Dienstag, 23. Dezember 2014

Nikoll Ulndreaj dhe "Djepi i Stinëve"

  • Parthënia e vëllimit poetik  "Djepi i Stinëve" të autorit Nikoll Ulndreaj

Në vëllimin "Djepi i Stinëve" si një udhërrëfyes i kujdesshëm plot pasion e rrezatim poetik, poeti të paraprinë duke të prezantuar me një botë të gjallë, të pafundme që vetëm hyhet . Në këtë botë të bukur e të shkrirë në një me shqisat, autori të shpie në çdo cikël të këtij vëllimi që të fton të ndalesh aty ku muza e tij ka dhënë fuqinë e vargut ...

Poeti të shpie nëpër stinë të jetës përmes një rruge të vështirë, por të bukur . Këtë mision të marrë e kryen përmes penës së tij e cila gdhend në kohë stinët që rendin duke lënë pas një vepër,një emër të mirë që për autorin janë vargje që dedikohen bukur.

Lexuesi ndihet komod kur shfleton këtë vëllim poetik, pasi ndihet në të vërtetë si një turist i këtyre bukurive , sikur sheh me sytë e tij çdo pjesëz të bukur rrezatuese që shkëndijon më shumë e kthyer nga muza në art krijues . Ndien çdo tingëllim të kësaj natyre të kthyer në strofa poezish të cilat i japin muzikalitet dhe ritëm, me një figuracion të pasur ...

Të gjitha ciklet janë si vëllime në miniaturë, por që shpalosin me pasion artin poetik të këtij autori. Imresionohesh me renditjen e kujdesshme ,radhitur në kronometër të kohës, si ditë që plotësojnë stinët e që autori na i sjell përmes vargjrve. Shumë nga ne, miqtë e ti, këto krijime i kemi shfletuar nga faqet e internetit dhe jemi bindur që poeti Nikoll Ulndreaj depërton në këtë prurje si arkitekt i vetë krijimeve të tij që tingëllojnë si jehu i bjeshkëve krenare ...

Kështu, nga njëri cikel tek tjetri , të ngjet që kalon nga njëri mal i bjeshkës rrafshnaltë me bukurit pa mbarim, tek tjetra e tjetra, ku shuan etjen në kroje e gurra kristal e ku etja të rindez të pish përsëri... Një gurrë që nuk ndalon, por i këndon bjeshkës, vendlindjes bujare , mallit pa kufi, i këndon viteve që rendin, dashurisë së mrekullueshme përmes bliceve shndritëse të syve, zjarrit e vrullit të saj, kësaj ndjenje magnetike që fal vetëm dashuri të veçanta e surprizuese janë poezitë kushtuar njerëzve të mrekullueshëm të këtyre anëve që kanë lënë e do të lënë emër të pashlyer. Poetët kanë vetëm një stinë, ajo është poezia .
Duke e uruar autorin për sa më shumë suksese e që solli dy vëllime njëherësh ,jemi të bindur që të tjera vëllime po aq të arrira do mbërrijnë në duart e lexuesit.

Gjergj Nikolla
Anëtar i lidhjes "Pegasi" Albania
 



DJEPI I STINËVE
 

Pjesa e parë

Ka dymijë vjet djepi përkundet buzë humnerës,
pranë kreshtave shpatë e mbështetur në qiell!
Prore luftë me dimëra për një grusht diell...
Mbanë qeleshe të bardhë në krye edhe verës!

Zakon prej moti mbeti stinët ti rritim në djep,
që kur zana e malit në Kaki kish ngrit tendë...
E qyqja këndoj në lis.Folezën e kish në thep!
Zana përkundi hënën të flejë në legjendë...

Shtatë mrize zanash si shtatë mrekulli që bota ka...
Shtatë beteja Muji dhe Bajlozë u gjuajt me shigjeta!
Në shtatë bjeshkë sot askënd të gjallë s'kam pa,
veçse në guva të thella, skelete të vdekurish gjeta...

Ka kohë mbuluar me gjelbërim ëndrra, rritet në lis...
Lisa të moçëm që kanë qëndruar në çdo shtrëngatë!
Erdhën të huajt. Eshtrat këtu kanë lënë ngado janë nis...
Eh, si klithën, kur gjer në brez u fundosen në ligatë!
 


Pjesa e dytë

Mijëra vjet më parë lumenjtë ishin vampirë të gjallë
Të uritur, gërryen shkëmbinj e dhera pa mëshirë!
Mëkatet e kaluan cakun, Krishti sillej vërdallë...
Nuk kish guxim t'i zinte për brirësh me të mirë!

Që atëherë linden engjëj uji. Lumenjtë i ulen në borë,
në dhera i fshehën maleve u mbinë në gji...
Lot mallëngjimi i nxjerr dheu po e shtrydhë me dorë!
E në zemër të bjeshkëve rrjedh lum i kaltër dhe i Zi...

Qiejt ishin ulur në retinë të syrit dhe ishin strukë.
Kreshtat e pabindura ruhen të mos shkasin në rrasë
Retë kullosnin horizonte e shiun e ulen në sukë...
Stepave kraharori kullot loti i lakmisë që ka plasë.

E përcjell etjen një mot i virgjër nga stina në stinë.
Përgjaken muzgjet Shtegut të Dhive e mbesin pa gojë:
Më dhimbje duke shumëzuar yjet të vdesin vijnë!
Ti mos u shkel në varreza se për besë të venë në lojë...
 


Pjesa e tretë

Bjeshkët shkundin flokët e dredhur mbi barin e njomë.
Vjen agu i mëngjesit në flatra stine si foshnje buzëqesh...
Pejsazhe alpine në ekstazë me gojfil,lule vasha e aromë...
Syri i moshës bjerr pas hënës ziliqare fustan,kur veshë.

Janë flutura lara-lara me sy të bëjnë magji...
Rrëkenë anës syrit e pijnë vashat të përtërinë puthjen e dytë!
Rashë viktimë. Vashës i kam futë dorën pa dashur në gji!
Ndodhë kur shikimit s'i bënë lak. Bukuria të dehë, të zë sytë...

Që atëherë vetminë korrim në fusha ere, mbetur shkretë!
Ndanë djepit një kaproll i ka rënë fyellit nëpër stinë...
A mundem të fshehë lot e mall, si ortek bjeshkës shket:
Përpara guri i zemrës thyhet, nga pas thinjat më vinë!

E kam zemrën përgjysmë me bjeshkët në çdo stinë,
në dy gjysmë zemra lumi i Bardhë na ka ndarë!
Në njërën anë bjeshkët, zogjtë, krojet heshtur rrinë...
Ndërsa në anën tjetër gjysmë zemra ime duke qarë!
 


Pjesa e katërt

Gjithë ditën djepi i stinëve përkund gurin e varrit tim !
Eshtrat e etërve të dhimbjes pëshpërinë diku larg...
Kanë dalë prej vathe varret në stinë, ndjellin pikëllim !
Të vdekur me rrasa mbi krye, dorë më dorë vijnë varg...

Mbetur në vetmi , varret u kthyen në kopshte me fier ,
S`kanë gardh rrethues, veç kulprave të përdredhur lak !
Grifsha, zogj e sorra në furkë të merzisë penj tjerrin...
Bliri mes varresh bredh nëpër lot , u tha degësh, u mplak !

Ç`do ndodhë me mua që sot syve e vetvetes s`i besoj !
Rrugëve të vendlindjes oxhakë që tymojnë jam duke lyp...
Kulloti lotin në pragje kullash...
Të thërras në derë s`guxoj!
Këtu mbetem !
Ndezur zjarri i dëshirës pafajësisht !

Më thoni bashkëvendlindas të mi pse ngushtë jam zënë !
Martoj tim bir dua krushq e dasmorë, më kë ta ndërroj një fjalë !?
Thërras nëpër kulla emër për emër: Ejani sonte martoni një djalë!
Dua të përmbush detyrën e brezit tim : Baba, amanet ma ka lanë !
 


Pjesa e pestë

Erdhi vetmia nga bjeshket , zbriti,
në djep era e përkund...

Zogjt u mësuan në vetmi, folet i ndërtuan me gheth resh...
Honi i thellë mbuluar me duvak, varr ninullash i pa fund...
Stinët vijnë e hanë njëra - tjetrën në heshtje vetmia qesh !

Po ti mos m`i fsheh ninullat nën putrën e ketrit larush...
Se dimrat rrinë pa gjumë, sillen vërdallë Ligut të Bardhë !
Në kaptell djepi ulen xixëllonja, i trembë një arushë !
U bë bisht shtigjeve, pranvera në këmbë duke ardhë...

Mbase në ndërgjegje hijerëndë largimi i dridhet e lyp ,
shpresën e vet që e kish dikur,
ndryshe fjala thuhet...
Pikëzoje pendimin tënd! Betohu në bukë e kripë !
Fundja e fundit miku im dhimbja askujt si ruhet...

Ule nga supet gjelbrimin që ti ke marr me veti...
Lëri të lirë zogjtë e bjeshkës, hiqua lakun !
Druaj se s`mund të hyjnë në lavër bjeshka e deti ,
sado që ke guxim miku im, dëshira e kalon cakun ...

 

Pjesa e gjashtë

Sot cakrrohen buzët. Mijëra mollë kanë nisë me u pjekë...
Langonj të shijes rrëmisht turren livadheve të lakmisë !
Jo , s`mundem ato mollë kuqëlore nga dega me i hjekë ...
Po i vrasë lëngoj e mi. Era gërmadhë i vjen shtëisë .

Qerpikët e mi, i ul, i lë në borë t`i hajë ujku, po t`dojë qeni...
Gërryhet trupi si dardha e vjetër, një shekull arës në sythe.
M`i kanë rrëmbyer frerët e këmbëve, gjurmët këtu i keni !
Në gojë dimrash të egra, mbuluar nga duvak me kith .

Ndiej aromë stinësh në fjolla të ballit, pjalm lulesh shkundin...
Më dërgojnë letër zogjtë, më thonë: Pranvera ka ardhë !
Malli me gjelbrimin bjeshkës i ngjiten në maje, e lule tundin .
Nesër lind agu e stinës i betohem: Do vesh këmishë të bardhë !

Të gjitha muzgjet e stinës do mbledhë së toku t`u vë emrin tim ,
sa herë të shfryjë era bjeshkëve thuani, ka ardhë Nikolla !
Hej lumi i Zi, lumi i Bardhë, mos ecni me rrëmbim !
Druaj se the qafën thepave, kur stinohet koha !

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen