Sonntag, 19. Oktober 2014

Magjia e lirikave labe


Shkruan: Ilir Mborja 

Çdo trevë e Shqipërisë shquhet për vlera të veçanta kulturore artistike në lëmin e folklorit. Në Veri psh, shquhen për Eposin e Kreshnikëve. Diku më poshtë dallohen veçanërisht për lodrat, anekdodat, gjëegjëzat etj,.. Diku tjetër, spikasin vlerat për këngët e trimërisë a për fjalët e urta. Skrapari shquhet për këngët e nizamit. Treva e Korçës për ato të kurbetit. Studiuesit e koreografisë popullore thonë se në zonat kalimtare (trevat anës Shkumbinit, si ajo e Dumresë, Bradasheshit, etj.) dallohen për vallet më të bukura sepse kanë të gërshetuara edhe elementë të Veriut edhe të Jugut. Gramshi për meloditë me fyej. Muzikologët flasin për vlera të jashtzakonëshme në këngët polifonike të Çamërisë. Dhe kështu me radhë, çdo trevë shqiptare shkëlqen diku më shumë dhe ka me se të krenohet në këtë thesar të larmishëm të krijimtarisë popullore që quhet folklor.
Folklori i trevës së Labërisë shquhet më shumë dhe mban vendin e parë në Shqipëri për lirikat me temën e dashurisë. Tekstet e lirikave labe të dashurisë nuk kanë shoqe në botë.
Për të depërtuar tek mentaliteti i labit, duhen sjellë në vëmendje këto dy këngë. E para që shpreh misionin parësor të këngës për labin, që është dashuria:

"Bilbil thuamë dhe mua!
Ca nga ato këngët e tua,
Të këndoj krua më krua,
Të më vijë ajo që dua,
Leshraverdha gjer mbi thua." 

…Dhe kënga tjetër, që manifeston amanetin e labit:

"Mike, në të kam për mike?
Kur të vdes të bëhesh qiqe!
Të më qash brigje më brigje!
Dhe me lot moj dhe me ligje..."


Duke kërkuar kështu besnikëri të përjetshme nga e dashura edhe pas vdekjes, për labin rëndësi ka vetëm morali i besës.
Vetëm në dasmat labe, gjen vargje të tilla të dala nga goja e motrës së dhëndrit që i drejtohet nuses të sapo mbërritur me kalë, duke e "qortuar":

"Pse s’u bëre Diell të ngrohje Dunjanë?
Po u bëre Hënë më more vëllanë!.."


Për të dashurën labi bën ç'do sacrificë siç e tregon vetë në këngët:

"Moj sy e vetulla pishë!
Haram të qoftë ai mishë!
Ai mish që të solla prëmë,
e vodha natën pa hënë.
Qentë lehnin, unë po zënë..."
ose:

"Ç'u ngriçë natën pa hënë
Pa opinga nënë këmbë,
Rashë në një stan të dhënë.
Të zot e qene po flenë.
Ç'u ngrit millorja në këmbë.
Brez e sipër e argjëntë.
Gushënë gjerdane zënë,
Dhe njëçikë që kishte lënë,
Shndriste si bora në hënë.
Shndriste si bora n'Qorre.
U tërbofsh që më tërbove!
Nga kusaria ç'më nxorre."


Dhe lirika labe për vejushën Vito është një perlë e vërtetë:

"Vito të kam silloinë!
Si do bëç me djem jetimë?
Si guri në rrokullimë…
Rrobat në sepet ç'të ngrinë…
Vishi Vito, prishe zinë!
Lotët se ngjallin njerinë…
Vito, kur shkoje mbi varre,
Të vdekurit ç'i ngjalle fare.
Vito, kur shkoje mbi gurë,
Lojte menç turq e kaurrë…"


Ja dhe një xhevahir tjetër i lirikës labe:

"Vajzat e shehut të tria,
Ç'i është qepur djemuria...
Del e i mallkon baxhia:
Djem, ju zëntë rehania!
Ç'keni me vajzat e mia?
Sos me një, po me të tria?!."

Në vargjet e mësipërme vihet re një ironi e hollë në mallkimin që baxhia (gruaja e shehut, meqë atij nuk ia lejonte statusi fetar që të mallkonte) u bën djemve:"Djem, ju zëntë rehania!"... Rehania është pije e nxjerrë nga rrushi, por jo alkoolike.
Dhe meqë jemi në Athinë, në mbyllje, ja dhe nja dy vargje që këndojnë për dashurinë mes lebërve dhe minoritareve të bukura greke:

"Kur më shkoje udhës,
Kaloje si era.
Gërrqishten e dije,
S’më dhe: Kalimera!.." 


17 tetor 2014

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen