Samstag, 14. September 2013

Haxhi Dikolli, “organ” i lindur për poezi


Shkruan Hamit Taka

Këtë metaforë e ka përdorur Maksim Gorki për Eseninin, poetin më të talentuar të Rusisë, pse jo edhe të mbarë botës. Për ata që e kanë lexuar dhe e njohin krijimtarinë poetike të poetit Haxhi Dikolli, nuk besoj se është groteske të themi se, në përmasat e Shqipërisë, ai është një “organ” i lindur për poezi. Pra një Esenin i saj. Dhe Shqipëria mund të krenohet me të. Sepse është një nga majat e poetikës bashkëkohore, në sasi e në cilësi. Eshtë i tillë sepse zotëron talentin, dhuratën e Perëndisë, ka dëshirën për të shkuar më pranë ligjërimit poetik, ka memorjen e fortë për të kujtuar, ka këmbënguljen për të qëndruar me tensionin e poezisë në çdo çast të jetës dhe çdo gjë e shkruan tamam në valën e frymëzimit, në dehjen e shpirtit. Por, duhet theksuar se atij i mjafton një detaj(domethënë një temë), për ta ngritur në çast poezinë në këmbë me tërë arkitekturën e paristrukturueshme. Poezia e Dikollit është poezi e mbyllur. Asaj nuk ke çfarë t’i heqësh e çfarë t’i shtosh.
Që kur u shfaqët ju/bukuri rrezëlluese,/Perëndia hoqi dorë /nga krijimi./Ju la në dorën e poetëve/të merreshin me grimin. (Pa titull)
Nuk e kam takuar as një hërë poetin Haxhi Dikolli. Kam njohje virtuale, nëpërmjet faqeve të internetit dhe librave të lexuara. Por, mendimi im, në se do ta njohësh një njeri, lexo ato që shkruan, se fjala del nga ndërgjegjja ose nga shpirti. Për shkencëtarët del nga ndërgjegjja. Për poetët nga shpirti. Vetëm për gjeninjtë nga të dyja. Dhe kështu pretendoj se e njoh poetin, për të cilën më ngacmoi kryesisht leximi i dy librave të dhuruara në distancë, me ndërmjetës: “U putha me perëndinë”, 2011 dhe “S’të them dot lamtumirë”, 2013. Mos janë pak dy libra? Jo. Mjafton dhe një, për të njohur talentin, motivet dhe tematikën, e cila duhet thënë se te Dikolli është aq e larmishme sa nuk e rrokin dot limitet tona të njerëzve të zakonshëm. Tani nuk jam më i befasuar, siç isha në fillim, kur shikoja se ai ishte nga më të komentuarit, në mos më i komentuari në faqet letrare të internetit. Domethënë sot e gjithëherët jam lexues dhe adhurues i poezisë së tij.
Iku edhe dita e sotme./Më duket se asgjë s’i ka mbetur./Të nesërmen/e kërkoj nëpër xhepa,/nuk di/se ku më ka mbetur./Palosur më dysh/e kisha,/siç ishte/e virgjër,/e paprekur!, “Dita”.
Por, si publicist, që në krye, nuk më rrihet pa thënë se tërë kjo krijimtari e begatë, pa kurrëfarë kufizimesh ideologjike e principesh të një morali qesharak të kodifikuar, mundi të lulëzojë vetëm në këtë hapësirë e klimë demokratike, ku fryma e lirisë në krijimtari është e barabartë me oksigjenin jetik. E, si për ta larguar ajrin mbytës të diktaturës, për t’i shqyer kafazët me hekura të shpirtit e ndërgjegjes, kur e bukura, romantikja, dashuria e lirë, besimi në hyjnoren shpalleshin herezi, Haxhi Dikolli merr e i vë librit të tij titullin: “U putha me Perëndinë”. Titull, i cili ngërthen jo vetëm njohjen e saj, por edhe heqjen e vellos mistike dhe qasjen njerëzore të saj në formën e një gruaje(gruaja është perëndi), akoma edhe shkëmbimin e një puthjeje, domethënë fatin e tij të paracaktuar nga Perëndia për t’u bërë poet. Poet s’mund të bëhesh pa bekimin e Perëndisë, sado të përpiqesh të stisësh vargje, sado aftësi letrare prej “profesori” të kesh, për të kthyer historinë, politikën apo rrëfenja të rëndomta në vargje, siç ndodh jo në pak raste me disa profesorë letërsie. E në këtë mjedis të pakufizuar poezia e Dikollit ngjan si një gurrë e kulluar, që del jo nga mali, por nga shpiti i dlirë i njeriut të lirë e të bukur, nga harmonia reales me imagjinaren, nga bukuria dhe dlirësia e natyrës shqiptare. Ngjan si një burim i kthjellët, ku pasqyrohen yjet, dielli, hëna, malet, fushat, livadhet dhe lulet plot kolorit ylberues.
Sa dua,/që kjo erë,/e thatë,/valën e shpirtit/të ma shtyjë drejt Jugut./a drejt një ylli… “Era”
Të them se Haxhi Dikolli është një kompjuter i programuar për poezi, nuk e teproj. Materia e kësaj poezie, kaq e freskët dhe e ngrohtë, është vetë jeta reale, njeriu me interesat e gjithanshme të tij, mbi të gjitha, femra me hapësirën e pakufishme shpirtërore dhe universalitetin e saj. Si një aparat rëntgenoskopik ai i bën autopsinë konstitucionit shpirtëror të njeriut, veçanrisht të femrës. Ai i prek asaj indet më të ndjeshme, duke i shkaktuar drithërimat me vibracionet më të ëmbëla muzikore. Nga ana tjetër, si një kopshtar i mirë, kujdeset që në livadhin e ndjenjave dhe emocioneve të çelin e lulëzojnë lulet shumëngjyrëshe më të bukura të jetës. Tema qëndrore e poezive të tij është dashuria, si një univers, mbi bazën e të cilës ngrihet struktura solide e shoqërisë njerëzore. Por, në se do të veçonim ndonjë rrezatim më inkadeshent në spektrin e gjerë të mjeshtërisë artistike, do të veçoja erotizmin në krijimtarinë e tij poetike. Këtë zhanër ai e vërtit si një xhongler i vërtetë që vërit objektet spektakolare në arenën e cirkut. E pret dhe e qep si një modelist virtuoz, sa për ta patur zili.
S’ka parfum që më ndeh mua,/po s’pikoi e bie nga hëna,/po nuk pati aromë gruaje/të ketë mjaltë e qumësht brënda. “Aromë gruaje”
Poeti Haxhi Dikolli operon në zejet e krijimtarisë poetike me vargun dhe strofën e rregullt, se, si poet i talentuar që është, e kupton se e pacënuar në shekuj ka mbetur kryesisht lirika e organizuar me mjeshteri. Edhe kur përdor vargun e bardhë(atë të thyer-bombë e flamur, sipas Majakovskit, mjeshtër i këtij vargu, pothuajse nuk e përdor fare), brenda tyre kumbojnë ritmet dhe rimat, që i bëjnë melodiozë vargjet aq sa poezinë mund ta strukturosh në strofa të rregullta klasike. Poezia lirike lëvruar me mjetet dhe instrumentet klasike të ngjitet në memorje, këndohet si këngë dhe të emocionon edhe pas shekujsh. Kujtojmë Safon, Gëten, Bokaçion, Eseninin e sa e sa të tjerë. Prandaj Dikolli u qëndron besnik instrumentave klasikë se nuk ka krijime për t’i humbur në kohë. Sepse ai e ka të qartë që detyra e vargut është zgjimi i ndjenjave dhe jo kultivimi i teknologjisë së mendimit.
Ka që thonë se ishte legjendë/të tjerë që thonë se ishte fjalë,/ka që flasin për të e Ali benë/ si për Helenën e Menelanë. “Vasiliqia e Aliut”, Strofë monolite, që s’e bren as lagështira e as koha.
Në leksikonin poetik të Haxhi Dikollit nuk gjen fjalë të kërkuara e të tjerrura sipas modave letrare, duke marrë poza poetit modern, por fjalën e thjeshtë dhe të pastër të ligjërimit popullor. Ai është I drejtpërdrejtë dhe shumë pranë brenda atmosferës folklorike të poezisë. Vlerësuesi më I mirë për poetikën e tij është e do të jetë lexuesi.
Sa për të nënvizuar ndonjë të metë, siç ndodh rëndom me recensionet, do të thoja, gjithmonë sipas mendimit tim të kufizuar në analizat e poetëve, një farë përsëritje të motivit erotik, të puthjes apo të ëndërrave; ndonjë kadencë jo e qëlluar apo e kërkuar në mbylljen e ndonjë poezie me varg të bardhë. Por këto janë fare pak të ndjeshme, si pak manykir mbi vellon e nuses. Poezia e realizuar është një nuse.

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen