Dienstag, 23. Dezember 2014

Brufullime të fuqishme poetike

Nga Bedri TAHIRI 

(Nazmie Zekolli-MEMA, Oazat e jetës, Prishtinë, 2014)   

      Mprehtësinë e penës së krijueses Nazmije Zekolli e pata  hetuar që në fillim të  viteve të 80-ta. Atëbotë, ishte kohë e pa kohë, dhe, në ato rrethana frymëzënëse, ne mësimdhënësit e letërsisë, përpiqeshim ta mbanim gjallë ndjenjën e atdhedashurisë edhe përmes vargjeve, që shpërthenin nga zemrat e brumosura e të padjallëzuara të rinisë sonë shkollore. Orët letrare, që i organizonim me etje pasiononte, para syve të shkelësve shekullor dhe të ca shqipfolësve që u kishte marrë koka erë e që, fatbardhësisht, punët që bëheshin nën rrogoz, i kapnin vonë apo hiç, nxorën shumë talente që më vonë bën emër në letrat tona. 

      E tillë ishte edhe Nazmije Zekolli. Vajza topolake, në  të  parë e urtë dhe e heshtur, nga gjirmë e saj e zjarrtë nxirrte vrer e helm kundër hasmit karpatian që na e kishte nxirë jetën. Nuk më shqitet nga mendja shkuarja jonë në shkollën e policisë, ku, ajo me shoqet e veta, veshur kuqezi, e ndezën flakë atmosferën, për çka më vonë morëm vërejtje serioze nga pushtetarët, si “prishës” të rendit e të vijës së nënshtrimit paqësues, pikërisht në prag të Pranverës studentore ‘81. 

      Dhe, më pastaj vasha kureshtare, nuk iu nda Muzës Kaliopë, duke na dhuruar herë pas here margaritarë të shkëlqyer e brilante. Ajo, sikur i përmbahet parimit për të shkruar rrallë e për mall. Ama, kredoja saj krijuese, ka ruajtur pashkëputëshmërinë deri sot, kur para publikut vendosi të dalë me përmbledhjen serioze poetike “Oazat e jetës”. Pjesëmarrja e saj në Takimet e poeteshave shqiptare, manifestim tashmë tradicional për Vicianën e lashtë, e kudo tjetër, përherë ka qenë e dinjitetshme dhe e papërsëritshme, duke rrëmbyer edhe Çmime e Mirënjohje, siç ngjau edhe sivjet, më 10 tetorit 2014, kur poezia e saj “Ëndrra e vashës” fitoi çmimin e tretë. 

      Motivet dhe temat që trajton kjo krijuese janë të larmishme. Bota e saj poetike është origjinale dhe depërton thellë- thellë në ndërdijen e heronjve të saj lirikë, duke përcjellë ndjenja të veçanta emocionuese edhe tek lexuesit. Në fakt, protagonistë të saj, më shumë janë idetë, porositë e shtresimet etnopsikologjike, që përmes vargjeve e ndërtimeve karakteristike përmbajtjesore pasqyrojnë bindshëm historinë dhe përditshmërinë tonë. Fuqia shprehëse e shpirtit të saj kreativ, e brumosur nga realiteti dhe imagjinata e bujshme, shpërthen dhe mbush zbrazësitë e poezisë sonë. Të gjitha këto brufullime të fuqishme poetike, të përmbledhura në një libër me titullin mjaft sugjestive “Oazat e jetës”, do të reflektojnë pozitivizëm e mbarësi në pemën frytëmbël, të quajtur POEZI. 

     Libri, si tërësi konceptuale e kompozicionale, në  vete ngërthen krijime specifike të një natyre sublime. Është e vërtetë thënia e kamotshme se poezia nuk shpjegohet, por përjetohet. Kjo, më shumë së kujtdo, i shkon poezisë së Nazmije Zekollit. Ato nuk kanë strofa konvencionale e metrikë të ngurtë kanunore. Ato janë xhevahirë  që burojnë nga brendësia e një vullkani, që digjet flakë për atdheun, për gjyshin, për babanë, për nënën, për vëllain, për shkollën e për nxënësit, për mërgimtarët, për skamnorët, për liribërësit, për të pagjeturit... 

      Ky prush përvëlues e shërues njëherësh, shëmbëllen si përkujtues e ndërgjegjësues i mendësisë sonë, në raport me të djeshmen, me të sotmen dhe me të ardhmen. Të gjitha poezitë e kësaj përmbledhjeje qëndrojnë mbi mesataren e vlerave të poezisë së sotme shqiptare, në përgjithësi, dhe mëtojnë majat më të larta artistike. 

     Pra, heroi lirik, i poezive të Nazmije Zekollit, që në  fakt inkorporojnë unin e saj krijues, për t’u shtrirë e shndërruar në një universalizëm të përgjithshëm, është  nga mishi e nga gjaku, është ndjenjor e emocionl, që vuan e gëzohet,  që qan e qesh, për të gjitha ato që sheh e që përjeton.  

     Madje, ai përshkohet edhe nga ndjenja më të thella se ato personale, nga dashuria dhe respekti për dëshmorët, për martirët e lirisë, për viktimat e luftës, për lirinë. Në poezinë “Trimit të lirisë”, kushtuar dëshmorit Rexhep Musa, përsiatjet kalojnë në rrafshin e tabanit kombëtar,  sepse:
  
      Shtati yt qëndisur me plumba  
      Amanet kësaj toke i mbet 
      Pranë varrit tënd çelin bozhuret 
      Lavdi qoftë për jetë!  

      Dashuria për vendlindjen, për atdheun, për Vicianën e lashtë, kthehet një lajtmotiv ekzaltues dhe mitizues, saqë, ajo, aty ka dëshirë edhe vdes dhe, mbi varr poeti t’i skalis epitafin: 

     “Ajo e deshi vdekjen 
      Aq sa e urrejti jetën 
      Ajo syhapur puthi vdekjen 

     Barbarët, vërtet, vranë, masakruan, torturuan, dhunuan, përcëlluan, dogjën e shkatërruan çdo gjë nga etnosi ynë i stërlashtë, por, ne mbijetuam e gjëlluam, ngase, siç  thotë poetja në vjershën ”Dosje e mbyllur”: 
                           
                               Dogjët e shkatërruat çdo gjë 
      Që ishte e jona 
      Por rrënjët tona ilire 
      Edhe më thellë i lëshuam 

       Disa vargje të kësaj përmbledhjeje të bukur poetike i përshkon edhe një notë e theksuar nostalgjie, me ankthe e përpëlitje, të atij që detyrohet ta braktisë vendlindjen e nënëloken, dhe të marrë botën në sy, siç ngjet në poezinë “Rruga për ekzil”: 

                            Lash nënëloken me duar zgjatur 
                            Përqafimi në hapësirë treti 
                            Pse s’u ktheva edhe njëherë ta përqafoj fort 
                            Aromën e lotit t’ia merrja me vete 
                            Pse s’u ktheva edhe një çast 
                            Të çmalleshim, të të shikoja mirë e mirë 
                            Të të thoja, nënëloke, lamtumirë, lamtumirë... 

      Rravgimet dhe krajatat e mundimeve sizifiane, për ta gjetur frymëzimin hyjnor, shkon larg e larg, në kërkim të një simboli pagan të të parëve tanë, ilirëve, siç ishte Guri i Diellit. Muzat ashtu e kanë, frymëzohen edhe nga elemente pavdekësie të përtej varrit: 

                Thellësinë e tokës 
                            Deri në palcë me dhëmbë do ta gërmoj 
                Djersa le t’më shkoj çurg 
                Derisa ta gjej Gurin e Diellit 
                Të kuqërremtë 
                Si perëndimi në horizont. 

      Se ajo është e lidhur ngushtë me këtë simbol jetik të ilirëve, Diellin, tregon edhe poezia tjetër “Për ty”, kushtuar  pjellorisë, përtëritjes së jetës, shpirtit të shpirtit, Diellës. Madje, ka çaste kur hetohet edhe fryma lasgushiane, me Nositin e tij vetëflijues. 

       Dashuria, ndjenja suptile  njerëzore, , si Peri i Arianës mitologjike, mbanë gjallë koherencën e balancimit shpirtëror, edhe këtë përmbledhje vend meritor. Shikuar hollë e hollë, ajo këtu kapërcen përmasat e meditimit vetjak dhe tepër ngjason me një dashuri pastër e virgjërore hyjnore. Ndryshe, kur djalli formë gjarpri i shtyri mëkatojnë Evën e Adamin, e ta humbin parajsën, edhe poetja jonë, këtë ndjenjë e lidh pikërisht . Kështu, poezinëMike me djallin”, ajo shkruan: 

    Mike me djall isha 
    Për sot e mot 
    Zoti mos e dhashtë 
   Të të humbas 

      Dhe, vjen një kohë kur Poetja premtuese, sikur është lodhur nga kujtimet e hidhura, për ngjarje e kohë të ndryshme, andaj, te poezia “Dogja kujtimet” shprehet: 

   Stivë i bëra kujtimet 
   Dhe me një fije shkrepse 
   Ua vura flakën 
   Le të bëhen shkrumb e hi... 

      Megjithatë, lufta e fundit shkatërrimtare, si shumëkujt në Kosovë, edhe asaj, ia ka “ngrënë” shumë krijime të frymëzimeve të para fëmijërore e rinore, prandaj edhe pyet: 

  A ka diku njeri 
  Të vullnetit të mirë 
  Të ma kthej në dorë poezinë 
  Që në të dikur pikturova fëmijërinë. 

      Mirëpot, pa shkuar gjatë,  asaj sërish i ngjallet shpresa, ajo që e fundit doli nga Kutia e Pandorës, dhe thërret: 

             Shpresën s’mund të ma rrëmbeni dot 
             Ajo jeton mua dhe shpreson 
             Se një ditë do jetojmë lirë 
             Më thotë! 

      Dhe, ashtu doli profecia e saj. Heroizmi dhe qëndresa e kullave tona prej guri, me fanatizëm rauajtën amanetin e stërlashtë e të pandryshuar nëpër mote: 

 “Kush hyn këtu, fantazmë në qoftë, 
                           S’del i gjallë!” 

Zëri i saj i ngjizur, herë- herë, hakërrohet deri në herezii e blasfemi profanike, sepse e di se e drejta është në anën e saj, andaj bëhet e guximshme dhe shprehet hapur: 

 O Zot, nga Ti kërkoj shpëtim,  
 i besoj fuqisë tënde 
 Bërtas e qirrem 
 Çdokush le ta dijë 
 Se Zoti im flet shqip. 

Në të përfunduar, mund të konstatojmë se, përmbledhja poetike “Oazat e jetës”, e poetes Nazmije Zekolli, do të pritet mirë nga lexuesit shqiptarë, në përgjithësi. Larushia e ngjyrimeve ylberore janë karakteristikë specifike e këtyre poezive. Thellësia e tyre meditative, refleksive e narrative, paraqet një unikat të llojit të vet, që edhe penat e arrira do ta lakmojnë. Titujt janë përzgjedhur në harmoni me përmbajtjen, gjë që është një element i rëndësishëm në krijimtarinë poetike. Ata janë të qëlluar dhe japin mundësi për interferime shumëdimensionale e polisemistike. Këtu, me shumëçka, janë thyer klishetë e konvencionalizmit tradicional. Organizimi strukturor i vargjeve, në strofa njëshe e me vargun e lirë, që brendapërbrenda, rimojnë harmonishëm, është bërë me një mjeshtri mahnitëse moderniste. Edhe gjuha e figurshme e stili i fuqishëm, me një  rrjedhë të logjikshme, janë rezultat i një talenti dhe i një pune përkushtuese. 

      Dhe, fare në fund,  autores, Nazmije Zekolli - Mema, i urojmë shëndet të mirë e krijimtari të begatë, ndërkaq librit të saj të parë “Oazat e jetës” jetëgjatësi në bibliotekat tona. 

Galicë, 10 nëntor 2014

 

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen