Anketa jonë: A e shpëton arti shpirtin nga mëkati? (1)
Përgjigje nga Anastas NIKA, aktor
A e shpëton arti shpirtin nga mëkati? Menjëherë të vjen në mëndje pergjigjja, "Jo!". Po pyetja pasardhëse :”Cili ART” …? Mandej të buron si mjalt nga shpirti pergjigjja “PO ARTI I VËRTETË, I MIRFILLTË, ME VLERA NJERËZORE NE KUFIJ HYJNORË - e shpëton shpirtin!". Ndësa arti “i keq “, arti i sjelljes, i evidentimit, përshkrimit e pasqyrimit te antivlerave, si sjellja e pasqyrimi i dhunes, i krimit, i prostitucionit, i shkaterrimit të vlerave të mbartura në shekuj, si ai i shkatërrimit të familjes, i devijimit e shkatërrimit të personalitetit, i evidentimit te antivlerave të shoqerise si vlera të reja bashkëkohore moderne. Këto e të tjera te pasqyruara në art në të gjitha gjinite e llojet e dëmtojne në ind shpirtin e personalitetin njerëzor, e mekati rritet në shkallën e tij më të lartë, e shoqeria bëhet më e papërgjegjeshm, e për mua papërgjegjshmëria njerëzore është Fund i Botës.
Ashtu siç njeriu ka e duhet të ketë shtyllë kurrizore, duhet të ketë dhe shtyllë personaliteti (kupto vlera themel). Veç kështu është në harmoni trupi dhe shpirti dhe mendja. Kur kollonën në karakterin tënd përpiqesh jo ta mbrosh por ta shkatërrosh nga themelet, me siguri që çatia do të zejë brënda… Siç flitet për rrezik e shkatërrim të shtresave te ozonit, le të mendojmë se çfarë ndodh në shtresat e shpirtit njerëzor duke ngritur në art gjërat më të fëlliqura të shoqërisë si vlera. Papërgjegjshmëri - do të thote jo sens masë të gjërave, e jo sens mase dihet që është shkatërrim pa kthim …
Ka njerëz që janë kundër mitit, dhe fillojnë e çmitizojne gjërat, ku vetë çmitizimi kthehet në një tjetër mit …Nuk jam kundër asaj te flitet e shkruhet kur ato janë në zenith të mitizimit, (por dhe ashtu kanë bukurine e vet e njeriu i shikon si maja që nuk i arrin dot) por ti hedhësh nga themelet e të mos lejosh asnjë lloj miti, kjo më duket shumë e rrezikshme…Edhe mitizimi edhe çmitizimi duhet bërë kujdes.
Unë e njoha Penelopën një grua që ruajti me dinjitet nderin e Odiseut, por më vonë do të lexoja një Penelopë tjetër nga Varnalis (une sjellë ndër mend shume gra ne Shqipëri e gjetkë, kur burrat shkonin në kurbet, e ato rrisnin femijen si fryt i nates se martesës, me sytë nga deti e në fund te fshatit mos çfaqej silueta e babait dhe burrit të saj qe me shpirt e deshte…)
Ndoshta ja vlen të jetosh dhe duke pritur një gjë…Kush e di pse ka ardhur në këtë botë..? Besoj asnjë s’mund të japë përgjigjen e saktë, ai di vetem nga erdhi e ku do të shkojë në fund të jetës, por përse jetoi …Ndaj më kujtohet Aleksander Dyma ku thotë se “’ nëse nuk do të ekzistonte Zoti, unë do ta krijoja atë’’…
Ku ka më bukur kur lexon legjendën e Kostandinit e Doruntinës, e përpiqesh të ndërtosh tek vetja vyrtytin e mbajtjes së fjalës…ashtu si një makinë ka frena, tregues shpejtësie e tabela orientimi, edhe njeriu duhet të ketë “frena” dhe tregues të shpejtësisë edhe tabela …e keto ‘’frena’’ të personalitetit njerëzor duhen evidentuar në art dhe jo ti mëshojme prishjes se tyre, ku makina njerëzore do të ike rrugë e pa rrugë, e dihen dëmet e pallogaritshme …
Ndërsa nëse do të jete një art ku pasqyrohet fjala e mendimi me progresiv në shekuj, sigurisht që arti e shpëton shpirtin nga mëkati…në artin ku unë shërbej i qëndroj besnik idesë time se që të jesh një aktor me vlera duhet të jesh edhe më ‘’i shenjte’’ se vetë njerëzit e shenjtë që shërbejnë në tempujt e besimit...
Nëse të krishterët shkojnë në kishë, myslimanët në xhami , budistët në tempujt e tyre, bektashinjtë në teqe - duhet të dijmë se në teatër vijnë të gjithë, e madje dhe ateistët…e kupto sa i veshtirë është misioni artistik. Dihet që qëllimi kryesor i artit nuk është të sjellë vetëm kënaqësi, por së pari ‘’katharsis’’nje spastrim te shpirtit nga pluhuri i perditshëm i jetës e kjo nëpërmjet argëtimit….por si mund të pastrojë një art i bërë vetë pis, si mund te sjelle vlera morale nje artist imoral, që është në kundërshti me atë qe ben e jeton, vepron e mendon…
Si mund te ngre lart vlerat e atdheut një njeri kur se don atdheun e vet, nënën që e lindi, kur se don nënën e vet, birin qe solli në jetë... Si mund te ngre ne art vlerat familjare nje art e artist që nuk e don, e madje e lufton familjen si institucion…
Artisti për mua është sakrificë, është një qiri që përditë digjet për të ndriçuar njerëzimin me vlerat e vërteta të sjella e mbartura qysh në zanafillë të gjërave.
Pra kthehem tek pyetja e juaj duke dhënë përgjigjen : Po, një Art i vërtetë ku shkrihet njerezorja e hyjnorja, e shpëton shpirtin nga mëkati. Por qe të ndodh kjo, duhet që ata që vetë që bëjnë art, të kenë nje ‘’antivirus’’ ashtu siç e ka kompjuteri…Une e kam nje te tille qe është Besimi te Zoti. Lum ai qe e kupton në themel, thellësi, lartësi e gjërësi dhe e përjeton këtë Kryefjali të jetës sime, e shumë të tjerëve.
____________________
Këtë anketë e kam filluar në Qershor 2013 dhe është duke vazhduar edhe në vitin 2014!
Haxhi Muhaxheri
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen