-
Probleme, risi dhe prurje të veçanta stilistikore në lëmin e gjuhës, në romanin “Klubi Khajam”, të shkrimtarit Murat Aliaj.
Shkruan Ilir MBORJA
Edhe romani i Murat Aliajt, “ Klubi Khajam”, megjithëse doli në fillim të këtij viti (2014-s), në vend që të lindte në një treg normal të librit shqiptar, na vjen përmes “serbes pazarit” të vetëm që sundon në Shqipëri. E kam thënë dhe herë të tjera dhe do të këmbëngul gjithmonë, se gjithë tollovia e librit me autor shqiptar e ka burimin tek mungesa e shtëpive botuese. Ato që quhen të tilla, në fakt funksionojnë vetëm si shtypshkronja. Në këto "Shtëpi Botuese" nuk ka redaktorë, korrektorë, piktorë etj. Aty ka vetëm punëtorë në makinat e shtypit, prerëset, ngjitëset, lidhëset, etj. Prandaj mendoj se këtë krizë të librit me autor shqiptar e zgjidh, ashtu si në Perëndim, vetëm një ligj: Shtëpitë botuese të mos kenë të drejtë që të kenë në pronësi të tyre edhe shtypshkronjë. Kaq dhe pikë. Të gjithë e dimë rrugën që ndiqet për të botuar një libër: Pasi e ka shkruar dhe hedhur në flesh dorëshkrimin, kush ka para dhe mundësi për të paguar, mund ta botojë ku të dojë. Sa të dojë dhe si t’i dojë. Zgjedh vetë formatin, kapakun, me veshë - pa veshë, me lustër - pa lustër. Bën pazarin, paguan dhe merr librat në krahë me thes për t’ua falur pastaj më të shumtat miqve... Por të mos harrojmë, se libri i falur e ka 99% riskun që të mos lexohet. Dhe e keqja është se tek ky 99% hyjnë edhe librat cilësorë, shkrimtarët e vërtetë. Se këtë psikozë paragjykuese, dyshuese për librin e vërtetë, e kemi peshqesh nga grafomanët. Këtë pazar e kanë prishur grafomanët që i kanë paratë për të botuar. Në dukje kjo nuk ka asnjë të keqe. Dhe grafomanët nuk janë kriminelë. Ata janë shpesh shokët tanë që kanë dëshirën legjitime të shprehen artistikisht. Herë – herë flinte dhe Homeri i madh,.. dhe nuk dremitkan autorët tanë. Ja këpusin gjumit, dhe herë – herë qëllojnë në shenjë, ose aty afër… E keqja është se mungesa e filtrit të domosdoshëm të shtëpisë botuese krijon çoroditje tek përzgjedhësi-lexues dhe, në rastin më të mirë, e bën atë dyshues për cilësinë e tij.
Në këtë tollovi të vërtetë të botimeve tona na vjen edhe romani i Murat Aliajt – “Klubi Khajam”. Sigurisht, po të mos njihesha personalisht me autorin që së pari të ma ofronte librin, po të mos e dija faktin se “Karroca” e tij (novelë), ka kaluar me sukses filtrin tepër të ngushtë të shtëpisë botuese “Naim Frashëri” që më 1973, vështirë se do ta nisja leximin e librit në fjalë.
Para se të përpiqem të tregoj disa risi dhe prurje të veçanta stilistikore të autorit në lëmin e gjuhës, do të ndalem pak në mangësitë dhe pasaktësitë jo dhe aq të rralla në këtë roman. Pra në fillim do të them të hidhurat:
***
Në kapakun e dytë, atë të pasmin, në ato pak rreshta paraqitës që ka shënuar redaktori gjen: Fjalia e tretë: “Autori ka disa vepra,* romani që kini* në dorë është një nga majat e krijimtarisë letrare të deritanishme.” (Në vend të pikës kemi presje.) Fjalia e katërt: “Intensiteti i ngjarjeve… e bëjnë tepër interesant për lexuesin.”, kjo fjali e përbërë, megjithëse e gjatë tërkuzë, e lë të pa plotë shprehjen e mendimit (Kë? – atë, romanin.). Në këto dy fjali gjen gabime drejtshkrimore si: “…kini në dorë…” (duhej: keni), “…Ndërrimi i sistemit politike…” (duhej: politik), “…u cili…” (duhej: i cili).
Në kapakun e pasmë, “redaktori” i librit, ka shkruar sipas tij nëntë fjali. Nëntë pika ka vendosur. Vini re fjalinë e shtatë: “Kontradikta e brezave ka ekzistuar në jetën njerëzore, por sot manifestohen hapur, gjë që shpesh herë e çon familjen dhe shoqërinë në drama të thella familjare.” Kjo çdo gjë mund të jetë, por vetëm fjali e saktë gramatikisht nuk është. Kontradikta – në numrin njëjës. Edhe folja “ka” po ashtu në numrin njëjës. Ndërsa folja tjetër “manifestohen” në numrin shumës. Kurse përemri (ato) që duhej të ishte në pjesën e dytë dhe të luante rrolin e kryefjalës mungon: “..., por sot (ato*) manifestohen hapur,…” Kapaku mbyllet: Çmimi 700 leke* (…e në vend të ë) 6 *Euro (E- në vend të e).
Pra, pa e hapur librin, syrin ta vret injoranca e dukshme e “redaktorit”. Nga shkruesi i këtyre pak radhëve në kapak, merret me mend se çfarë redaktimi mund të presësh në brendësi. Llogariteni vetë çfarë mund të ketë “ndrequr” (dreqosur) ky farë “redaktori” në këtë libër. Kështu, romani “Klubi Khajam” i Murat Aliajt, fatkeqësisht nuk ka pasur as redaktim letrar dhe as korrektim gjuhësor.
***
Risi dhe prurje të veçanta stilistikore të autorit
në lëmin e gjuhës.
Murat Aliaj në këtë roman gjatë përshkrimeve të situatave, nga pozita e rrëfyesit (pra jo nga goja e personazheve) jep shumë sentenca (përfundime). Përshembull: Ca gjëra, po s’u bënë në kohën e duhur, është më mirë të mos bëhen fare. (f. 29). Për të dashuruarit nuk ka rëndësi se ç’thonë. E rëndësishme është që në bisedë të mos u shterë pasioni dhe fjalët, qofshin ato dhe kot. (f. 63) S’ka përpjekje më të bukura se sa ato për të fituar një zemër!* (f. 70)
Këto fjali, me mesazh të përfunduar si të jenë aksioma, diktojnë tek autori një strukturë (anë ndërtimore) të veçantë. Në romanin “Klubi Khajam” ka një përdorim të gjerë të këtyre fjalive me një tip strukturor shumë të rrallë në letërsinë shqipe. Ato më së shumti janë fjali të përbëra nga dy pjesë. Njëra pjesë është kryesore dhe tjetra e nënrenditur. Pjesa e nënrenditur në këto raste kryen funksionin ose të kryefjalës, ose atë të kundrinorit. Përshembull: E vetmja gjë që e futi në mendime/(pjesa kryesore) ishte diferenca që kishin në moshë.(Pjesa e nënrenditur kryefjalore.) (f. 62) ose Pasuria e bën njeriun/ (pjesa kryesore) të nxjerrë në shesh veset. (Pjesa e nënrenditur kundrinore.) (f. 121) Po aty, po ashtu edhe fjalia pasardhëse:Varfëria e bën/ (pjesa kryesore) që të nxjerrë në shesh virtytet. (Pjesa e nënrenditur kundrinore.) Le të bëjmë edhe një analizë sintaksore të një paragrafi në faqen 143 që fillon me një fjali me strukturë të rrallë sintaksore dhe stilistikisht të lartë siç janë fjalitë me pjesë të nënrenditur kryefjalore: “I ngjante i huaj ky qytet ku kishte lënë aq shumë gjurmë.” Dhe këtu Murati të kujton modelimet gjuhësore të Kadaresë kur thotë: “Ishte e vështirë/ të ishe fëmijë në atë qytet.” (“Kronikë në gur”-1978, faqe 6.) I ngjante i huaj/ (pjesa kryesore) ky qytet ku kishte lënë aq shumë gjurmë. (Pjesa e nënrenditur kryefjalore.) Të gjitha/(kryefjalë) ishin fshirë. (Kallëzues.) Kohët /s’kishin nevojë/ për gjurmë fëmijësh. (Kryefjalë + kallëzues + kundrinor.) Qyteti/ kërkonte/ heronjtë. (Kryefjalë + kallëzues + kundrinor.) Vini re fjalitë pasuese sa të thjeshta strukturalisht dhe sa të ngjeshura në kumtim…
Përveç fjalive të tilla të një stili perfekt, prurje dhe kontribut nga Murat Aliaj në këtë roman janë edhe stilemat e reja që sjell ai në gjuhën shqipe. (Përdora fjalën kontribut dhe jo ndihmesë, se kjo fjalë shqipe edhe në rastin tonë nuk e zëvendëson dot fjalën e huaj. Ndihmesë do të thotë që dikush tjetër ka qenë i parë dhe ti ke ndihmuar. Kontribut, ndryshe nga ndihmesë, do të thotë edhe i parë, edhe i mëvetësishëm në një akt. Edhe në gjuhë të huaja fjala “kontribut” nuk ka lidhje gjenetike me rrënjën “ndihmë”) U zgjata këtu me këtë shpjegim se termi “stilemë e re” ka të bëjë vetëm me këtë. Me kontributin e autorit. Në një stilemë, fjalët vërtet janë të përdorura (madje mund të jenë fjalë të një përdorimi me rezonancë të lartë edhe në ligjërimin bisedor) por në marrëdhëniet që i vendos shkrimtari, ato fitojnë kuptim ose ngjyrim të ri plotësues. Përshembull: Akoma nuk kishte zbritur nga /retë e gëzimit/. (faqe 79) …njerëzit e larguar /në kamaret e harresës/… (f. 82) Mbrëmja ra me /përtesë/ dhe… (f. 96) …kjo mbetej /një dëshirë e ngurosur/ në shpirtin e tij. (f. 106) …dielli e nxori /kokën e tij përvëluese/ qysh në mëngjes… (f. 106) …njësoj si /të fliste me retë pupëlore/,… (f. 108) /Gishti kërcënues i varfërisë/ i kishte bërë të vëmendshëm. (f. 121) Pastaj vërshoi /rrebeshi i përnatshëm i ankesave./ (f. 135) Tej, në kaltërsi /ciasnin/ pulëbardhat. (f. 141) Doli më i fortë /mendimi i hijeve/… (f. 199) …dhe /u mbyt/ në atë vërshim kujtimesh. (f. 204) …iknin /me astarët e xhepave kthyer së prapthi/… f. 217) …në një kambanë /të vuvët/ që… (f. 230) Në përfundim, në lidhje me stilemat, unë nuk pretendoj se kam njohuri shteruese për gjithçka është shkruar në letërsinë shqipe dhe si rrjedhim unë nuk kam të drejtë të ve vulën në këto që them. Por edhe në mos qofshin stilema të reja të gjitha këto që kam qëmtuar unë, shprehje figurative, të ngjyrosura me nuanca krejt të veçanta ato janë. Dhe, nëse ishit të vëmendshëm, kur fillova të flas konkretisht për stilemat në këtë libër, unë në vend të fjalës autor, fillova të përdor fjalën shkrimtar. ...Dhe Murat Aliaj e meriton emrin shkrimtar.
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen