Montag, 9. September 2013

Dy drama nga Ragip Sylaj

Parabola mimetike e Ragip Sylajt
Ndërkaq, sa i përket inskenimit të mundshëm në skenat e teatrove tona, mund të them se libri i Ragip Sylajt “Dy drama” është një material i mirëfilltë letrar, por ai nuk është material i gatshëm, apo siç mund të thuhet, material “blanko” për t’u vënë në skenë, meqë për një inskenim të ardhshëm atij i duhet një intervenim dhe një kreativitet regjisorial nga një regjisor, i cili ka sy dhe shije për letërsinë, që është në gjendje për ta transformuar tekstin dhe për ta bërë edhe vepër të mirëfilltë teatrore, përpos letrare që edhe është.
Nga Adil Olluri

Shkrimtari Ragip Sylaj, autor i pesë përmbledhjeve me tregime dhe i gjashtë përmbledhjeve me poezi, këtë herë na shfaqet si dramaturg, madje edhe atë dinjitetshëm, me librin e tij më të ri “Dy drama”, që është një titull reprezentues, meqë përmban në vete dy vepra dramatike, si “Dëbimi nga parajsa” dhe “Vetëkryqëzimi”, që janë të ndërlidhshme mes vete, si për nga ana e tyre stilistike, po ashtu për nga ajo tematike e ideore.


Të dy dramat i përshkon stili i dramës së absurdit, mbarështrimi i njëjtë strukturor, prania e antiheroit dramatik, gjë që i bën ato të identifikohen si antidrama të pastra, si soj i tyre karshi dramave që kanë një fillim e mbarim linear, që kanë një hero, cili e kthen veprimin në favor të tij. Përpos stilit të dramës së absurdit, që në këtë libër Sylaj si pararendës në letërsinë tonë, për nga ana e mbarështrimit të strukturës, motiveve dhe ideve, duket se e ka shkrimtarin Anton Pashku, ai në këto dy drama të tij përdorë edhe një stil biblik, sidomos në mënyrën e ndërtimit të dialogëve mes personazheve, ku vërehet stili i ngjashëm me atë që në diskursin biblik quhet katekizëm, ngaqë zakonisht njëri karakter shtron dilema e bën pyetje për probleme e çështje të ndryshme, ndërsa tjetri jep shpjegime e përgjigje rreth tyre. Këtë stil të katekizmit autori e përdor veçanërisht kur personazhet diskutojnë rreth ideve të mëdha të ekzistencës, qenies, idealeve etj.

Emërtimi i personazheve në dramat e Sylajt është shënjues i ideve, meqë pothuajse çdo emër në to është i ndërlidhur me një dimension tematik e motivor të dramës. Pra, shumica e emrave të karaktereve janë të ngjizura e të bashkërenduara me temën e dramës, por dilema ime si lexues qëndron te emërtimi i Mortit, që nuk duket të jetë aq i motivueshëm sa të tjerët, dhe një gjë e tillë mund të ndryshohet gjatë inskenimeve teatrore ose gjatë ribotimeve të mundshme. Një ngjashmëri tjetër mes dy dramave në fjalë shfaqet edhe te prania e personazhit të Rrëfimtarit, i cili ngjashëm si në dramat antike greke luan rolin e Korifeut, duke i paraprirë ideve dhe veprimeve të mëpastajme që do të ndodhin ose që kanë mundur të ndodhin në retrospektivën e fabulës dramatike që e parashtron autori.

Një dallim i vogël mes tyre mund të vërehet të prania e veprimit të atypëratyshëm skenik në dy dramat e apostrofuara, ku në dramën e dytë “Vetëkryqëzimi” veprimi tragjik (vetëvrasja e Bardhylit) nuk ndodh gjatë fabulës, por personazhet e tjera e përflasin atë, duke na i zbuluar misterin, shkakun e atij veprimi, ndërkaq të drama e parë “Dëbimi nga parajsa” veprimet, si problemet familjare, ndarja, ndodhin në skenë, gjatë rrjedhës fabulare.

Dy dramat e Ragip Sylajt “Dëbimi nga parajsa” dhe “Vetëkryqëzimi”, po ashtu, i njëjtësojnë tematika dhe idetë e tyre, ngaqë në të dyja e keqja dhe tragjikja vjen nga mungesa e dashurisë dhe harmonisë mes qenieve njerëzore. Pra, për mendimin tim, kjo është premisë ideore e dy dramave në fjalë. Në fillim janë grindjet, prishja e harmonisë familjare (“Dëbimi nga parajsa”, pjesa e parë), për të vazhduar me mashtrimin dhe tradhtinë bashkëshortore, që kulmon me ndarjen mes burrit dhe gruas (“Dëbimi nga parajsa”, pjesa e dytë), për të përfunduar me vetëvrasjen për shkak të dashurisë së munguar (“Vetëkryqëzimi”), gjë që kushtimisht mund të thuhet se ky është ai klimaksi dramatik në këto dy drama, nëse ato lexohen si diptik, që edhe mund të lexohet për shkak të ngjashmërive të vërejtshme që i kanë ato.

“Dëbimi nga parajsa” i ka dy pjesë të mëdha, “Kopshti i Edenit” dhe “Jetëvdekja”, ku secila, pa fije dyshimi, mund të funksionojnë si njësi të veçanta dramatike. Pjesa e parë është një parodi biblike, ku humori dhe tallja e karakterizojnë diskursin e saj, që këtu del si i profanizuar, duke na dhënë mesazhin se nuk ka asgjë më hyjnore sesa ekzistenca, dashuria dhe harmonia familjare. “Vetëkryqëzimi” është një dramë e idesë, jo e veprimit, që shpalon problemin e vetëvrasjes së individit shkaku i dashurisë që tashmë nuk e ka, e të cilën e ka idealizuar deri në nivelin më të lartë. Personazhet e dramës nuk veprojnë, por e diskutojnë të ndodhurën, arsyet e “vetëkryqëzimit” të Bardhylit, hija e të cilit është njëri nga personazhet në këtë tekst, duke na kujtuar këtu “Hamletin” e Shekspirit, ku hija e mbretit Hamlet i flet të birit. Dramës së dytë të Ragip Sylajt mund t’i bëhet edhe lexim i dyfishtë, sepse dashuria e protagonistit të saj lë mundësinë të kuptohet edhe si dashuri për Lirinë, femrën e idealizuar, e që nuk është aspak e tillë, e po ashtu dhe mund të lexohet edhe si vetëvrasje për shkak të mungesës, përdhosjes dhe shkërdhimit të lirisë, si koncept universal e jetësor, për të cilën ai u mundua aq shumë.

Ndërkaq, sa i përket inskenimit të mundshëm në skenat e teatrove tona, mund të them se libri i Ragip Sylajt “Dy drama” është një material i mirëfilltë letrar, por ai nuk është material i gatshëm, apo siç mund të thuhet, material “blanko” për t’u vënë në skenë, meqë për një inskenim të ardhshëm atij i duhet një intervenim dhe një kreativitet regjisorial nga një regjisor, i cili ka sy dhe shije për letërsinë, që është në gjendje për ta transformuar tekstin dhe për ta bërë edhe vepër të mirëfilltë teatrore, përpos letrare që edhe është.

Dhe për fund, mund të theksoj se libri i Ragip Sylajt është një parabolë, dhe duke qenë se arti dramatik është një art mimetik, art i imitimit, libri mund të përkufizohet edhe si një parabolë mimetike, ngaqë duke na shëtitur nëpër motive të religjionit, motive spirtuale e biblike, ai na flet për aktualitetin e papërballueshëm të qenies, ekzistenca e të cilës sfidohet nga problemet e përditshmërisë, që janë më të mëdha e më shkatërruese për të sesa ndëshkimet eternale e biblike
_____________________
Huazuar nga kultplus.com

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen