Samstag, 20. September 2014

Drita Fejza - Cikël poetik


ATY KU MJALTË SHIJON DASHURIA
 

SHPIRTI I POETIT

Ju që lexoni vargjeve shpirtin e poetit
a e dini se peshën e malit mban
kur fryn murlani dhe tërbohet deti
ai dhimbjen ka jorgan

Ju që lexoni vargjeve shpirtin e poetit
a e dini se moshë ka veç dashurinë
me vargje e zbutë vetminë

Ju që lexoni vargjeve shpirtin e poetit
a e dini se ai me dashuri
ju falë copëza ëndrrash nga shpirti i tij

 
DASHURI...

Oooh
ti pritje në shkëlqim
dritën e fundit që kurrë nuk më ndriste

Gllënjkë e shtrydhur në etje e kallur
pritjeve s’u derdhe kurrë

Shi shkretëtire
puthje në buzën e tharë
në sofrën e zemrës sime
solle etje uri ethe e lakmi

Ti e vetmuara dashuri

 
TË TË STOLIS ME PUTHJE

Lermë të lundrojë mbi trupin tënd
të shpërthesh vullkan
të ngjallem si stuhia

Lermë të të stolis me puthje
përmes ndjenjave
në thellësi të shpirtit tim shkrihu
njihi dallgët e ndjesive të mia

Lërmë të vallëzoj aty ku mjaltë
shijon dashuria

 
ISHTE VETË DASHURIA

Dielli u përkul ngadal dogji buzët e mia

Nuk ishte cfardo diell
ishte vetë dashuria

Si feniks u ringjalla
e përpiva të tërin e mora në gji

Ai vullkani i zjarrtë
prej dashurisë u kthye në hi

Atë pluhur të artë në vazo të zemrës e ruaj


PALLATI I DASHURISË

Një pallat i ndërtuar me ëndrra
nuk shembet edhe aq lehtë
forcën e zemrës mban përbrenda
aty edhe heshtja flet...

Themelet janë ngritur përmes dëshirash
bazë të fortë kanë forcën e mendjes
shtyllat me dashuri janë betonuar
______________
Nga Revista "Agmia"

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen