Samstag, 7. September 2013

Hava Ajdini: Cikël poetik


Përkushtim

-Për të satën herë
Bora të mbuloj,
Dhe po aq herë
Lulet si ke parë.
-Vinë e shkojnë pranverat birë
Mua m’djeg malli,
Aaa..h sikur të mundja
Jetën ta kisha falë...
-Natën sodis qiellin
Yjet shoh me radhë,
Mes tyre të kërkoj… A e di!
E ndjej se je aq lart.
-Për të satën herë
U lage nga shiu,
Dhe po aq herë
Dielli s’të ka ngroh.
-Stinët vinë e shkojnë, birë
E mua me djeg malli
Aaa..h sikur të mundja,
Shpirtin ta kisha falë...
-Zoti, ashtu deshi,
Më thanë;
Dhe unë u pajtova,
Por thelë brenda zemrës
Joo thash;
Në ëndërr të kërkova.
-Dyzetë qirinj ndezur… Zot.
Dhimbjen kur më lëshove
Më pas ditë për ditë
Ti fikje nga një
E flaka e njërit,
Kurrë nuk u shua
Më përvëlon pa reshtur
Lotët rrjedhin krua.
Aaa..h moj nënë! Moj nënë!
A më harron vallë?
Ndoshta birë i nënës
Kur të të vijë pranë!!!

 

Vetëtima

-Ajo dritë shponte qiellin tej matanë.
Zë, ulërimë tërmeti
Sikur klithma e nënës
Për humbjen e të vetmit djalë. Aaah!
Dhe përsëri heshtje
As dritë! Jo nuk ka.
Sikur u nda qielli më dyshë
Sërish ajo ulërimë.
U tremb mali e lisat ranë
U shtrinë për tokë. Tmerr.
Ah! Ajo britmë.
Dhe zemrën shpon si me thikë
Ah! Ajo dritë t’i verbon sytë.

 

Engjëlli im

-Dhe qielli atëherë nuk kishte hënë
Mbulohej nga mjegull e dendur
Në terr mbështjell me dhimbje
Një botë e trazuar
Na rrethonte, na merrej fryma
Si me litar lidhur shtrënguar.
Me peshë të dheut
U nda një pjesë zemre
Engjëlli fluturoj!
Vetëm me lot në sy na la.
Shkoj..!
Ah! Ajo natë!
Ajo dhimbje na mbështolli
Ah! Engjëlli im!
Më bë vend në parajsën tënde.

 

Të gjitha stinët janë të akullta

Një shkul më shtrëngon në kraharor.
Me vret! Ëndërr si shpresë e humbur
Ç’fuqi ka jeta, që këmbët më mbajnë
Pa ngrohtësinë e Engjëllit që shkoj pas fluturash
Të gjitha stinët janë të akullta.
Zemër e trazuar me peshë kujtimesh
Buzëqeshje në errësirën e ngatërruar.
Me lotin si ujëvarë në qepallë
Zemër përvëluar, nga krahët i ndarë.
E pashterur kur kjo dashuri, nga shpirti i vrarë.
Dhimbje!
Dhimbje, që lumturisë kurrë s’do ia gjejë fillimin.
Stërgjaten plagët në varg të pafund
Zbrazëtirë e madhe mungesë në sofër
Kujtimi ecën në çdo cep jete
Se syri kur s’u terë, s’u tha
Dhimbja poshtë në zemër ra
Malli djeg përvëlon
Kur syri më s’të pa...

 

Shkove tek Engjëjt

Ike në mëngjes kur dielli sa lëshoi dritë
Pa lamtumirë, e loti më dogji faqen deri në buzë
Ëmbëlsia e shpirtit iku e buzëqeshja ngriu
Zemra u përvëlua e shpirti u bë shpuzë.
Ti s’do e dëgjosh cicërimën e zogjve
As luleve s’do iu marrish erë
Ike pas fluturave ashtu i buzëqeshur
Për mua birë, s’ka më pranverë.
Dielli përsëri doli po me ato rreze
Lulet dhe fluturat sërish gjallëruan
Se Ti me Engjëjt hyre në valle dhe s’u ktheve
Më shumë të pëlqeu kopshti me lule praruar.

 

Sa më mungon

Më gërryen shpirtin kur qosheve nuk të shoh
Në ndjesinë kam një mall që lotin s’ma than kurrë
Ty mbase engjëjt të morën në amshim
Po ç’ti bëjë shpirtit dhe lotit në syrin tim.
Më preve krahun, hovin dhe ëndrrën.
Nga pragu iku buzëqeshja bashkë me Ty
Gëzimi hareja tretën dhe s’u kthyen kurrë
Pengë më mbeti portreti Yt në sy.
Posa mbylli sytë unë flas me Ty,
Ti në heshtje vjen ngadalë dhe më qesh
Qetas më afrohesh dhe më thirr ëmbëlsisht
Emrin “nënë” butësisht ma shqipton.

 

Në qiell hedh valle

Ti i vogëli im në qiell fluturove
Gëzueshëm luan më fluturat mes lulesh
E unë ende të mbërthej e të mbaj në gji
Zemërpërvëluar të shtrëngojë me dashuri.
Zbrazëti në çdo qoshe, në shpirt dhe zemër
Më kotë pres agun e ri, që Ti, të më zgjosh nga gjumi
Më kotë shtrin krahët nata kur Ti vetëm më le
Më kot pres të kthehesh. Tani mes engjëjsh Ti je!
Dhimbja është e madhe sa vetë dashuria. Ti këtu e le.
Më fal zemra ime, por shijen jetës kur s’do ia gjejë.
Mu pre gëzimi
Dëlirësi kërkove, në qiell ike, fluturove
Po zemra u bë peng i robërisë
Mu pre gëzimi, qeshja në buzë mu ngri
Përqafimi iku, treti puthja që me jepje në sy.
Ku ikën ato duar? Më shtrëngoje me sa fuqi
A mbledhin thua lule, a kanë të ngrohtë tani
Po ato këmbë kur nxitoje në përqafim?!
Më falë zemër. Dhembja më vret më djeg shpirti im.
Shtrëngimin e përqafimit tënd e ndjej përherë,
Duart tua kanë lënë gjurmë në krahët e mi
Aroma e luleve as kënga e zogjve s’vjen më në pranverë
Se kurora me lule dhe vallja e zogjve ikën tek Ti.
Dhembja me djeg shpirtin bashkë me pranverën
Unë dialogoj qosheve të dhomës me Ty
Dhe mundohem në ëndërr të të marr në gji
Se më dogji. Më përvëloj e jotja dashuri.

 

Epitaf

Engjëlli im, për mua prehje nuk ka
Je kujtim i përditshëm. Harresa nuk ekziston
Ti je zogu i kopshtit plot lule.
Je dhimbja dhe malli i përjetshëm.

 

Ngushëllimi im

Buzëqeshja dhe ëmbëlsia e buzëve tua
Ngushëllimi im i përjetshëm
Ditët janë të mundimshme
E netët të shkreta pa Ty...
Dhimbja për Ty e mund qëndresën
Zemra më ligështohet. Jam e pafuqishme
Por as vdekja, as harresa s’të cënojnë...
Kujtimi për Ty ma freskon shpirtin.

 

Loti nën qepallë

-Kështu e shtrirë mbi barë lëndine
Mund të qëndroj me vite
Të shikoj qiellin
Yjet duke numëruar të kërkoj Ty.
Ku je?
Sikur t’i shoh sytë. Në shkëlqimin e tyre
Ndjej se po të prek.
Se po ledhatoj,
Atë fytyrë të brishtë.
Dhe lotin e ngrirë në syrin tim
Si kristal në qepallë.
Në pëllëmbë të dorës e mbaj
Nga thellësi e zemrës të thërras
Dua të të shoh, të të kem
Dhe bërtas sa mundem
Ku je?!!

 

Vetmia

-Ishte natë e qetë
Yjet kishin rënë në gjumë
Vetmia shëtiste si hije
Labirint pa fund.
Unë i zgjata dorën
E ftova të vijë
Shpirtit tim të lodhur
Plagës sime
T’i bëjë shoqëri.
Dhe ja këtu është
Në prehrin tim
Ah ç’shoqëri
Më bëjnë yjet
E në mesin e tyre. Je Ti.

 

I buzëqeshur shkoj

-Dhe qielli nuk kishte hënë atëherë
Një mjegull e dendur
Dhimbje, tmerr.
Një botë me pikëpyetje
Na rrethonte ne.
Si me litar të lidhur
Të dy si të futur në dhee.
U nda një pjesë zemre
Engjëlli fluturoi.
Na la duke qarë,
Gjithçka u mbulua në të zi
Shkoi!
Ah ajo natë
Ajo dhimbje mbolli.
Ah! Engjëlli im.

 

Engjëlli i vogël

-Tani e tërë bota qenke ti për mua
Pjesë e shpirtit tim që më ktheve shpresën
Ti Engjëll i vogël që erdhe në jetë
Me të qarën tënde gëzim solle vërtetë.
Ndjeva prekje faqes nga e vogla dorë
Frymo zemra ime ti je jeta jonë...

 

Mi bë vend ëndrrës

Zemër zjarr e buzë prush
Jam nisë, po vijë tek tij,
Aromë nga e jotja gushë,
Më prit, ma falë dashuri.
Fluturim me krah zogu
E me këngën ndër buzë.
Dhembjen dua ta shëroj
Në shtratin tënd të pushoj.
Kam një copë udhë
S’do ndalem në asnjë shteg.
Vite me zemrën shpuzë
Ëndrrës të lutem, mi bëj vend.

 

Vetëm dhe një herë…

Hape derën dhe këtë herë të lutem,
Dhe më falë që me zjarr po hy brenda.
Dua ta shuaj gjithë mallin që kam,
Dhe të vdesë në prehrin tënd nëse mundet.
Më fal vetëm dhe kësaj here, të lutem
Ta puthë ballin syrin dhe të kuqen buzë,
Ta shuaj mallin që me djeg përbrenda
Ta qetësoj shpirtin që digjet shpuzë.
Udhëtoj natën
Tek dera jote skaj blirit fshehur po të pres
Do ngjitem si hije tek dritarja e dhomës ky fle ti,
Dhe tërë natën do bëjë roje deri në mëngjes
Ta shoh trupin, fytyrën, buzën dhe syrin e zi.
Pres dorën tënde ta çelë dritaren për freski
Ta shtrëngoj në gji e ta puthë me dashuri.

 

Eja zemër...

Eja zemër
Shoqëroje vetmin time
Kam nevojë për buzën tënde
Si toka për diellin,
Si qielli për mjegullën,
Si pranvera për lulet.
Eja në krahët e mi
Të të puthë buzën e ëmbël
Të të përkundi në ëndërr
Të freskohem me flokun ar
Të të vë në gjumë
Mbuluar me puthje.
Eja, vetëm.
Eja të lutem se digjem mall.
Më ndiz dritën
Netët pranverore përplot freski,
Dritaren hapur e lash vetëm për Ty.
Dy gota të mbushura me të kuqe verë
Dhe prita mos era të sjellë në derë.
Sy hapur ëndërroja netët magjike
Kur pinim nga gotat të kuqen verë,
Dhe gishtat prekeshin me mall
Dhe humbisja sy mbyllur të tëndin prehër.
Në gjysmerrësirë putheshim me mall
Dhe vallëzonim ngjitas me përkëdheli
Në krahët e tu ndizej flaka si zjarr
Gdhiheshim përqafuar, ah sa dashuri!

 

Natë pa hënë

Rrugën kam marr errësirën e çaj.
Me nxitim më bartë një ndjenjë dashurie
Do ta zgjoj botën,
Nga frika e dashurisë,
Apo nga errësira e pafund.
Ti në këtë natë pa hënë mbushe gotën
Dhe më pritë. Më pritë tek dera.
Ah! Natë pa hënë.
Pse moj rreze na merr inat?
Nuk vëren si digjet zemra
Asnjë xixë udhës s’më fal
Sa mizore,
Sa i pafat.
Nëse dehesh, më prit të çmendur
Dhe hidhu në krahët e mijë
Se nata tis e ruan sekretin.
Dhe pikat e shiut si loti në faqe rrëshqasin.
Natë pa hënë! Natë magjike!
Rrokullisemi livadhit me shi.
Unë rrëshqas trupit tënd avulluar
Të prek
Të përkëdhel
Të ledhatoj
Të puthë
Të ndjej
Të marr të shtrëngoj në krahët e mi.
Puthemi
Digjemi zjarr
Lakohemi
Si një ortek,
Natë pa hënë!
A do flemë?!
Kur të zgjohemi kësaj nate antike,
Mos thuaj;
Dëgjohemi,
Dashurohemi.
Përvëlohemi.
Natë pa hënë…
Natë magjike...

 

Digjem zemër

Në këtë orë toka më avullon nën këmbë,
Dora jote merr zjarr në dorën time.
Dhe sytë tu janë ndezur si dy drita
Aty rreth nesh ndizet gjithçka.
Digjet, zjarr.
Rrëshqas, me gjuhën këmishën të zbërthej
Rreth gushës ndjej një armomë dehëse.
Përpëlitem zemër,
Jam ëndërr e blertë!
Fryn erë e ftohtë
Fluska akulli,
Se shuajnë dot zjarrin tim…

Malli im

I mblodha të gjithë gëzimet
Dhe dhimbjet i mblodha fortë në dorë
Në dyluftim me gotën mes buzëve
E mbusha me verë si armë e morra
Dhe zemrës i thash hesht,
Dhe buzët fort i shtrëngova
Dhe syrit i thash mos loto më.
Por vera vetë nuk u pika
Dhe mall kisha për gotën e zbrazët
Prej ku thithte buza jote,
Pa Ty as gëzim dhe as dehje s’kishte...

 

Ëndërr e parë

Nata sa kish hedhur vellon e zezë
Sytë provova me i mbyllë,
Dhe ëndërr me vjen shaluar me Ty.
Ti me vello dhe kalë të bardhë
Shpirti i trazuar, mendim i vrarë.
Ti si yll në qiell më ik.
Dhe një lot i nxehtë faqes rrëshqet
Se dallgë dashurie me vije në grykë,
Dhe shpirtin më mundon
Ky dyluftim më është i kotë...
Se ëndrra është me mua
Se sytë si mbylla dot...

 

Ëndërr e dytë

Dëshira më rrëmben të bëhem erë
Si puhizë këmishën me të fresku
Ngadalë buzën me të puthë
Dhe trupin me të mbështjell.
Dua të bëhem hënë. Në dritare,
Me rrezen të hyjë brenda në dhomë
Dhe fytyrën tënde të shkëlqej.
Të bëhem ujë në buzën tënde
Me valën time me të përkund.
Ah! Sa kam dëshirë shtroje të bëhem.
Mbulesë e jotja të jem,
Dhe kështu të dy bashkë të flemë...

 

Ëndërr e tretë

A të kujtohet nata e parë
Kur gishtat tu ngatërruan në flokë.
Si kalove oborrit nëpër gjethe të zverdhura
Si fshiheshe pemëve kur lëvizje si hije.
Kur unë rrezen e parë të diellit ta pash në sy
Kur ti më puthe e më vështroje me magji,
Dhe ja unë po vite përsëri
Se një kurorë me lule kam thurë...
A e din! Unë s’mundem pa Ty...




Hava vargun na e sjellë nga thellësia e shpirtit

 Nga Safet Hyseni

Poetja Hava Ajdini tani më emër i njohur në poezinë shqiptare na vjen me një përmbledhje të re poezish të titulluar “Natë pa hënë”. Përmbledhja e sajë është një titull simbolik ku ajo shtjellon në formën sajë origjinale, duke ruajt shprehjen artistike, ndjenjat e thella që shkakton dhimbja dhe njëkohësisht dashuria. Gëzimi dhe dhimbja, lumturia dhe vuajtja janë personazhet e saj që enden nga vargu në varg, janë shprehje dhe ndjesi që vijnë nga thellësia e shpirtit si ndodhi të jetuara, dëshira të ëndërruara dhe ajo këtë rrugëtim e bënë duke sjellë imazhe dhe peizazhe për të ruajt komunikimin me vargun dhe harmonin e tij kundrejt lexuesit. Edhe pse libri i ndarë në disa kapituj lexuesi shumë me lehtësi bashkohet për të shpreh keqardhje për dhimbjen në kapitullin e pare, ku përmbledh gjithë përkushtimin për dhimbjen tragjike, dhe kur lexuesi bëhet njësh me dhimbjen autorja si për inat e bartë në mënyrë shumë të lehtë tek vargu lirik në kapitullin e fundit “Malli im”. Krijuesja rrëfimin e vargut poetik na e sjellë nga thellësia e shpirtit, na e bënë të afërt dhe ne komunikojmë dhe ia mësojmë çmimin të keqes, ia dimë vlerën të mirës, dhe krijojmë kuptimin për luftën në mes të dashurisë dhe vuajtjes, gëzimit dhe dhimbjes, harmonisë dhe ngashërimit. Çdo cikël në libër është tejet përmbajtjesor dhe komunikon shumë lirshëm me lexuesin duke sjell të gjitha bukurit e natyrës dhe shpirtit të pastër, të mbushur me dashuri. Ajo këtë e bënë me një mjeshtëri të rrallë me tekst artistik, të pasur me figura poetike dhe krahasime, duke sjellë në ndihmë bukurit natyrore për të rrëfyer dashurinë dhe ëndrrën që ka njeriu për njeriun, njeriu për jetën, për të bukurën. Autorja na e jep kuptimin për jetën, dashurinë, kënaqësinë, dhimbjen, lirin.., përmes figurave të shumta të cilat na vinë si freski jete dhe ndriçojnë mendjen, pastrojnë shpirtin duke komunikuar me lexuesin. Struktura e vargut në të shumtën e rasteve është e lirë por herë pas here ajo përdor edhe rimën si dhe letërsinë popullore që është një gurrë e pashtershme, e gjithë kjo rrjedh sipas vullkanit shpirtëror të përjetuar të autores, me një leksik të qëlluar e figura të pasura artistike. Autorja përdor peizazhet e natyrës, rrëfimi poetik është i pasur me tablo shumëngjyrëshe, duke ruajt stilin origjinal, dhe në saje të natyrës së saj shprehëse depërton thellë shpirtit duke na e bërë vargun të lehtë të kapshëm dhe të thjeshtë. Poezie a Hava Ajdinit ka shumë ritëm, ka shumë ndjenja, depërton dhe zbut shpirtin e lexuesit, lexohet me shumë kënaqësi, por edhe përjetohet. Ajo na e rrëfen jetën, pa u hamendur fare, por duke na dhënë mesazhin për kujdesin se shpesh mund të bëhemi edhe autor të dhimbjes. Dhimbja dhe dashuria janë personazhet e sajë të preferuara në këtë cikël poetik, që bashkudhëtojnë dhe luftojnë njëra tjetrën. Rrëfimi është i këndshëm dhe rritë ndjenjat e lexuesit për të ecur rrugës njerëzore, me plotë jetë e dashuri. Si dhimbja ashtu edhe dashuria janë pjesë e jetës andaj ajo ka shkrirë të gjithë talentin dhe këtë e ka bërë për më shumë kënaqësi, lumturi, harmoni dhe dashuri në mes të njerëzve.

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen