Donnerstag, 30. Oktober 2014

Krijuesi i falet shpirtit të tij

Anketa jonë: A e shpëton arti shpirtin nga mëkati? (12)  

Përgjigje nga prof. dr. Begzad BALIU

E kam dëgjuar këtë pyetje edhe më parë dhe madje ia kam bërë këtë pyetje edhe vetes e të tjerëve. E kam dëgjuar dhe e kam lexuar në këtë variant apo në një variant tjetër, brenda të cilave lidhen dy faktorë të përhershëm: shpirti dhe besimi!

E para, prej diskutimit kolegial dhe prej leximeve të kësaj natyre, kam kuptuar se fjala është për një diskutim të motshëm, për të mos thënë biblik; dhe e dyta, prej diskutimit, përkatësisht prej monologut të brendshëm, kam kuptuar se më shumë se sa predikuesit e lidhur me institucionin fizik të fesë, besimtar është krijuesi i lidhur me institucionin shpirtëror të artit. E nëse është kështu, atëherë pse të mos besojmë se arti e shëron shpirtin nga mëkati.

Krijuesi i lidhur me artin është poeti, i cili më parë se sa para meshtarit, radhës së besimtarëve, prokurorit e madje togut të pushkatimit, i falet shpirtit të tij, e brenda shpirtit të tij ai krijon më të shenjtën e tij: poezinë! Cili poet nuk do të mëkatonte para prokurorit, togut të pushkatimit dhe madje para altarit të Shën Mërisë për hir të një interesi të madh materiale; dhe cili krijues do të pranonte të mëkatonte në poezinë e tij duke e dëmtuar artin e saj. Ndaluni një ditë dhe pyetni një krijues të artit, nëse do të pranonte të mbulonte syrin apo gjoksin e një gruaje në pikturën e tij në kundërshtim me vlerat artistike që i pretendon.

Më në fund, çfarë është krijimtaria letrare e cila nuk e çliron krijuesin nga një makth i përkohshëm apo i përhershëm. A nuk kemi shembuj të pafund të kësaj natyre. Sa krijues janë lutur para faltoreve apo kanë folur para tribunave popullore dhe akademike duke e fshehur të kaluarën e tyre, por jo edhe në krijimtarinë letrare, të cilën e zbuluan qoftë si narrator të veprave të tyre, qoftë si zëri i ndërdijes.

Si janë mbajtur gjallë popujt e vegjël pa ushtri të mëdha, gjuhët e vogla pa vepra të shkruara, me institucione fetare të përmbysura nga perandori apo tjetra: me artin e tyre të madh, me vlerat që kanë krijuar, me mesazhin që kanë dhënë dhe me besimin e brendshëm që kanë pasur në to! E në boshtin e të gjitha këtyre gjendet kush më parë se sa krijuesi, bardi shpirtëror i historisë së këtyre popujve.

Kjo është edhe arsyeja pse artit duhet besuar edhe atëherë kur ai nuk është i pranueshëm ashtu sikur duam ne.

_____________________ 
SQARIM PËR LEXUESIT: 

Këtë anketë e kam filluar në Qershor 2013 dhe është duke vazhduar edhe në vitin 2014!
                                                                                                  Haxhi Muhaxheri

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen