Sonntag, 5. Oktober 2014

Prend Buzhala - Bohemia...


BOHEMIA DHE KAFENETË E DIKURSHME,
SI SEANCA SHPIRTËRORE PËR KRIJUESIT
 

(ÇASTE SHKRIMI IV, 2)

1.
Kafenetë, dikur, e, pse jo, edhe sot, këtu, në Kosovë, si kudo nëpër Evropë, ishin kulte arti e vende seancash shpirtërore për krijuesit e artit. Si sot, Kosova edhe atëherë gjatë viteve 1970-1998, kishte sa e sa kafene (dhe hotele më pak) mbase e vetmja “industri “, i vetmi “institucion” ku tubonte njerëz për të komunikuar njëri me tjetrin... Nuk kishte, si sot, kaq shumë telefona, rrjet interneti, kaq shumë stacione televizive, kaq rrjet të gjerë radiostacionesh, videokasetash, kinemash, teatrosh, videolojërash, kompjuterësh disko-sallash, sallash për vallëzim, balet, film, kazinosh, apo laryshi të një teknike të pafund komunikimi, argëtimi e përdorimi. Dikur kafenetë ishin vende ku mund të gjenin argëtim, këngë, pije, dhe ndonjë gocë... vend ku luheshin lojëra të ndryshme me letra e lojëra fati. Në kafene dëgjoheshin të rejat e ditës, i vetmi vend ku nuk mund të censurohej lajmi apo e vërteta - kuptohet, me pëshpëritje apo me shenja për të mos u marrë vesh nga të tjerët, me lëvizje koke në heshtje... Në kafene bëhej politika, por në kafene bëhej fjalë edhe për organizime të rezistencës a për biznese; në kafene zhvilloheshin edhe format e biznes-kolaboracionizmit, në kafene frekuentonin edhe grupe hafijesh të regjimit që përcillnin kush me kë bisedon, kush çfarë pije pi, kush çfarë gazete lexon, çfarë libri ka përpara, çfarë mban me vete, në sa ora vjen e në sa ora shkon, cilës rrugë vjen e cilës rrugë shkon... Vinin shkrimtarë, redaktorë gazetash, gazetarë, artistë, njerëz me famë, poetë, kompozitorë, piktorë, skulptorë... Edhe atëherë kishte klane e grupe, kishte suflerë klanesh e grupesh... nën regjimin serb, që donin të merrnin vesh për punët e grupit tjetër... për interesat e fshehta e publike.

2.
Aty bisedohej se kush çfarë libri boton, kush çfarë vepre pikture po punon dhe kush çfarë ekspozite do të hapë, kush çfarë promovimi do të organizojë dhe ku. Cili ishte libri i ri që kishte dalë nga shtypi dhe cila ishte kënga e re që kishte dalë në treg. Prishtina e kishte krijuar profilin e saj kulturor e artistik dhe profilin e saj të imitimit të mënyrës së jetesës evropiane. E pra, kafenetë ishin i vetmi vend “demokratik”, parlamenti më i çuditshëm, ku mund të tuboheshin të gjithë, armiq e njerëz të sistemit; hafije e atdhetarë, intelektualë e hije të policisë, krerë firmash private e shtetërore dhe gjyqtarë të regjimit, avokatë të djallit dhe hallexhinj engjëj. Por ishin edhe disa kafene, si më karakteristiket, ku tuboheshin vetëm shkrimtarë, krijues të artit dhe intelektualë... Porse kafenetë ishin edhe vende ku vinin me xhip milicia serbiane para dere dhe arrestonin ndonjë armik të regjimit a nacionalist shqiptar. Kafenetë, gjatë viteve ’90, ishin edhe vende të bastisjeve të njerëzve, të hallexhinjve, ishin “furnizimi” i policisë serbe duke plaçkitur xhepat e qytetarëve. Porse, kafenetë e viteve ’80 ndryshonin nga ato të viteve ’90, kurse që të dy këto “tipa” kafenesh ndryshojnë nga këto të Kosovës së pasluftës. Sepse në vitet ’90 disa kafene qenë shndërruar në qendra rezistence, në vendtakime kulturore promovimesh, ekspozitash dhe prehjesh shpirtërore të krijuesve shqiptarë. Aty, nëpër hapësira kafenesh periferike të tymosura, sorollateshin kameriere serbe, shqiptare, rome a boshnjake; prostituta që shitnin trupin e tyre nga anë e anës, transportues tregtie, të papunë që shikonin ndonjë gazetë te faqja e konkursit për vende pune, studentë të pastrehë, kodoshë, kobashë. Nga këto hapësira plot tym duhani e tym gjellësh dhe mezesh, thureshin edhe histori dramatike e legjendare për pijanecë me famë, për grupe sevdallinjsh a për rivalë femrash, interesash apo polemikash. Ndryshe nga kafenetë evropiane, apo nga ato të hapësirave të tjera të ish Jugosllavisë, ku formoheshin edhe lëvizje letrare apo manifeste artistike; kafenetë e kryeqendrës së Kosovës kishin specifikat e veta të mjedisit e të atmosferës politike. Aty thureshin miqësi, vizione, ëndrra “për një të ardhme më të mirë”.

3.
I njohur edhe në rrethet artistike e kulturore si krijues bohem, Mirko Gashi nuk i kishte dëshirat e tij për një jetë luksoze. Të njohurit do ta përfytyrojnë me gotën e verës pranë nëpër kafenetë e Prishtinës. Bohemët asnjëherë nuk kanë çuar jetë të rregullt, sepse janë shqetësimet e vibrimeve shpirtërore ato që i ngacmojnë tejndijimet e tij, qelqi i vizionit parajsor pëson krisje dhe merr të plasur. Kjo plasje, një si pezmatim plage, një si mjegullinë kohe e krize, përplasej në vargun e tij, në frymëzimet e tij dhe në jetën e tij për ta dhënë kokrrën e pjekur të përjetimit të thellë estetik. Bohema dhe kafenetë janë marrë si sinonime të njëra-tjetrës. Vlerësime bashkëkohanikësh: “Ai ishte bohem i lindur dhe për fatin e tij jetoi në një ambient kur bohemët nuk kishin pasur emër kurrë, kështu që kjo e rëndoi edhe më shumë jetën e tij plot vuajtje. Mu për këtë jeta e Mirko Gashit përshkohet nga një fill i pashkëputshëm vuajtjeje, që nga lindja e deri në vdekje. Dhe kur ballafaqohet poetikisht me absurdin e paradoksin e jetës së tij, ai e bën këtë që të lirohet së paku imagjinativisht...

e unë
persona non grata
thur urata
t’i gjejnë brigjet e veta
dhe rrjedh
kah deti
ku tretin të gjithë lumenjtë


Kishte dhe poetë, krejt origjinalë, bohemë, si Tahir Desku a Mirko Gashi, që e kishin ngritur kafenenë në kult krijimi, në vend ku zienin vorbullat e frymëzimit e të kryqëzimit të shpirtit. Kafenetë ishin vend ku diskutohej e flitej për librin, ku zhvilloheshin debate letrare e krijuese, aty flitej dhe aty vendosej edhe për pikësynimet shpirtërore e mendore nga ana e inteligjencies shqiptare të Kosovës për të rezistuar... në formën e tyre e në mënyrën e tyre. Ndryshe nga kafenetë evropiane, apo nga ato të hapësirave të tjera të ish Jugosllavisë, ku formoheshin edhe lëvizje letrare apo manifeste artistike; kafenetë e kryeqendrës së Kosovës kishin specifikat e veta të mjedisit e të atmosferës politike. Thureshin histori e rrëfime, për njerëz të veçantë, e ndër ta, janë krijuar edhe histori e rrëfime edhe për bohemin Tahir Desku. Dhe këso historish e rrëfimesh, thureshin varësisht prej kafenesë e mjedisit të saj, prej klientëve të saj më të shumtë, që ishin më karakteristikët. Kështu, dy-tri kafene në Prishtinë dalloheshin për klientë me artistë, gazetarë, poetë, aktorë e intelektualë bjerraditës (siç ishte "Koha" apo "Tre sheshirat").

4.
Vërtet, ç’është një bohem dhe ç’është kulti i bohemës? Tin Ujeviq, poet kroat, ndër bohemët më të famshëm, e përkufizonte bohemën si një situatë e frymë specifike shpirtërore, të konceptimit të veçantë të gjërave e të rendit në jetë e në shoqëri nga ana e poetëve, letrarëve, piktorëve, skulptorëve, filozofëve: “Bohema nuk paraqet kurrfarë klase, apo lëvizje të organizuar...”. Porse, ashtu sikundër theksojnë jo pak autorë të kësaj problematike , ajo paraqet vërtet një fenomen të ndërliqshëm shoqëror e jetësor. Tahir Desku vërtet ishte gazetar, aktor, punoi në disa vende dhe në disa profesione, por gjithnjë mbeti poet i veçantë; gjithnjë duke i mbajtur e manifestuar së brendshmi shqetësimet e forta dhe trazimet e thella shpirtërore, ai, megjithatë, e ruajti natyrën e bohemës së tij specifike, origjinale.
Dhe, paradoksalisht, duke pasur një shpërfytyrim për jetën e atëhershme kulturore e protagonistët e saj, kur e kishin parë Tahirin, gjatë luftës, të veshur në uniformën e UÇK-së, shumëkush ishte habitur. Porse jo! Sepse Tahiri i është përgjigjur këkesës së kohës në mënyrën e tij jetësore e krijuese. Janë qindra raporte, për ato 600-700 ditë lufte që i shkroi e i kumtoi Tahir Desku gjatë luftës. Sepse pena e tij ishte vënë në shërbim të diçkaje më të lartë: të përhapjes së të vërtetës për luftën. E kush më mirë se ai e përhapi atë të vërtetë, si kronist lufte? Të madhërishmen si kategori estetike ai nuk e shqiptoi vetëm në poezi; atë e shqiptoi edhe në jetë.

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen