Montag, 6. Oktober 2014

Murat Aliaj - Punët e mesates

PUNЁT E MESNATES
Tregim nga Murat Aliaj
      Qyteza L në jug–lindje të vëndit është shumë e vogël dhe gjithë aktivitetin e saj e përqëndroi në bujqësi e blegtori, por me që qyteti është një grusht dhe larg qëndrave të tjera të banuara, nuk pa ndonjë prokopi nga kjo rropatje shumëvjeçare, ndaj vit pas viti nisi të tkurrej. Vreshtat mbetën pa krasitur dhe morën pamjen e shkurreve që i jepnin egërsi vëndit, kurse pemët e pjekura në verë që piqnin frutat, i rrëzonin ato për tokë e i fermentonin, duke qelbur gjithë vëndin era kalbësirë dhe alkool.
      Të rinjtë që nuk shihnin ndonjë perspektivë jetese në të, çanë kufijtë dhe nuk e kthyen më kokën prapa. Pleqtë që nuk kishin tjetër mënyrë jetese, vazhduan ta zvarrisnin jetën e tyre kalldremeve të gurtë të qytetit.

      Dukej se shkretimi e kërcënonte qytetin vit pas viti. Mbylleshin dyqane që s’nxirrnin as shpenzimet e ditës, si dhe lokale që s’kishin më klientë. E vetmja që akoma mbahej në këmbë ishte kafja e madhe në mes të qytezës e cila kishte si çati tendën e një rrapi shumëvjeçar. Edhe ajo mbahej në këmbë më tepër për forcë të traditës, se sa nga fitimet që nxirrte. Po kështu funksiononte akoma hoteli i vjetër i ndërtuar në vitet e parë pas çlirimit. Ishte një ndërtesë e vogël dy katshe me nga dhjetë dhoma në sejcilin. E ndërtuar me stilin e vjetër, ajo nuk kishte banjë në çdo dhomë. Për dushe as që bëhej fjalë. Në fund të korridorit të çdo kati ndodheshin banjat e përbashkëta.

      Edhe pse në këtë hotel rrallë e sillte rasti të kthehej ndonjë shtegëtar, atë e kishte mbuluar pisllëku dhe pleshti kërcente si llastik nga njeri qosh në tjetrin.

      Vazhdonin ta mbanin akoma hapur sepse duke qënë larg prej qyteteve të tjera, ndodhte dëndur që ndaleshin udhëtarë nga ata që vinin prej veriut të vëndit për të kapërcyer kufirin. Ishte si të thuash një funksionim më tepër për hir të traditës së mikpritjes, se sa të fitimit. Edhe personeli sherbyes në të, paraqitej sa herë kishte ndonjë kërkesë dhe gjatë ditës vazhdonin me punët e tyre.

     Si zonë e thellë që ishte, doemos kishte edhe postën e vet të policisë.

     Atë vjeshtë pati gjallëri shumë të madhe në qytezë. Si të mos mjaftonin vetëm emigrantët, që pasi kalonin kufirin e shtetit fqinj dhe ketu kalonin natën e parë të çlodhjes, u dyndën nga Tirana edhe nëpunësit e shumtë të shtetit. Do bëhej një investim i madh për ta gjallëruar pak jetën e këtyre anëve të harruara. Por leku nuk hidhet kaq lehtë pa i studjuar në vënd të gjitha hollësitë, ndaj u dyndën deputetë, gazetarë, këngëtarë e aktorë. Sikur e kishin bërë me fjalë për t’i mbushur mëndjen  atyre të paktë banorëve që kishin mbetur, se edhe këtu mund të lulëzonte prapë jeta, si në kohët e shkuara.

     Atë mbrëmje në qytet mbrriti një emër shumë i dashur për banorët vëndas. Si gjithnjë enigmatik, nuk i njoftoi qysh më parë që ta prisnin siç dinin ata, madje ata e morën vesh vetëm të nesërmen kur mësuan ndodhinë.

     Ishte deputeti i zonës zoti Nadir i cili njihej si burrë i gojës, si poet i vargut që godiste atje ku bënte më shumë dëm e më tepër akoma, i gotës që i ndizte flakët e frymëzimit.

     Makinën e parkoi përpara hotelit. Faturoi edhe dhomën ku do kalonte natën. U freskua nxitimthi. La bagazhet mbi tavolinë, sepse dollap nuk kishte dhe nxitoi të kapte klubin, ku do takonte ndonjë të njohur, sa për të kaluar kohën.

     Atë darkë sikur e kishin bërë me fjalë dhe njerëzit ishin mbyllur qysh herët nëpër shtepitë e tyre. Megjithatë ai ia bëri qejfin vetes. Mori një meze me mish të pjekur dhe si porositi një shishe vere kabërnet, nisi të grindej me to.

     Zona L. është e përmendur për vreshtat e saj që kanë kohë të mbetura shkret, por prapë aty ku është tradita nuk shuhet prodhimi. Këtu të gjitha shtepitë janë me pjergulla e me kazanë rakie. Sa për verën, ata janë mjeshtra të vërtetë. Megjithëse vera nuk do ndonjë mjeshtëri të madhe për të të zbardhur faqen. Mjafton që rrushi të jetë i përshtatshëm për të.

     Për të kaluar atë kohë memece ai nxorri fletoren dhe nisi të shkruante. Ndoshta ndonjë reporthazh. Më tepër për të provuar i kishin mbetur më tepër mendime gazetari, apo ishte shndërruar thjesht në një deputet llafazan, që me fjalorin e vrazhdë të parlamentit, i zvjerdh edhe bukurinë shqipes. A ndoshta ndonjë varg, siç kishte bërë në rininë e hershëme. Vjen një kohë dhe njeriu ndjen mall për zanatet që ka kaluar në jetë. Shkruante dhe hiqte herë pas here gotën e verës. E kishte humbur shkathtësinë e dikurshëme kur me një gotë verë, mund të mbushte një faqe gazete me shkrime. Kurse tani, me një shishe, s’mbushte dot një kolonë. Dhe vendi ishte i tillë që të zgjonte mendime. Krahasime me të djeshmen e pardjeshmen. Meditime për të ardhmen e kostatime për të sotmen. Në vënde të tillë s’kanë të rreshtur mendimet. Por s’donte që s’donte t’i ecte. Dukej që parlamenti ia kishte dobësuar fantazinë krijuese.

     Kështu e mundoi veten pa e vënë re kohën që kalonte. Kur e pa gjithçka të humbur në errësirën e natës, u ngrit dhe me këmbët që ndonjëherë i ngatërroheshin prej verës, mori rrugën drejt hotelit. As që i vuri re fare dy policë që ecnin në distancë pas tij. Në sportel mori çelësin e dhomës dhe nisi të ngjisë shkallës. Ashtu i turllosur prej verës, siç ishte, i zunë veshët fjalët:”Shiko se zoti Nadir është njeri i nderuar. E kemi edhe deputet të zonës. Kujdesni se mos i ndodhë gjë dhe i vini njollë fshatit e na hapet nami i keq në gjithë Shqipërinë.”

     “po. Doemos që do japin porosi të më ruajnë, se nuk jam do si do unë. Jam Nadiri që e ka nderuar këtë zonë, ndaj dhe ajo duhet të më nderojë mua. Pavarsisht se sonte nuk u bë i gjallë njeri për të më pritur...Nuk jam njeri...dosido...unë”

     Dhe humbi në korridorin gjysëm të errët duke u grindur me çelësin që nuk e fuste dot në vrimën e derës.

     Para krevatit u ndal dhe dy pleshta i kërcyen para syve si akrobatë. Iu dukën si flutura që do ia bënin gjumin përrallor. Si ishte bërë atë natë, jo pleshti, por edhe vet kobra ta kafshonte, nuk do e ndjente. Hoqi këmishën dhe vuri re kanotjerën e mbushur me vrima djegiesh, nga që nuk e zinte gjumi pa ndezur ndonjë cigar. Ai kështu i kishte të gjitha kanotjeret dhe kot që ta ndërronte. U xhvesh dhe ia këputi gjumit. Ishte i lodhur e pak i rënduar nga pija. Mëngjezit e prisnin të tjera punë dhe dita e ardhëshme do të ishte më e bukur nga e shkuara.

     U shtri dhe menjëherë humbi nëpër ëndërra. Në mesnatë u zgjua dhe menjëherë u ngrit në këmbë. Kjo vera e L. të shkakton shumë urinime. U kujtua se banja ishte në fund të korridorit. Vështroi orën. Kishte shkuar dy e natës. Në këtë moshë njeriu nuk ka nevojë për shumë gjumë. Edhe në shtepi rreth kësaj ore i dilte gjumi. Të gjithë flinin dhe ai e ndjeu të tepërt të vishte pantallonat e këmishën. Sikur do vinte në ballo. Në banjë do shkonte se po i përvëlonte urina. Ndaj ashtu siç ishte me brekë dhe kanotjere, doli në korridor, tërhoqi derën pas vetes dhe nxitoi për të mbaruar punë. Pasi u lehtësua, kostatoi se nga nxitimi kishte bërë një gafë të madhe. Dera ishte mbyllur nga brenda. Por cila ishte dera e dhomës së tij 8 apo 18? Ca vogëlsira të domosdoshme njeriu i kalon pa vëmëndje dhe kjo gjë i kushton kaq shumë.

     S’kishte ç’të bënte? Që të rrinte në korridor e t’i kalonte i mbështetur tek parvazi i dritares ato orë që kishin mbetur derisa të vinte mëngjezi, ishte e pamundur. Nata ishte e ftohtë dhe ai kishte nisur të dridhej. Do shkonte në sportel të kërkonte çelësin e dytë të dhomës. Ashtu, me një barrë turp, zbriti ngadalë shkallët dhe u ndal përpara sportelit, ku një nëpunës të cilit nuk ia kishte fiksuar tiparet, po dremiste.

      –Më falni,–Tha si i zënë në faj që po i prishte gjumin.-A mund të më thoni se në cilën dhomë fle deputet Nadiri?

     Nëpunësi i sportelit u hodh përpjetë i trembur. E vështroi këtë njeri që dukej sikur vinte nga lufta, me atë kanotjere gjithë vrima si të ishte çpuar nga saçmat. E mblodhi veten, mori pamje serjoze dhe duke iu kujtuar porosia që iu kishte bërë polici, për të patur kujdes pasi kishin mysafir deputetin, i tha:

      –Ç’punë keni ju me deputetin?

      –Unë nuk kam ndonjë punë me të, por më ka ndodhur diçka e pakëndëshme. Ai, domethënë unë, u ngrita për të shkuar në banjë dhe dera u mbyll pas meje. Tani nuk di si të hyjë në të, sepse nuk mbaj mënd as numurin e dhomës, por nuk kam as çelës për ta hapur atë. Ju e kuptoni që deputeti jam unë...

      Sportelisti i hodhi një vështrim nga koka në këmbë dhe kuptoi se ndodhej përpara një provokimi të cilin duhej ta zgjidhte policia. S’mund të ishte deputet kjo mostër që ngjante sikur sa kishte mbrritur nga Iraku. 

      –Mirë. Uluni aty dy minuta.- Dhe sportelisti i tregoi dy karrike të vjetra që duhej të kishin mbetur aty, qysh nga kohët e Ali Pashë Tepelenës.

      Ai nuk u ul sepse ato ishin të ftohta, por nisi të shetiste nëpër korridor derisa të gjente çelësin sportelisti, i cili për çudi nuk po kërkonte çelësin, por me dikë nisi të bisedonte në telefon.

      –Mos u shqetësoni!- i tha sportelisti.- Pas pak do e zgjidhim punën tuaj.

      Dhe e zgjidhi vërtet në mënyrën më të mirë që mund të bëhej. Në hotel u futën dy policë të cilët po e shikonin deputetin si të ishte eksogjin.

      –Ejani me ne. –i tha njeri prej tyre.

      –Unë s’kam punë me ju. Erdha këtu sepse m’u mbyll dera nga brenda dhe kërkoj të marr çelësin tjetër të hap derën. Unë jam deputeti...

      –Mos u shqetësoni se derën do ja u hapim ne.- i tha njeri nga policët i cili i futi krahun e tij të fuqishëm dhe duke e tërhequr zvarrë e futi në makinën që priste poshtë shkallëve, pak më tej se makina e deputetit e cila duhej të ulurinte për të zotin. Por jo. Atë e kishte kap gjumi i thellë. Vetëm policët e sherbimit nuk flinin. As ai nuk flinte për shkak të moshës.

      E përplasën në një qeli ku të qelbte era urinë dhe e lanë atje derisa të vinte mëngjezi. Por orët zvarriteshin ngadalë dhe ai nisi priste gozhdë nga të ftohtit. Pasi u kthjellua pak, nisi të përse kishte lejuar të ndodhte gjithë ky keqkuptim? Ai kishte qënë gjithë jetën njeri i rregullt edhe pse përherë e kishte patur qejf atë të bekuar gotë. Por nga ajo nuk e kishte gjetur asgjë e keqe, veç nja dy herëve që ishte dehur rëndë dhe e kishte kthyer shtepinë sëprapthi. Por gruaja e dashur i kishte vënë të gjitha gjërat nëpër vënde dhe nga skandali i tij s’kishte mbetur asnjë shenjë. Kurse këtu ishte ndryshe puna. Ku ta gjente atë e t’i kërkonte ndihmë, që të nesërmen të mos e merrte vesh skandalin qyteti. Ç’do mendonin dashamirësit e tij, kur të merrnin vesh se emri i tij ishte mpleksur në një histori kaq ordinere? Por pastaj vinte edhe mendimi tjetër, akoma më qetsues: Punë e madhe pse po vuante një keqkuptim policësh, me të cilët kushdo mund të gjejë belanë. Ai nuk kish bërë asgjë. Kishte kërkuar vetëm çelësin e dhomës së tij dhe e kishin përplasur në këtë qeli si thes pa markë. Por këtë gjë e kishin bërë për të mirën e tij.

      Në mëngjez, pas fillimit të ditës së punës nga personeli i postës së policisë, u sqarua edhe puna e deputetit. Asaj që i ishin ruajtur, nuk i kishin shpëtuar dot. Gjithëçka ishte bërë fakt dhe tani duhej të mbanin barrën e turpit. Gjithë fajin ua vunë punëve të mesnatës, ku njeriu asnjëherë nuk gjëndet i kthjellët. E nxorrën nga qelia dhe e ftuan për të pirë kafen e mëngjezit. I kërkuan falje për keqkuptimin dhe iu lutën që ta harronte ndodhinë. Por ai nuk fliste. Ishte nxirë i tëri nga të ftohtit.

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen