Freitag, 6. September 2013

Safet Hyseni: Poezi

Dy trupa një shpirt
(Duke ëndërruar lirinë qelive të ftohta, ëndrra dhe kujtimet janë miqtë më të mirë dhe më të shtrenjtë, ai që i humb këto ka humbur edhe dashurin ndaj lirisë dhe jetës.)

I
Nga të katër anët heshtje varri
Nën hije ëndrrash kërkonte dashurinë
Nëpër hartën e prerë i flisnin zërat
Thellë në shpirt dëgjonte si thërrmohet zemra
Në cep të qelisë vërente si shuheshin yjet
I përqafuar nga ëndrra që mbushte netët
Me dashurinë e vrarë në pemët e zhveshura
Ajo nga larg e vriste ngadalë, ngadalë.

II
Jeta i përngjante anies mes dallgëve
Me vështirësi i bënte ballë tundimit të saj
Të ikte apo të qëndronte skaj ëndrrës vrastare
Kujtimeve, apo erës së qelbur të mureve.
Dashuria thellë në shpirt i ishte bërë ëndërr
Dhe ashtu vrastare vallëzonte në qiell të hapur
Ai me duar të shtrira kërkonte ta rrëmbej
Priste të ndizej ai yll që t’i dhurojë shpresë
E dinte që ajo vdesë e fundit thellë qenies njeri.

III
Magjia e tij ishte në duel me jetën
Ai s’donte të jetë veç hija e ëndrrës
Derisa jetonte brenda stinës së mugullimit
Lëkura e sajë qumështore e ndizte më shumë
Kishte rënë në heshtjen e ftohtë si varri
Ajo e joshte tej horizontit të pafund.

IV
Nuk deshi që të zgjohet nga ëndrra
Sikur edhe një shekull ta përkund në vete
Ishte mësuar me dhembjen dhe pushtetin e sajë
I mungonte pjesa e fshehur e kohës së humbur.
Rrezet e holla të diellit i ndriçonin frëngjitë
Ato ledhatonin tokën dhe ngrohnin rrajën e lules
Po zemra në kutin akull, s’ngrohej nga asgjë
Ai e dinte se është rob i pushtetit të dashurisë.
Në çdo pore jetë bëjnë udhë hapa shprese
Gjurmët fshihen me gërryerjen e ndjenjave
Atë e vriste floku i sajë në erën e lehtë të ëndrrës.

V
Ai mbante peshën e fajit mbi shpinë
Sikur kish grisë mantelin e virgjërisë
Ëndërronte lotin e vakt në të bukurin sy
Mbi shpresën e tij ishte rrëzuar errësira
Jeta i dukej si ëndërr e vdekur
Mbulonte fytyrën me duar nga flaka e djegur
Kujtimet i ishin bërë copa-copa
Errësira ishte derdhur gjithkund.


VI
Në udhën e shpresës ishte rrëzuar errësira
Kur ëndrra i vdiste ngadalë
E kaluara i kalonte si zinxhir
Drita ishte në ikjen e saj
E dashuria e ëndërruar asgjëkund.
Një trishtim bridhte muzgut
Ai kërkonte të grisë perden e tij
E vrisnin mijëra kujtime të lodhura
Gërvishte me thonj membranën e territ
Për të shijuar vijat e sajë të bukura
Vështrimin e zbriste tej ëndrrës vrastare
Kujtimet si lecka të lagura shprese
Shkruheshin nëpër copa letre të braktisura
Vargje të mbështjella nga heshtja
Në netët shtatzëna nga kujtimet
Kërkonte pikën e së ardhmes
Në botën e mbështjellë nga turpi e heshtja.

VII
Qiellit të skuqur notonin mallkimet
Nën retë e harresës ai fshehte fytyrën
Me zëmër të zbrazur të ftohtë
Ishte bërë akull sikur i mungonte gjaku
Kalonte si i pajetë një natë pa ëndrra
Me sy të përlotur shikonte copat e letrës
E fjalët e shkruara që nuk merrnin udhë
Retë kishin mbyllur qiellin blu
Shikimi shpërthyes gjysmëhëne jepte një grimë jete
Shpërthente në mija shkëndije dashuri
Ai atë e kishte futur brenda vetes.
Ajo kishte pushtet si dielli ndaj tokës
I kishte veshur tesha pëshertime që e gërryenin.

VIII
Një zemër e trazuar një ëndërr e keqe
Ishte bërë fushë rrezes që brente qetësinë
Rrahjet e zemrës grisnin terrin e natës së pafund
E nata shtatzënë sikur zbrazte barkun
Kur ikte ëndrra atij sikur i shkëputej diçka
Pikëllimi trokiste në atë copë jetë muresh të ftohtë
E madhe ishte dashuria, ishte dashuria më e vjetër
Qysh në lindje i bëhej se e kishte futur në qenien e tij.
Safet Hyseni

IX
Mysafirë të çmuar të zemrës janë kujtimet
Të bëjnë të vuash e gëzohesh, ndryshe humb në heshtje
E fjalët varen si në vresht rrushi që me dëshirë e provon
Pa zinxhirin e kujtimeve ai ndihej si i braktisur
Sikur i mungonte një pjesë e fytyrës e trupit
Ajo që ishte mbretëria e shpirtit
Duke kërkuar yllin e ndezur mbi bregun e shpresës
Me zemër, shikim, vështrimin e kthyer kah zëri i mekur
Se dashuria i përket ati që i mungon
Se hijet e dashuruara s’kanë çka i lexojnë njëri tjetrit
Ai që harron dashurinë e vetë ua dhuron të huajve
Grise kureshtjen dhe vare atje ku shihet
Se atë e kemi ushqyer me mish të njom
Dhe nuk i duhen shi fjalësh por ngjyrë zemre
Se jemi dy trupa por kemi një shpirt.

 

Në çeli

S’është shtëpi kjo!
As kthinë, as hale
Jo! Jo! As lojë!
Është natë e gjatë
Ulërimë e gjëmshme
Egërsi, tmerr
Vrasje jete
Bluarje ëndrrash
Thikë që kullon.
***
Ankthi i trisht më merr
Më përkund dyshemesë me lagështi
Përtej frëngjive hëna
Një rreze zbehtësi vdekje
Në kujtesën time një ëndërr vritet
Një puthje buzësh e akullt
Ëndrrën dhe shpresën e ngrin
Një zë i lehtë pëshpëritës
Vjen përtej frëngjive
Zvarritem nëpër mur
Prek veten që s’e njoh.


Mos më ikë nga ëndrra

Për atë dashuri që patëm
Mos më ikë nga ëndrra
Mos, të lutem!
Hesht!
Vetëm heshtë!
Ti bënë rrugë hapash
Unë me stinë masë kohën
E di,
Nga kujtimi hyre në ëndërr
Mos u largo!
Të lutem mos!
Heshtë!
Të lutem mos fol!
Asnjë fjalë,
As lot!
Çdo gjë u venit
Veç copëza ëndrrash
I mbaj pengë
Në kutin e ftohtë akull.

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen