Përgjigje nga Fadil CURRI, poet
Arti e ka shpëtuar shpirtin shqiptar historikisht dhe aktualisht. Letërsia klasifikohet burimisht në gojore dhe të shkruar.
E PARA nuk është e shkruar fillimisht, por ka lënë vlera dhe frymëzime historike e modern. Edhe gjatë lashtësisë, kur kanë munguar mjete audiovizuele, kënga e ka shpirtëzuar njeriun nga lindja deri në vdekje, fillimisht përmes këngëve të djepit, duke i dëshiruar foshnjes shëndet, lumturi e mplakje të lumtur. Këngëtare e poete e denjë e ninullave është nëna, motra më e madhe, lokja, halla ose tezja, nga fjalët e të cilave kuptojmë se i dëshirojnë foshnjes të mira më shumë se vetes, të jetë plak katuni, t’i ngjajë Skenderbeut, të bëhet shkollar, mësues, mjek, e shumë epitete të tjera. Poezia popullore do ta ndjekë njeriun nga lindja deri në vdekje, duke përshkuar fazat jetësore të shkurjes në shkollë, të fejesës e të martesës, deri në këngët e vajtimit, kur indjeri madhështohet me vargje emocionuese të vajtojcave. Këngët e këtilla janë dyartistike, sepse bazë i kanë vargjet e krijuara nga poetja(arti letrar) dhe muzikaliteti me melos popullor(arti muzikor), që e përshkon vargun kryesisht me rimë e rrokje të harmonishme të tyre.
E DYTA, pra letërsia e shkruar është shumë më e vonshme, natyrisht e dalë nga ajo popullore(gojore). Lindja e saj, e formësuar etnikisht shqip, merr shtat kryesisht gjatë Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Folklori i deriatëhershëm, i mbledhur nga rilidnësit Thimi Mitko, Jeronim de Rada, Spiro Dine e të tjerë, kur publikoihen shkrueshëm, marrin trajtën e folkloristikës. Kur kjo e fundit senzibilizohet, shndërrohet në frymëzim të krijimit të tyre, pra riformatizohet letërsia gojore në frymëzimin letrar, si ndodhi me A. Z. Çajupin dhe këngët e rinjohjes së nës me të birin, por edhe në poemat e De radës e hasim këtë, pastaj te Mitrush Kutelit me prozëzimin e baladave e legjendave. Sipas kësaj, del se arti popullor e ushqen artin e shkruar, e shkuara e trupëzon bashkëkohoren.
Arti i fjalës së shkruar duhet të jetë më zemërgjerë ndaj artit të fjalës popullore, duke e shtjelluar në shtrojerën e vet letrare edhe frymëzimin gojor, ta përafrojë më shumë te modernja, ta riformësojë atë duke e demistifikuar, duke e shkencorëzuar tabunë e deritashme. Shembujt e shfrytëzimit të letërsisë gojore nga letërsia e shkruar dëshmojnë se vepra krijeuse është jetëgjatë dhe me petk të shëndetshëm e porosi ndërkohore, si mund të na bind fakti I “Këngës së Rexhës”, vargje nga balada popullore, e shndërruar në këngë nga Nexhmije Pagarushe, tejet jioshëse edhe sot nga muzikëdashësit, “Kush e solli Doruntinën” nga Ismail Kadare, “Beselam, pse më flijojnë” i Rexhep Qosjes, “Tregime të moçme shqiptare” i Mitrush Kutelit.
Tematizimi më i shpeshtë e më i përkushtimtë i burimit folklorik nga artistët e sotëm do të jetë me vlera të ndërsjella për artin shqiptar, imunizimit të ndërsjellë të tij. Sikur ndonjë shkrimtar të kishte letrarizuar “Këngën e gjarprit”, tjetri atë të Ymer Agës dhe rinjoihjen e tij me gruan besnike e fjalëmbajtëse, duke vënë në pah peshën e besës shqiptare, ndonjë tjetër “Urën e Fshejtë” dhe porosinë e saj se bashkimi kombëtar nuk bëhet pa flijime, pa harmoni vëllazërore, pa këshillimin e miqve urtakë; ndonjë tjetër atë Gjergj Elez Alisë dhe të spikaste dashurinë familjare dhe mbrojtne e atdheut, letërsia jonë shqiptare do të ishte një brumë i pasosur i ushqimit artistik të shumëfishtë. Ose, kënga “Hasan Aga e Çika Potureshë”, e cila ka temë dashurinë besnike që nuk i afrohet as simotra sheksipiriane e Romeos e Zhuljetës, e ka peshën më të madhe kur dyshohet se ka vlerë të besnikërisë dashurore ndërfetare shqiptare.
Këto tema popullore të shtjelluara bashkëkohësisht do të ishin gurrë freskuese edhe për baletin, teatrin, muzikën, operën, artet pamore, filmin, dizajnin e veshmbathjes, stilistikisht të gërshetuara nga popullorja e modernja. Pra, ndërartistrikja e popullores me të shkruarën do të bënte më influencues lartpurlartizmin e specifikës shqiptare, imunizimin e ndërsjellë kulturor. Ashtu si estetika, pesha e etikës dhe e porosisë së përtejjetshme e ngjarjeve, figurave dhe protagonistëve të letërsisë gojore që mbijetuan artistikisht edhe pas shkuarjes fizike të tyre deri më sot, artiizimi i tyre nga shkrimtarët, regjisorët, piktorët e skuptorët, kinematografët, dramaturgët, muziktarët e artistë të tjerë, do të siguronte përçimin e artit edhe pas qenies biologjike të tyre, pra edhe në pasjetë.
Gjithsesi që arti e shpëton shpirtin, por edhe shpirti mund ta shpëtojë artin. Ndijimi i ndërsjellë është edhe shpëtim i ndërsjellë. Edhe sot mund të ndodhë kjo. Arti është art dhe nuk mund të jetë sipas cilësimeve demagogjike si dekadent, jopopullor, jointeresant, i shpifur e imagjinuar, sepse nuk do të ishte art me thelbin dhe zhvillimin e tij, do të ishte "art" populist, i angazhuar e klanor, që shpejt lind e shpejt shuhet nga shpirti, mendja e vendi.
____________________
SQARIM PËR LEXUESIT:
Këtë anketë e kam filluar në Qershor 2013 dhe është duke vazhduar edhe në vitin 2014!
Haxhi Muhaxheri
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen