Samstag, 20. September 2014

Rrahim Sadiku - Një tufë me poezi


LOJËRA JETE

Çirresh për fatin
shtyhesh kot
fati nuk je ti

kot krejt kot
mendon se e gjitha është dashuri
krejt kot

dot s’e zë djallin
në gotë rri me ty
ai të pi pa nda

çirresh me heshtjen
urna nën gur rri
ta bënë me dorë

vdekja ka caktuar afatin
edhe fatin ta ka në dorë
me ty luan me ditë me orë

 
MALLI

E mora përdore mallin
e nisa t'i qaja hallin...
malli më la mua e erdhi te ti...
edhe malli kishte mallë për atë bukuri...

 
DISI NDRYSHE

Nisem disi ndryshe
këndoj qesh ngërdheshem
drekë e darkë ha
me dreqin vet s’kam punë
e ai me mua po

s'ngopem
kam uri
përtej pritjes shkoj
shoh e njoh kurrgjë
për asgjë
matem me hijen e mëngjesit

përmbys mendjen
qirrem pa zë
çmendem pa marrëzi
sulmoj pa lëvizur
askush s'ma kthen fjalën

vetmia shpalos nismën e mbarimin

 
NËNA

Ajo na i hapi dritaret e jetës,
duke na mbuluar me dashuri,
rrugët e gëzimit duke na i shtruar,
nga pikëllimet e dhembjet duke na larguar,
duke u bërë për ne e tëra shenjtëri,
me këngë duke na shoqëruar, me madhështi
me mirësinë prore duke na miqësuar
me njerëzoren duke na rrethuar,
duke na udhëzuar për përballje me syrin e lig,
duke na këshilluar ta besojmë njeriun mik,
si kërkimit të mos i ndahemi kurrë,
atdhedashurinë si ta kemi të të pashterrshme gurrë,
për të lënë gjurmë të mbara mbi këtë dhe,
kudo të jemi të mos harrojmë
se kemi Nënë, se Nëna mbetet pëherë me ne,
ngado endemi rrugëve të botës,
kur kthehemi e prehemi në Atdhe!

 
KAH E PANJOHURA

Vjen rastsisht kjo heshtje e gjatë
vazhdoj të besoj përrallat e bukura
të përhiturën borëbardhën fatin
zanat kujtoj se më marrin fluturimit
besoj edhe pavdekësinë

diçka më ndanë nga e panjohura
për mallin hesht
bërtas sa dridh kupën e qiellit
në duar gotën e thyer të dashurisë
pa pirë as edhe një gllënkë nga ajo je dehur
kujton se ngritur ke dolli me fund

mandej në derë shkruhet rrugë e lotëve
pavetëdishëm e kupton se ke prekur zbrazëtinë
se koha e shtegëtimeve të ka vjedhur shikimin
mendjen ta ka mbushur fjalë në erë
gotat e kristalta s’janë as xham i thjeshtë
mjaftojnë të pish përsëri e përsëri pikëllimin

 
KALVAR RUTINOR

Këtu jetohet shumë pak shumë shpejt
vdiset ngadalë shumë ngadalë pavërejtshëm
nuk e kupton në je i gjalli me të vdekurin
apo i vdekuri me të gjallin je

rrugën nuk e ndal e nuk e ndal
as fjalët për jetën për idilën dashurinë
e ke të vështirë ta kuptosh kur të tallë e gjitha
kur e gjitha gënjen për të vërtetën

këtu edhe kur ngrihesh bjen
këtu je i rënë edhe kur qëndron shumë lart
këtu rëniet e ngritjet nuk lënë mbresa
secili një gurë varri padukshën e bart mbi shpinë

 
NË VENDIN E GABUAR

Ulur në tryezën e madhe
shtroj darkën e lamtumirës
shkoj kohës plakur nga shpresa
pres koka të thinjet rrudhat
i ri jam i them vetes mashtrimit

nuk do t flas më për erërat
as për stinët nuk do të flas
isha krejt i gabuar në hartën e jetës
brisht i mbështetur në fillet e rinisë
kaluar do vite te panjohura

drita thjerrëzash thyer
asnjëherë s’më nxori si isha
asnjëherë s’të shfaqi si ishe
skena nuk kishte afër regjisor
kujtonim se luanim bukur

mandej erdhi prova e fundit
as veten nuk e duartrokitëm
publiku ishte ngopur dashuri
urrejtje ishte mbushur edhe më shumë
kërkonte një zgjidhje hyjnore

çdogjë përreth ka emrin pranverë

 
GRISHJE KUMBUESE

Grish zë i shkapërderdhshëm agmisë vetëtimë
zgjimin të zgjosh veten mallin ta marrësh
somnambul të nisesh e ec e ec
duke besuar se ke mashtruar ëndrrën

këndon këngë lundrueshëm fatit
shteg duke menduar deteve qiejve
me erëra të frikshme tundur e shkundur
duke bërtitur mundimshëm më shpëto o Zot

çdo gjë përreth mandej kujton fantazmat
mungesën e saj portretojnë në horizont
etjen për dashuri e shtojnë jetën grimcojnë

këlthet natë e errshme marrëzisë labirinth
pandiesi kohe lashtësi shkon tej nesh
nën sjetull na mbajnë vitet ku shekujt janë rob
mandej kumbueshëm kumbon këmbanë kohe

e ajo ende nuk është zgjuar thonë ende
sa kam etje dhembje shpëtimi im oj....

 
DIGJEM PA ZJARR

Shoh drejt përpara e pres e pres
nga ana e kundërt
hija jote e afrimit ka filluar të zgjatet

një hap kah dashuria
pragu i saj më del përpara
hap dyert e përqafimit

rrjetë malli thurret
shkundje e ditëve muajve
nuk i frenoj dot buzët

të kam të re të re në duar
ke ardhur me ngushëllim
kah shkrehja më tërheq me shpejtësi drite

e unë jam i qetë në zjarrin që më djeg
flokët le të zbardhen le të ikin vitet
shoh vetëm pëarpara kur jam me ty

 
HESHTJE E VDEKSHME

Heshtja po shtohet
kohë e vdekshme tha një zë
një ditë e prapë tha një tjetër
shungëllinin truri e zemra

bërtet brendia ime e tramaksur
thyhet e padurueshmja
përballem me pafuqi
shtyrje luftë bërtim ankth
ndiej vetëm këlthitjen trishtuese
veten që bjen thellë e me thellë

heshtje e vdekshme tha një zë
e unë besoja se isha më i gjallë se kurrë.

(1984)

 
E PAPREKSHMJA

Një shformësim madhështor jam pavullnetshëm
zgjatet tej shikimit tim thikë e larë me gjak
dhe më ftoh në gjoks si prekje të vdekuri

vdekshëm marr vrapin mes dy mureve pa fund

skëterrë ul vështrimin shoh veten mbërthyer
në sytë kaba të humnerës njoh njeriun
frikë e tmerr gjëmojnë qeshjes së tij

e heshtja bie edhe me thellë ulërimës mbi

a jam së paku me veten pyes e prek të paprekshmën

 
NATË E PAZAKONTË

Sikur kjo natë të ishte e zakonshme
Do të shkoja të pushoja si zakonisht
Gjumë të ëmbël do të të dëshiroja
E një puthje nga larg do të ta dhuroja
Sigurisht...

Por kjo është natë e pazakontë
Më ka lidhur me heshtje harrim
Me botën më ka krijuar murin e ndarjes
Ty të lufton edhe si kujtim
Puthjen e helmon
Thotë se më ka bërë pre të tharjes...

Kjo natë polare s’di si fitoi gjerësi
E unë të doja të doja të kërkoja
Atë sy të kaltër
Atë sy thellësi
Atë zemër ngrohtësi...

 
SOT

I kam djegur të gjitha rrugët e vetmisë
i kam lënë të hapura vetëm portat,
portat e gjëra të dashurisë!

 
ETJE BASHKIMI

Dhembja Camëri,
etja Camëri,
copë e ndarë atdheu,
mall djegës
plagë e madhe...
e horizonti...
horizonti tutje sikur vizaton...
rrugët e tragjedisë
dhe shtyn të besosh...
bashkimin me Nënën Shqipëri...

 
DASHURI NË KULLË TË BABILONIT

E ndërtova Kullën e Babilonit
ta pushtoj qiellin e dashurisë
lule të lëvarë mallin për ty
këngën e këngëve ta marrim me vete
për të fshirë kujtese ligjin e Hamurabit
gjuhët për t’ia shpërndarë njerëzimit

o Zot të falem që nuk më le zbrazët
të ngjitem humbëtirës pa fund
lotin e saj që ma bëre margaritar
në buzët e saj që dërgove emrin tim
të përfillim atë që Ti nuk e ndalove
po njeriu e ndali në emrin Tënd

me dashuri për Ty e për miken time Zot
me mendje e zemër tashmë ngjitem
në Kullë të Babilonit e tutje...

 
VENDNUMËRIM

Mbanë këmbën pezull
mendon a duhet kaluar bjeshka
ke rrugë për të bërë
nga andejvarri këndejvarri
nuk është edhe aqë i frikshëm

s'ka kthim prapa as ecje para
nga pas të shkelin shpresën
nga para ta vrasin hijen
nuk ta pranojnë as vdekjen
plagët nuk lënë shteg për ikje

nga brenda ulërinë
heshtja nga jasht të çmendin
zhaurimë kohë për tejkalime thonë
pafundësi e mendjes këlthet

më tej nuk shkohet ashtu
me vetminë tënde e turmën e hijeve
me lumin e njerëzve që nuk shohin
dikah duhet t’ia mbash...
mbanë këmbën pezull

 
PA EMËR

Koha mundimeve u tha lamtumirë,
në krahët e dashurisë u nis fluturim,
dete e oqeane kaloi pa mundim,
në ëndrrën etje zhurmshëm ka arrirë!

Ka mbledhur vitet e ngjarjet varg,
lodhjes i ka thënë të marrë ikën,
terrin ka ndjekur, hapur është dritës,
me dhembje e shpresë ka shkuar larg!

Në themele ka gjetur të shkretën zemër,
zemër njerëzore vrarë nga njeriu,
gjithnjë me tmerrin e frikën përballë!

Gjithë kësaj do pa i dhënë emër,
pa ditur ku rri ujku e ku bren veriu,
Mbetur mundimeve, sillet vërdallë!

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen