjalë!!!, këto të gjitha në, për dhe rreth Kosovës! Një cikël që lidhet bukur si një Kapitull komplet i një Romani poetik, nëse mund ta quaj kështu pa i ngatërruar dallimet?! Paj, poeti na kënaq si gjithmonë me sihariçe artistike, kjo ishte kënaqësi radhe e realizuar shkelqyeshëm në kompaktësinë e vet artistike! Përgëzime në itinerarin tuaj artistik të begattë!

ALKETA MAKSUTI BEQARI: Kur lexon vargun njeh poetin, kur njeh poetin kupton vargun. Jo gjithmone ndodh keshtu. Tek Ju Po. Suksese, uroj te vini me nje liber, poezia mos mbetet nje buqete!

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen