Freitag, 19. September 2014

Shefqet Dibrani - Cikël poetik

 
KAFJA E MËNGJESIT

Çdo ditë në ora tetë të mëngjesit
ai porosiste dy kafe në filxhan
pranë filxhanit të saj edhe pak dashuri
ai priste atë dhe ajo erdhi
pastaj ajo me qesëndi ia lëshoi sytë filxhanit
kurse vështrimi i saj si puthja ra mbi sytë e tij
e atij si xixa stralli i përvëlohej e shkreta dashuri
filxhanin e kafes ajo qetë qetë me duart e arta e mori
pastaj e vuri pran buzëve të kuqe
kurse buzëkuqi mbi filxhanin e kafes buzët ia pikturoi
kundruall saj shkëlqente shikimi i tij që i lexohej në fytyrë
veçmas atëherë kur ajo i puthiste buzët e filxhanit
për një çast ai buzët e tij lëpiu, bëri sikur pak aromë kafeje rrufiti
ajo filxhanin e kafes lëshoi me kujdes mbi tryezë
sheqer i hodhi për ta ëmbëlsuar jetën e atij që i rrinte përball
pastaj ajo kafen e zezë e zbardhoi me lotin e saj
kurse përgjimi i tij i heshtur sikur i dha shkëlqimin e ri
pasi ajo e pyeti natën si kishte kaluar dhe nëse atë e kishte ëndërruar
ajo mori cigaren dhe shkrepësen në dorë
e ndezi cigaren e hollë siç ndizej dashuria e tij për të
kurse fjongot e tymit bënë peizazhin e reve përmbi
përsëri buzët e saj pigmentuan cigaren e bardhë
e cila digjej ashtu siç shuhej ai pran saj
ajo thithte cigaren dhe rrallë fliste
po shikimi i saj zhbirues atij ndjenjat ia nxiste
ajo fikte një cigare ndizte një tjetër
pak fliste më shumë përgjonte
nuk dihej atë apo njerëzit që kalonin përball saj
por dikur ajo hapi ombrellën pa thënë edhe një fjalë
atë e puthiti duke ia vulosur buzët me buzëkuqin e saj
ndërsa nga pikturimi atij faqet iu dalldisen si flakë
shumë e ngazëlleu e puthmja e saj e cila e shtangu në vend atë djalë
pas pak ai u këndell shtrëngoi edhe ca kujtimin ndër duar
lëpiu buzët rrufiti kafen e pastaj edhe ai shkoi…

(St. Gallen, 07+07=14 ose 7 korrik 2014) 

 
SHOQËRIA NJË GOTË E KRISTALTË

Shoqëria është si gotë e kristaltë
për të shkëlqyer duhet mirëmbajt

Pakujdesia në shoqëri sjell zili
e në saje të saj edhe xhama të thyer përmbi…

Sigurisht, edhe shoqëria lëndohet si një gotë
kur copëzat e xhamta shpërndahen si avuj mbi tokë

Ndasht pse ato buzët t’gotës s’përkasin me dashuri
pasi edhe mbi xhamëzat e thyer niset kapitull i ri

Kristalet e xhamta edhe ato duhet fshirë gjithmonë
që gërvishtje të rishtuara të mos prekin kohën tonë

Shoqëria e thyer është si gota e kristaltë
tamam margaritar të copëzuar mbi dashurinë e zjarrtë

Por nga dëshpërimet çfarë dobie mund të ketë
pasi për të pirë më në atë gotë pak shpresë do jetë!..

Andaj o njeri i urtë nis kërkimin e gjatë…
e nënë atë dritëz hëne ruaj kujtimin e artë

 St. Gallen, 13 janar 2014

 
PËRQAFIMI PUBLIK

Përqafimi publik i gruas
sikur shprehë mungesën e seksit
mbi shtratin e fildishtë

(2009)

 
PUTHJEDASHURIA

Sikur që nuk ka dashuri pa puthje
s’ka as puthje pa dashuri
nuk ka aq shpresa sa ka zhgënjime
por aq sa ka ëndrra ka zgjime pas tyre
...dhe përsëri ne ikim
në pa kthim tej rrugëve të botës
në kërkim të puthjeve dhe dashurisë!...

St. Gallen, 13.08.2013.

 
 
POLITIKA DHE POEZIA

Si lavirja më tërhoqe pas vetes - Politikë?!
në ty e mbi ty, si kasnec i privilegjuar unë u ndjeva
në Ty i mësova fshehtësitë, metaforat e dredhitë
unë naivi - Politikës kurvë - sekretet ia zbulova

Asnjëherë nuk besova se Ti poezia ime do më braktisje asnjëherë
e tani ndjehem i vetmuar sikurse i mbeturi në shkretëtirë
ku e rrahin erërat e forta të mbuluara me pluhur
me pluhurin e harresës mungesës dashurisë

Më fal pse të lash të vetmuar, por harruar s’të kam kurrë
u hamenda pas dalldisjeve të At(e)Dheut
e pluhuri i Politikës sytë mi verboi, të dy sytë
andaj kthehu të lutem kthehu Poezia ime se të dua

Kam mall për ty, mall kam e sytë më janë verbuar
sido që të jesh katandisur, s‘të nxora kurrë nga Dhembja…
Poezia ime

(CH – St. Gallen, 29 qershor 2014)

 
 
TI ME SYTË ZHBIRUES...

Ti me sytë zhbirues hyre thellë në zemrën time
si në shuplakë të dorës nga atje nxore dhembjen margaritar
e mëkove druajtjen time injorancë shekullore
që sfidonte përbuzjen nënçmimin e përditshëm
ti je buzëkuqe që dashuri përherë shpërndan
ata sy pushtues vazhdimisht ankorojnë një shpresë të re...

Me buzëqeshje mbulon dhembjen për dashurinë që të mungoi
por fytyra jote përherë rrezaton shpresë
çdo ditë mbillet buzëkuqi yt mbi filxhanin e kafesë
e unë si cigarja jote po digjem mbi atë vështrim
ajo soset pa pra ashtu siç po digjet shikimi im mbi ty

Ndjenjat më janë mbërthyer në pritje të përqafimit tënd
as vapa e këtij muaji më shumë nuk po më përcëllon
ti për mua je bërë sinonim i shpresës dhe një inspirim i ri
me naze parakalon çdo ditë para meje kurse ditës gëzim mi jep
ti që paragjykime tejkalove krenari tani po shëmbëllen
ndërsa drejtshikimi im si vullkan i zjarrtë po digjet për ty

Lozonjare e vërtetë që më je por secili i admiron hapat tuaj
sepse Ti i jep jetës buzëqeshje e dashurisë një frymë(z)im të ri...

(Mëngjesi i së shtunës, 28 qershor 2014)

 
 
GRATË...

Sado që i urrejmë dhe i përqeshim,
përsëri bijë dhe robër të tyre mbesim!...

 
 
ZEMRA PËR TY PËRFLAKËT...

Më the mos më duaj as karafila mos më dhuro
mos nis letër me e dashur as mos më kujto
harro gjithçka edhe atë moment që ndodhi një natë më parë

Vërtetë kurrë më nuk shqiptova fjalën “të dua” as karafila nuk të dhurova
madje as lulet e vizatuara nuk t'i nisa as puthjen as fjalën dashuri
por më thuaj e refuzoi zemra këtë të drejt elementare
e cila edhe pse nuk shprehet ka kohë që po përflaket

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen