Dienstag, 16. Dezember 2014

Isa Baftiaj - Cikël poetik


Isa BAFTIAJ

NË KULLËN E SHPIRTIT TIM 

Tokë ilire
je diell 
në kullën
e shpirtit tim 

je dritë drite
je zog zogu
ëndërr e gjatë
me shqiponjë zemre
që rigon për Ribashkim




NË KRAH ZEMRE

Krenaria
frymëmarrje ballëndritur


mburrja
buzëqeshje e lirë


dashuria
në lirikat e konaku tim
madhështia ka hyrë


dhe që nga ajo ditë
në krah zemre
është mbjellë me dritë




KËNGA E ZGJIMIT TIM

Kemi mësuar për dhimbjen
që mbeti pas ndarjes
në festën e luleve


kemi mësuar për kohën
dhe krismat
për kullat dhe zjarret


kemi mësuar për lindjet
e lindjeve
që ruajnë agimet e diellit
në sy dhe zemër


oh për gjakun e dritës
për këngën e zgjimit tim




KËNGË NË VETE

Kohë shqetësimi
kaltri e qiellit
nganjëherë rigon
vështrim
lag edhe vargun
në zgjim


përmbrenda nata
më vjen
e në shpirt
ty të kam
gjumë nuk kam
në sy
me ty këndoj
dhe vuaj
pjesë e zemrës jam


të iku rinia
dikush tha në shpat
e di na pret bardhësia
mua dhe ty në një fat




QIELL DHE DIELL

Në valët e qëndresës
në gjethet e zemrës
bardhësi bore
poeti i frymëzuar
është det i thellë
i mbushur prore


me ndjenja dashurie
jeton dhe digjet
në çdo varg
është qiell dhe diell
ardhmërie që sheh afër
dhe larg




NË QIELL 
E DIELL BETOHET

Poeti vargun e ka margaritar
në vargje gjen pushim
në krahët e shqiponjave
merr frymë i mbushur galdim


çdo varg i poetit është ar
në qiell e diell betohet
prej artit kurrë s'ka të ndarë
edhe atëherë kur shqetësohet


çdo fjalë dhe shkronjë e tij
është metaforë e kulluar
në zemër ka prush dritë e zjarr
në rrugën e bardhë me diell të shtruar




PËR TY

Për ty kam shumë
vargje dhe dashuri


po e përsëris

për ty kam folje
të ëmbla
në udhëtimet e zanoreve
dhe të bashkëtingëlloreve
deri te zemra jote
kulla ime


të pres në heshtje
në veten time
dashuria ime

______
Ky cikël poetik është i shkëputur nga libri: "KRYEFJALË E DRITËS"

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen