Nga Prof. Murat GECAJ
1.
Çdo njohje e re, ka një histori të veten. Kështu mund të them edhe për njohjen dhe takimin e parë me mjeken, por dhe poeten, Eliverta (Anelli) Kanina. Nga mbiemri duket si të jetë nga një fshat i Vlorës. Por jo, tanimë, ajo është pjesë e pandarë e vendlindjes së Dritëro Agollit, pra Devollit të bukur. Pikërisht ky shkrimtar shumë i njohur, por dhe mik i imi i kahershëm, u bë “shkak” i pjesëmarrjes sonë të përbashkët në një veprimtari, sa të bukur aq dhe mbresëlënëse. Ky personalitet i letrave shqipe kishte 83-vjetorin e lindjes dhe Shoqata “Devolli” organizoi festën e rastit, në një lokal të kryeqytetit. Përmes mikes poete Lida Lazaj, Eli më ftoi përmes Internetit.
Ndoshta, u zgjata paksa, po në atë festë kolektive, në nderim të Dritëroit, isha i pranishëm dhe, bile, më pas bëra shkrimin me titullin “Dritëroi është edhe tropojan”. Me Elin bëmë fotografi të përbashkëta dhe më njohu me vajzën, Sabinën dhe djalin e vogël, Alteon. Ndërsa me djalin e madh, Safoelin, ajo u ngrit në një kërcim, për të cilin më pas shkroi e publikoi poezinë e bukur, “Më ftoi im bir në vallëzim”. Aty janë edhe këto radhë:
Mbretëreshë e Tokës dhe Qiellit,
atë çast jam ndier,
me djalin tim kavaljer…
Në një shënim, që bëri në FB, Eli do të “rrëfehej”, se si e nisi udhën e krijimtarisë letrare… Ishte nxënëse , kur recitoi këto vargjet:
Xhaxhi Dritëroi di përalla të bukura,
përralla për dhi,ujk, lepuj dhe shpezë.
Lutjuni xhaxhit t'ju tregojë, moj flutura,
dhe xhaxhi do lerë librin e vet në tryezë,
përralla ndërmend do t’i bjerë…
Ndërsa vitet rodhën me shpejtësi dhe ajo do të kujtonte: “Një herë u ndjeva princeshë, kur ishin “Ditët e Dritëroit” , të shpallur nga shoqata “Devolli” dhe kur u bë përurimi i librit tim të parë poetik , “Gruaja dhe muret prej pasqyrash”…
Para se të ndalem pak në faqet e këtij libri, dua të përmendi një poezi, sa të dhimbshme e aq të frymëzuar, kushtuar një bashkëstudenteje kosovare, ëndrrën e të cilës e prenë në mes pushtuesit barbarë serbë, në vitin 1999. Nga vargjet-vajtim të Elit janë edhe këto:
Antigona Fazliu nuk u bëre dot mjeke,
por legjendare e luftës ,nga Kosova;
me që ëndrra jote mbeti e pajetuar,
në vargjet e mia të përjetësova....
Ndërsa Eli pati fatin e bardhë që të diplomohej mjeke. Dhjetë vjet ishte emigrante në Athinë dhe tani profesionin e saj e ka venë në shërbim të jetës së nxënësve, në dy shkolla të kryeqytetit Tiranë, Gjimnazit “Çajupi” dhe Shkollës “Qazim Turdiu”.
2.
Libri i parë poetik i Eliverta Kaninës, “Gruaja dhe muret prej pasqyrash”(Tiranë, 2014), të cilin ajo ma dhuroi me nënshkrim, nuk ka shumë faqe. Botues dhe redaktor është Mark Simoni. Gjithësej, aty janë tubuar 91 poezi, të ndara në 11 cikle.
Me ndjesitë e veta femërore, që në poezinë e parë, ajo shkruan: “Unë jam vetë perendeshë e bukurisë,/ jam parajsa, njëkohësisht dhe ferri,/jam mjalti dhe verem i dashurisë,/ jam paqe sundeuese dhe shkak sherri!?” Ndërsa në poezinë “Vajzës së bukur” shprehet: “Të thonë se djemtë belbëzojnë para teje,/ në kërkim të fjalës magjike;/ të thonë se vajzat ëndërrojnë,/ një herë të vetme të ishin “Ti””.
Rrallë ndodhë që, sidomos poetet, të mos thurin himne nderimi e dashurie për prindërit, por dhe për njerëzit e tyre më të afërt. Kësaj të vërtete i bashkohet edhe Eli, në poezitë: “Prindërve”, “Mamit” e “Babait”, “Shoh vajzën që fle”, “Bashkëshortit tim” etj . Me mirënjohje e dhimbje të natyrshme, shkruan për mamin: “Me frymën time akujt shkriva,/ edhe pse e vogël botën pushtova,/ erdha për ty dhe mbeta vetëm,/në një ëndërr-jetë më le peng vetëveten”.
Meqenëse punon mjeke pranë mësuesve e nxënësve, Eli i kushton një poezi 7 Marsit, Ditës së Arsimit Kombëtar Shqiptar. Por nuk ka harruar që të thurë edhe disa poezi të bukura për një ndjenjë të natyrshme njerëzore, si te:“Dashuri e vonë”, “S’u lodhka dashuria”,“Eja”,”E trishtë dita pa ty”,”Puthmë”, “Dashurisë i duhet dashuri” etj. Në njërën nga poezitë e këtij cikli shkruan: “Bëhem pulëbardhë në sytë e tu,/ vibroj me zërin tënd ëndrrash,/drejt teje, kur vij”(Poezia “Vij tek ti”).
Po i mbylli këto pak radhë me një poezi, që Eli Kanina ua kushton të rënëve për liri e demokraci. Si për të na kujtuar që kaluan plot 70 vjet nga dita e çlirimit të Atdheut, aty shkruan këto vargje: “Në nderim të dëshmorëve është një datë,/ është dhe një lapidar me varreza,/ në të dalë të qytetit, në një kodër…”(“5 Maj-roje nderi”).
E përgëzojmë këtë poete, për librin e parë të saj dhe i urojmë nga zemra mbarësi në detyrën e shenjtë te mjekes dhe frymëzime të pandërprera!
Tiranë, 23 nëntor 2014
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen