Freitag, 13. September 2013

Myzaljen Hoxha: Idhujt e mi


“MUND TȄ MȄ THONI SE KU I GJETȄT LEKȄT ?........”,
pyeste Dori ( TEODOR KEKO ), një nga njerëzit e letrave shqip, duke ju drejtuar njerëzve të pushtetit.
( Pyetja më sugjestionuese e letërsisë bashkëkohore shqiptare. Më besoni nuk është e rëndomtë kjo ! )

Sinqerisht, dëshiroj të flas dhe të ndaj me Ju, “UN-in” tim , si
pjesë integrale e “NE-së” bashkëkohore.

Trilogjia “Financë - Letërsi - Shah “ më ka bërë që ta dua jetën cilësisht, dhe të besoj fort në vlerat e saj, por kjo gjithmonë nëpërmjet punës së aftë dhe të ndershme në dobi të gëlimit të vetë jetës.

Kjo ka ndodhur dhe ndodh pasi :

- Financa është profesioni im i parë.
Financa nuk është gjë tjetër, veç një debat i sofistikuar i lidhjes së individit me shtetin. Nuk ka shkollë më të mirë se Financa Publike.

- Letërsia, marrë guximin të them, se është profesioni im i dytë.
Letërsia është arti i zbulimit të diçkaje të jashtëzakonshme tek njerëzit e zakonshëm, dhe për të thënë me fjalë të zakonshme, gjithçka të jashtëzakonshme. Letërsia është vetë frymarrja e jetës. Vështirësia në letërsi nuk është për të shkruar, por të shkruash çfarë mendon cilësisht, jo për të ndikuar domosdoshmërisht lexuesin, por për të ngjizur atë që mendon se është e drejtë, e mirë dhe kulturim i njerëzve.

- Shahu është profesioni im i tretë.
Shahu është shumë më tepër se sport, pra shumë më tepër se një lojë. Shahu nga mënyra e të menduarit është shkencë, dhe nga mënyra e të ekzekutuarit është art.

I gëzohem modestisht, deri edhe në kufijt e krenarisë së sinqertë njerëzore, që në profesion jam Financier, në kulturë jam Poet dhe në sport jam Shahist, mbasi kjo ka bërë dhe bënë të mundur të përballoj me besim dhe stoicizëm amullinë rutinore, që përditësisht shkakëton injoranca, inteligjenca e korruptuar dhe imoralpolitika e kohës.

Idhujt e mi janë KUTELI dhe KEKO.

Dy njerëz të zakonshëm, me mendje të ndritur dhe përqasje të jashtëzakonshme kundrejt vetë vlerave të jetës.

Pra, Mitrush Kuteli si njeri, dhe njeri i letrave kur thotë :

“ Profesionismi në letërsi, në vëndin tonë, është, hë për hë, një rrugë vuajtjesh, buka e tij është e hidhur. E hidhur, them, për atë që s’di marifete dhe hipokrizira. Tereni i letërsisë është një tokë tek gëlojnë gjerprinjtë. Të vrasin shokët, se ju bën hije.
Dhe kur nuk u bën hije do të thotë se nuk je i zoti për letërsi. ….. Talenti, prirja nuk vlejnë asgjë pa punë, pa kulture ”, dhe Teodor Keko, si njeri dhe njeri i letrave kur thotë :

“Tetë vjet më parë, kur hyra në Parlament si deputet i PD-së, unë kisha një dhomë e një guzhinë në katin e nëntë të një pallati. Ligji i aprovuar ato kohë i ndalonte deputetit të merrej me biznes ose me dypunësi, qoftë dhe indirekt. Unë e respektova këtë ligj dhe mbeta në mënyrë të natyrshme në këtë apartament, megjithëse fëmijët u rritën. Mbeta në këtë apartament jo se desha të qëndroja në atë ngushtësirë, por se nuk kisha dhe nuk kam mundësi financiare të blej një apartament të ri.
Është pa kuptim të ftosh popullin të votojë, kur pjesa më e madhe e politikanëve janë hajdutër. E nisa nga analiza e vetvetes, për t’iu treguar se edhe unë habitem sesi shumë ish-kolegë të mi, dikur shumë më rrjepacakë ekonomikisht, nga unë, dhe ndryshe nga unë, pa asnjë të ardhur shtesë nga honoraret etj, sot banojnë në vila, apo apartamente superluksoze. Një prokurori serioze duhet të ndalojë, para një peisazhi të tillë dhe të bëjë pyetjen e thjeshtë pa asnjë tendencë:

Mund të më thoni se ku i gjetët lekët ?...”,
dhe shkruan :

"Po ikim ne, kokërënë mbi gjoks,
s'përmendim më klasikë e bëmë të Skënderbeut.
Mbi varr na gdhendni epitafin meritonjës:
"KËTU PREHEN VARROSËSIT E ATDHEUT",

pra, kanë thënë të tërën, kanë thënë kulmimin e jetës së kuptimtë dhe të mbrojtjes së saj.

Pra ata dijnë të na mësojnë, që Letërsia është një protestë ndaj pamjaftueshmërisë së jetës.
Ashtu sikurse na thonë :
“ Pa letërsi, natyrisht nuk ka jetë, pra nuk ka “ Kohë të jetuar dhe jetë të pohuar ”.

PO ! Ky është FERRI DANTESK SHQIPTAR.
Natyrisht, që ai është shumëdimensional, prandaj për të hedhur dritë mbi të, për të mos rënduar trishtësinë dhe zymtinë e tij, dhe për të hedhur poshtë “Tunikën e NESOSIT”, që na është ngjitur fort në trup dhe na djeg, shkruajta poezinë filozofike meditative “TERRERRȄSIRA E FERRIT” :

TERRERRȄSIRA E FERRIT
“Vendet më të errta në ferr ruhen për ata, të cilët
bëjnë sehirxhiun, në kohën e krizave morale”.
DANTE ALIGIERI

Indiferenca nuk është jetë,
por, pesha e vdekur e historisë që na ndjek.
Materje inerte që i fshihet gëzimit,
dhe e fundos në moçalet e qytetërimit.

Indiferenca gëlltit të diturit,
në thellësitë e urrejtjes së stisur.
Fataliteti nxjerr bisqe në shpirtin e të uriturit.
Inteligjenca ndrydhet dhe shtypet,
nga injoranca e bezdisur.

Fataliteti shkatërron gjithshka dhe të gjithë.
Histori brenda së cilës ne jemi viktima.
Masa njerëzore indinjohet dhe zemërohet,
me dije e pa dije,
me dëshirë dhe pa dëshirë,
kur kemi vepruar keq,
apo kemi qenë indiferentë dritë-hije.

Masë njerëzore që ligështohet,
e heq dorë nga vullneti.
Që veçohet, e i lë gjërat në dorë të fatit.
Natyrë salltaneti !

Që tërhiqet, dhe krijon nyje gordiane,
që vetëm shpata mund t`i zhbëjë.
Që lejon shpalljen e ligjeve,
që mund t`i shfuqizojë vetëm rebelimi.
Që ngre në pushtet gjysma-njerëzish,
që zëri i padëgjuar bëhet proces shëlbimi.

Turma e njerëzve di se ç`kërkon,
që të shpëtojë nga vetëshkatërrimi.
Ajo thotë se kush është fajtori.
Lebetitet, ankohet dhe mallkon me devocion,
dhe as një njeri i pushtetshëm s`dëgjon.
Kjo ndodh rëndom, ..... dhe gjithmonë.

Fataliteti duket që dominon,
me pamjen e gënjeshtërt të indiferencës.
Fatet e njerëzve manipulohen,
vizionet, konceptet dhe qëllimet mohohen.
Nga ambicjet dhe pasionet,
e një grushti njerëzish të tjetërsuar.

E keqja është :
Se e drejta del në dritë,
kur pëlhura e endur në hije ka përfunduar.

Ka pak njerëz dhe askush, që fajësojnë vetveten,
kjo nga indiferenca jonë plot “nur”.
Indiferentët s`kuptojnë vlerën e ideve,
probleme ka, .… dhe zgjidhja nuk vjen kurrë.

Kontributi i tyre në jetën reale,
nuk animohet nga asnjë ndjenjë morale.
Indiferentët, ”të pafajshmit e përjetshëm” i përbuz.

Unë i urrej indiferentët !
Kriza është e tyre,
dashuria është e imja :
Fjalë e ngrohtë dhe e fuqishme në buzë.

Unë nuk pranoj asnjë njeri,
që sot rri në dritare dhe bën sehir.
Kur ka njerëz që vuajnë dhe sakrifikohen,
ndërsa indiferentët zhgënjejnë,
dhe vetë poshtërohen.

Jeta dhe indiferenti,
borxhli i madh për atë që i ka fal.
Nuk ka përse të ketë keqardhje për ta.
Nuk ndaj lotët e mija me të tyre.
Të ardhmen e ndërton gjithë qenia ime,
jetoj dhe ndihem i madhuar në vetëdijen time.

E ardhmja !
Asgjë nuk ndodh rastësisht.
E sotmja :
Eshtë e ardhmja që po vjen marrëzisht.

E ARDHMJA !

Le të mposhtim indiferencën, të behemi kurajoz dhe oponent të pushtetit të gabuar dhe arbitrar, duke besuar dhe shpresuar në ndryshimin si zhvillim dhe mbarësi të kombit, dhe asnjë herë të mos harrojmë se inteligjenca e shëndoshë është gjithmonë oponenca konstruktive e qeverisë.
Ja këto refleksione dëshiroja të ndaja me JU, të dashur miq !

“LE TȄ BȄHET DRITȄ” !

__________________________ Fier, më 11.09.2013
Myzaljen Hoxha
Poet dhe Eseist

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen