Montag, 13. Oktober 2014

Ymer Nurka - Fabula

 
VRESHTI DHE POETI
(fabul)
 
N'atë gjygj të Rrush-Rrushitit,
Që vreshti të merrte hakun,
Ashpër Dritëronë paditi,

Përse i pat pirë gjakun?


-Borxh ke lëngun e tim biri,
Dhe borxhi duhet larë,
Boll e pive si vampiri
Kthema sa më parë!


Poetit borxhi i ngjan det,
Me mijra damixhanë…
Si trim kazanit, hyri vetë,
Në gojë vuri llullanë…


Digjet brenda, si martiri,
Avull u bë xhani…
Të rrjedhë lëng, nga më i miri,
Ballë prej kazani…


Dehen yjet për së largu,
Mbushet plot filxhani,
Me rakinë rrjedh dhe vargu,
-O shokë ma mbani…!


Te gojë e tij do mbushni gotën
Të gjithë ju poetë
Dhe prej atje do nëmni botën
Që hic s'qe e vërtetë…
 
 
 
KOSHI
(fabul)

Jupiteri
pyet Tokën:
-Xhane, moj ...

si ma ke kokën ?


Ja kthen Toka
me zë vakët:
-S’e shikon... ?!
Të rrumbullakët.


Thotë Mërkuri:
-Eh, e gjora!
Nuk e ndjen
që e ka me morra.


Shumë të shkurtra
m’i ka ditët,
po nuk zhduku
parazitët.


Psherëtin Marsi:
-Eh e mjera.
S’e shikon
mbushur me plehra.


Dhe të themi
të vërtetën
më shumë keq
më vjen për Jetën.


-S’ka faj motra
-thotë Venusi
Tokës i mungon
pastruesi


Dhe n’u pastroftë!
-të tjerët thoshin
Ajo s’ka se ku
të verë koshin.
 
 
 
GOMARI DHE FSHATARI
(fabul)

Një fshatar dhe bir fshatari,
Krekosej , si burrë i ditur:
Dhe i mburrej një gomari: ...

-E shikon si të kam hipur?!!


Përmbi ty, unë kam pushtetin,
Edhe bëj, çfarë dua vetë.
Në çast veshua mendon shtetin,
Thotë me vete: -Vaj medet!


Ke të drejtë – ia kthen të zotit
Pa e prishur terezinë:
-Vërtet të mbaj qysh herët, motit,
Veç unë e di, kë mbaj mbi shpinë.


Më vjen keq, o zot i mjerë,
Për ty që vetes, s’ia di hallin,
Mban mbi supe plot “gomerë”
E nuk i sheh, se si të tallin.


Mos u mburr ditësh, që vijnë,
Se s’ dihet jo, kush ka më vlerë:
Më mirë gomar e të mbaj njerinë,
Se të jem njeri, e të mbaj “gomerë”.
 
 
 
THESARI
(fabul)

Hynë qentë
në një tunel.
Për çudi...

askush s’po del


Prit e prit
turma me kafshë
që të dalin
qentë jashtë


-Mbetën brenda!
-veshot pallin.
Kushedi si
e kanë hallin!


Fjalën seç nget
një lepur:
-Kushedi
seç kanë gjetur!


-Ndofta kocka !
-thotë një ketër.
Se brenda jo
nuk ka gjë tjetër.


-Pa dëgjoni!
-thotë derri.
Në tunel
ka plasur sherri.


Qentë me lehje
të forta,
si hajdutë
dalin tek porta.


Çajnë turmën,
vrapin nisin,
hahen, brehen
dhe kujisin.


Dhe në gojë
diçka mbanin.
As e hidhnin,
as e hanin.


Një ari mbeti
i mekur:
-Langot paskan
gjetur hekur!


Në çast veshua
tund samarin
-Langot kanë
gjetur thesarin!


-Vërtet kështu,
-seç palli lopa
Në gojë langot
kanë lengota.


Ndërsa qentë
morë rrugë të largët,
pas litar
u rridhnin jargët


Më pas, një cjap
i bie bririt:
-Djersa jonë
pik’e floririt


Vazhdon kali
tjetër varg:
-Ishte djersë,
u kthye jargë.


Mjaft u lodhët,
u këputët.
Punojmë ne,
jetojnë hajdutët!
 
 
 
SFIDA
(fabul)

Në mes tufës brof një ditë,
Një luan ende këlysh.
Për pushtet bën opozitë...

Dhe sfidon të tijin gjysh.


Mbahej cub e desh kurorë
Dhe s’tërhiqej kësaj radhe
Desh harem të kish në dorë
Desh dhe copën më të madhe.


Dhe kërkoka të prijë fisin,
Kryetar përmbi të tjerët.
Sherret brenda tufës nisin;
Për këlyshin ishte herët.


Por pinjolli prap shet mend
Hungëriu me sa mund.
Kërcënon gjyshin me dhëmbë
Lesht’ e qafës tund e shkund.


Lesht’ e qafës, lesht’ e gushës
Seç u fry e u krekos,
Por dikush nga mes i tufës
Këlysh trimin kilikos:


-S’ka ardhur ende ajo ditë
Mbretit t’fisit t’i bësh sfidë.
Sa ç’ke zotrote lesh në krifë
Gjyshi yt e ka në b…


Po s’u poqe nga të tëra
Që të prijsh nuk të vjen sëra.
 
 
 
 
MIKROFONI
(fabul)

Kafshët një ditë me një mendim
Për të drejtat bënë tubim


Në tribunë me vrap i pari
Fjalën seç e merr gomari


Mikrofonin afron pranë
Dhe pëllet sa tund dynjanë


Papritmas dhe menjëherë
Pëllasin me mijra të tjerë


S'ish shaka mijra gomarë
Oshëtiu bota mbarë.


Thotë veshua me gëzim
"Ja çdo të thotë solidarizim!"


Të gjitha kafshët nga ky shkak,
Ja mbathën dhe ikën me vrap.


Tek pa kafshët të vraponin
Ikën edhe mikrofoni.


Veshos i hipën inati.
Thotë me vete: "po ky ç'pati?


Ej ndalo ti, ku po shkon?
Kam nevojë për mikrofon."


Mikrofoni vështron pas
Veshos seç ia kthen në çast:


"Për gjithçka mund të kesh nevojë
Veç për mua kurrë s'besoj"
 
 
 
SHERRI
(fabul)

Një ditë dashi
prish miqësinë,
akuzon cjapin...

komshinë.


Tundën brirët,
nisën sherrë,
për pak tokë
të mbetur djerrë.


Shkoi e madhe
ajo shamatë,
pesë seanca
në gjykatë.


Ziren, çirren,
zërin ngrenë,
por çudi
gjyqtarët flenë.


Nuk shkoi shumë
dhe erdhi fundi,
Kryetari
zilen tundi.


-Siç e shihni
unë jam ujku!
Dhe i jap
të drejtë çdo bujku.


Si ekspert
dhe si kadi
me kujdes
pashë çdo tapi.


Secili e kish
tapinë të vjetër,
që kur nuk kish
as shkrim as letër.


E mira do ish
që atje në arë,
të drejtën vetë
ta kishit ndarë.


Meqë s’ ndodhi
kështu, juria ime
për ju mori
dy vendime:


Si m’i urtë
dhe m’i trashë,
Të drejtin
e ke ti dash.


Si më budallë
e më i vjetër,
të jap ty cjap
vendimin tjetër.


I ngazëllyer
dashi foli:
-Ja, e drejta
ime doli!


Një çakall
duket në derë
me dy drurë
të njomë të prerë


Njëri ish
i drejtë, i gjatë,
tjetri i shtrembër
me zig-zag


I pa cjapi,
e kuptoi,
hapi derën
desh të shkoi.


Ndërsa dashi
i shtangur ngeli,
kur pa se i drejtë
paskësh qënë helli.


Njëri-tjetrin
panë në sy
e me ligje
qanë të dy…


Çurk secili
lotët derdhi:
-Eh ç’kohë erdhi!
-Eh ç’kohë erdhi!


Këtë ndodhi
merr vesh një lopë
e plot çudi
ndër kafshë thotë.


-Kush me mikun
të drejtën s’ndan
tek ujk kadiu
hellin han


Në gjyq të faktit
mos u qa,
se ende jo
s’është helli tra.


Se në kasacion,
a tek apeli
dhe më i trashë
u bëhet helli.
 
 
 
TIFOZËT NË LOT
(fabul)

Me lot qante krokodili:
“Pse o Zot humbi Brazili?!
Ç’qe kjo gjëmë e ç’qe ky fat,...

Si u rrafën një me shtatë ?!”


Pak më tutje shih luanin!
Po qan trimi për Gjermanin.
Hungërrin me lot në sy:
“Pse s’fituan tetë me dy ?!”
 
 
 
MUTACION
(fabul)

Një gomar, kur ka hall vetë,
Hollon zërin, bëhet petë,
Kur në zyrë e bënë shef,...

Trashi zërin dhe u ngref.


Plot habi flet një bizon:
-Ja ky quhet diapazon.
Ja kthen kali, tjetër ton:
-Ky or mik është mutacion


Ështe virus, është marifet,
Që shkatërron shoqëri e shtet,
Janë bërë njësh, tek ky kopil,
Burokrat edhe servil.
 

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen