- (Enver Zhinipotoku “Herezia e mendimit kritik”, Botimet Ura, Ferizaj, 2014)
Enver Zhinipotoku, me jetën dhe veprën e vet, ka treguar se është ndër ata mendimtar shqiptar që mëton të tejaklojë oazën zhurmuese të mendimtarëve vendas, që të shumtën i flasin dhe i përflasin njëri tjetrit, pa u lodhur në thonë gjë e ҫka thonë. Ai kudo dhe vazhdimisht, kur shfaq mendimin publik, është vetja, është uni që mendon, është guximi që tregon pasojat e shkaqet dhe nuk stepet para moskuptimeve e keqkuptimeve. Njeri që me dekada ka bashkëjetuar me librin dhe që i është përkushtuar kërkimit, mendimit dhe konkludimit për dukuri e rrjedha në shoqërinë tonë e në botë, ai me mendje, me shpirt e me krijime, na del i lidhur me mendimin më të avancuar filozofik, estetik e human botëror. Por, edhe ai, si shumica e njerëzve tanë, me aftësi që dallojnë për të mirë në mjedisin ku jetojnë, mbetet pa mundësi për t’u avansuar për ta bërë publike e për ta gëzuar sa duhet e si duhet këtë dhunti. Prandaj edhe Enveri mbetet pjesë e Golgotës intelektuale shqiptare e hapëron duke bartur mbi supe pakohën tonë, urrjetjet tona, prapështitë që nuk na ndahen me vite e shekuj. Enverit, kur ishte në fazën fillestare të formimit të intelektual e shkencor, i duhet të punojë me qinda kilometra larg vendbanimit, pastaj të kryej punë të lodhshme fizike e mendore, gjithnjë larg institucioneve tona shkencore e akademike, kur në vendin ku duhej të ishte ai, qëndrojnë njerëzit që nuk kanë bërë një vizë hulumtimi e shkrimi të vetin e as edhe një trohë ngulitjeje në avansimin shkencor; që nuk kanë dhënë një mendim me vlerë, që kanë abuzuar e kurrë nuk kanë kontribuar në shkencë e për shkencën.
Ndoshta mu për këtë, libri “Herezia e mendimit kritik” e këtij filozofi na del tejet e lidhur me realitetin e hidhur shqiptar, me momentin historik shqiptar dhe me të ardhmen shqiptare. Kjo e kaluar, kjo e tashme dhe kjo e ardhme, shqyrtuar nga autori përmes mendimit analitik, po edhe nga aspekti historik e njerëzor, lënë shumë për të dëshiruar. Prandaj ai në një vend konstaton: “Për njeriun nuk është e rëndësishme sa ka vujatur, por sa ka mësuar prej atyre vuajtjeve!” Kurse shqiptarët, për fatin e tyre që keq, kanë mësuar shumë pak ose aspak nga pësimet e vuajtjet.
Te Enveri, edhe pse mohohet, realisht reflektohet fuqishëm ajo thënia e njohur e Kutelit “Atdheu mbetet atdhe dhe duhet, edhe kur të vret!” Sepse, është gjithnjë atdhedashuria ajo që e shtyn të mendojë, të filozofojë e të ndjejë dhembje për popullin e tij e për vendin e tij. Dhe, për t’u larguar sado pak nga kjo thënie reale, romantike e praktike kuteliane e për ta shfaqur para lexuesit mendjen e tij universale, Enveri mendimet e veta i shoqëron edhe me mendime të filozofëve e krijuesëve të famshëm, botëror e kombëtar, si Niҫe, Gëte, Gandi, Volteri, Poperi, Kadare, Kundera, Zhiti e shumë të tjerë.
Kudo në libër e ndjejmë të shtrohen, edhe pse nuk i hasim shpesh, pyetjet e përjetshme: ku, si dhe pse? Për fat të keq, shqiptarët këtyre pyetjeve pothuaj asnjëherë nuk kanë menduar t’u japin përgjigjen e duhur. Madje as kanë vrarë mendjen për to, sepse sikur nuk u është bërë vonë për të mësuar e për të menduar se ku janë në kohë e në hapësirë, madje as si janë dhe pse janë aty. Duke bërë jetë sot për sot e deri diku për nesër, pa u brengosur shumë për pasnesër, ata rrallë kanë arritur të jenë vetja. Prandaj autori thot: “Nuk mund t’i përshtatemi realitetit të ri shoqëror, pa një persuacion (ndryshim) qëndrimesh të vjetra!” dhe “A mund të kemi të ardhme, kur nuk punojmë as për të sotmen?!”
Dhe e ardhmja, ashtu si e kaluara dhe e sotmja, në aspektin filozofik, po edhe praktik, janë qenia e një populli, por edhe e një njeriu, mundësia për të arsyetuar të jetuarit, po edhe mundësi e të jetuarit pa arsye. Me këtë libër autori thërret shqiptarët të jenë vetja dhe të jetojnë me arsye.
Ferizaj, më 14.10.2014
(Lexuar me rastin e promovimit të librit)
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen