URA E MASKATARIT
Kosovë i thonë Gjilan
Atë ditë që ndodhi krimi
Biografinë time e lexove
Nën Urën e Maskatarit
1. Ç'U BË URA
Ruaju
Nga Ura e Maskatarit
Kohë e gurtë loton
Nën mua dhe urën
Nata mund të sjellë
Vdekje të tjera moderne
Në trotuare gjaku s'u ter
Heshtja në katror më pikon mua
Shëmtinë mistike e ruan
Edhe për një masakër
Loja vazhdon
Dimri më shpalos
Deri në dhemje
Në koncertin e natës
Harfa gëlltiti përsëri në mua
Maskatarin
Ç'u bë ura
2. INFARKTI I DITËS
Më mësove
Për katastrofën që ndodhi
Në kokën time
Rrotë mulliri
Para se të arrish në Gjilan
Te Ura e Maskatarit
Infarkti i ditës
Përtyp në vete një kancer
Gjilani
Sillet në metaforë
Vdekja luan në rulet
Thehen eshtrat në mes
Prapë e njëjta urë
Ura e Maskatarit
Ura
3. QENTË E SALLHANES
Qentë e Sallhanes
Pas kokës sonë lehin
Lehin në hijen time
Derisa të na hajë terri
Mua apo ata
Qentë e Sallhanes
Qentë e Sallhanes gjurmojnë
Katrorin e Zi nëpër lëkurë
Varrosin hijen time të gjallë
Për drurin në të cilin u vara
Para se të lehin qentë në mua
Në Urën e Maskatarit
Në ditë më drekë
Më gjeni duke u matur
Me hijen që ma lehen
Qentë e Sallhanes
4. NË ÇFARË PIKËPYETJE
Në çfarë pikëpyetje
Në galerinë e mërive
Sillet ruleti i zi
Në çfarë pikëçuditëse
Në mesditë më ndërrojnë
Me një lojë ruleti
Vdekja paralajmërohet
Një mijë vjet më parë
Shpallet në Gjilan
Një mijë vjet më vonë
Zogjtë më rrëmbejnë sërish
Para tempullit të dhembjes sime
Në agoni më sjellin në Gjilan
Numërojnë ditët dhe netët
Për t'i ndërruar
Me Urën e Maskatarit
Të më rrëmbejnë sërish zogjtë
Vallë
Në çfarë pikëpyetje
Më solli ruleti i zi
Në çfarë pikëçuditëse
Ura e Maskatarit
5. TEATËR MISTIK
Teatër mistik
Rrëzë Dobrushës së përgjumur
Urë e Maskatarit
I sjellë aktorët e vet të vdekur
Me kufomën time
Ç'teatër mistik
Skenë publike
Ndërrohen aktorët
I njëjti teatër
Luajnë dhembjen time
Ç'u bë me kufomën time
Teatër mistik
Kufomën time e bart era
Ku mbeti Gjilani
Të më varrosë
Apo të më mbulojë me gjethe
Te
Ura e Maskatarit
Ç'teatër mistik
6. Ç'BËRI GJILANI
Qentë lehin
Ende rreth hijes sime
Që mbeti e vrarë
Te Ura e Maskatarit
T'm'i përkujtojë
Pjesët e vdekura të jetës sime
Që rridhte nën Dobrushë
Derisa historia i hante
Fletët e grisura
Gjaku i përtharë
T'i kthejë të vdekurit
Që ta luajnë edhe njëherë
Ruletin e tyre të marrëzisë
Te Ura e Maskatarit
Ç'bëri Gjilani
7. JETËT QË S'I PATËM
Nën Urën e Maskatarit
Ushtojnë flugat
Natën e ditën na ruan qeni i zi
Të na zë në pahir
Ruajna Zot prej tij
Na hyjnë deri në gjumë
Pas natës së njëmijëenjëtë të numërimit
Tempulli i zi i harrimit
Zhamelat rrotullohen nëpër shpinat tona
Gjurmojnë ruletin e vet
Flugat na përkujtojnë
Jetët që s'i patëm
Por që na i ngatërruan thurimen
Të jetës që e patëm
Veç një metaforë mistike
Udhëtojmë Udhëtojmë Udhëtojmë
Nën Urën e Maskatarit
Vallë
A do t'i mbërrijnë atë që na mbërrin
Te
Ura e Maskatarit
8. KONTOT E ZBRAZËTA
Derisa lojërat vazhdojnë
Në Evropë
M'i numërojnë plagët
Kontot e zbrazëta
Në xhirollogaritë e xhepave të shqyer
Gjakun m'i plotëson formulat
E kontove të zbrazëta
Nga seancat e gjata të heshtjes
Zogjtë bëjnë grevë nate
Kukuvajet janë zgjuar nga gjaku
Që s'ishte tharë ende
Te
Ura e Maskatarit
Plakat thonë
E hëngërshi kokën tuaj
Në çdo amfiteatër
Ende loja ime
Dhe e Gjilanit
Në Evropë teatri mistik
Rrëzë Dobrushës zë në thua
Nga ai dola unë
Hamlet i dytë
Ku më mbeti koka
9. EVROPA PLAKË
Evropa plakë më doli nga nënthoi
M'u mbështoll nën lëkurë
A po sheh
Tha, Bota mund të shpiket me një kupë
Edhe pse Dobrushës i vjen erë gjaku
Evropa plakë e hetoi
Kotësinë e së nesërmes
Para se t'i bien dhëmbët
Nga trishtimi
Në Fushën e Korbit
Gjarpërinjtë bëjnë grevë
Derisa të të piqet durimi
Që i dha emër kësaj dite
Derisa gjeli
Me sqepin e tij
Gjurmon prejardhjen e këndimit herak
E në metaforë
Kali i lazdruar shqelmon botën
Që çel heshtjen
Që të shpiket me një kupë
Evropa plakë s'u rrëzua
Mori plagë vetëm thoi
10. DIELLI NË SOFËR
Dielli do të ulet në sofër
Për ta rifilluar botën
Ashtu siç nuk ishte
Për ta hëngër
Në vend të urisë
Apo do të vendnumëron
Duke u ngatërruar në hijen time
Do të ngrehim piramidë
E nga maja e strumbullarit
Do ta njohim sërish Gjilanin
E ta shpallim kryeqytet të Masakrës
Diellin ta ulim në sofër
Vallë do të na lehin
Prapë Qentë e Sallhanes
Maltusi a do ta ngasë Kalin e Zi
Nëpër këtë kryeqytet të harresës
Kush dëshmon pas vdekjes
Pas tërbimit
Kau i Zi do të lodrojë nëpër Gjilan
Harfa
Do ta zëvendësojë me një lodër
Te
Ura e Maskatarit
11. KORI I MËRZISË
Zogjtë e tëhuajsojnë Gjilanin
Nëpër meridiane të botës marroqe
Korin e mërzisë duke orkestruar
Derisa i zuri gjumi
Pas natës së njëmijëenjëtë
Dita shtatzënë
Polli qenë të zinj
Si t'i pagëzojmë
Para Fushës së Korbit
Dobrusha rrjedh
Kori i mërzisë
Minjtë në ahengje i zëvendësojnë
Oratorët e qetësisë së sëmurë
Që e shpallën Gjilanin
Kryeqytet të mërzisë
Tani më kot sillet ruleti
TV në s'e shikojnë
Urithi e mori gjuhën
Që ia ndaluan perënditë
I plasi mërzia
Derisa zogjtë e tëhuajsuan Gjilanin
12. KOSOVË I THONË GJILAN
Kosovë i thonë Gjilan
Atë ditë që ndodhi krimi
Biografinë time e lexove
Nën Urën e Maskatarit
Xhamia e Madhe
E hëngri xhematin e vet
Te
Ura e Maskatarit
Rrugët u bashkuan në një
Pa t'i thyer eshtrat
Atyre që i hëngri ai mëngjes i zi
Në masakrën e paparë
Atë ditë të zisë
Në qytetin e mërive
Në Gjilan
E në Fushë Korb
Kali i shfrenuar nget e s'ndalet
Për ta zënë hapin e vet
Derisa e vrau vetmia
Në mesditë
Në mesditë
Ndodhi krimi në Gjilan
Dobrusha s'fle
S'e lënë klithmat e atyre që i bartte
Nën Urën e Maskatarit
(Nga libri: LOJA E RULETIT)
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen