Më kujtohet se çfarë ngazëllimi kisha, kur në shkollën fillore në formë ekskurzioni vizitonim Strugën dhe Ohrin. Mezi e pritnim ne fëmijët këtë gjë. Shpesh udhëtonim përmes Kërçovës, por rrallë herë edhe përmes Dibrës. Një herë, një javë para se të niseshim unë theva këmbën në shkollë dhe nuk munda të udhëtoj. Prej atëherë më ka ngelur në mendje se nuk duhet të gëzohem për së tepërmi për ndonjë gëzim. Sidoqoftë, kur mernim rrugën përmes Dibrës, atëherë kalonim pranë vijës së përbashkët kufitare me Shqipërinë. Ishte koha kur ushtrohej një formë kundërnjerëzore në të dyja anët e kufirit. Neve na ndalonin të flasim gjuhën tonë, ta duam flamurin tonë, të shikojmë televizionin shqiptar, ta duam Shqipërinë e shumë barbari të ngjashme. Me një fjalë kjo ishte procedura e asimilimit. Por, kjo gjë ende më shumë na shtonte idealin kombëtar, na zmadhonte dhe na bënte të pashterrshme dashurinë për Shqipërinë, dhe në mendje na zbukuronte natyrën që ekziston atje, të cilën e paramendoja se është diçka ndryshe, rrugët janë ta argjendta, parqet e pastërta, njerëzit të dashur etj. Pra, siç është molla e ndaluar aq e shijshme ashtu ishte Shqipëria për ne atëkohë aq e dashur dhe e pashembullt. Edhe në anën tjetër të kufirit, siç do ta merrja vesht më vonë ushtrohej një asimilin tjetër, një torturë mbi popullin, ku propagandohej se në të katër anët gjendet armiku, dhe në fakt në të katër anët gjendej po e njëjta farë e shqiptarëve.
Rrugës mes Dibrës dhe Strugës, kur arrinim me autobusët tek vija kufitare mësuesit i thonin shoferit ta ngadalësojë shpejtësinë dhe ne nxënësit të gjithë ngjiteshim me fytyrat dhe duart në dritaret e djathta të autobusit dhe shikonim me kureshtje dhe dashamirësi shtëpitë përtej kufirit, në tokën e ndaluar shqiptare. Oh, ishte kjo një ndjenjë krenarie dhe vuajtje njëkohësisht. Krenar se kam një atdhe që quhet Shqipëri, tek i cili kishim varur shpresat se nuk do të lejojë që të na marrin nëpër këmbë sllavët dhe i përvuajtur se pse nuk mundet të më shkelin këmbët atë vend të shenjtë dhe të bekuar andej kufirit! Dëgjoja nga të rriturit se kush ka dalë andej kufirit ka mbaruar në burgjet më të këqija atje. E kanë rrehur dhe e kanë kthyer tek kafshët në anën tjetër, ku tortura më pastaj nuk kishte të ndalur. Nuk e kuptoja këtë gjë, se si mundet të ndodh që një bir të ik nga bishat e kur afrohet tek nëna ajo t’ia bëjë një gjë të tillë!? Më vonë kur fillova të kutpoj pak më shumë nga kjo që i themi jetë, pash se nëna kishte qenë vetë e dobët dhe mezi mbahej në këmbë. Atëherë u ngjesha edhe me vizionet e atyre njerëzve që me vite të tëra që nga lashtësia shkruanin, ligjëronin dhe vuanin për atdheun, por larg tij. Për këta njerëz na tregonin mësuesit dhe më vonë profesorët në shkollë. Jo nga lënda e mësimit, sepse ajo parashihte ligjërimet në sllavisht dhe për kulturën, traditën dhe historinë e manipunuar dhe të rrejshme të këtij shteti ku unë u desht të rritem. Në këtë pikëpamje, i falënderoj mësuesit dhe profesorët tanë që na ushqyen me këtë ndjenjë, përkundër rrezikut të jetës së tyre.
Kishte disa kamionë që udhëtonin disa herë në ditë nga Bulqiza për në Jegunovcë. Transportonin material përpunues anasjelltas. Ishin shumë të vjetër, por ecnin ende. Kalonin përmes fshatit tonë. Ne fëmijët çdo ditë nga shkolla shkonim në fushë dhe luanim top apo argëtoheshim në forma të tjera. Shoferët kishin shumë frikë të na përshëndetin apo të na flasin. Nuk e denim ne pse. Por, siç e thash më lartë, më vonë do ta merrja vesht. Ndërsa, ne i shikonim këta kamionë dhe shoferët si diçka mbinatyrore, diçka fantastike dhe të dashur. Ne nuk i shikonim me sytë në ballë, por me ata të shpirtit dhe zemrës. Dhe zemra dhe shpriti na thonin se këta janë pjesa e ndarë e trupit, e ndarë me dhunë nga trupi ynë i përbashkët. Ndonjëri nga ata që merrte guximin të ndalet dhe të na përshëndet, më dukej se kishte buzë të arta kur fliste shqip. Një gjuhë hyjnore dhe e pastër. Edhe ai habitej me ne se si flasim shqip. Po shqiptarë jemi dhe ne, këmbëngulnim ne si fëmijë.
Mes viteve 1996-1997 unë baskë me shokun tim Besim Jakupin, i cili tash gjendet në Oslo të Norvegjisë bashkë me disa bashkëfshatarë të tjerë, të gjithë të moshës rinore (unë 19 vjeç e ai 18), pas shumë diskutimeve dhe planeve arritëm ta botojmë një revistë rinore pak më ndryshe në atë kohë nga të tjerat dhe e titulluam Venera. Disa të rinj të tjerë që si pasqyrë të karakterit të tyre vetëm poshtërsimin kishin, filluan të talleshin duke na thënë se ‘i vjen era’. Pra, për venerën mendonin. Ata vetë nuk dinin ta pastronin hundën, kurse ne botonim një revistë dhe e kishin gjetur të tallen me ne. Por, ne vazhduam punën. E finansonim nga shitja, por edhe disa afariste dhe mërgimtarë në perendim kohë pas kohe na ndihmonin me ndonjë donacion simbolik. E shpërndanim gjithandej Maqedonisë perendimore (Shqipërisë lindore). Një ditë u nisëm me tren për në Kërçovë. Arritëm atje, kontaktuam me dy të angazhuarit atje në gjimnazin e qytetit. Në ndrrimin e paraditës përgjegjesja ishte një femër dhe në atë të pasditës një djalë. Të dy ishin shumë me karakter të mirë, të sinqertë dhe të përpiktë me pagesën e revistës. Pra, ne sillnim numrin e ardhshëm dhe merrnim pagesën e muajit të kaluar. Me këta të Kërçovës asnjëherë nuk kemi patur probleme me pagesën dhe gjithmonë e kanë paguar në rregull. Ndryshe në Gostivar dhe në Strugë nuk na paguanin në rregull dhe sot e kësaj dite na ngelën shumë copë pa paguar.
Atë kohë kishin ndodhur helmimet e nxënësve shqiptarë në Tetovë dhe Gostivar. Unë isha student i vitit të parë në gjeografi, si gjeneratë e dytë në Universitetin e Tetovës. Pasi mbaruam punë në Kërçovë, në stacionin e trenave pyetëm një taksist se sa na kërkon që të na dërgojë deri në Dibër. Ai na kërkoi shumë dhe ne vendosëm të kthehemi në Tetovë dhe një ditë tjetër ta sjellim revistën në Dibër. Sapo u ulëm në karrigen e drurit, erdhi një njeri i vockël dhe na tregoi në dorë një si kartë identifikimi dhe tha se është inpektor. Na pyeti gjërë e gjatë se nga jemi, çka bëjmë këtu, pse duam të shkojmë në Dibër etj. Pra, ai kishte biseduar me taksistin. Unë me vete kisha një çantë, ku kisha libra të ndryshme, të cilat i lexoja rrugës. Pasi ia tregova atij kartën time të identifikimit ai kërkoi të njëjtën edhe nga shoku im. Ky nuk kishte asgjë me vete dhe unë i thash atij zotëriut se unë garantoj për të. Ai deshti të nxjerri unë gjithçka që kam në çantë dhe t’i vendosi në karrige. Kështu edhe bëra. Kur pash se në çantë më kishte ngelur vetëm indeksi studentor, të cilin pa dashje e kisha harruar brenda u shtanga pak, por shpejtë e mora veten dhe i thash atij se nuk kam më gjë brenda. Ai futi dorën e tij dhe e nxorri indeksin.
“Çka është kjo?”, më pyeti.
“Shkruan aty se çka është, në shqip, në disa gjuhë botërore dhe në gjuhën tuaj”, iu përgjigja unë.
“Po ju e dini se ky është një dokument jolegal”, tha prapë.
„Ndoshta për ju po, por për mua është shumë legal sepse unë studioj i rregullt dhe kam aty brenda edhe notat e dy provimeve të dhëna“, shtova unë.
„Duhet të vini me mua në stacionin e policisë“, na urdhëroi.
“Nuk ka problem”, u desht të pajtohemi ne.
Pasi arritëm atje, shokut i tha të pret poshtë në hyrje dhe mua më mori me vete në zyrën e tij në katin e parë. Vazhduam diskutimin unë dhe ai. Ai me mendjen e vete sllave dhe unë me atë timen shqiptare. Më pyeti se me çka merremi ne në Universitet, a flasim për Shqipërinë e madhe, a kemi armatim dhe gjëra të tjera banale. Ia sqarova se unë kam ndërmend ta mbaroj gjeografinë, kemi hartat në klasë, globin dhe gjëra të tjera që i përkasin lëndës së gjeografisë. Kam vizionet e mia që një ditë të ligjëroj në shkollë, kam jetën përpara, merrem me shkrime dhe aktivitete kulturore e letrare, njoh disa gjuhë dhe nuk kam kohë të merrem me ato gjëra që ai pretendon se merrem.
“Këto gjëra janë vetëm një fiksim i gabueshëm në mendjen tuaj”, i thash dhe ai e pa se unë u qëndroj deklaratave të mia. Nuk kisha frikë se do më ndodhte diçka, pasiqë nuk i kisha bërë asgjë askujt dhe as shtetit, as këtij farë inspektori të çuditshëm para meje. Ma mori indeksin dhe tha se mundemi të shkojmë.
“Për kartat e udhëtimit jam marrë vesht që të merrni të tjera”, tha në fund.
Mua më erdhi shumë keq për indeksin, sepse tashmë i ndjeri z. Fadil Sulejmani, themeluesi dhe rektori i parë i Universitetit të Tetovës vetë ma nënshkroi që ta merrja falas atë, pasiqë nuk kisha mundësi ta paguaj. U ktheva në rektorat dhe u thash se si ndodhi puna. Atë kohë aty punonin disa me të cilët vështirë se mundesh të merresh vesht. Më thanë që të shkoj në Kërçovë dhe ta marr një vërtetim nga ata që ma kanë marrë indeksin. Dhe kështu veprova. Muajin e ardhshëm shkova atje dhe u takova me atë inspektorin. I thash të ma japin një vërtetim dhe ai tha se për gjëra të tilla nuk japin vërtetime.
Në janar të vitit 1997 shkova ta shpërndaj revistën në Dibër. Përgjegjësi atje më tha se ka disa familjarë në Peshkopi dhe ka ndërmend të shkojë atë ditë atje. Unë u habita se si ka mundësi ai të kalojë andej kufirit. Më tha se ata kalojnë shpesh dhe normalisht me rregull tek kufiri ku kontrollohet çdo gjë. I thash se e kam pasaportën me vete dhe a ka mundësi të shkoja dhe unë me të. Po, tha ai, nuk ka problem. U nisëm me një makinë deri në kufi. Mua në kokë më rrotulloheshin kujtimet nga fëmijëria, nga shëtitjet me autobusë për në Strugë dhe kulmet e shtëpiave në anën e Shqipërisë. Nuk e besoja dot se sot do ta shkeli atë tokë të shenjtë. Zakonisht në raste të tilla dëshiron të zgjohesh nga gjumi dhe të shohësh nëse është e vërtetë apo jo. Por, unë nuk ëndërroja dhe ishte shumë e vërtetë. Një rrënqethje dhe një trazim ma dobësuan brendinë. Parafytyroja se si duken njerëzit atje, si të reagoj, a ta përqafoj secilin në rrugë e shumë e shumë pyetje ia bëja vetes. Kaluam në anën tjetër të kufirit dhe u afruam tek një minibus. Miku nga Dibra më tha se ai do të flet dhe nëse kam ndonjë pyetje atëherë ta pyes atë se nuk i dihet. Nuk kuptoja unë se çfarë rreziku mundet të jetë dalja andej kufirit dhe shëtitja nëpr Shqipëri në përgjithësi. Isha i stërfryrë me mall dhe mendoja se atë ditë do ta nxirrja të tërin jashtë. Kontakti i parë me njerëzit andej kufirit më la përshtypjen se këtu bënka ftohtë. Jo ftohtë nga natyra, por njerëzit dukeshin të lodhur, si të djegur nga fytyra, të përvuajtur, kureshtar dhe mua më dukej si diçka që nuk e kuptoja. U futëm në minibus. Aty kishte vend për nëntë veta më duket, por mund të them se u futën diku tek 15 vetë. Ishte i prodhimit para vitit 1900… ndoshta më dukej vetëm mua kështu, sepse edhe ai minibus kishte hjekur nën këtë qiell. Rrugët që dikur i parafytyroja të shtruara me ar nuk i shihja askund. Ato fytyra të qeshura, të dashura, magjike dhe hyjnore poashtu nuk i takova. Ndërtesat tregonin nga larg se ku gjendem. Bunkerët, për të cilët nuk kisha dëgjuar më parë, më habitnin shumë. Nuk e dija se nëse ndodhet diçka brenda tyre dhe përse shërbenin. Vështroja nëse dikush më vështron. Një panikë dhe një ndjenjë e pakëndshme më kapi. Rrugës shoferi merrte ende njerëz të cilët nuk kishin se si futen brenda në minibus. Më në fund arritëm në Peshkopi. Shtati in një lumi të madh çante qytetin në mes. Por, aty rridhte vetëm një vijë e vogël uji. Kaluam me mikun tek teatri i qytetit dhe si gazetar bëra një intervistë me drejtorin. Ia dhash disa revista dhe disa libra nga libri im i parë me poezi, të cilin e botova në maj të vitit 1996.
U kthyem në Dibër dhe mora rrugën për në Tetovë. Vizita ime e parë në Shqipëri më solli pak zhgënjim. Nuk më prekën skamja dhe vështirësitë ekonomike e sociale, por liria e kësaj pjese të trupit, të cilit i takoja edhe unë. Nuk e dija se pas pak do të vinte një gjendje që më tmerroi. Pas afër një muaji filluan trazirat dhe lufta qytetare. Unë u lëndova shumë nga kjo gjë. Maqedonët në shkollë na thonin se ja çka jemi ne shqiptarët, kafshë që vrasim njëri-tjetrin. Ata gjenin fjalë të ndyta saqë na detyronin neve shqiptarëve t’ua thenim dhëmbët disa herë. Ata nuk kuptonin se rrëzimi i një sistemi mundet të përcillet me trazira të tilla. Unë dëshiroja sa më shpejtë ta tejkalojë Shqipëria këtë fazë të dhimbshme dhe t’u tregojmë të tjerëve se edhe ne e duam jetën, lirinë dhe ardhmërinë.
Ishte vështirë ta paramendoja vazhdimin e jetës në vendlindje në këto rrethana jostabile ekonomike, politike dhe shoqërore. Pas disa endjeve nëpër radio dhe televizione, nëpër shtypshkronja dhe të ngjashme, dhe pas njohjes me një vajzë të rrethit tim që jetonte në Austri vendosa të largohem për në perendim.
Këtë vit për herë të dytë vizituam Shqipërinë. Gjithashtu bëmë një vizitë të gjërë edhe në Kosovë. Pas gati 15 viteve që jetoj këtu, sikur e kam harruar pak mentalitetin tonë. Jo se e kam harruar, por veset e këqia as që i kam dashtë dhe as që i dua as sot. Për shembull vjedhja, mashtrimi dhe jonjerëzia nuk duhet të jenë pjesë e jona. Që nga fëmijëria kam dashtë ta vizitoj shpellën e Gadimes, por nuk më është dhënë mundësia. Tash në moshën 37 vjeçare, bashkë me gruan dhe tre fëmijët e vizituam këtë bukuri të rrallë në Europë. Dhe në të vërtetë u mahnitëm. Ishte shumë e bukur. Pasi i blemë biletat dhe pasi u bëmë një grup prej diku 15 vetave udhëheqësi na mori biletat dhe na sqaroi për kushtet e shpellës dhe për gjërat që duhet të kemi kujdes kur të jemi brenda. Na tregoi se ku mundemi të bëjmë fotografime e ku jo. Kaluam vizitën në shpellë dhe u nisëm drejt Prishtinës. Dita nuk ishtë aq me fat sepse na ndodhi një ndeshje komunikacioni dhe u desht në Prishtinë të qëndrojmë katër orë të presim të na ndreqin makinën. Shëtitjen e planifikuar më tutje u desht ta anulojmë dhe u kthyem në Tetovë.
Të nesërmen u nisa me vëllaun prapë për në Prishtinë sepse kishim disa aktivitete letrare me krijuesit nga mërgata, të mbështetura nga Ministria e Diasporës e Kosovës. Një mik nga Shkodra bashkë me shoqen e tij erdhën gjithashtu. Ata dy jetojnë gjithashtu këtu në Vjenë. U tregova se dje isha në shpellën e Gadimes dhe ata thanë pasiqë nuk është larg a do të shkonim sot ta vizitojmë sepse edhe ata nuk e kishin vizituar kurrë. U nisëm. Atje përsëri u desht të presim të grumbullohet një grup për të hyrë brenda. Sot si udhëheqëse ishte një vajzë e cila studionte në Itali. Ajo na grisi biletat në gjysmë dhe gjysmën na dha neve. Mua menjëherë më ra në sy kjo gjë. Pra, dje na morën biletat komplet e jo të na japin gjysmën. Pra, tash e kuptova se ata bileta shiten me siguri edhe disa herë dhe fitimi nuk mbaron në arkën e shtetit, por në xhepat e dikujt. Pikërisht ky ves nuk më pëlqen. Nëse ai dje na kishte pyetur se nëse duam të japim diçka për një kafe atij, atëherë me dëshirë do t’ia jepja një 5 euroshe, se nuk e kam problem. Por, të më vjedh apo të më mashtrojë këtë nuk e dua.
Pas disa ditëve morëm rrugën me gruan dhe fëmijët drejt Strugës. Makina që e huazova nga një shok nuk ishte ku ta di se sa e mirë, por ecte… me rëndësi është se kishte klimatizimin, që në këtë nxehtë shumë na ndihmoi. Atje qëndruam një natë në tejkalim, ku unë mora pjesë në një mbrëmje letrare dhe një promovim të librit të miqve nga Suedia. Aty na shoqëroi edhe kryetari i Strugës z. Sela. Pasi bëmë disa fotografi të përbashkëta dhe pasi morëm edhe nga një mirënjohje në emër të komunës së Strugës, unë me familjen hëngrëm një darkë të shijshme pranë Drinit. Nata vazhdoi me disa aktivitete tjera kulturore aty panë, por unë u desht të shkoja në banesë e të pushoja sepse të nesërmen nisesha për në Shqipëri. Agoi mëngjesi dhe ne u nisëm. Arritëm në kufirin shqiptar. Nga ana jonë ndryshe, kurse nga ana shqiptare menjëherë vërehet një ndryshim. Ia dhash përmes dritares 5 pasaportat zyrtarit shqiptar të kufirit. Ishte ky një djalë më i ri se unë. Por, korrupcioni nuk pyet moshë me sa duket. Unë ende kam pasaportën e Maqedonisë, kurse të tjerët kanë atë austriake. Të gjitha i skenoi dhe m’i ktheu përveç të gruas. E mbante me dorë aty mbi makinën për skenim dhe priste. Pastaj e kthente në anën tjetër. Provoi prapë e nuk bënte. Herë-herë ma hidhte mua një buzëqeshje, thua se shumë me dinjitet e bën punën. Pasi kaloi një kohë e gjatë unë e pyeta i buzëqeshur:
“A është gjithçka në rregull!?”.
“Po, po vetëm se nuk e pranon ta skenojë. Interneti i dobët”, tha ai.
Ia dha një zyrtarit tjetër që ta provojë nga zyra brenda. Mua më tha ta parkoj veturën pak më tutje në të djathtë. Pritëm edhe pak dhe dola nga vetura. U nisa në drejtim të tij dhe desha t’i them se ku qëndron puna, me atë pasaportë kemi kaluar disa kufij deri më tani dhe kemi edhe shumë rrugë deri në cakun ku e kemi në Shqipëri. Ne në fakt, donim të bëjmë një xhiro të madhe nëpër Shqipëri nga veriu deri në jug dhe gjithandej. Si njeriu kur dëshiron të çmallet me atdheun. Një tjetër zyrtar më tha se të pres edhe pak dhe do të rregullohet pa problem puna. Ai mori pasaportën dhe ma dha dhe u përshëndet duke më dëshiruar rrugë të mbarë. Vazhduam rrugën. Nuk e dija se ku ishte problemi. Më vonë, pasi u kthyem në Austri miku nga Shkodra më tha se qëllimi ka qenë që unë është dashtë të jap diçka, se atje pa dhënë diçka nuk shkon. Por, mua si nuk më shkoi në atë moment kjo në mend. Çfarë forme të mashtrimit ka gjetur ai zyrtari i ri në moshë e unë aspak nuk rashë në këtë lojë. Ku ta di se si ka menduar ai për mua.
„Ky trap nuk merrka vesht“, ka menduar ndoshta.
E unë mendoja se tashmë kanë kaluar ato kohë dhe Shqipëria ka ndryshuar shumë. Por, një mentalitet jemi gjithandej. Nejse vazhduam më tutje për në Durrës. Aty qëndruam tek prindërit e gruas dy netë. Vazhduam për në Vlorë, e më pastaj për në Sarandë dhe Ksamil. Rruga e lodhshme, por shumë bukuri natyrore na panë sytë. Autostradës kah Kavaja për në Vlorë të vinin makinat nga të gjitha drejtimet. Bile edhe nga drejtimi kundërt. Ktheheshin, rrotulloheshin dhe bënin cirkus gjithandej. E kisha patjetër t’i adaptohem situatës dhe të bëj çmos e të evidentoj me kohë këto gjëra të komunikacionit dhe të shmang ndonjë ndeshje të padëshirueshme.
Në Butrint u mahnitëm. Kishte kohë që para pushimeve shikonim fotografitë e ndryshme dhe analizonim se si do të shkojmë edhe ne këtë vit atje. Por, vizita e dytë në Shqipëri në përgjithësi ishte mahnitja vetë. Tre netë fjetëm në Ksamil. Kthimin në Durrës, ku planifikuam të qëndrojmë edhe dy netë të tjera e organizuam nga Gjirokastra, Tepelena e Fieri. Vizituam kalanë e Gjirokastrës, e cila ishte njëra nga më të mirëmbajturat në përgjithësi në Shqipëri. Kur vajza doli tek kupolla e kalasë, mua sikur më erdhi një freski në kujtesë. Diku e kam parë këtë pamje, thash me vete. Atëherë m’u kujtua se si fëmijë shikoja në televizionin shqiptar, me frikë se mos na diktonte dikush, festivalet e këngës që organizohen çdo vit në këtë kala. Ndjenjat më pushtuan. Nuk e besoja se këmbët e mia shkelin këtë truall. Aq më pak besoja se edhe fëmijët e mi, pasardhësit e mi e jetojnë atë fantazmë që unë kisha dikur si fëmijë. U kënaqëm mirë aty dhe vazhduam rrugën. Nuk kishim kohë të vizitojmë shtëpinë e Kadarës edhepse e pamë shenjën diku. Aty me sa di është edhe shtëpia e atij…
Papritmas në rrugë pamë shenjën Syri i Kaltër. Oh, nuk e lëmë pa e parë, thamë unë dhe gruaja. Me atë makinë të dobët u futëm në drejtim të tij. Rruga shumë e keqe deri atje. Pak para hyrjes na ndaloi një zyrtar i Pylltarisë dhe tha se duhet të paguajmë biletën. E paguam. U kënaqëm edhe aty dhe vazhduam më tej. Në dalje më ra në sy tabela e çmimeve. I thash gruas se ai na mori pak si shumë më duket. Aty shkruante, nuk më kujtohet tash mirë, 200 lekë e ai na mori më duket 250. Pikërisht, ky ves më nërvozon. Shumë më mirë do të më vinte mua nëse ai do më thoshte se 200 lekë është hyrja dhe sipas mundësisë nëse mundem atij t’i jap diçka për një kafe. Me gjithë qejf ia kisha dhënë një 5 euro. Por, e vjedhur më duket se është më e shijshme. Sëpaku botëkuptimi i tij ishte kështu. Kur pamë shenjën Lazarat nuk ngelëm pa u tallur dhe pa qeshur pak. Para do kohe sapo kishte përfunduar aksioni i policisë në këtë vendbanim. Rrugës ishin policë me automatikë.
“Arritëm edhe në këtu”, qeshnim me të madhe.
Një foto me shenjën e vendbanimit na ngeli pa bërë. Permes Tepelenës, ku u fotografuam tek Ali Pashë Tepelena arritëm në Fier. Vizituam Apoloninë. Gërmadhat e mbetura gjegjësisht aty të gjetura ishin shumë interesante. Aty kishte dy persona të sigurimit me të cilët shkëmbeva disa fjalë. Më pyetën prej nga vijmë.
“Nga Tetova”, u thash unë.
Qetësi.
“E dini ku i bie”, i pyeta unë ata
.
“Maqedoni më duket”, u përgjigj njëri.
“Maqedonë jeni!?”, vazhdoi tjetri.
“Ne jemi shqiptarë, dhe atje ku jetojmë për mua është Shqipëria”, këmbëngula unë.
Pastaj më pyetën për rrogat atje dhe diçka të ngjashme nga kureshtja. U thash se nuk jetojmë atje, por në Austri. Pastaj vazhduan ca pyetje – përgjigje të tjera. Atë natë e kaluam prapë në Golem të Durrësit. Të nesërmen u nisëm për në veri. Kishim në plan vizitën e parë Krujës legjendare. Fëmijët me padurim pritnin të shohin figurat e Skënderbeut dhe të Kështjellës tashmë disa herë të analizuara mirë përmes fotografive në internet. Rrugës së tregut të vjetër sytë na ngelën në çdo skaj; vegla të punuara në gur, në dru, në hekur e shumë variacione të tjera të thirrnin, dhe sikur prezantonin secila nga një histori në vete. Unë u thash fëmijëve se diçka do të blejmë, por nuk mundemi të gjitha. Nga një varëse në qafë që nga njëra anë kishte shqiponjën dhe nga tjetra Skënderbeun ata e zgjodhën përnjëherë, pastaj disa figura të madhësive dhe formave të ndryshme të Skënderbeut, një qilim të vjetër të strukturuar me motive të bukura të odave shqiptare, një hartë etnike gdhendur në gur, ca topa sikur ato të përrallave filmike me fije bore, me ujë dhe me shqiponjën brenda. Harrova të tregoj se nga Butrinti dhe Apolonia morëm me vete nga disa copë gurë. Gruaja tha se janë shumë gurë interesantë, më se 3 mijë vjet të vjetër dhe ne i kemi në duar. Do t’i vendosim mbi tavolinë në dhomën e ndejës. Dhe aty janë tash. Rruges për tek Kështjella një djalosh i vogël vizatonte me laps dhe kishte një sy të mprehtë. Kishte bërë shumë vizatime me motive interesante. Pak më tutje një shkrimtar kishte shtruar mbi një qilim disa libra. Unë në fakt vetë jam shkrimtar dhe i dua librat. U afrova dhe e pyeta se sa kushtojnë. Nga 5 euro për copë ishin. M’u dukën pak si shumë, por nga mëshira e mbylla njërin sy. I bleva dy. Ai shkrimtari e dëgjoi se flisnim pak edhe gjermanisht, sa për të diskutuar mes veti gjërat që nuk duhet t’i marrin vesht të tjerët, dhe na u drejtua me disa fjalë në gjermanisht. Nuk dinte ku ta di se sa fjalë, por mirëdita, mirupafshim e diçka të tillë. Edhe në frengjisht. Italisht poashtu. Po edhe anglisht. I thash se qenke një talent i rrallë. U ndamë duke i buzëqeshur njëri – tjetrit. Hyrja në muze ishte emocionale. Që në fillim figura e madhe e Skënderbeut dhe trimave e trimëreshave të tjera na fascinoi. Bëmë disa fotografi dhe videofilmime. Na u sqarua se vetëm aty mundemi të bëjmë fotografi dhe inçizime filmike, përndryshe në vendet e tjera nuk lejohet. Atij që vraponte gjithandej të kontrollonte se kush çka bënte apo fotografonte i thash se ne kemi ardhë nga aq larg dhe jemi këtu për herë të parë. Sipas mundësisë do të donim të bënim disa fotografi. Ai tha nuk lejohet, por unë nuk jam gjithmonë pranë juve… Kjo na la të nënkuptojmë se mundemi aty-këtu të bëjmë ndonjë fotografi. Por, i thash atij, kam vizituar shumë muze të ndryshëm në Vjenë dhe nuk kam hasur askundi, ku nuk lejohet fotografimi apo filmimi.
“Këtu është kështu”, u përgjigj ai.
Ai vazhdoi punë dhe ne vazhduam vizitën. U ndjeva shumë krenar kur pash në mur pllakatën ku shkruante Pollog. Pra, zona nga ne vijmë. Në zyrën e punës së tij bëmë disa fotografi nga tavolina dhe karriget. Nuk përshkruhen dot ndjenjat, kur mendoj se aty ka qenë ulur Skënderbeu vetë.
U nisëm në drejtim të Shkodrës. Kalaja e mitologjive të mëdha nuk duhet të tejkalohet. Legjenda e Rozafës bisedohet që para pushimit tek ne në banesë. Arritëm diku pak pas mesditës. U ngjitem tek hyrja dhe aty na dha biletat e hyrjes një njeri mesatar, i cili kishte aty edhe të birin e vet. Ecëm pak rretherrotull dhe nuk na u duk diçka shumë e veçantë ashtu siç e pritnim. Më erdhi keq që nuk ishte aq e mirëmbajtur. Në dalje e pyeta atë zotëriun se ku gjendet Rozafa. Ai i tha djalit të tij të na dërgojë tek vendi. Ai na udhëhoqi për tek vendi dhe sikur kishte të paraprogramuar një tekst të regjistruar, dhe na sqaroi historinë e Rozafës. Ky ishte diku tek 12 vjet i vjetër. Pasi bëmë disa fotografi edhe këtu u nisëm tek dalja. Sapo dolëm kërkova nëpër xhepa biletat e hyrjes. E kam për princip që në rastet e tilla të vizitave t’i ruaj biletat e hyrjes. Kanë shumë vlerë për mua. Mirëpo, edhe këtu ai vetëm m’i mori lekët dhe nuk më dha biletat. Prandaj nuk i gjej askund nëpër xhepa. Pra, ja pikërisht vesi ynë tipik negativ. Më mirë ai të më kishte thënë që edhe këtij krahas biletave t’i jepja diçka sa për një kafe dhe nuk do të ishte problem për mua. Por, edhe ky si në rastet e shumta e vendosi ta shet fytyrën e tij për ca lekë të imëta.
Kur u kthyem për të marrë rrugën e kombit për në Prizren, pash shenjën e fshatit Fishtë, dhe edhepse kisha shumë dëshirë ta vizitojmë nuk arritëm dot. Dukej se dita mbaronte më shpejtë sesa e kishim planifikuar. Pas një rruge të mundimshme nëpër Kukës, Morinë e Prizren, ku na u prish kushineta e rrotës së parë të majtë e makinës, më në fund arritëm në shtëpi. Me vete morëm një thesar të madh përshtypjesh në fotografi dhe filmime të ndryshme nga atdheu. Shpresoj që vitin që vjen të vizitojmë viset e tjera që na ngelën pa i vizituar këtë radhë si Berati, Korça dhe Pogradeci. Ndërsa në Kosovë na ngelën ujëvarat e Mirushës…
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen