- “Poemë n’udhëtim” - Musa Jupolli
Në portretizimin poetik të Musa Jupollit, të përvijohet si më e përshtatshme thënia: “Arti, dialektika ime”, duke i shtuar edhe faktin e gjithëpërfshirjes së shqetësimeve të tij si udhëpërshkrime të shumta historish kombëtare. Vëllimi poetik “Poemë n’udhëtim”, i botuar më 2012, është një nga ato dëshmi të shumta, ku përmes vargjesh përshkruhen furtunat qindvjeçare të Atdheut. Për të, të jesh poet, nënkupton të jesh mjeshtër i fjalës, veçmas të atyre fjalëve që përmbajnë të zjarrtin mall dhe klithmat e dhembjes..., ky zë i thekshëm poetik që e përshkon në çdo cep hartën e madhe të trojeve ilire.
Musa Jupollin, përmes vargjesh, edhe lexuesi e njeh si poet që e gjen, sa në Shqipëri e Dardani, po aq në Çamëri, Malësi e gjetiu, gjithkund ku frymohet shqip. Ky zë poetik është stërmbushur brengash si poetët e kohës, ashtu si përkalimet e Atdheut, siç edhe pohon: “Nuk kam kaluar as një ditë/ pa të dashur. Atdheu im... as një natë pa të ëndërruar/ nuk e kam kaluar...”. Sikurse poezia “Për ty Atdhe”, një distik i harmonishëm që përbën himnin shpirtëror mbi një dashuri që ngrihet mbi të gjitha dashuritë..., si të thuash, poeti e nxjerr vlerën e drejtpërdrejtë të fjalës, po me rëndësinë e kuptimeve të drejtpërdrejta.
Poeti, nuk e duron dot Lirinë e ç’akorduar , andaj i drejtohet në besim, kujt tjetër përpos poetit, “Eh, vëlla poet”..., për t’ia shprehur brengën: “Ec e guxo të marrësh frymëzim/ poetik, politik, ekonomik/ Eh, kultura e Atdheut tim…”, për të sendërtuar më pas edhe më vrullshëm strofën e fundit: “Vëlla poet e mik/ nesër është vonë/ Për atë Zot që flet shqip/ bukën e gjuhën/ n’adhurim i ke/ burim i Atdheut tim” (9). Pra, ndjesitë e tij nuk janë vetëm formatime idesh, e hedhje e atypëratyshme në letër, por ideal për të cilin gjakon shumëfish, si intelektual shqiptar, shkrimtar e njeri me vizion të qartë se ç’udhëtim duhet të ketë Poema e Atdheut. Idetë e Musa Jupollit përmbushen me peizazhin e tërë lirik, me parimin e evokimit të mbamendjes kombëtare.
Struktura e ligjërimit poetik
Si copëza rrëfenjash - epope, sendërtohet struktura themelore e kuvendimit letrar të Jupollit, që të paktën, sipas shkrimtarit francez, Paul Valery, rezulton “ligjërim brenda ligjërimit”. Vetë realizimi i poezive dhe botimi i librit, më 2012, flet qartë për sublimimin atdhetar, me të cilin qe pajisur poeti ynë, për të sjellur me elegancë filozofinë e një dashurie të tërë për komb e Atdhe. Poeti është si metafora që shtegton ndër vargje për ta përflakur “injorancën” e mundshme ndaj simboleve kombëtare.
Udhëtimi aventuresk, në dukje, jep ilustrimet e hartës së Atheut, duke i tejkaluar përmasat e kufijve të imponuar..., ato ilustrime kornizojnë një tjetër shtrirje në Universin kombëtar. Ligjërimi poetik i kodifikon emërtimet e lashta, duke ndërtuar sistem marrëdhëniesh me vendbanimet dhe poetët. Poetët lindin, jetojnë..., por nuk vdesin. Me këtë ide sajohen dhjetëra poezi me Unë-in e poetit, të cilat si ama të pashtershme e rimbushin shpirtin e tij dhe bëjnë që hovi jetësor të kthehet në atë letrar.
Linja e mendimit përshkohet nga linja emotive, derdhur si një psikologji e tërë mbi vlerat e njohjes kombëtare. Megjithëse nganjëherë, antiteza shpirtërore e vë në pah mendimin e lirë si poemë në udhëtim, i flet kohës bashkëudhëtare me poetin për një odisedajë ilirike, me një Tungjatjeta ndër buzë, me Besë e betim për Ilirinë. Tërë kjo sjell kthjelltësi njohjesh përmes cikleve: “Për ty Atdhe”, “Poemë n’udhëtim”, “Për fatin tonë”, “Estetika e Atdheut tim”.
Në këto cikle, zëri i poetit vjen i mllefosur e qortues për brezin e përgjumur që harruan porosinë e Pashko Vasës, andaj merr të drejtë për t’ua rikujtuar se feja e shqiptarëve është atdhetarizmi. Pra, para trysnive teologjike, ai mbetet shqiptar, nuk njeh fe tjetër përpara kombit: “Më thanë:/ je katolik?/ jo u thashë,/ unë jam shqiptar/… …më thanë:/ je musliman?/ jo u thashë,/ unë jam shqiptar/… …më thanë:/ je budist?/ jo, u thashë,/ unë jam shqiptar/… …më thanë:/ je ateist!/ jo, u thashë,/ unë jam shqiptar/… …po miku me ju,/ cili është ai?/ Ismail Kadare,/ u thashë./… …Ah, vous etes Albanais/ unë u thashë se,/ jam shqiptar/… …më thane:/ po feja juaj,/ cila është ajo?/ po të gjitha nga pak,/ u thashë/ …dhe ajo është feja shqiptare” (15). Poezia “Më thanë…” jehon me zërin emblematik vetëm për të dëshmuar qenësinë shqiptare që e bën krenar poetin Jupolli.
Në “Poemë n’udhëtim” këndohet melodia e Atdheut, përmes origjinalitetit të zërave: Akil Koci, Çun Lajçi, Jusuf Gërvalla, Nexhmije Pagarusha, Ismet Bogujevci…, një vargan i tërë artistësh. Madje të duket se në sfond dëgjon dhe lyrën e Orfeut, se si përvidhet në kapërthimet e shumta historike, që nga zgjimi i hershëm, si sintetizim i mallit mbi lashtësinë e kullave, deri në Champ Elysee… Ah, sa i vështirë është ky udhëtim i poetit, nga Dardania në Paris, prej brigjesh në brigje…, për të lënë gjurmët e poemës, si zgjim letrar për “ato të thënat e vjetra/ thelbi i poezisë sime” (29)! Gjithashtu edhe në poezitë: “Plisi” dhe “Sot i themi fat”, poeti u drejton porosi të rëndësishme: brezit që do vijë, mërgimtarëve, si dhe një korpusi të njohur poetësh e atdhetarësh për besë e kuvend.
Në këtë poemë antologjike udhëtimesh është virtyt edhe gjuha jonë hyjnore, meqë “Hyu gjuhën e vet na e dhuroi”, teksa poeti shkruan: “Flas gjuhën e tokës sime,/ legjenda jonë n’melodi/... ...Hyu gjuhën e vet na e dhuroi/ pesëmijë e më shumë vjet/ që thërret ky zë/ me notat e Atdheut tim...” (150). Gjuha - është fjala që kërkohet në çastin e dhënë me vlerën e drejtpërdrejtë të saj. Grupimet e këtilla ritmike, të vargëzuara në larminë e rrokjeve, japin shpërthime lirike të pëlqyeshme. Megjithëse poezia e ruan kuptimësinë autentike, nuk vërehen dhe aq përpjekje në mënyrë të domosdoshme për përafrime rimash. Kjo ndodh dhe për faktin se “poezia është gjuhë më vete”.
Përgjithësisht, vepra nuk bart strukturë rigoroze metrike, vetëm se mendimin kritik e sjell si “gjykim të shprehur”, bashkë me bazën leksikore, figuracionin poetik, si dhe shenjat gjuhësore që e karakterizojnë… Natyrisht, një realizim i arrirë poetik, në të cilin strofat, po edhe vargjet sajojnë kontrast emocional, ku megjithatë nuk ka iluzione, por entuziazëm që mbase shprehet edhe me ndonjë varg të shkurtër adonistik, përmbyllës si të thuash. Mbizotëron përdorimi i vargut të lirë, si transformime rrokjesh të shumta e të ndjeshme, nga poezia në poezi.
Musa Jupolli, me mjeshtëri artistike të dëshmuar, tani më, me disa vepra, sikur i ndihmon lexuesit që të përftojë më shumë njohuri kombëtare, veçmas mërgimtarëve shqiptarë, ndonëse jeton në Francë, ku gjykojmë se kulturat janë identifikim i hapur i ndryshimeve njerëzore. Me këtë, poeti e ka respektin e të gjithë atyre që e njohin veprën e tij dhe e përkapin porosinë e autorit.
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen