Montag, 23. September 2013

Mbreti me zanat


Shkruan Danel Cana


/Nga proza popullore/

Një mbret, i ri në moshë rreth 25 vjeç, i pa martuar, fronin e trashëgoi nga i jati. Ai djalë ishte pak i çuditshëm për mbretërinë, sepse pyetjeve të tija, të pakët ishin ata që i përgjigjeshin! Bashkë me fronin,nën urdhërat e tij ishin edhe të gjith ata që i kishin shërbyer me besnikëri babait të tij. Njëri nga këta, ishte një këshilltar, me gradën gjeneral, i vjetër në moshë, rreth të 60-tave dhe me flokë të thinjur. Një ditë prej ditësh, Mbreti dhe Gjenerali, kështu quhen në përrallë, ishin duke biseduar në dhomën mbretërore, rreth oxhakut sepse ishte vjeshtë dhe koha kishte filluar të ftohej.Në çengelin e oxhakut, ishte varur një kusi me ujë, e cila përdorej për të mos u tharë ajri i dhomës. Për një moment nuk po fliste asnjëri dhe dëgjohej vetëm kllu-kllu i ujit që valonte dhe tek-tuk ndonjëçik ujë që binte në zjarr, duke lëshuar atë zhurmën karakteristike të tij.Kush ka qën mbret, e di shum mirë se ç'do të them! Befas Mbreti e pyet Gjeneralin:
- Çfar thotë Kusia?
Gjenerali qeshi! Duke menduar se Mbreti bënte shaka,sepse nuk e kishte dëgjuar herë tjetër këtë lloj pyetje!Por Mbreti këmbënguli dhe e pyeti përsëri:
-Çfar thotë Kusia?
Përsëri Gjenerali ja ktheu me të qeshur:
- Kusia? Çfar do thotë? Asgjë!
- Jo! - Ja ktheu Mbreti.- Ajo thot një gjë!
-Po çfar do thot Kusia?-Ju përgjigj Gjenerali me kureshtje.
- Atë dua të gjesh. - I tha Mbreti i vendosur dhe prerë.- Përndryshe nuk meriton të jesh pranë meje. Po nuk e gjete do të pres kokën.
Gjenerali e kuptoi se Mbreti nuk bënte shaka,por nuk dinte si ti përgjigjej! Mbeti i shtangur dhe u ngrit rrëmbimëthi duke kërkuar leje të largohej.
- Ikë.-I tha Mbreti- Por ke tre ditë afat për t'a gjetur! Përndryshe unë do jap urdhër të të presin kokën!
Gjenerali u largua, duke mos e kontrolluar fare veten! Në dalje të portës së jashtme, u përplas me Bahçevanin e pallatit.Edhe Bahçevani ishte një burr i moshuar, pothuajse në një moshë ma Gjeneralin.
- Ej! Ku i ke sytë? Nuk shikon ku hedh këmbët? - I foli Bahçevani.
- Ou! Më fal! Nuk e kisha mëndjen!- Ju përgjigj Gjenerali.
- Ku e kishe mëndjen?- E pyeti Bahçevani.
- Lëre mos më pyet!- I tha Gjenerali.
- Po ti fol, se mund të ndihmojmë!- I thotë Bahçevani.
- Nuk e di por...Kështu,kështu...më ndodhi! I tregon gjith historin me Mbretin.
- Dëgjo këtu.-I thotë Bahçevani.- Unë nuk të jap dotë xhuvap,por e kuptoj se kot nuk të ka thën Mbreti! Këto janë nga ato fjalët që...përgjigjen e kan në hejbe,si i thotë një fjale të urtë! Po ti mos u mërzit se në një fshat jeton një vajzë e re, e cila u kthen përgjigje këtyre pyetjeve.Ajo jeton vetëm me babanë e saj dhe është shum e zgjuar.Një ditë larg është prej këtej.- E sqaroj Bahçevani.
Gjenerali pasi e dëgjoj me vëmëndeje,mësoj edhe fshatin ku banonte vajza e zgjuar dhe vendosi që të nesërmen në mëngjez të shkonte atje, për të mësuar përgjigjen që do ti shpëtonte kokën! Mezi priti të gdhihej!Sapo çeli dita,i hipi kalit,i veshur civil jo me uniformën ushtarake,që të dukej sa më i thjeshtë dhe mori rrugën për në fshat.Me vehten e tij bënte llogari, se si do gjente sa më kollaj shtëpinë e vajzës! Si do hynte në bisedë! Mendonte edhe ai ndonjë pyetje të ngjashme me atë pyetjen e Mbretit.E bëri llogari që në të ngrysur të gjendej në fshatin e duhur.Në të perënduar të diellit u gjend në fillim të fshatit të adresuar.Ai ishte një fshat në rrëzë të një mali të lartë.Aty në anë të rrugës pa një fshatar, i cili po lëronte (plugonte) tokën me qe'! Pasi e përshëndeti,Gjenerali e pyeti nëse kishte zjarr për të ndezur një cigare,ndryshe nuk kishte se si të hynte në bisedë me fshatarin.
- Edhe zjarr kemi,edhe duhan kemi!-Ju përgjigj fshatari, një burrë rreth të 50-ave,me një bujari karakteristike të një të varfëri por fisnik!
Gjenerali i zbriti kalit, e la të kulloste në ledhin e arës dhe vetë shkoj u takua me fshatarin bujar.U ulën të dy ashtu siç ishin,mbi arën e sapo lëruar dhe e drodhën nga një cigare, duke përdorur gjethet e kallirit të misrit(lëpushka), në vënd të letrës.Kështu ishte atëherë! Duke tymosur duhanin e fortë të fshatarit,Gjenerali mendonte se si do vazhdonte biseda më tej!
- Ka ndonjë Han në këtë fshat që të gdhihemi për sonte,sepse jam për rrugë të gjatë?-Pyeti Gjeneral,për të hapur muhabet,duke e provokuar.
- Han nuk kemi në fshat, por..ti mos u mërzit se e kemi një copë kasolle për miq e për shokë!- Ju përgjigj fshatari.
- Të fleminderit por..nuk dua të të bezdis se ke kalamjt e tu e familjen tënde, e më duket sikur do të vë në siklet.- Ja ktheu Gjenerali.
- Ooo ç'është ajo? Unë vetëm një vajzë të vetme kam.
Aha ! Mendoi gjenerali.Paskam goditur në personin e duhur.Për këtë u gëzua dhe e pranoi me kënaqësi ftesën e fshatarit.Kështu që kishte kohë të mendohej edhe për "Kusinë" .
- Të faleminderit shumë! -Ja ktheu përsëri gjenerali dhe u ngritë,pasi u ngritë edhe Fshatari, i cili filloj të lëshonte të dy qetë kurse parmëndën e hodhi në krah.U nisën të dy,Fshatari përpara dhe Gjenerali mbrapa.Gjenerali e pa të arsyshme që të mos i hipte kalit por,për respektë ta ndiqte fshatarin më këmbë dhe kalin e mori për dore! Mbasi ecën një cop herë,gjenerali e pyet:
- Do më ngresh,a të të ngre?
Fshatari u mendua një cop herë." Po ky dreq!Unë kam parmëndën në krah!Ky kalin e ka bosh! Çdo të thotë me këtë?" E kuptoi se ishte pyetje me tjetër kuptim,ndaj bëri sikur nuk e dëgjoi.Vazhduan përsëri rrugën.As Gjenerali nuk këmbënguli më.Më lartë rruga kalonte përmes varrezave të fshatit! Atje ishte një varr i freskët.Gjenerali përsëri pyeti Fshatarin duke u drejtuar nga varri i freskët:
- Po ky këtu? Rron apo ka vdekur?
Përsëri Fshatari u mendua! "Ky e shikon që është varrosur! Ç'do të thotë me këtë?"Përsëri heshti,pa kthyer përgjigje.Por edhe Gjenerali nuk i tha gjë.
Gjenerali mendonte se mbase gjente ndonjë kusi në zjarr,e kështu do ishte më e lehtë të hynte në temën që kërkonte!
Mbas pak arritën tek shtëpia e Fshatarit.Fshatari i foli vajzës së tij dhe ajo doli në oborr.Ishte një vajzë rreth 20 vjeçe,me flokët zeza,si pënda e korbit,të gjata që i binin deri në mes dhe e bukur në fytyrë.Fshatari i dha urdhër që të priste e nderonte mikun! Ajo menjëherë pas përshëndetjes, i mori kalin nga duart dhe duke e ftuar të hynte brënda në odën e miqëve,shkoi të rregullonte kafshën e lodhur.Duke u larguar Gjenerali vuri re se vajza çalonte pakëz.
Gjenerali hyri brënda në një dhomë të vogël, me oxhak,zjarri ndezur dhe në zjarr vënë një kusi, mbi një perosti! Sa u gëzua Gjenerali kur gjeti një ambient të tillë!Pas pak erdhi edhe Fshatari dhe i uroi mirseardhjen mikut,sipas zakonit,duke i dhënë edhe dorën.Pasi u takuan,Gjenerali përsëri pyeti:
- Çfar thotë kusia?
Fshatari përsëri bëri sikur nuk e dëgjoi,pasi nuk dinte çfar ti përgjigjej!
Pas pak erdhi vajza e cila u pruri kafetë dhe i uroi mirseardhjen edhe mikut të sapo ardhur.Pasi pinë kafenë,Fshatari ju drejtua vajzës,tek e cila gjithmonë kishte gjetur sqarim për shum gjëra që ai nuk i kuptonte.
- Moj bija ime! E ftova këtë mikun në shtëpi sepse është për rrugë të largët dhe më erdhi keq që nuk kishte ku të gdhinte natën!
- Po mirë bëre baba! Shtëpia për miq e për shok është e hapur!
- Po mirë po..ky ma ka bër tre herë borxh, e unë nuk dija si t'i përgjigjesha!
- Çfar të tha baba?
- Po ja..e para! Kur po vinim lartë për në shtëpi ky më pyeti:"Do më ngresh a të të ngre?" Unë nuk dija si t'i përgjigjesha e bëra sikur nuk e kuptova!
- Po mir të ka thënë baba! Ai të ka thënë:" Do më llafosësh a të të llafos?" Ju do kini qën të heshtur?
- Eeee! Ashtu është.Nuk po fliste asnjëri.
Aty Gjenerali u bind se vajza vërtetë ishte e zgjuar.
- E dyta,-vazhdoi Fshatari-kur kaluam tek varri i ...filanit! Prapë më pyeti: "Po ky,është gjall apo ka vdekur?"
- Po mir të ka thën baba! Ai të ka pyetur: "Ka lënë trashëgimtar, apo është shuar fare?"
- Aaa! Nuk e kuptova moj bijë.Po do më falësh se aq ma pret kjo rradake!- I tha Fshatari së bijës.
Gjenerali tani mezi priste të dëgjonte përgjigjen e asaj që kishte marrë udhën, e që do t'i shpëtonte kokën! I hapi sy e veshë, pa folur,për të dëgjuar dialogun që bënin babë e bijë!
- E treta moj bijë! Sapo erdha këtu më pyeti:" Çfar thotë kusia?" Unë prapë nuk dija ç'ti thosha! Flet kusia? Ndaj e lashë që të të pysja!
- Aaa! Edhe kusia fletë! Për këtë e kam fajin unë, se u mora me punë dhe nuk kam kohë!
- Po çfar thotë kusia moj bijë?
- Kusia thotë: "Do më hedhësh ujë të ul valën,apo të shuaj zjarrin?"
Kjo nuk i kishte shkuar kurrë në mëndje Gjeneralit! Prandaj e pyeti Mbreti?!Tani kujtohej ai se për nga shkalla ....ishte ai që duhej të ngrihej e ti hidhte ujë kusisë!Tani gjenerali e ndiente veten të çliruar e të pa mposhtur.Ai sapo kishte mësuar një sekret që të pakët ishin ata që e dinin!
Atë natë ndëjtën deri vonë duke biseduar,hëngrën, pinë,fjetën, pa u zbuluar se "Miku", me të cilin bisedonin ishte këshilltari kryesor i mbretit!
Kur u ngritë Gjenerali në mëngjez,vajza ju solli kafenë.Duke pirë kafe,"Miku" i thotë Fshatarit,me qëllim që ta dëgjonte vajza dhe si do përgjigjej.
- Shtëpinë të mirë e paske,por oxhaku sikur është njëçikë shtrëmbër!- ( E kishte fjalën për vajzën që ishte e zgjuar por çalote pakë! )
Vajza e kuptoi ku e kishte muhabetin "Miku" dhe j'u përgjigj në momentë:
-S'ka gjë! Dorë ustai është! Mjafton që tymi ikën drejtë!-( E kishte fjalën se mjafton që e kam kokën plotë!...)
Gjenerali e pa se ishte vërtet për t'u admiruar,e shum e zgjuar,prandaj u ngritë, u përshëndet,duke i falenderuar dhe u largua për andej nga erdhi!
Të nesërmen shkoi tek pallati i mbretit,i qeshur e i gëzuar.Kur e pa kështu Mbreti e kuptoi se do kishte ndonjë lajm të mirë.
- Hë? -E pyeti, pa pritur që t'i thoshte ai.- E gjete ç'thotë kusia?
- Po.E gjeta!
- E çfar thotë kusia në zjarr?
-Kusia thotë: Do më hedhësh ujë të ul valën,apo të shuaj zjarrin?
- Kush ta tha?- E pyeti Mbreti, me një mënyrë këmbëngulëse,pasi ishte i sigurtë se nuk ishte mëdja e tij!
- Vetë e gjeta!-Ja kthen Gjenerali duke u skuqur në fytyrë.
- More..Që nuk është mëndja jote!..Për këtë jam i sigurtë.Por thuama se tani do t'a pres vërtet kokën si gënjeshtar!
-Gjenarali detyrohet t'ja tregoj,të gjith historinë si i ndodhi,që ju të dashur "kalamaj" e mësuat më lartë.Por përralla vazhdon akoma!
- Atëhere ti që nga ky moment do të bëhesh mblesi im!- I tha Mbreti,pasi e dëgjoj me kujdes.
- Unë mblesi i juaj madhëri?Jam shum i lumtur për këtë!-Ja ktheu Gjenerali i entuziazmuar.Qysh nesër do nisem .
- Do shkosh!-I tha Mbreti,-Por do të japë disa peshqeshe t'ja çosh vajzës!
-Dakord!-Ja ktheu Gjenerali Plak.
Të nesërmen në mëngjes Gjenerali u nis për tek fshati ku jetonte vajza e mënçur! Mbreti i kishte dhënë me vete,1 kulaç gruri, 1 kacek me verë dhe 31 aspra floriri.Këto ishin peshqeshet që duhej t'ja dhuronte vajzës,në emër të mbretit!
Duke ecur rrugës Gjenerali mendohet me vete se vajza, nuk e pa çfar i dha mbreti! Ndaj preu një cop kulaç, e hëngri duke pirë edhe ca verë.Numuroi florinjtë,ishin31! I hoqi 2 copë, e i futi në xhep! Më darkë arriti tek shtëpia e vajzës.Sa e panë Gjeneralin,e njohën, por u çuditën sepse, këtë herë ai shkoi me uniformën e tij ushtarake.Pasi i uruan mirse ardhjen, e pyetën se cila ishte supriza? Mos vallë nuk ishte i kënaqur apo...?
- Jo! Jam shum i kënaqur.-U tha Gjenerali.-Por sot kam ardhur si mblesë.
- Mblesë! Për hair! Por kush është ai?-E pyeti Fshatari.
- Mbreti kërkon dorën e vajzës tuaj! Më ka dhënë edhe këto peshqeshe.Urdhëroni!
Vajza i mori peshqeshet duke e lavdëruar dhe e pyeti;
- Çfar zanati ka mbreti?
Gjenerali u habit jashtë mase! Nuk e kishte dëgjuar ndonjëherë, por meqënëse e thoshte vajza e mënçur,diçka do kishte këtu! Megjithatë e pyeti.
- Mbreti është mbret,çfar zanati do ketë?Ai nuk ka nevoj të punoj ndonjë zanat për të siguruar bukën e gojës! Megjithatë unë do t'i them!
- T'i thuash ç'të thashë dhe më kthe përgjigje.Po të japë edhe një cop letër t'ja japësh.
Vajza i shkruajti një letër ku e falenderonte Mbretin për respektin që tregonte dhe se adhe ajo nga ana e saj respektonte edhe Mbretin edhe të dërguarin e Mbretit.Në letër i shkruante ndër të tjera:
Hënëza jo e plotë! Keci në gjunjë! Muaj 29!
Dhe e palosi duke ja zgjatur Gjeneralit! Gjenerali të nesërmen u ndodh përsëri tek Mbreti.Pasi e pyeti se si kaloi? Si e pritën? Çfar i thanë? Gjenerali e llafosi për të gjitha dhe i dha letrën që ta lexonte.
Mbreti e lexoj me vëmëndje dhe ju kthye Gjeneralit me inat;
- Kulaçin përse e hëngre?... Po verën përse e ke pirë?...Po 2 aspra flori pse i vodhe?
Gjeneralit i erdhi turp nga gjith kjo,sepse nuk e priste dhe nuk dinte si ta justifikonte.I kërkoi falje për të gjitha këto.
-Faljen do t'ja kërkosh asaj! Të shkosh urgjentë,ndryshe do të pres kokën.
- Siurdhëron madhëri!-Ja ktheu gjenerali.
- Dhe i thuaj vajzës se, Mbreti do mësoj zanatin për të bërë rrogoza.
Fluturoj të nesërmen përsëri Gjenerali,drejt e në fshat.
- Aman se do më presi kokën Mbreti!-Ju lut gjenerali. - Atë gabim e bëra unë.Unë e hëngra njëçik kulaç! Unë e piva njëçik verë! Unë i mora dy aspra flori! Të lutem jam në dorën tënde!
-Mirë!-I tha vajza.-Dotë jap një letër për t'ja dhënë.Unë të kam falur.Por i the Mbretit çfar të thash unë?
-Po.Më tha se do mësoj të bëj rrogoza!
- Epo mirë! Zanat është edhe ai!-Ja ktheu vajza.-Kur të jetë gati të dërgoj haber dhe një cop rrogoz,të punuar nga dora e tij!
I shkruajti një copë letër ku i thoshte:
Për hatër të Thëllëzës,mos ja nxirr sytë Korbit!
Gjenerali i mori të gjitha këto dhe shkoi përsësri tek Mbreti.
- Sa e pa në derë, mbreti e priti me të parën;- Hë i pëlqeu zanati që zgjodha?
- Dakort ishte o mbret i nderuar por..!
- Çfar por?...Ta fali gabimin që kishe bërë? ..Më thuaj të vërtetën! Po më gënjeve do zbatoj vendimin!
- Gabimin ma fali o mbreti im,por...Habitem se si merreni vesh kaq mir ju të dy,dhe unë nuk mund të kap asnjë llaf !
- Aha! Për këtë mërzitesh ti? S'ka gjë.Unë e njoh gjuhën dhe kulturën e popullit tim,ndryshe nuk do mundesha të qeverisja mbretërinë.Pa Sqaromë tani se si të priti e çfar të tha.
- Po ja...! Më tha se edhe bërja e rrogozave zanat është! Më tha se kur ta mësosh zanatin,kërkon t'i dërgosh një copë rrogoz, të punuar nga dora jote dhe pastaj do të më thotë prapë, se çfar do vendosë! Më ka dhënë edhe këtë copë letër.
Mbreti ja rrëmbeu nga dora letrën dhe e hapi me nxitim.Pasi e lexoi,qeshi dhe ju kthye Gjeneralit:
- Ah! Çfar t'i bëj Thëllënxës unë pa...ty ta këpusja kokën!
Mbas disa ditësh Mbreti mësoi të thurëte rrogoza dhe pasi bëri një copë rrogozi vetë me dorën e tija,e mbështolli dhe bashkë me disa peshqeshe të tjera ja nisi përsëri vajzës së mënçur, me Gjeneralin.
Vajza e priti dhe e nderoi si duhet Gjeneralin. Pasi e pa me vëmëndje copën e dërguar të rrogozit nga Mbreti e mori dhe e futi në sepeten e pajës së saja.
- Tani po,që jemi në rregull!-Ju drejtua vajza Gjeneralit.- I thuaj Mbretit se jam gati.Ditën e dielë të dërgoj krushqit për të më marrë.
Gjenerali fluturoj nga gëzimi dhe ditën e nesërme u gjend përsëri në oborrin mbretëror.Mbretin e gjeti të rrethuar nga një grup këshilltarësh,të cilët raportonin dhe diskutonin probleme të ndryshme.Mbreti mezi priste përgjigje.Sapo e pa në derën e sallonit të madh, ja bëri me shënjë që të afrohej.U mori leje të gjithëve dhe u shkëput nga grupi i këshilltarëve,për t'u hequr m'njanë.Sapo u ndodhën vetëm ju drejtua;
- Hë! Çfar të reje kemei?
- O mbreti im i nderuar! Jam i lumtur që të bije lajmin më të lumtur të jetës.Vajza e bukur dhe e zgjuar e dha fjalën e saj.Ditën Djelë pret krushqit me kalin e bardhë dhe vellon e nusërisë.
-Atëherë të shpallim dasmën.-Tha Mbreti dhe doli me të shpejt e shkoi drejt sallonit të madhë e të bollshëm.U ul në fronin Mbretëror dhe ua bëri me dorë të pranishmëve të dëgjonin atë që do komunikonte Mbreti.
Të gjithë u përqëndruan dhe pllakosi heshtja,për të dëgjuar me vëmëndje fjalën e Mbretit.
- Të nderuar zotërinj dhe zonja që ndodheni në këtë sallë.Ngaqë kohët e fundit, kam pasur shumë kërkesa e propozime për martesë,për të pasur në krah shoqen e jetës,bashkëshorten,atë që do quhet Mbretëreshë,vendosa të shpall ditën e dasmës.Si sotë një javë,të dielën e ardhëshme,do nis krushqit të marrin nusen që ka zgjedhur zëmra ime.Le të nisen përgatitjet dhe lajmëtarët në çdo anë.
Kështu që Mbreti filloi dasmën dhe ditën e djelë nisi plotë 700 krushq me kuaj e me muzika për të marrë nusen.
Dasma vazhdoi edhe një javë tjetër pas ardhjes së nuses në pallatin mbretëror.U martuan dhe u trashëgofshin,por...!
Mbasi kaluan nja 2-3 muaj,Mbreti,një ditë prej ditësh kishte dalë për gjah por i veshur civil dhe me rroba të thjeshta.Diku nëpër pyllin e dëndur,futen thellë në një përrua,Mbreti bashkë me dy ushtarakë të tij të veshur me uniformë.Përpara u dolën një grup hajdutësh,të cilët nuk e njihnin Mbretin.I ndaluan me forcë dhe i vranë që të dy rojet me uniformë.I grabitën e u muarën Çfar u gjetën,deri tek unaza,varëse,rrobat e trupit,këpucët.Për Mbretin kujtuan se ishte ndonjë ndihmës në gjueti dhe ju erdhi keq ta vrisnin dhe njëri nga ata e pyeti:
- Ti,ke ndonjë zanat të nxierrësh bukën tënde atje në burg, apo të zhdukim edhe ty?
- Po po.Unë di të thur rrogoza shum të mirë!-U thotë Mbreti.
-Shum mirë atëherë.Merreni e shpjereni në burg dhe vëreni të punoj.-Dha urdhër përgjegjësi i hajdutave.
Kështu që Mbretin tonë, e mbyllën në burg! Kalojnë disa kohë dhe Mbretëresh u shqetësua për mungesën e burrit,ndaj vuri në lëvizje gjith mbretërinë për të gjetur gjurmët e tij.Ajo dilte edhe vetë në pazar, e veshur si fshatare,se mos dëgjonte ndonjë lajm të ri.Në tregun fshatar i zuri syri një burr që shiste rrogoza.U afrua tek ai dhe duke parë me vëmëndje,njohu dorën e mbretit,d.m.th.të burrit të saj.Me takt i thotë shitësait të rrogozave;
- Ku i gjen këta rrogoza, se dua të porosis disa unë?
- Këta i bën një i burgosur që kemi atje brënda.-Ju përgjigj hajduti naiv.
- Po ku është ky vënd?-E pyeti mbretëresha.
- Nuk mund ta tregoj se më presin kokën.- I tha hajduti.
Atëherë Mbretëresha nxori disa monedha floriri dhe ja zgjati hajdutit duke i thënë:
- Të lutem e kam të domosdoshme të blej disa rrogoza se më pëlqen kjo dorë që i bën.
Hajduti u bind dhe ja tregoi vëndin.Atëherë vajza e mënçur e rrethoi vëndin me ushtarë, të cilët i kapën hajdutët dhe e liruan Mbretin.
-Tani e more vesh përse e doja Mbretin me zanat?-I tha ajo burrit të saj.-Sepse zanati të shpëtoi kokën.Ai kurrë nuk të lë të vdesësh.
Mbreti u ndie krenar për gruan e tij dhe jetuan të lumtur prej asaj dite.Ata janë akoma më të lumtur edhe sot e kësaj dite.Kështu thotë përralla.

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen