Samstag, 20. Dezember 2014

Udhëtim me imagjinatën

  • Rrahim Sadiku “Ngjarje të rralla nga përralla”, roman fantastik në vargje, botoi “Zgjimi” Ferizaj, 2014 

Nga Ramadan Mehmeti 

Bota e bujshme imagjinative, njohuritë e gjëra dhe talenti krijues janë veti dalluese të krijuesit Rrahim Sadiku. Ai më gjatë se katër dekada po lë gjurmë të thella e të pashlyeshme në letrat tona, me shkrime në prozë e në poezi, për të rritur e për të vegjël, me publicistikë, kritikë letrare, humor e aspekte të tjera të krijimit e të mendimit artistik. Para pak kohe, kur botoi librin poetik “Kam prekur ëndrrën”, Rrahim Sadiku na mundësoi të ishim pjesë e një imagjinate të mahnitëse, duke na shoqëruar njohjeve të shumanshme, me shumë befasi dhe me plot kërkime të reja. Këtë formë krijimi ai e ka thelluar edhe më tej në romanin fantastik “Shëti të rralla me përralla”, i cili përshkohet nga shumë elemente edukative, kombëtare e njerëzore. Duke lexuar këtë roman, të shkruar në vargje, ne ndjejmë, mësojmë, kënaqemi duke u bërë pjesë e krijimit, imagjinimit dhe pikëtakimit midis reales dhe fantazisë. Autori sikur mundohet ta kalojë ndarjen asaj që shohim e asaj që imagjinojmë, duam, kërkojmë. Ai nuk vë kufinj midis të jetuarit real e imagjinar, po i afron edhe më shumë këto dy forma, të jetës, duke i lidhur ngusht me ndijimin dhe krijimin. Ecim kështu rrugëve të asaj që kemi përballë e rrugëve të mendjes; të asaj mendjeje e cila nuk njeh kufinj dhe bën të mundshme edhe të pamundshmën. Kjo e pamundshme na bëhet e mundshme përmes mendjes krijuese, e cila na shpie anembanë globit, në vende të bukura të atdheut, në kozmos e lidhet këtu me shkencën e ardhmërisë së njerëzimit. Ajo na njeh me botën e gjallë në tokën tonë e në gjithë gjithësinë, duke kaluar kështu nëpër vitet e shekujt e shkencës botërore, të etjeve më fantastike e të shpejtësive që tejkalojnë lëvizjen e dritës, sepse mbështeten në lëvizjen përmes të menduarit. Romani na i fal të gjitha kënaqësitë e imagjinimit e të bukurive arstistike, të bëra vargje, ide, ngjarje, hulumtime. Në secilin varg, në secilën ide, në secilën panoramë që takojmë, na shoqërojnë teksti i menduar fuqishëm dhe nënteksti poetik, plot ritëm, figuracion, ide, gjëra që i njeh e nuk i njeh përditshmëria njerëzore:

“S’ka si ëndrra në kozmos,
Shpejtësi është, nis e sos!”

f. 38


Ngjarjet në këtë roman na thuhen me pak fjalë e me shumë porosi, me kuptim e me dashuri për jetën, me shtutje për veprim e me shpresa për ardhmëri:
“Ngado shkohet në përrallë,
Me shpejtësi edhe ngadalë,
Nuk ka vend që nuk arrihet,
Nuk ka ndodhi që nuk dihet…
O, përralla! Kjo përralla!
Është parajsë fëmijërie!”

f. 3


Pasi romani u dedikohet moshave më të reja, fëmijëve dhe të rinjëve, kudo takohemi me pozitivën, me dashurinë për të mbarën dhe me respet për diturinë, për shkencën, për dritën e mendjes njerëzore:
“Ne jemi mendje,
Mendje rrisim,
Mendje shpërndajmë,
Të mirën ushqejmë,
Të ligën e thajmë!”

f. 10


Vazhdimisht, nga vargu në varg, nga faqja në jemi në botë udhëtimi, të një ushëtimi që është një me imagjinarën, me rrjedhat në univers, i cili kalon ligjet e fizikës, që njohim sot:
“Të madhësive pa fund,
Të vogëlsive të paimagjinuara!
Aty mendimi
Realitet bëhej gjithkund!”

f. 17


Për të mos shkaktuar huti te lexuesi, sidomos tek moshat e reja, autori me pak fjalë përshkruan të mundshmet e realitetit, kurse për të pamundshmet na kujton:
”Kurse ne ecim n’përrallë!”
f.29


Njihemi pastaj me hapësira gjeografike, me ngjarje historike, me dukuri imagjinative e të spektrit të gjerë të mendimit:
“Ku fëmijët lundrojnë, jo rrallë,
Sidomos kur janë në përrallë!

f.31


Por, nuk është e gjitha imagjinatë, sepse ndjenja më e këndshme e bukurisë dhe e artistikës është ajo që përkon me bukuritë e atdheut:
Ariu u ndal në Dhërmi:
Fituese është kjo bukuri!

f.35
ose:
Në Prizren,
Me ne të përrallës
Ishin edhe disa alienë!

f. 43


Por, edhe si qenie e imagjinatës, edhe si krijues dhe përjetues i realitetit, secili duhet ta ruaj mirësinë dhe dashurinë në vete:
Në përrallë secila uri
Shuhet me miqësi!”

f.53 

sidomos fëmijët, pasi:
O, secili fëmijë
Ngado shkon
Bart në mendje përrallën e vet!

(f.57)


Edhe pse krijon i zhytur në botën e imagjinatës, Rrahim Sadiku lidhet ngusht me fatin e popullit të tij dhe duke ecur botës, na njohton me një vogëlushe shqiptare që jeton e këndon shqip në Erzurum të Turqisë, me mijëra kijometra larg atfheut të të parëve të saj:
“Në atë vend të bekuar
Këndonte shqip një vogëlushe,
Vogëlushe shumë e zgjuar!”

(f.86)


Nganjëherë imagjinata e tij është e përmasave tejet të mëdha dhe nga kjo:
Ka nisur përralla
E po shqetësohet,
Po habitet:
Fantazia si shumë po rritet!

(f.61)


Por, edhe ai sikur habitet me përrallën, tek e cila ka takuar:
“Një urtar me emrin:
Shtatëpëllëmbëmjekërrnjëpëllëmbështat!”

(f.66)


Kurse e mahnitshma, e imagjinueshmja, e furishmja për mendjen njerëzore gjenedet edhe mbi tokë dhe është e prekshme. Autori I ka pare e njohur shumë nga ato dhe:
“Po e parë, e parë, e parë
Është Ujëvara Niagarë!”

(f. 81)


Në këto bukuri tokësore, që mbajnë në vete edhe të hyjnishmën, autori ndjehet ndryshe dhe përralla i thot:
“Gjithnjë kështu ndjehesh
Kur je në Himalaje!”

f.106


Dhe kështu, ndodhi pas ndodhie, udhëtim pas udhëtimi, galaksi pas galaksie, kthehemi në tokë dhe:
“Një dorë e padukshme
rrugën drejt shtëpisë e hapi,
rrugën e përrallës e mbylli!”

(f.113)


Duke e mbyllur edhe unë këtë shkrim, po shtoj se është kënaqësi që kemi krijime të këtilla, mendje të ndritura për të parë edhe të padukshmën dhe kriujues si Rrahim Sadiku që na mundësojnë të krijojmë lidhje të këndshme, artistike me realitetin e shkencën, me botën që njohim e me botë që e duam dhe të tejkalojmë mbylljen shpirtërore e mendore, që na ishte imponuar nga pushtuesit e nga mosshkollimi në të kaluarën.



Vepra të Rrahim Sadikut:

Për fëmijë:
1. “Ndodhi në gjithësi”, poemë për fëmijë, 1978
2. “Kohë e ngjarjeve të mëdha”, poemë për fëmijë, 1989
3. “Udhëtime gjithkund”, poezi, 2013
4. “Kam prekur ëndrrën”, poezi, 2014
5. “Ngjarje të rralla nga përralla”, roman fantastik, 2014


Për të rritur:
6. “Këngë nderi e lirie”, poemë, 1988
7. “Kujt t’i flas”, poemë, 1995
8. “Kokat gjokset shpinat”, poemë satirike, 1996
9. “Ngjarje në kohë të pa kohë”. roman , 1996
10. “Kryeatentati”, roman, 2000
11. “Lirikë qëndrese”, poezi, 2001
12. “Ethet e pritjes”, tregime, 2007
13. “Shtetthasit” (I,II,III), roman, 2011
14. “Nëpër vendin e trimërive”, portretime satirike, 2011,
15. “Malli im prej përjetësie”, poezi, 2013,
16. “Legjendë moderne”, roman, 2013
17. “Zgjuar me etjen”, poezi, 2014,


Drama:
18. “Nëpër ndërrime” komedi, 2003,
19. “Shembja”, dramë, 2006,
20. “Shkojnë kojrilat”, dramë, 2008
21. “Etje për dritë“, dy drama, 2009,


Publicistikë:
22. “Hidhet vallja kënga s’ndalet” (monografi), 1996
23. “Jetë kushtuar lirisë”, monografi, 2002.
24. “Stagova”, monografi, 2006,
25. “Ferizaj ’68”, monografi, 2008
26. “Një pamje tjetër”, palimpsest, 2008
27. “Një rrugë për liri”, monografi, 2009
28. “Zejnullah Zejna”, monografi, 2011
29. “Brezi që përjetoi epokat”, monografi, 2012

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen