Samstag, 20. September 2014

Dashuria si lajtmotiv estetik...

 
Nga Hasan Bunjaku

DASHURIA SI LAJTMOTIV ESTETIK
I NJË SHPIRTI REBELUES
 
  • Një impresion për përmbledhjen e poezieve të Fehmi Korçës - “Përtej poleve të jetës” e cila pa dritën e botimit në njëvjetorin e shkuarjes së tij në amshim
 
Fehmi Korça, i cili, dashamirësve të fjalës së bukur artistike, nuk u ëahtë një emër i panjohur, sepse, pas Përmbledhjes së parë të pozive – “Nuk jam larg”, edituar më 2011, veçmas tri-katër vitet e fundit, ishte tejet produktiv në sferën e të vargëruarit, dhe të të botuarit të një sërë poezishë veçmas, postuar në Facebook-un e tij, por edhe në ndonjë të përditëshme, apo revistë periodike shqiptare – e të cilin, vdekja e hershme, si një tufan të rrëmbyeshëm, ia ndërpreu turrin pikërisht kur tashmë arti i të shkruarit, i ishte bërë, thuaja, obsesion – pas librit të parë, i cili u prit fort mirë nga recipientët, por edhe njohësit më eminentë të kësaj branshe, këto ditë, doli me përmbledhjen e dytë, ndonëse të papërfunduar, që e kishte përgatitur për të gjallë të tij, titulluar “Përtej poleve të jetës”... Ndonëse, përmbledhja e poezive “Përtej poleve të jetës”, do të dilte edhe më e kompletuar, e gjithsesi, edhe më e vëllimshme, po ta përgatiste për shtyp autori vetë, mirëpo, ja që këtë nuk ia lejoi vdekja e hershme fare tinëzare, megjithatë, ajo, si për nga mbarështimi i lëndës, renditjes së saj, sikundër edhe anës teknike, mund të thuhet se nuk i mungon gjë. Nga këto 25 poezi, shpërfaqet i tërë talenti, dhe niveli letrar i një krijuesi tashmë të pjekur, meqë synon vetë majat e vlerave estetike, të krijimtarisë sonë poetike. Vetë Fehmiu, edhe me këtë rast, na dëshmon se aktualisht, poezinë së zhanër letrar, madje si asnjëherë më parë, e lërojnë një numër i konsideruar krijuesish, si askund tjetër në Evropë, por edhe në Ballkan, sa e si tek ne shqiptarët. Fehmiu, mbase edhe më heret do ta ketë zbulua në vetëveteën këtë dhunti, që jo gjithkujt i jipet, dhe ajo që vërehet tek ky krijues, fatmjerisht, jetëshkurtër, është gradacioni ngritës në diagramin krijues të tij, qoftë në thellimin e motivimeve e preokupimeve tematike, qoftë në thellimin e nocioneve e credove artistike, duke dalë çdo herë me vargje më të kultivuara se në poezinë paraprake.
Dashuria si kategori universale, është në fakt lajtmotiv, i cili, si një pe i kuq, e tejshkon tërë poezinë e krijuesit Fehmi Korçës, e cila bën që e tërë poetika e tij të jetë, sa origjinale, aq edhe e mëvetësishme; sa kombëtare, aq edhe altruiste; sa humane, aq edhe etike... Dhe, krahas dashurisë ndaj partneres jetësore, kjo dashuri e këtij shpirti krijues rebelues, ka të bëjë edhe ndaj të afërmve, pragut të shtëpisë së vjetër, prindërve, lagjes e fshatit të lindjes, dhe përgjithësisht, vendlindjes si Mëmë e At-dhe, që përmes vargjeve që shprehin mall të pashuar të gurbetqarit ndaj ndaj çdogjëje të vendlindjes, prej sendeve më triviale e deri tek çështjet kruciale që kanë të bëjnë me bashkëvendësit dhe shtetin e Kosovës, e përmes personazheve emblematikë të historisë sonë të lavdishme, që nga Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, pëmes vëllazërve Gërvalla, Kadri Zekës, Ukshin Hotit, dr. Fehmi Aganit, Ibrahim Uruqit, Bekim Fehmiut e një seri të heronjve të Luftërave të fundit Çlirimtare të trojeve shqiptare në Kosovë, Kosovën Lindore e në Iliridë. – që shpreh tërë dashurinë dhe pietetin ndaj çështjes atdhetare.
Pra, pikërisht në këtë trini ideo-artistik, Fehmi Korça, do ta mbështesë tërë potencialin e preokupimit tematik: Dashurinë, si ndjesi shpirtërore e çdo qenie njerëzore; dashuria, në formë malli të mërgimtarit ndaj çdo gjëje të kaluar, gjerat sendet dhe njerëzit e tij të vendlindjes, dhe – dashuria, në formë pieteti e respekti të lartë ndaj çështjes madhore kombëtare. Mbi këtë trinom e superstrukturon poetikën e tij, autori, i cili, me një varg të lirë, pa ngarkesa të mëdha figurash stilistike, tropesh e simbolesh; me poezi që nuk bien erë parfumi, make up-i, pispillosje: pa stoli dhe “xingla-mingla”, jep mesazhe të fuqishme, me një gjuhë të pastër, me figura të gjetura mirë, me fjalë të kursyera e porosi të mirëfillta – duke bërë kështu që poetika e tij të komunikojë shlirshëm e aq këndshëm si tek ata me gusto e kërkesa më të mëdha ndaj fjalës së shkruar artistike, ashtu edhe tek një shtresë më e gjerë e lexuesve të të gjitha kategorive sociale e shkallëve të shkollimit.
Fehmiu, sa është një shpirt i furishëm e rebeles ndaj çdo gjëje të “zezë” në shoqërinë shqiptare, aq është edhe një shpirt subtil e skofiar në momentet e mallit të furishëm, që e përcjell madje edhe në ëndrra; kur u drejtohet më të dashurve të vet, familjarëve, miqve e mikeshave – duke rrezatuar kështu një energji pozitive. Si një sogjetar i rryer, ai pikasë çdo gjë rreth vetes, në rrethin e në botën në të cilën jeton, dhe duke u përpjekur që sadopak t’i “drejtojë” gjërat, shpreh një gamë të tërë ndjesishë, sa në formë lutëse, sa në formë mllefi ndaj fenomeneve e sociale e shkaktarëve të tyre:
 
“... Dua ta shoh botën me sytë e nënës,
dua që jetës t’i jap kuptim me ndjesinë e saj...” (”Me sytë e nënës”), ose:
...Kur fryn murlani,
ii zog i mekur shtegtari,
në kujtesë më vjen
djepi e sofra
pragu i vjetër i shtëpisë...” (“Murlani”),
 
Por, autori, kurrë s’e pranon se është i shkyçur nga vendlindja, se në mërgrim nuk vajti me vetëdashje, apo për ndonjë luks, por thjesht, sepse ishte i shtyrë ta bënte këtë, porse, një ditë patjetër do të kthehet për fare në vendlindje, sepse: “... Jam si degët e dushkut/ prap filizat e rinj i çel/ se rrënjët i kam thellë/ nën këtë dhe...” (“Era”), “... Se fruti i këputur/ diku nga trungu/ kthehet dhe mbjell farë...” (“Stinët”), fundi i fundit: “... Çdo fillim e ka një mbarim/ kur njëra derë mbyllet/ tjetra hapet sërish! Nga e para do të trokas/ e do të thërras: / Mirëmëngjesi jetë, në dheun tim...” (”Murlani i jetës”), sepse: “... Atdheu qenka lindja dhe perëndimi/ Unë biri i tij, kam shumë mall...”, e “... Nëse malli më kaplon/ e di cilën derë do trokas...” (“Nëse”).
Një frymëzim i aty për atyshëm, ashtu si i vijnë vargjet, ashtu edhe i qet në letër, Fehmiu, madje, pa i “krehur” mëtutje, pa i “herrur” fare, andaj vjershërimi i tij është aq i natyrshëm, aq i paimponueshëm, aq i rëndomtë, thuaja, tashmë kaherë bashkëjeton me vargjet e këtij autori, sadopak aderues i këtij zhanri të të shkruarit artsitik qoftë:
 
“... Lindja jote
e rilind shpirtin
si ninulla e djepit,
si toka në pranverë,
që lind e rritë jetë...” (“Vargu im”);
ose:
“...Ku po e endim pëlhurën e jetës së re?
pa harruar kush ishim
e kush jemi për këtë dhe...” (“Rrënjë të pleksura në kohë...”)
ose:
“... Të gjithë ikën,
mbetëm si qyqe në degë.
Jemi apo ishim?...” (“Jemi ne”)
 
Edhe në poezitë përkushtuese, personaliteteve atdhetare, martirëve, dëshmorëve e heronjve të kombit, kurdo ia dl që t’i ik antonimit narrativ, krijon vargje shumë të qëndrueshme e me vlerë të lartë estetike:
”... Merre këtë gur!/ mos e kthe në ogurzi/ dhe ndërto një urë!/ Aty ku njeriu lind njeri./ .... (“Kalendari në gur”), e veçmas “...Pusho në qetësi, Odiseu ynë! / prej hirit tënd, do zgjohet legjenda/ Se nuk shterron Lumbardhi, jo!...” (“Lumbardhi”), kushtuar aktorit më të madh shqiptar, Bekim Fehmiut; apo, :”... Të lindi kjo tokë,/ tribun lirie,/ U bëre Orë Historie/ spektër drite...” (“Orë Historie”), kushtuar dëshmorit, Ibrahim Uruqit.
Një pjesë të mirë të poezive të Fehmi Korcës, që i janë përkushtuar dashurisë së mirëfilltë, janë me vargje tejet të matura mirë e që e ruajnë drejtpeshimin etik dhe atë estetik, pa erotikë e porno-përshkrime, por si një proces dhe kategori utilitare jetësore, që poashtu ndërthurren e miksohen me ato dy postulatet tjera: malli për vendlindje e Atdhe, dhe atdhedashuria si palcë e qenies së këtij krijuesi jetëshkurtër. Si në poezitë: “Pa ty”, “Përjetësisht”, “Portreti yt”, “Rilindja poetike”, “Era”, “Titulli”, “Hesht” e ndonjë tjetër:
“...Pa ty/ e zbrazët është jeta/ ndihem i huaj në kockat e mia...” , ose “...Nurmrekullia ime/të gjithin më pushton/ kur me qirinj tëndezur/presim agimin/ thurrim ëndrrat e jetës...” ; “...Dashuria është e bekuar/ kështu do të jetë deri në amshim./ Ngase.../ Ti je portreti im...”, apo, “ ...Aty ku lind jeta/Lind edhe vargu/dashuria lëshon/ rrënjë thellësisht...”, por, edhe: “Jeta qenka një uragan/po bëhu pishtar i dashurisë/mos ta shuajë asnjë murlan./ Dashuria është bekim i Perëndisë...”, sikundër edhe: “... Hesht!!!/Sonte dua vetëm/të rrahurat e zemrës t’i ndij...”, për ta përmbyllur me vargjet kaq sinjifikative: “... Dashuria për njeriun/ është tempulli që e kërkoj...”
Një tufan, një uragan, a një vullkan, e përmbushë përbrenda, por edhe gjithandej rreth tij poetin Fehmi Korça, poetin e një shpirti të parehatueshëm e madje edhe jo rrallë, edhe rebeles, vjershtorin e një akribie solide estetike, me elemente edhe meditative, refleksive, andaj, dhembja për ikjen e tij të hershme në amshim, bëhet më e madhe, sepse do kishim një krijues reprezentativ letrar. Madje, mbase mund të jetë kjo vetëm një përshtypje imja personale, që Fehmi Korça, sikur e parandjente këtë ikje fizike kaq të beftë në pakshim, sepse, poezitë më të shumëta e do të thoja më të mira i shkroi asaj pranvere e vere, para se të ndërronte jetë.
“ Të shkruash poezi, është ndjesi. Por kur e do poezinë, është një mrekulli.” – do të shkruajë ai një meditim personal në “murin” e profilit të Facebookut të tij, një diçka – sikur ishte një porosi, mesazh a një testament, i poetit, i cili u “dogj” në mallin e tij për vendlindje, për postulatet etike të një njeriu përplot energji pozitive, koncepte këto që me të madhe i shprehu përmes vargjeve të tij, që në fakt, ishin e mbetën një pasqyrë e një zemre e shpirti të çiltërt, siç qe fare i sinqertë edhe në poetikën e tij, pa të cilën letërsia jonë, gjithsesi do të jetë më e mangët, siç do ta ndjejnë mungesën e tij, lexuesit, që i deshi aq shumë, miqtë, familja e ngushtë dhe ajo e gjerë Korça, gjithandej trojeve tona etnike.
Poezia e tij, sikundër edhe kujtimi për poetin Fehmi Korça, do të jenë të përjetëshme, e ai, u preftë në tokën amë të Kosovës, që e adhuroi kaq fort.

_________
Nga Revista "Agmia"

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen