Mittwoch, 22. Oktober 2014
Rrahim Sadiku dhe romani ”Andej kufirit të vdekjes”
Nga Nexhat Rexha
RINGJALLJA PЁRTEJ KUFIRIT
TЁ VDEKJES
(Vështrim për romanin “Andej kufirit të vdekjes” të autorit Rrahim Sadiku, ARS Klubi "Beqir Musliu", Gjilan, 2014)
Rrahim Sadiku para lexuesit vjen me romanin e tij më të ri, ”Andej kufirit të vdekjes”, në të cilin fokusimin e të rrëfyerit e ka sistemuar në ngjarje të të panjohura e të njohura për lexuesin tonë. Këto janë ndodhi të cilat vijnë te ne nga përjetimet e autorit, si intimitete e fantazi dhe sikur ndërlidhen me përditshmërinë e lexuesit të informuar. Këto ngjarje të ndodhura në botën reale e në botën e mendjes, folen e përfolen, por gjithnjë ashtu si nuk janë trajtuar në mënyrën shkrimore ndonjëherë dhe kjo është ajo që bëhet vazhdimisht interesante dhe intriguese në romanin më të ri të Rrahimit.
Përjetimi dhe lidhja kuprimore me veprën letrare kërkon njohje të jetës, të shkrimit e të mendimit krujues, sepse vetëm atëherë na vjen si përjetim real estetik. Njëkohësisht ajo kërkon durim e trajtim të objektivitetit me të cilin na përball autori, përmes protagonistëve, që na mundësojnë të depërtojmë kah njohja e vetvetes, në të gjitha shtrirjet absorbuese të kolektivitetit e të individit, sepse në shumë situate, ndjehemi sikur edhe ne jemi brenda asaj që ndodh në roman.
Trajtimi i të ndodhurave dhe fantazive ka edhe fazat e veta ,të cilat kërkojnë njohje dhe zell për të shfaqur pjesët e errëta të këtyre dy dekadave të fundit në shoqërinë shqiptare. Të depërtosh në këto fusha të ndjeshme problemore nuk është ndonjë gjë e re ,por të trajtosh kështu si Rrahimi ka peshën e vetë,për këtë periudhë historike dhe kulturore ndër ne. Udhëtimet shkrimore sidomos në prozë ,diktojnë më përsëafërmi ndodhitë e kohëve,kur ato shpalosin ngjarje nga më të ndryshmet edhe pse në letërsinë shqiptare romani ka kaluar nëpër fatin e rrëfimit të retrospektivës pas shumë dekadave kohore.
Ky roman autori ka vënë titullin metaforik me fuqinë e zhvillimit të brendshëm të narracionit përmes protagonistëve , të cilët bartin zhvillimet e proceseve shoqërore në kurriz të fatit kohor. Këto fate kanë edhe anët e ndritshme,e të errëta të tyre,sepse në kohën e ndryshimeve të mëdha copëzat e imta për shumicën e njerëzve nuk peshojnë shumë, ato orientojnë kah rruga e rënies për të ngritur veten në ringjalljen e idealit të pathyeshëm kombëtar. Në këtë vepër autori ka depërtuar nëpër shumë frekuenca delikate, të cilat në kohën e trajtimit mediatik sikur nuk vërehen në shpalosjen e kujtimeve reale-imagjinare. Na bëhet se vjen para syve tanë njeriu ynë në ato vite, që ka pranuar ashtu të gatshëm servililitetin e servilve, vetëm e vetëm për të mbajtur gjallë veten dhe iluzionet. Rëniet e idealistëve për të mirën e atdheut tonë kalojnë kufirin, shkojnë përtej kufirit të lindjeve e të vdekjeve dhe vazhdojnë të këtilla nëpër të gjitha fazat e tranzicionit tonë. Rrahimi ka trajtuar kohën e humbjeve mataforike, jo si humbje reale, por si kërkim të humbjeve përtej reales. Në këto specifikime protagonisti kryesor i romanit mishëron botën e dikurshme dhe botën andej vdekjes, me kundërvëniet edhe më sporadike që kanë një rrugë të idealit dhe të bindjeve se bota jonë është ashtu siç është projektuar në shpirtin e pathyeshëm të njeriut tone, nëpër kohët më të errëta sunduese.
Fjala e njeriut ka mbijetuar bashkë me virtytet e shenjta për atdheun e copëtuar, kështu që ajo ka mundur dhunën, skamjen vetëm e vetëm për të ruajtur e kultivuar krenarinë tonë. Përmes protagonistit kryesor të romanit ai shprehet: ”Për jetën kam biseduar me shumë burra me nam dhe i kam bindur se ia vlen edhe të vdiset e edhe të jetohet, por vetëm vertikalisht e vetëm njerëzisht”. Kështu njeriu ynë ka mundur kohën njerkë. Mirëpo, koha e këtyre bindjeve ka mundur kohën e tranzicionit, duke shtjelluar rrugën tjetër të ditëve tona. Në këto hallka të reja shoqërore janë vënë në lidhje forma e modalitete nga më të ndryshmet, në orientimet e ndërtimit të pushtetit me oligarkinë e suitat nga më të dëmshmet. Këto damkosje duken por nuk hiqen, ato krijojnë barriera në të gjitha sferat shoqërore dhe njeriu i sotëm vetëm bënë llafosje lolo. Prandaj, aktualiteti i sotëm për shumë njerëz ka krijuar vetëm thyerjen shpirtërore, sepse nuk di në kë të besoj. Ndërtimi i shtetit tonë nuk tejkalon vetveten për të mirë, por sikur ai tejkalon kohën e monizmit, sikur ai nuk ka ekzistuar fare dhe mbeturinat e asaj kohe tani kanë depërtuar me ndërrimin e këmishave një ngjyrëshe.
Kur diturisë e shkollimit ia kanë humbur vlerën me diploma të shpejta të sekretareshave e të merituarëve mediokër. Intelektuali ynë me nam ka ndryshuar etikën morale e shkencore dhe është vënë në shërbim të injorancës. Dhe vjen dilema për jetën përtej kufirit, nëse ekziston diku.
Rrahim Sadiku në roman ka parashtruar tematikën e kodit retorik në suaza të pranueshme, duke i dhënë protagonistëve mundësinë e dedikimit të veprimit sa më afër lexuesit dhe sa më afër reales. Në këto rrafshe sekuencat kronologjike i afrojnë lexuesit të kuptojnë, e përjetojnë veprimet e protagonistëve pa diktate klinike. Ata diktojnë sensibilitetin e tyre intelektual me veprimet e tejdukshme, por gjithnjë në ngritjen e tyre superlative për të mundur edhe anën psikologjike me të tjerët. I tillë është edhe protagonisti i romanit Fatmir Lecaj, nëpër mes të cilit autori bartë një galeri të veprimit për shumë kategori të këtillëve. Ky portretizim, sa akuzues e sa aktual, mbetet po aq edhe kumbues në ditët e sotme, paralajmëron se dituria shkencore është në rrezik për brezat në ardhje. Në këto skena të shfaqura, autori nuk hermetizon ngjarjet, por përkundrazi, atyre iu jep gjallëri, për të kuptuar veprimin edhe me shokun e dikurshëm ,Mejdiun, i cili shkon në provim dhe nuk e dinë se në çfarë lëmie duhet të shkruhet punimi i tij. Këto inserte dhe disa të tjera në vepër shpalosin frazeologjinë e njohur të këtyre veprimeve absurde të këtij realiteti. Narracioni me lexuesin ka shkëmbim të konsiderueshëm idesh në mënjanimin e anonimitetit, sepse ata pikëtakojnë ngjarjet në përmbajtje e qartësi të kuptimit të tërësishëm topografik në përvetësimin si pronë personale pa mbështetje të kodit juridik e njerëzor.
Me këto sekuenca autori ka funksionalizuar dukjen e tejdukshme me tendencën kalimtare të rrjedhave shoqërore.
Romani”Andej kufirit të vdekjes” i Rrahim Sadikut, asocon me përjetësinë e jetës dhe zhvillimet shoqërore në nëpër faza të tranzicionit tonë. Brendia e romanit ka parashtrim objektivitetin e rrethanave objektive, nëpër të cilën kalojnë protagonistët e romanit. Fati i protagonistit kryesor të romanit ka elementin autobiografik në bashkërenditje me protagonistët tjerë, të cilët bashkëjetojnë nëpër këto procese jetësore. Autori përmes protagonistit kryesor komunikon në veten e parë, i jep kreativitetin e bartësit të tërësishëm të këtij procesi ndërlidhës në të gjitha ngjarjet e trajtuara.
Me fuqinë e fjalës dhe të përjetimit autori ka arritur të tejkalojë situatat e komplikuara në realitetin e para vitit 1999, por që ato janë edhe pikëpamje të parashikimit se këto procese e damkosje shoqërore, janë jo vetëm të shtruara, por ato edhe paralajmërojnë në vijimësi se këto skena jo të favorshme po vijnë gjithnjë në rritje për të keq, lexuesi i vëmendshëm kupton se disa protagonistë janë kalitur me dekada të tëra si prodhim me ndërgjegje, pseudointeletuale, si dhe me virtyte tekanjoze.
Në disa pjesë autori ka depërtuar nëpër lashtësi ,duke bartur jo vetëm fate dhe ndërgjegje, por nëpër këto pjesë ka bartur e ruajtur edhe elementet mitologjike të perëndive. Duke i dhënë argumentin e festave popullore të ruajtura si relikte të së kaluarës deri në ditët e sotme.
Titulli i romanit “Andej kufirit të vdekjes” nuk idealizon, por konkretizon shtresën e idealizmit, jo vetëm të kryeprotagonistit, pasi autori me mjeshtri ka arritur të konkretizojë një gjeneratë të tërë, si dhe ka afruar edhe metamorfozën e një shtrese të këtyre idealistëve. Me fatin e kryeprotagonistit dhe me fatin të Teftës, ai ka dimensionalizuar aktualitetin tonë. Romani i përket një kohe dhe shumë kohëve, duke ndriçuar anët e shëmtuara në qarqet intelektuale, sepse mashtrimi dhe damkosja kanë ruajtur shtratin prej pasojës në pasojë. Me këtë vepër Rrahimi ka pasuruar fondin e letërsisë artistike me vlerë sa objektive, po aq edhe paraprijëse për të ndaluar të keqen në shoqërinë njerëzore dhe kombëtare. Ky modernitet i trajtimit në roman gjallëron kulturën si dhe lexuesit i afron përjetimet nëpër rrugët e tejkalimit të kufirit të jetës dhe vdekjes. Lexuesi i kësaj vepre domosdo do të përjetojë ndjenjën e kënaqësisë për mënyrën e trajtimit në tërësinë e saj. Romani përfundon me kaptinën Epilog. Për të dhënë mesazhin në ndërrimet e rrethanave shoqërore, se fjala e shkruar ruan aktualitetin historik, si dëshmi e realizim për të ringjalluar evoluimin kohor, shpresëdhënës për të përjetuar ëndrrën e shumëpritur, me gjakimin dhe idealin për Lirinë.
Me 25 shtator 2014
Abonnieren
Kommentare zum Post (Atom)
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen